Juventusi fiton me tre kryevepra, bardhezinjtë kthen të argëtojnë

30 Qershor 2020, 23:57Sport TEMA

Juventusi ka kthyer në darkë diferencën prej 4 pikësh ndaj Lacios ndjekëse, duke fituar 3-1 përballë Xhenoas në transfertë, në një ndeshje ku krijoi e dominoi lojën. Por mbi të gjitha, duket se Juventusi ka gjetur përsëri shkëlqimin e yjeve të tij, me Dibala, Ronaldo e Douglas Kosta që shënuan 3 gola të shkëlqyer.

Pas një pjese të parë ku Perin i rezistoi gjuajteve drejt kuadratit, në të dytën ai u dorëzua pas një aksioni individual të Dibala i cili nga e majta gjeti rrjetën duke e mposhtur në shtyllën e parë. Pak minuta më vonë, ishte Ronaldo ai që vendosi emrin e tij në listën e golashënuesve me një kryevepër pasi mori topin në gjysmëfushë dhe pasi bëri disa metra, lëshoi një goditje të pakapshme për portierin kundërshtar.

Po aq i bukur ishte edhe goli i Duglas Kosta me një harkim perfekt nga e majta, duke vulosur një fitore që për statistikë pa edhe golin e Pinamontit për vendasit pak minuta para fundit të sfidës. Me këtë sukses, Juventus vazhdon të ecë i qetë, i ndërgjegjshëm se me kthimin në formë të yjeve, vështirë se mund të lëshojë pikë rrugës para takimit direkt me Lacion.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje