Milva Ekonomi: Prova e reformës së kryeminstrit Rama s’ka përfunduar

1 Nëntor 2016, 20:40Ekonomia TEMA

Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, ishte e ftuar sot në Forumet UET për të diskutuar mbi 10 pikat e “Paktit të reformizmit”, propozuar nga 7 profesorë të UET-it

Prova e reformës së kryeministrit Edi Rama nuk ka përfunduar, të gjitha reformat e nisura duhen çuar deri në fund. Kështu u shpreh sot ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, e ftuar në Forumet UET në një debat me pedagogë dhe studentë të Fakultetit Ekonomik në Universitetin Europian të Tiranës. “Pakti i reformizmit, a ka shanse reale për aplikim?”, ishte  tema e debatit e hedhur për diskutim në këtë forum duke marrë shkas nga 10 propozime konkrete për këtë pakt të bëra publike nga një grup profesorësh të UET-it disa ditë më parë.

Ministrja Ekonomi foli për reformat e nisura në disa sektorë që ajo i cilësoi si strategjikë, si turizmi, energjia dhe bujqësia, të cilat sipas saj duhet t’u jepet kohë që të japin efektet e duhura të reformave.

“Një profesionit që të bëhet i mirë i duhet të bëjë 10 mijë orë pune në punën e tij, nëse nuk i ka bërë 10 mijë orë pune nuk ka bërë asgjë akoma, ndërkohë që të bësh 10 mijë orë pune të duhen 6-7 vjet  dhe në një moment reformator si ky, që ka kaq shumë reforma, gjëja kryesore që duhet kuptuar është; mos hiq dorë nga ajo ke nisur, çoje deri në fund,  ndrysho ose perfeksiono gjërat gjatë zbatimit, por mos ndrysho vijën.

Në këtë moment unë mendoj se vijat janë ato që po udhëheqin, ajo që mund të përmirësohet janë gjërat e vogla që lindin gjatë zbatimit. Gjërat duhet të shkojnë përpara kështu siç janë, ka nevojë për të përmirësuar reformën, por mbi bazën e rezultateve të arritura, jo për ndryshime të mëdha”,- u shpreh Ekonomi e pyetur për reformat e nisura nga qeveria “Rama”.

Më tej ajo foli për punën e saj si ministre duke qenë se vjen nga shoqëria civile dhe jo nga politika. “Ne në qeveri punojmë me program të qartë, programin 600 ditësh, ku ka dhe një konkurrueshmëri pozitive, pasi në fund të ditës secili mat punën që ka bërë.

Për mua ka dhe një shndërrim personal pasi unë vij nga shoqëria civile, pra nga një pozicion demokratik në një pozicion monokratik dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme”,- tha ajo.

Ekonomi vlerësoi kryeministrin Rama për bashkëpunimin me të duke theksuar se ai është një kryeministër që dëgjon idetë e të tjerëve, ndërsa e cilësoi atë “një brand aktual të Shqipërisë jashtë vendit”.

Ministrja diskutoi dhe iu përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve dhe pedagogëve lidhur me zhvillimin e ekonomisë, lirinë ekonomike, monopolet në biznes etj..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje