Sokol Balla: Efekti boomerang i të qenit superstar i Edi Ramës

23 Nëntor 2016, 19:39Politika TEMA

Nga Sokol Balla

Edi Rama bëri përsëri lajm në Greqi. Në një intervistë për një gazetar të njohur grek, megjithëse në një orë të vonë të mbrëmjes, intervista e kryeministrit shqiptar pati një audiencë të konsiderueshme me mbi 128 mijë shikues stabël dhe mbi 490 mijë klikime online. Pak më herët gjatë të martës një telefonatë e gjatë dhe “jo pa tensione”, sipas burimeve afër kryeministrit shqiptar, i shërbeu shtimit të vëmendjes ndaj kësaj interviste.

Deklarimet e tij nuk ishin të reja, as për Shqipërinë natyrale, as për Çamërinë dhe as për ligjin e Luftës. I njohur për batutat, ajo për ndërrimin e emrit të futbollistëve, sigurisht që u prit jo pa ironi dhe jehonë, sidomos duke pasur parasysh se edhe deklarimi i tij i mëparshëm për Akropolin dhe shpëtimtarin e tij shqiptar, bëri më shumë bujë në Greqi, sesa po të paralajmëronte se do vendoste ushtrinë përgjatë kufirit grek.

E thënë ndryshe, problematika me Greqinë nuk është se ka ndryshuar në 50 vitet e fundit, as mes kryeministrit aktual dhe Athinës. Atëherë përse gjithë kjo vëmendje e shtuar? Stafi i kryeministrit dhe ai vetë, nuk duken aspak të shqetësuar me valën e kritikave që vijnë nga Greqia dhe ministri i jashtëm Bushati personalisht është i angazhuar në fërkime direkte me mikun e tij Kotzias, ndërsa dy shoferë të ministrisë u kapën e më pas u dënuan për transportim materialesh antigreke dhe hartash nacionaliste me Çamëri. Edhe Bushati nuk fsheh institucionalisht buzëqeshjen për një përplasje të tillë.

Një nga arsyet mund të ishte kriza ekonomike, e cila si gjithmonë ka ngjallur sens nacionalist në radhët e qeverive botërore, si një “Escape Goat” nga vëmendja mbi to. Një tjetër arsye mund të ishte rritja e kuotave elektorale në momentin që ato shfaqen të ulëta. Por asnjëra nga këto nuk duket të jetë shqetësim serioz për qeverinë në raport me elektoratin e brendshëm. FMN, Banka Botërore, Banka Qëndrore dhe Instat, duken kujdesshëm optimist për një rritje të qëndrueshme të vendit. Dy sfidat elektorale lokale të parakohshme, në Dibër dhe Ersekë, jo vetëm riverifikuan shumicën, por konfirmuan si dobësimin e faktorit LSI, ashtu edhe gjendjen shqetësuese në të cilën gjendet opozita me në krye Partinë Demokratike. Atëhere nëse nacionalizmi nuk qenka streha e fundit për këto arsye, cilat mund të jenë motivet e vërteta të këtij angazhimi të vullnetshëm ndërkombëtar e rajonal të qeverisë në përgjithësi e të kryeministrit Edi Rama personalisht?

Gjëja më e thjeshtë duket lidhja e këtij super aktiviteti me ekuilibrat e brendshëm politikë të maxhorancës. Meta dhe LSI shohin me shqetësim më shumë se të tjerët këtë hiperaktivitet diplomatik të Ramës, sa u duk ashiqare se vizita e bujshme e kryeparlamentarit në Athinë ishte një kundërvënie si ndaj retorikës së kryeministrit ndaj Greqisë, ashtu edhe balancim ndaj vizitës së tij të tretë në Beograd. Ilir Meta dhe kritikët e  Ramës, brenda dhe jashtë opozitës zyrtare, nuk ngurruan ta masakrojnë atë pas fitores së Donald Trump, të cilësuar prej kryeministrit si “e keqja e madhe e globit”. E megjithatë qeveria ja doli ta ruajë imazhin e saj, sidomos pas progress raportit pozitiv te Komisionit Europian, i cili jo vetëm vlerësoi “rolin konstruktiv të saj në rajon”, por edhe ftoi Këshillin e Ministrave të BE, që në dhjetor të hapë negociatat për anëtarësim të Shqipërisë. Zyrtarja më e lartë parlamentare franceze gjatë vizitës në Tiranë javën e shkuar vlerësoi maksimalisht rolin e ri të Edi Ramës në raportet shqiptaro serbe, ndërkohë që të hënën e ardhshme në Berlin gjatë takimit me Merkel, veç konfirmimit të lajmit të mirë në dhjetor, Rama merr rikonfirmim si i preferuari i kancelares në rajon, në këto kohë të turbullta, kur fitorja e Trump dhe afeksioni i tij per Putin, mund të rrisin edhe më shpresat e lobit sllavofil, për një influencë më të madhe të Moskës në Ballkanin me çështje ende jo plotësisht të zgjidhura gjeopolitike.

Pra edhe në planin e balancave të brendshme, duket se Edi Rama e ka për momentin të fituar davanë mbi Ilir Metën, i cili tashmë duket i dorëzuar dhe nuk i mbetet më asgjë tjetër, por pas 15 dhjetorit dhe një vendimi të pritshëm pozitiv të Këshillit të ministrave të BE për negociatat, të rikonfirmojë me nxitim një marrëveshje të re për katër vitet e ardhshme, jo më shumë të favorshme sesa ajo e katër viteve të shkuara me Partinë Socialiste.

Dhe prapë kjo nuk e shpjegon plotësisht arsyen se përse Edi Rama po ringjall këtë retorikë “majë më majë” me Greqinë. A po e lë ai veten të përdoret nga forca madhore në përplasjen e re lindje- perëndim? Dhe në shkëmbim të çfarë? Të një shpërblimi për vendin apo personal?

Sido që të jetë dhe sado kredite t’i japë ai Shqipërisë, gjithmonë të nëpërkëmbur në raportet ndërkombëtare, këtë hiperaktivitet diplomatik të kryeministrit dhe qeverisë së tij, nuk e shoh me fitim në planin e brendshëm kombëtar. Vendit i mbeten ende shumë probleme për të zgjidhur ose për të zbutur, siç është ndikimi I tregtisë së kanabisit në ekonominë e vendit (2,6 përqind e GDP sipas raport progresit të fundit të BE). Vendi është socialisht dhe ekonomikisht i polarizuar, me 73,3 përqind e popullsisë që zotërojnë një pjesë të vogël të pasurive dhe 0,1 përqind që zotërojnë shumicën absolute të tyre.

TAP dhe Banja mbeten dy vepra madhore që ndikojnë në mirëqenien dhe punësimin, por jo në të gjthë zonat e vendit. 270 milion dollarë investime në punë publike e rrugë, do jenë pak për të çuar mirëqenie kudo në Shqipëri vetëm brenda vitit 2017. Të marrësh kredi në euro për të rritur rrogat e pensionet nuk është një gjë e zgjuar, siç nuk është bukur që ashtu si Berisha para zgjedhjeve të 2009, të përzësh FMN dhe të prishësh kontratën me të. Këto, janë në fakt të gjitha shenjat se një mandat i dytë i mundshëm i qeverisë, mund të kthehet sërish në një katër vjetësh të shëmtuar, ashtu siç i ndodhi më herët socialistëve dhe demokratëve, në fillim dhe fund të viteve 2000.

Për më keq, nëse vëmendja në këtë vit elektoral shkon tek performanca personale e kryeministrit dhe qëndrimet e tij ndërkombëtare, padrejtësisht mund të largohet nga disa perpjekje serioze të qeverisë së tij për reformat në vend, siç është ajo e vendosjes së ligjshmërisë, e territorit, e arsimit, pensioneve, si dhe më e rëndësishmja, ajo e Drejtësisë.

Dhe e fundit, nëse kryeministri mendon se zgjedhja vitin tjetër duhet të behet personale dhe jo politike, shqiptarët do sillen ashtu siç sillen të gjithë njerëzit në botë: në qershor 2017 do ta marrin personale marëdhenien me Edi Ramën. Dhe askush prej nesh brenda nuk është i ndryshëm nga një amerikan, apo europian. Ne preferojmë viktimën, jo fituesin. Preferojmë të thjeshtin dhe jo arrogantin, shohim me dhimbje të dështuarin, dhe i japim më mirë një shans tjetër atij, sesa të suksesshmit.

Në këtë efekt boomerang mund të bjerë shpejt strategjia e re publike diplomatike dhe ndërkombëtare e Edi Ramës. Dhe këtu nuk e ndihmon dot Angela Merkel. Si do që të sillet jashtë, ai do votohet në Shqipëri. Nga shqiptarët. (Javanews.al)

1 komente në “Sokol Balla: Efekti boomerang i të qenit superstar i Edi Ramës”

Comments are closed.

Lini një Përgjigje