Pas dorëheqjes së Genc Alizotit, aktualisht drejtimin e Hekurudhave Shqiptare po e mbajnë nëndrejtorët e saj.
Gjendja e kësaj ndërmarrjeje prej kohësh është shumë e rëndë, duke bërë që sot të ketë vetëm disa linja udhëtarësh apo mallrash ende në funksion.
Mes tyre është ajo nga Durrës- Vorë e anasjellas, si dhe DurrësShkodër dhe Vorë-Elbasan.
Ndërkohë që për mallrat funksionon ajo me Malin e Zi, si linja e vetme ndërkombëtare.
Burime pranë kësaj drejtorie hedhin dyshimet se videoskandali ndaj Alizotit ka pasur prapaskena, me qëllim largimin e tij nga detyra, raporton “Panorama”.
Për rimëkëmbjen e Hekurudhave Shqiptare pritet të financohet një shumë e konsiderueshme parash, çka sipas tyre ka bërë që të nisë “lufta” për kreun e kësaj ndërmarrjeje.
Nuk dihet nëse publikimi i videoskandalit është bërë nga partnerja e Alizotit (me të cilën supozohet se po kryente aktin seksual) në një moment gjaknxehtësie, apo materiali filmik ka rënë në duar të tjera, të cilat e përdorin për të prishur imazhin e ish-kreut të Hekurudhave.
Me gjithë tentativën për të komunikuar me të, Alizoti nuk është përgjigjur në telefon, duke mbetur mister në këtë mënyrë edhe reagimi i tij për këtë video.