Linda Morina është metafora e shoqërisë sonë

5 Janar 2017, 22:40Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

Linda Morina është VETJA jonë e defiguruar nga VETJA jonë, në kohë shterpësie e boshllëku, për t’u ndier më komod. Kur e shohim dhe e dëgjojmë Linda M., ne ndihemi se jemi «ok», normal, por në thelb ajo është vetëm manifestim transaparent i sëmundjes, vdirjes, zvetënmit dhe akulturimit tonë.

Ne kërkojmë vetjet tona të sëmura sepse ato zbulojnë deskriptin e historive personale dhe egove, percepcioneve të botës perifere me gjuhë trivialiteti, që thjeshtë neve na e bëjnë jetën të durueshme, duke na e krijuar idenë se jemi mirë dhe normalë.

Porse Alberto Moravia thoshte se njerëzit normal s’janë të mirë: «… se normaliteti paguhet gjithnjë, me vetëdije apo jo, me çmim të lartë, me bashkëfajësi të ndryshme, po të tëra negative, me pandjeshmëri, budallallëk, poshtërsi, në mos kriminalitet». Po e jetojmë frikën nga një akulturim, (akulturimi si sëmundje, sipas Susan Sontag), frikën nga pamundësia, nga një vdirje e gjuhës, etikës dhe estetikës, po e jetojmë, pra, frikën.

Në librin briliant «Sëmundja si metaforë» shkrimtarja dhe eseistja Susan Sontag mendon se pushteti e kthen sëmundjen në metaforë, që qytetarëve t’u duket vetja se janë normnalë, se çdo gjë është «ok» dhe se ka vend madje edhe për lumturi e festa.

Njeriu është qenie e papërkryer, e pabërë, pra ende jonjeri, prandaj ka nevojë edhe për vizllima festash e besim se Babadimri ka me ardhë e me e gëzue me dhurata, si ndërrim për të drejtën për lumturi ose intencën për dëshirim ekonomik ose lirinë ekonomike.

Ne të gjithë jemi neurotikë: të trentë, pas diçkahit apo për diçka, siç ishin Giordano Bruno, Nicolaus Copernicus, Mozzart, Nietzsche, Einstein etj. Ne të gjithë jemi të çmendur dhe normalë, vetëm vendet në shoqëri dhe kontekstet psikosociale janë të ndryshme – sepse brenda egos ekzistojnë superego, alterego dhe ego të tjera të fshehura në palcë të shpirtit, me tendenca separate, që copëzohen (çahen, një e çarë në tru), që duan të pavarësohen, të bëjnë një «udhëtim psikik», ta shijojnë një vegim të parajsës, pra duke ia kaluar çështjen konfliktit të përhershëm midis të vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmës.

Ekziston një fjalë që është esenciale për teorinë e Sigmund Freudit, kjo fjalë është «ndrydhja» dhe mbi këtë fjalë ngrihet tërë godina e psikanalizës. Shikuar nga perspektiva më e re freudiste, qeniesimi i shoqërisë është ndrydhja e individit, ndërkaq qeniesimi i individit është ndrydhja e vetvetes. Teoritikisht më të rëndësishmet janë ëndrrat. «Ëndrra vetë për vete është simptom neurotik. Sipas kësaj, ne të gjithë jemi neurotikë. Nëse asgjë tjetër ëndrat tregojnë se dallimi midis neurozës dhe shëndetit vlenë vetëm ditën» – thotë Norman O. Brown. Freudi thotë se «njeriu është kafshë që e ndrydh vetveten dhe që krijon kulturën dhe shoqërinë që ta ndrydh vetveten.»

«Historia, ky është ankthi nga i cili dua të zgjohem» , shkruante James Joyc, ndërkaq Nietzsche e shihte botën të ishte një çmendinë, tepër gjatë. Njerëzimi sot ende vazhdon të krijojë historinë dhe ndërkohë nuk ka ndonjë ide të qartë mbi atë se çfarë në të vërtet dëshiron, cila është mësymja normale e tij dhe nën çfarë kushtesh do të pushonte të jetë i palumtur – duket qartë se ajo që e bën në të vërtetë akoma më shumë e bën të palumtur.

Mishërim i kësaj historie është padyshim Kim Kardashian. Supergruaja që nuk ka profesion. Që nuk ka kontekst, që nuk bën gjë dhe «çmend botën normale». Shoqëria postindustrialiste është katandisur në një apati dhe vetmi. Çmenduria, jo tuberkulozi siç e kundronte Sontag, është bërë tani përçuesja e mitit shekullor të tejkalimit të vetvetes.

Dhe një vajzë province duke qenë nxënëse e zellshme e shkollës mediatike kosovare trushpërlarëse, e quajtur Linda Morina, më mirë se askush tjetër ka përçuar në publik idenë se çfarë nuk duam të jemi e në realitet jemi. Të hallakatur, të çakërdisur, të zhytur në kiç. Linda ka parë idhujt e saj shumë përpara se të bëhej vetë idhull, ka parë se mbi sutjenat me shqiponjën dykrerëshe kanë efekt, kryejnë punë. Kështu nacionalizmi, siç thoshte Danilo Kish, merr përmasa të kiçit.

Kuptimi më i përhapur për metaforen është ai i Aristotelit që do të thotë «t’i japësh diçkaje një emër që i përket diçkaje tjetër». Në këtë kontekst për të çmendurin, institucionet zyrtare kanë emërtimin «njeri me çregullime psikike», ndërsa për çmendinën, ent për shërimin e njerëzve me të meta mentale. Emërtimi popullor është «shtëpia e të trentëve», ndërkaq për të çmendurin thuhet rëndom: «i trentë», porse në kuptimin familjar, ky emërtim zbutet, pra sëmundja metaforizohet për ta fshehur të vërtetën, duke thënë «po i dhemb kryet diçka».

Në botën postmoderne, si të rrëfyemit në kishë, njeriu është në kërkim, nga zbulesa e vetës, uni i lirë, pa autocensurë.

Dhe pikërisht vajza me emrin Linda tek qeshemi ose iritohemi me të (varësisht nga konteksti psikosocial), ajo është duke luftuar të çlirohet nga shtangimi si vulë e kësaj shoqërie, mësynë zbulesën e vetes, që e di se duhet bërë diçka me veten dhe lirinë e saj, porse duke qenë peng e një shoqërie arkaike, nuk e di se çfarë është ajo që duhet bërë dhe kapërdiset në darët mediatike të disa skizofrenëve që zyrtarisht u është dhënë e drejta ta manifestojnë vetën e sëmurë në transparencën e tjetrit të viktimizuar, siç bëri Ermal Mamaqi në emisionin e tij «Xing – Xing».

Përderisa Susanna Tamaro, shkrimtarja italiane e bestsellerëve, shfaq bindjen se pornoja sot shikohet aq shumë dhe merret si zëvendësim për muzikën «Rock ’n‘ Roll», jam i mendjes se janë pikërisht rrjetet sociale sot ato që e zëvendësojnë pornon, shpesh në Facebook është hallakamë, si në një disko të madhe, mirëpo rrjetet sociale zëvendësojnë pos pornos edhe arenën (e gladiatorëve?), sepse aty njeriu ndjen se po e humb peshën e trupit, gravitetin, si në një kohë të përjetshme.

Armiku i vërtetë i njeriut është paraardhësi i tij shtazor, që në ballafaqim më të njeriu-gjuetar, pas secilës përleshje, «rizgjohet» me shumë veti të bishës dhe kur e mund atë, ai ngjitet mbi pirgun e kufomave nga të dy taborret dhe ngërdheshet, vjen e bëhet i pushtetshëm dhe vështirë i mposhtshëm, është vetë bishë që thellë në vetvete ka diçka të egër.

Por ka dhe veti djallëzore, zjarrin. Atë zjarr që e shfaq tek kënaqet në tregimet e pështira që i trillon për tjetrin, zjarr me të cilin mëton poshtërimin e tjetrit/tjetrës, lëndimin shpirtëror të tij, duke e parë tjetrin pavetëdijshëm në vetveten, në errësirën prej bishe në zgavër të shpirtit vetjak.

Mamaqi dhe të dyja shoqëritë tona (në Shqipëri dhe Kosovë) kemi mëtuar ta poshtërojmë Lindën (zatën për këtë e nxorëm nga shtëpia idilike në fshat dhe e sollëm në studiot televizive) pa qenë koshient se ne jemi të poshtëruarit. Metafora shpreh mënyrën sesi sëmundje shumë të frikshme shikohen si «tjetri», i huaji, siç është armiku në një luftë moderne, e kalimi nga demonizimi i sëmundjes te fajësimi i të sëmurit është i pashmangshëm, pavarësisht a shikohen të sëmurit si viktima. Linda është viktimë e kësaj shoqërie, sepse është prodhim i saj – i shkollës, medias, politikës, estradizmit. Viktimat nënkuptojnë pafajësi. E pafajësia, nga logjika e pamëshirshme që sundon të gjithë termat e mardhënieve, të çon mendjen te faji.

4 komente në “Linda Morina është metafora e shoqërisë sonë”

  1. piter pan says:

    Gjetja eshte patjeter e mire e autorit, por shqiptaret e shkrete nuk ndahen dot nga deshira per te treguar se sa erudite jane.
    Artikulli eshte i mbytyr me referenca shkrimtaresh, qe autori i ka lexuar, dhe te pengon rrjedhjen normale te leximit.
    Zotni, shkrimin mund ta kishe shkruar edhe me thjesht dhe jo te mbytyr me fjale te huaja, sepse shqipja ka boll fjale…

    1. Aksi says:

      E drejte Piter Pan, si rralle ndonje shkrim i Halilit ky m’u duk se do te ishte i hajrit, por nuk ka pike rrjedhshmerie ne lexim. Autori vertete flet ne veten e pare shumes, por thelle thelle mendoj se duke shkruar ne kete stil deri diku te pakuptueshem dhe me referenca te panjohura per publikun e gjere, kerkon te distancohet nga populli i thjeshte “dele” qe qesh me Linden dhe Ermalin bashke.

  2. Aureli says:

    o matosh , ke shkruajtur shume po pa mdonje lidhje llogjike, vetem me pasazhe aty ketu te shkeputura , shpesh nuk kane lidhje me llogjiken.

  3. Veterinari per Matosha says:

    Halil al mateshi…..eshte nje shimpanze islamokomuniste…..linda morina eshte e tille qfare eshte….por ahmakoidet qe i japin rastin qe te paraqitet me personalitetin e saj….jane klloshar te llojit er,al mamjuqi, apo robert shizofreni i Belgjikes qe punon ne Shqiperi por edeklaron se ka mberri suksese te medha ne Belgjike dhe per kete aresye ka ike nga Belgjika….per shkak te suksesit!!!!

    Shimpanza tjeter arijan qeni poashtu eshte nje qen lllaskucoid qe eshte gezuar qe ne Kosove kamidiota sikur ai….

    Halail al mateshi lnda morina per ty eshte akademike….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje