Gripi tek gratë shtatzënë, këshilla si të ruheni

9 Janar 2017, 14:07Shëndeti TEMA

Rreziqet për gratë shtatzëne nga gripi që ka prekur vendin  janë shumë të larta, pasi veç organizmit  të saj ajo mban edhe një organizëm tjetër duke sjellë dëmtime të dyfishta.

Në një intervistë për gazetën “TemA”, gjinekologia  Shpresa Thomai e cila punon pranë maternitetit  “Mbretëresha Geraldinë”,  jep këshilla për parandalimin e infektimit nga gripi si dhe masat që duhen marrë në rast prekje.

Gjithashtu Dr. Thomai përcjell rekomandime mjekësore edhe për kujdesin ndaj foshnjës.

Si duhet të mbrohet gruaja shtatzënë nga prekja e gripit?

Gruaja shtatzënë duhet të tregojë kujdes maksimal për t’u mbrojtur nga gripi pasi shëndeti i saj është mjaft delikat.  Ajo duhet të shmangë qëndrimet mes grupeve të mëdha njerëzish si p.sh: në autobus, qendra tregtare, pazare, kinema etj. Në këtë mënyrë eleminon marrjen e virusit nëpërmjet ajrit.

Veç kësaj do theksoja  konsumimin e një ushqimi të larmishëm dhe të pasur me vitamina. Është e nevojshme të ushqehet me produkte bimore, nën-produkte të qumështit,  mishit,  si edhe pirjen  e tepërt të ujit pasi ndihmon në largimin e viruseve nga organizmi.

Nëse një grua shtatzënë është prekur nga gripi, çfarë mjekimi duhet të marrë paraprakisht?

Në fillim një konsultim me gjinekologun përkatës do të ishte tepër i domosdoshëm.

Në rast se shfaq shenjat e para të gripit, ajo duhet të sigurojë menjëherë  një ambient të ngrohtë dhe të kufizojë lëvizjet e panevojshme. Nëna duhet të tregojë kujdes në kontaktin e saj me persona të tjerë pasi mund të infektohet edhe më shumë.  Nëse ajo ndjen rritje të temperaturës është e nevojshme që të këmbëngulë  në uljen e  saj me metoda mekanike. Poqe se nuk ka rezultat atëherë menjëherë këshillohet dërgimi në spital për të marrë një ndërhyrje më të specializuar.

Rritja e temperaturës mbi 38 gradë celsius, rrezikon lindje të parakohshme,  abort  apo edhe vdekjen e foshnjës në bark.

Çfarë medikamentesh duhet të shmangë një grua shtatzënë?

Janë të shumta antibiotikët që ne nuk i këshillojmë pasi ato sjellin komplikacione për shëndetin e nënës dhe të fëmijës.

Pa rekomandimin e mjekut specialist i cili konstaton se në çfarë faze është gjendja gripale,  ndalohet marrja e të gjitha medikamenteve. Shpesh herë gratë abuzojnë me këtë duke marrë antibiotikë pa marrë parasysh pasojat që vinë pas tyre.  Ne si mjekë kryesisht përdorim penicilinën si edhe një grup mjekimesh të cilat referuar studimeve nuk janë të dëmshme për fëmijën.

Në rast se një nënë e re është prekur nga gripi, a është e nevojshme ndërprerja e ushqyerjes së foshnjës me gji? Si mund ta anashkalojmë ngjitjen e gripit në këtë rast?

Ushqimi me gji pavarësisht gjendjes gripale nuk ndërpritet pasi është mjaft i rëndësishëm për shëndetin e fëmijës.  Në këtë rast nëna duhet të marrë një mjekim specifik për të luftuar infektimin.

Këshillohet që gjatë ushqyerjes të vendosë maskë mbrojtëse për të shmangur kontaktin me frymëmarrje. Deri sa të shërohet  këshillohet që t’i kalojë kujdestarinë  fizike një personi tjetër i cili nuk është i prekur nga gripi.

Nëse foshnja preket nga gripi, çfarë rekomandoni  ju në këtë rast?

Ne duhet ta ruajmë foshnjën, ta monitorojmë dhe të tregojmë kujdes ndaj ekspozimit në vende ku ka shumë njerëz.  Foshnja duhet të mbahet në një ambient të veçantë për të shmangur kontaktin me familjarë të tjerë që mund të jenë të prekur nga gripi. Këshillohet  që gjatë gjithë kohës të ketë një temperaturë konstante.

Në rast se fëmija shfaq shenja të gripit si pagjumësi apo të qara, prindërit në mënyrë urgjente duhet ta çojnë urgjentisht për të marrë ndihmën e parë.  Nëse neglizhohen këto shenja, pasojat do të ishin fatale.

Përgatiti Andrea Danglli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje