OSBE rrëzon PD dhe LSI: Shumë vonë për votimin elektronik dhe listat e hapura

15 Janar 2017, 16:46Politika TEMA

OSBE/ODIHR rrëzon kërkesën e Partisë Demokratike për të realizuar në zgjedhjet e ardhshme të 2017- s identifikimin biometrik, votimin dhe numërimin elektronik.

Po ashtu “arbitri” kryesor i zgjedhjeve kundërshton dhe kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka propozuar listat e hapura për zgjedhjet e qershorit.

“Panorama” ka zbardhur letrën e OSBE/ODIHR, sipas së cilës theksohet se koha e mbetur në dispozicion nuk është e mjaftueshme për të ndërmarrë ndryshime të thella në Kodin Elektoral.

Por për OSBE/ ODIHR, edhe pse koha është në limitet e saj, katër çështje mund të trajtohen nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore. Por asnjëra nga këto katër çështje nuk ka të bëjë me kërkesat e PD-së dhe LSI-së për votimin elektronik apo listat e hapura.

Vëzhguesi i zgjedhjeve kërkon që të ndërhyhet sa më parë në miratimin e amendamenteve që sigurojnë transparencë të partive politike në fushatë, garantimin e kuotave gjinore, forcimin e sanksioneve ligjore për shkelësit e ligjit zgjedhor dhe përmirësimin e kuadrit ligjor të mbulimit mediatik të fushatave elektorale.

“Është shumë vonë për Komisionin e Reformës Zgjedhore që të adresojë të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe rekomandimet e mëparshme në përmirësim të legjislacionit zgjedhor. Megjithatë nuk është shumë vonë për të adresuar disa pika të rëndësishme, përpara se të mbahen zgjedhjet parlamentare të 2017-s, dhe disa nga këto fusha janë:

1. Të rritet transparenca e financimit të fushatave elektorale.

2. Forcimin e kuadrit ligjor për kërkesat gjinore në listat e kandidatëve të partive politike.

3. Të forcojnë sanksionet për shkelësit e ligjit.

Letra e osbe

KOHA E MBETUR

Në letrën e OSBE/ODIHR thuhet se koha e mbetur nuk jep mundësinë për të bërë diskutime të gjera për katër fushat ku mund të ndërhyhet në Kodin Elektoral. “Edhe pse nuk është tepër vonë për ndryshime në kornizën ligjore ose për suportin teknik të OSBE PiA, fundi i 2016-s do të zvogëlojë në mënyrë të ndjeshme mundësinë për të bërë përmirësime në përputhje me standardet ndërkombëtare të OSBE në ligj. Angazhimet e OSBE janë të qarta në këtë aspekt.

Mbetet kohë vetëm për suport teknik minimal për hartimin e propozimeve specifike dhe pa marrë kohë për diskutime dhe analiza të thelluara të propozimeve alternative siç janë praktikat e mira. Në fillim të 2017-s, nevoja për fokusimin në një tekst specifik ligjor do të përmbysë nevojën për analiza të thelluara politike mbi propozimet konkurruese. Thënë shkurt, ky ushtrim do të jetë për shkruesit dhe jo për ligjbërësit. Vlera e suportit të OSBE në këtë pikë bëhet e dyshimtë”, thuhet në letrën e OSBE/ODIHR.

KONKLUZIONE 

OSBE/ODIHR u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të bërë përmirësimet minimale të Kodit Zgjedhor para zgjedhjeve të qershorit. “Legjislacioni elektoral mundet që ende të amendohet dhe të lëvizë drejt rekomandimeve të mëparshme të KiE, Komisionit të Venecias dhe OSBE/ ODIHR në mënyrë që të përmbushen standardet ndërkombëtare për zgjedhjet.

Mbetet ende kohë e mjaftueshme për ndryshime pozitive në të katër fushat e përmendura më sipër. Autoritetet shqiptare duhet të inkurajohen për të bërë ndryshime pozitive në këto fusha, ndërsa ka ende kohë për të bërë këtë gjë. Ka ende një mundësi të vogël për të bërë këtë gjë dhe autoritetet shqiptare nuk duhet të lejojnë që kjo mundësi të kalojë pa bërë disa përmirësime në legjislacionin zgjedhor përpara zgjedhjeve parlamentare të 2017-s”, thuhet në letrën zyrtare.

1 komente në “OSBE rrëzon PD dhe LSI: Shumë vonë për votimin elektronik dhe listat e hapura”

  1. Argita_B says:

    Nese me te vertete partite politike ne Shqiperi, perfshire ketu dhe PS-ne, LSI apo PD do te donin te reformonin kodin zgjedhor, nuk do te kujtoheshin 5 muaj perparaa zgjedhjeve, pasi kete e dinin qe kur kaluan zgjedhje e 2013, ^pra 3 vite e ghysem perpara. Kush i pengoi keto parti qe te benin propozime gjate gjithe kesaj kohe kur e dinin se kodi zgjedhor, apo forma si votohet nuk jane ne rregull!!
    Per mendimin tim te gjitha keto nuk behen per te permiresuar zgjedhjet, po per te shperngulur vemendjen nga problemet e kanabisit, problemet e korrupsionit, te gjykatave, te varferise… E thene ndryshe, nuk kane kopetenca te propozojne programe per te permirsuar jeten e shqiptareve dhe merren vetem me diversion.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje