Fatos Klosi: Ka ardhur koha të zbardhet 21 Janari, Berisha e Basha llogari para drejtësisë. Vrasja e 4 personave u urdhërua nga lart

20 Janar 2017, 09:38Politika TEMA

Nisja e zbatimit të reformës në drejtësi pritet të shënojë një pikë kthese në historinë e sistemit të drejtësisë shqiptare. Shumë çështje të mbyllura dhe të pagjykuara mirë, për shkak të ndërhyrjes së politikës në vendimet e gjykatave, pritet të rihapen me shpresën se gjyqësori do të ndahet një herë e përgjithmonë nga politika dhe të japë vendime të drejta në përputhje me ligjet e vendit.

Një nga çështjet më skandaloze me një vendim qesharak nga gjykata, është 21 Janari. Sot mbushen 6 vjet nga ngjarja e 21 Janarit, ku u bënë “kurban” katër të pafajshëm për të kënaqur orekset e pushtetarëve tanë. Kjo çështje ka mbetur e pagjykuar mirë dhe fajtorët kryesorë i kanë shpëtuar drejtësisë deri më sot.

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, një nga figurat më aktive në komentimin e ngjarjeve politike, për “Sot”, bën thirrje se me miratimin e reformës në drejtësi ka ardhur koha të zbardhet 21 Janari. Fatos Klosi është shprehur se Berisha dhe Basha të japin llogari para drejtësisë, pasi vrasja e katër personave është urdhëruar nga lart. “Përsa kohë që në bulevard u vranë katër vetë dhe asnjë përfundim serioz nuk është dhënë, kjo çështje duhet të rihapet. Unë shpresoj se do të vihet drejtësi, prandaj u bë gjithë kjo reformë. Drejtësia nuk duhet të varet më nga politika. Pushteti i pavarur ka për detyrë të vejë drejtësi se kush ka gabuar, kryeministri, Presidenti apo ministri i Brendshëm”, u shpreh Klosi.

Provat për rihapjen e çështjes

Fatos Klosi deklaron se ka prova të mjaftueshme për të rihapur çështjen e 21 Janarit. Klosi deklaron se vrasjet janë urdhëruar nga lart, pasi Garda nuk mund të qëllonte mbi protestuesit sepse nuk ia lejon ligji. Ai tha se përdoruesit e armës e dinë mjaft mirë se qëllohet me armë vetën në kushtet e vetëmbrojtjes, ndërsa në protestën e 21 Janarit askush nga qytetarët nuk ishte i armatosur dhe të përbënte rrezik për punonjësit e Gardës.

“Provat janë për të hapur çështjen. Kur nuk ka prova ka një përgjegjësi shumë të madhe; kush ishte në pushtet, kush urdhëroi dhe çfarë ndodhi. Nëse nuk ka prova për gjërat konkrete, kush ka urdhëruar? Drejtuesit e Gardës nuk kishin këllqe për të marrë vendimin për të shtënë mbi protestuesit, se ka një ligj për përdorimin e armës. Arma përdoret vetëm në kushtet e vetëmbrojtjes.

Ata që kanë armën në dorë e dinë që mund ta përdorin vetëm në kushtet e vetëmbrojtjes. Këto kushte nuk kanë qenë në 21 Janar. Pra Garda është urdhëruar. Atëherë, kush mund të urdhërojë?”, u shpreh Klosi. Në këto kushte, Klosi e quan skandaloze që gjykata nuk dha drejtësinë e duhur për vrasjet. “I është bërë bisht kësaj çështjeje. Unë e quaj skandal vendimin që ka dhënë gjykata.

A duhet të shkojmë deri te kryeministri apo jo, kjo është detyra e drejtësisë”, tha Klosi.  Ai tha se kjo çështje ka mbetur e pagjykuar pasi nuk e ka lejuar politika e lartë. “Në këtë valle janë të përfshirë të mëdhenjtë, dhe kjo çështje nuk është zbardhur e plotë duke çuar para drejtësisë përgjegjësit. Në këtë çështje janë të përfshirë ministri, kryeministri, kryetari i PD, pra janë në mes njerëz të rëndësishëm dhe prandaj është mbajtur peng. Drejtësia nuk duhet të ketë njerëz të rëndësishëm dhe të parëndësishëm; drejtësia duhet të jetë një për të tërë”, tha Klosi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje