Numërimi elektronik/ Berisha: Nuk na duhet, krenar me numërimin që kemi (4 vjet më parë)

20 Janar 2017, 18:32Politika TEMA

Partia Demokratike ka shndërruar votimin elektronik në qëllimin e saj parësor, duke lidhur zbatimin e kësaj kërkese me vetë pjesëmarrjen e saj në zgjedhje.

Sipas PD, pa votim elektronik nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme dhe as njohje të rezultatit zgjedhor nga ana e tyre.

Ndërsa partnerët ndërkombëtarë dhe OSBE/ODHIR janë shprehur qartë kundër kësaj mënyre votimi, të cilësuar si të parealizueshme teknikisht në më pak se pesë muaj që kanë mbetur deri në votime, duket se partia e drejtuar nga Lulzim Basha është e vendosur të krijojë një tymnajë, teksa përgatit alibinë e saj për humbjen e pritshme zgjedhore.

Ajo që bie në sy është që katër vjet më parë, qëndrimi i qeverisë së djathtë të atëhershme për votimin elektronik ishte tërësisht i ndryshëm.

Ish-Kryeministri Berisha, në disa momente bëri të qartë qëndrimin e tij kundër kësaj mënyre votimi, duke bojkotuar direkt dhe indirekt mbarëvajtjen e procesit.

Fillimisht, qeveria shqiptare kontraktoi një firmë spanjolle për të realizuar numërimin elektronik dhe për identifikimin elektronik të zgjedhësve, pa i dhënë specifikime kësaj kompanie në tender. Kur teknologjia u bë gati, u pa se kërkesat e shtetit shqiptar ishin tërësisht të ndryshme, ndërsa ky proces u bojkotua në KQZ nga anëtarët e djathtë vazhdimisht. Për t’i vënë kapakun, një ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve, ish-Kryeministri Berisha firmosi anullimin total të projektit pilot që do të gjente zbatim në Tiranë dhe në Fier.

I ftuar në emisionin “Top-Story”, të Sokol Ballës, në prag të zgjedhjeve Berisha u shpreh në atë kohë se nuk kishte asgjë që nuk shkonte me sistemin manual të numërimit, madje e konsideronte atë si sistemin më të përparuar në Ballkan.

“Shqiptarët duhet të jenë krenarë me sistemin e numërimit që kanë. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE më ka thënë që keni sistemin më të saktë në numërim. Shqiptarët votojnë. Ka një votim familjar, duhet ta luftojmë atë, por këtë e kanë edhe vendet e zhvilluara”, u shpreh atëherë Berisha.

Në total, e gjithë kjo aferë kushtoi 4 milionë euro, para të cilat nuk u morën kurrë të plota nga kompania spanjolle dhe pas zgjedhjeve, u hodhën dyshime serioze se e gjithë kjo shumë kishte shkuar për të sponsorizuar fushatën zgjedhore të Partisë Demokratike. Aq të vërteta ishin këto akuza sa që Kontrolli i Lartë i Shtetit nisi një hetim ndaj ish-kryetares së KQZ-së, Lefterie Luzit, për zhdukjen e 2,6 milionë eurove.

Pak muaj pas zgjedhjeve, disa gazeta publikuan tre fatura që tregonin se paratë që duhet të merrte kompania spanjolle INDRA, për projektet e dështuara të teknologjisë në votime, përfundonin në një kompani nënkontraktore, në pronësi të Pjerin Markut, këshilltarit të Kryeministrit për teknologjinë.

Ishte vetë Pjerini që kishte komanduar procesin e përzjedhjes së kompanisë INDRA si fituese e tenderit, por paratë I kaluan firmës së tij Multiverse, e cila nuk u kontraktua asnjëherë nga INDRA. (http://www.gazetatema.net/web/2013/06/19/skandali-milionat-per-teknologjine-ne-zgjedhje-perfunduan-ne-xhepat-e-kabinetit-te-berishes/)

Përtej asaj që ndodhi me atë proces zgjedhor, duhet pranuar se ish-Kryeministri Berisha kishte të drejtë, të paktën pjesërisht kur e cilësonte numërimin elektronik si të padobishëm.

Testimet e kryera në atë kohë në KQZ nxorrën në pah tre probleme kyçe të sistemit, e para bënte një numërim shumë më të ngadaltë se njeriu, e dyta që nuk garantonte efektivisht që një votues të mos votonte dy herë (parandalonte që kjo gjë të ndodhte në një qendër votimi, por votuesi mund të votonte dy herë diku tjetër) dhe e treta, nuk ishte në gjendje të procesonte një fletë votimi me më shumë se 42 alternativa (në ato zgjedhje ishin 67 forca politike).

Berisha kishte të drejtë edhe për diçka tjetër, kur në 2013-n tha se i gjithë procesi do të ishte tepër i kushtueshëm. Vetëm projekti pilot kushtoi 4 milionë euro dhe asgjë nuk u bë. Nëse projekti do të ishte shtrirë në të githë Shqipërinë, fatura për taksapaguesit do të kishte qenë shumë më e shtrenjtë.

1 komente në “Numërimi elektronik/ Berisha: Nuk na duhet, krenar me numërimin që kemi (4 vjet më parë)”

  1. NjeQytetarOptimist says:

    Kur ben votim ne Amerike, duhet te regjistrohesh para se te votosh.. Pse?!?! Te identifikohesh dhe regjistrohesh vetem ne nje pike votimi.. Rregulloni gjendjen civile te beni votim elektronik.. Krijoni rrjet qe sistemi mos te kompromentohet..Momentin qe kompromentohet, te kuptohet. Inteligjencen e qytetareve, fshatareve, katundareve e keni te ulet. Skeni asnje udhezim si te vohet..Etj,etj,etj..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje