Biznesmeni që iu pagoi biletën e “El Classico” gjyqtarëve të Durrësit: S’kam pirë as një kafe me ata

23 Janar 2017, 18:51Kronika TEMA

Pas lajmit se Prokuroria e Përgjithshëm ka nisur procedimin penal në adresë të tre gjyqtarëve, të Gjykatës së Apelit Durrës, ka reaguar për BIRN, biznesmeni Namik Sadiku. Gjyqtarët, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno janë nën hetim për korrupsion pasiv nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pasi dyshohet se Sadiku, pronari i një kompleksi turistik në Durrës – u ka paguar një udhëtim për në Spanjë për të ndjekur ndeshjen Real Madrid – Barcelona.CIMG0125I kontaktuar nga BIRN, Sadiku mohoi kategorikisht se kishte udhëtuar bashkë me gjyqtarët në Itali dhe Spanjë si dhe akuzën se kishte sponsorizuar shpenzimet e tyre. Sipas Sadikut, përkimi i datave të udhëtimit me ato të gjyqtarëve ishte krejt rastësore.

Ai shtoi se gjatë këtyre udhëtimeve nuk ka pasur kontakt me gjykatësit e çështjes.

“Unë nuk kam pirë as edhe një kafe me gjyqtarët. Më zvarrisin prej një viti e tetë muajsh në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pa asnjë provë,” i tha Sadiku BIRN.

Sipas një dokumenti të siguruar nga BIRN, kallëzimi kundrejt tre gjyqtarëve është depozituar fillimisht në prokurorinë e Durrësit dhe më pas i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo Prokurori ka regjistruar procedimin me nr.113 të vitit 2015, për veprat penale të “korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” si dhe të “korrupsionit pasiv…”

Dokumentet hetimore të para nga BIRN tregojnë se tre gjyqtarët kanë udhëtuar në drejtim të Spanjës nga aeroporti “Nënë Tereza” më 24 tetor 2014, me linjën tranzit Alitalia dhe janë kthyer më 26 tetor 2014. Ndërsa biznesmeni Sadiku ka udhëtuar drejt Spanjës një ditë më parë, më 23 tetor 2014, dhe është kthyer me të njëjtin avion me gjyqtarët më 26 tetor.

Sipas Prokurorisë, qëllimi i udhëtimit në Spanjë i të dyshuarve ishte ndjekja në stadium e ndeshjes së futbollit mes Real Madrid dhe Barcelonës. I ashtëquajturi derbi “El Classico” u mbajt në Madrid në 25 tetor 2014 dhe u fitua me rezultatin 3:1 nga skuadra pritëse e Realit të Madridit.

Më herët, më 2 tetor 2014, gjyqtarët Spahiu dhe Dhimitri kanë udhëtuar drejt Italisë në të njëjtën linjë dhe avion me Sadikun. Si gjyqtarët dhe biznesmeni janë kthyer nga Italia në të njëjtën ditë dhe orë.

Dyshimet për financimin e këtyre udhëtimeve janë në proces hetimi prej më shumë se një viti e gjysmë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. BIRN mësoi se tre prokurorë janë ndërruar përgjatë kësaj kohe, pa arritur ende në një vendimarrje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje