Veliaj: “Transporti publik do vlerësohet me pikë, hapësirat e zëna ia kthyem publikut”

28 Janar 2017, 14:06Sociale TEMA

Operatorët e transportit publik në Tiranë do t’i nënshtrohen sistemit të pikëzimit si mënyrë kontrolli për respektimin orareve dhe plotësimin e kushteve për udhëtim normal të qytetarëve. Pasditen e djeshme kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë në analizën vjetore të punës së Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, ku ndër të tjera tha se nuk do të tolerohet moszbatimi i kontratës nga ana e operatorëve. Ai u shpreh se për çdo shkelje të vërejtur do të vendosen gjoba, të cilat përveç vlerës financiare, do të ulin kuotën e pikëve në sistemin e pikëzimit për operatorët.

 

“Falë gjobave të AMK-së kemi transformuar mënyrën e bërjes së politikave të transportit në Tiranë. Kompanitë që kanë nisur të operojnë nga fillimi i këtij viti, vlerësohen në bazë të një sistemi pikësh. Gjoba ndikon në sistemin e pikëve, të cilat reduktohen deri në humbjen e licencës për një operator i cili nuk performon, për të cilin ka ankesa, që nuk jep biletën, që nuk ndalon në stacion, që ecën ngadalë apo kur nuk i punon kondicioneri, kur faturino pi cigare apo kur shoferi flet në telefon”, tha kryebashkiaku Veliaj.

 

Duke vlerësuar punën e AMK-së për disiplinimin e transportit publik, Veliaj theksoi se falë sistemit të ri të pikëzimit, kur dikush futet në ‘listën e zezë’ të kompanive që nuk respektojnë rregullat për një transport publik të shpejtë dhe cilësor, nuk do ketë më kurrë akses për të shërbyer në Tiranë. “E vetmja mënyrë se si mund ta përmirësojmë shërbimin është falë pikëzimit; sot kemi vendosur një sistem transparent se si do të verifikojmë shërbimin që ofrohet nga të gjithë operatorët tanë të transportit publik”, shtoi ai.

 

Veliaj vlerësoi si një nga arritjet e AMK-së punën e realizuar në lirimin e hapësirave publike dhe rikthimin e tyre në shërbim të qytetarëve, veçanërisht hapësirat për më të vegjlit e qytetit. “Shumë njerëz pyesin: nga dolën gjithë këto kënde lodrash, sheshe sportive, stola? Nga hapësirat që liruan AMK-ja dhe agjencitë e tjera të bashkisë. Vërtet 300 mijë banorë të Tiranës janë fëmijë dhe nuk votojnë, por përbëjnë 1/3 e popullsisë së qytetit. Një qytet që është i pandjeshëm për t’i respektuar hapësirat publike, s’ka të ardhme”, theksoi ai.

 

Kryebashkiaku i Tiranës u ndal edhe te puna e mirë e AMK në kontrollin e tregjeve, duke theksuar se për herë të parë këtë vit të ri nuk pati rritje të çmimeve të produkteve tradicionale të festës. Një nga detyrat e tjera për të cilat AMK-ja ka patur një angazhim të plotë gjatë vitit që lamë pas ishte edhe ajo për mjekimin dhe sterilizimin e kafshëve endacake. Veliaj theksoi se edhe për këtë çështje puna e Bashkisë nuk do matet më me atë që është bërë para dy vitesh, por me atë që u bë në 2016.

“Shumë nga gjërat që cilësoheshin tabu, që s’kishin fare vëmendje publike, siç ishte çështja e kafshëve endacakë, sot ka marrë zgjidhje”, përfundoi Veliaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje