Vendimi i opozitës për të bojkotuar Parlamentin pritet me keqardhje në Bruksel

22 Shkurt 2017, 18:14Politika TEMA

Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn dhe eurodeputeti Knut Fleckenstein i bënë thirrje opozitës që të mos bojkotojë Kuvendin në kohën kur ngritja e institucioneve të vetingut dhe reforma zgjedhore janë thelbësore për integrimin e Shqipërisë në BE.

Vendimi i opozitës për të bojkotuar Parlamentin, i marrë nga çadra e protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, është pritur me keqardhje në Bruksel. Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn tha përmes një deklarate të mërkurën se “debati politik nuk duhet të zhvillohet jashtë, por brenda Parlamentit”.

“Bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës është shumë i rëndësishëm për ambicien e integrimit të vendit në Bashkimin Europian,” tha Hahn.

…Është me rëndësi të madhe mbajtja e vazhdimësisë parlamentare në kohën kur reforma thelbësore janë në axhendën e tij, si ajo e ngritjes së organeve të vetingut në kuadër të reformës në drejtësi, reformës elektorale, përfshi ndjekjen e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, të cilat janë thelbësore për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme këtë vit. Këto janë reforma të domosdoshme për Shqipërinë që të ecë drejt rrugës së integrimit në BE,” shtoi ai.

Më herët, edhe raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein i kërkoi përfaqësuesve të opozitës që t’i rikthehen punës në Kuvend. Në fund të një vizite tre-ditore në Tiranë, Fleckenstein deklaroi se zgjedhjet e qershorit dhe reforma në drejtësi janë çelësi i hapjes së negociatave me BE-në dhe i bëri apel klasës politike shqiptare të punonte në këtë drejtim.

Unë nuk do të ndërhyj dhe as të bëj komente për protestën e opozitës, sepse kjo është një çështje e brendshme. Natyrisht që kjo është e drejta e qytetarëve dhe e opozitës. Por bojkoti i Kuvendit është për mendimin tonë jo mënyra e duhur… Ndaj u kërkoj kolegëve, miqve të mi në Partinë Demokratike që të vazhdojnë atë që ata mendojnë se është e nevojshme, por të kthehen në punë,” tha në një konferencë për shtyp Fleckenstein.

Prej pesë ditësh, qindra mbështetës të opozitës janë mbledhur në një çadër të ngritur përpara kryeministrisë në një protestë pa afat, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, e cila do të kishte përgjegjësinë ta udhëhiqte vendin drejt zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.

Të martën, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shpalli vendimin për të bojkotuar Parlamentin, si shenjë e përshkallzimit të protestës. Ai e përsëriti këtë vendim të mërkurën.

Nuk do të ketë kthim në parlament pa u plotësuar kushtet që populli i ka vënë qeverisë,” tha Basha.

Protesta e opozitës, e shoqëruar edhe me bojkot parlamentar vjen në një kohë të rëndësishme për zbatimin e reformës në drejtësi, ndërkohë që pritej ngritja e komisioneve parlamentare për përzgjedhjen e kandidaturave për institucionet e vetingut.

Tre komisionet e parashikuara në ligj përcaktojnë një ndarje 50% me 50 % mes anëtarëve të opozitës dhe mazhorancës, çka e bën të pamundur ngritjen e tyre në kushtet e bojkotit.

Konflikti politik në Tiranë përkon edhe me vizitën që përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE, Federica Mogherini do të bëjë në Shqipëri në fillim të marsit, si pjesë e një turi më të gjerë takimesh në vendet e Ballkanit.

2 komente në “Vendimi i opozitës për të bojkotuar Parlamentin pritet me keqardhje në Bruksel”

  1. kombi says:

    Nqs nuk terhiqet Basha , 1 milion votuesve nuk i mbetet gje tjeter ,vetem te ngrihen dhe te protestojne ,kunder bllokades se wetingunt .
    Populli pret wetingun dhe jo tekat e Bashes.

  2. Spartaku says:

    Shikoni sa i trashe tregohet Basha.Ai thote kushtet qe i ka vene POPULLI qeverise.Cili popull? Per çfare e ka iden ky matuf drejtues? Populli nuk jane ata dhjet veta qe jane mbledhur ne çader, dhe berrtasin si te droguar “Rama ik”.Populli eshte kundra pd-ke.Nuk do protesta dhe rremuje.Ai do paqe dhe qetesi.Do siguri e drejtesi.Pse te ik Rama se i do qejfi Bashes dhe Berishes?Jo more jo,Rama nuk ka per te ikur se po punon mire dhe po drejton mire.Rama do jete kryeminister edhe per shume vite te tjera.Me keto veprime qe po bejne Berisha dhe Basha,po i bejne gropen Pd-ke,dhe po pergatisin ceremonin e varrimit te tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje