Viti 97-të/ Kur Ardian Klosi akuzonte Preç Zogajn për marrëveshjen e 9 marsit me Berishën: ç’punë kishe ti aty?

8 Mars 2017, 09:45Dossier TEMA

20 vjet më parë, këto ditë ishi më të ethshmet në politikën shqiptare. Me një vend të zhytyr në kaos nga rënia e piramidave, aktorët politikë po bënin çmos për të gjetur një zgjidhje. Nga data 4 e me 9 mars të atij viti, u vendosën kontaktet e para direkte të disa përfaqsuesve opozitarë me presidentin Berisha, derisa u konkludua në një marrëveshje e cila u pasua nga rënien e kabinetit të Meksit dhe me formimi Qeverisë së Pajtimit Kombëtar  me kryeministër socialistin Bashkim Fino. Por gjendja sa erdhi dhe u rëndua akoma më tepër.

Zgjedhjet e parakohshme u zhvilluan dhe e opozita fitoi. Pra, Berisha ishte larguar tashmë nga pushteti. Por kishte nga ata zëra, siç Ardian Klosi, i cili nuk qe dakort me marrëveshjen e 9 marsit me Berishën. Dhe për këtë akuzon Preç Zogajn, një nga aktorët kyesorë të tryezës.

Klosi e konsideron pabesi shpërfilljen e Forumit për Demokraci (drejtuar nga trioja Lubonja-Kalakula-Gumeni),  cila u mënjanua nga tryeza e marrëveshjes duke qenë prijëtarja e opozitës së munguar politike në ato zhvillime javët e para.

Dhe, duke marrë shkas nga një intervistë e Zogajt pak kohë më vonë në revistën Klan, Klosi i kthehet dhe njëherë, atij dhe marrëveshjes së nënshkruar, duke e konsideruar atë një gabim. Për më tepër, e akuzon Zogajn si njeri jo meritor për firmosur marrëveshje me Berishën, gjersa Aleanca Demokratike, mu prej tij, ishte një parti e falimentuar, shkruan Tesheshi.com, që ka risjellë shkrimin e Klosit…

Shkrimi i Klosit me titull: Shpëtim i kombit apo një trampolinë dhe aq?

Në një nga numrat e gushtit, revista Klan boton rrëfimin e Preç Zogajt për prapaskenat e 9 marsit. Siç e nënvizon dhe gazetari intervistues, pyetja nëse duhej bërë ose jo kompromisi me Berishën, me muajt e lëngatës që e pasuan deri në ndërrimin e pushtetit, me mijrat e të vrarëve, të rrahuarve, të gjymtuarve dhe të arratisurve, me shkatërrimin definitiv të asaj që kishte mbetur në Shqipëri, “i ka ndarë në dy kampe krerët e opozitës”.

Vetë protagonisti i dialogut me Berishën pas 4 marsit, Preç Zogaj, është katërcipëisht i bindur për drejtësinë e veprimeve të veta.  Në shkrim ai thotë midis të tjerash se “është krenar për hapin që ka bërë, për të cilin i është dashur të durojë edhe shumë kritika e dyshime nga kolegët e tij opozitarë”. Atë ditë të 4 marsit Zogaj ka qenë i bindur se “duheshin bindur partnerët e tij që ishte e domosdoshme të dialogohej me Berishën…atë ditë janë depozituar me dhjetra mesazhe në Sekretarinë e Presidencës: Kërkojmë takim me Berishën”. “Nëse ne nuk do të jepnim asnjë sinjal, atëherë Berisha do të qe i detyruar të nisej drejt aventurës”, vijon Zogaj. “Ai duket edhe tani krejt i palëkundur nga kritikat që i janë bërë kësaj marrëveshjeje gjatë këtyre kohëve”, komenton gazetari i Klanit dhe rimerr në fund argumentin kryesor që shoqëron bindjen, krenarinë, moslëkundjen e P. Zogajt për vepimet e tij: “Marrëveshja na ruajti nga precedenti i largimit të kreut të shtetit me dhunë”.

Shtrimi i artikullit në fjalë më duket pakëz i gabuar. Nga pikëpamja e sotme nuk ka fort rëndësi se ç’anë apo ç’kamp zënë njerëzit e lidhur me atë që ndodhi në fillim të marsit 1997, a ishte me vend këmbëngulja e Preç Zogajt dhe e të tjerëve për t’u takuar me Berishën dhe kompromiset që ata bënë apo jo; në fund të të fundit nuk ka kurrfarë rëndësie as hipoteza që “do të kishte qenë më mirë sikur Berisha të jepte dorëheqje të menjëhershme ose të largohej nga Shqipëria”. Populli të tilla përsiatje i ka zgjidhur me metaforën e hallës, e cila për arsye të caktuara nuk mund të bëhet xhaxha. Jo, rëndësi për ne sot, kur kanë ndodhur ato që kanë ndodhur, ka vetëm që të kuptojmë motivet e vërteta që shkaktuan ndodhjen e atyre që ndodhën. Të kuptuarit e këtyre motiveve ka rëndësi jo vetëm që të dalë e vërteta në shesh, që historia të shkruhet drejt, por dhe që, nëse del se janë bërë veprimë të shtrembëra ose të dobëta, në një të ardhme, në situatatë ngjashme, këto të mos ndodhin më.

Motivet e veprimit të z. Zogaj dhe kolegëve të tij, ato më të rëndësishmet, sipas kësaj marrëveshjeje janë dy: “nëse ne nuk do të jepnim asnjë sinjal, atëherë Berisha do të qe i detyruar të nisej drejt aventurës dhe tjetri, ai që përmendëm, pra, “ruajtja e politikës shqiptare nga precedenti i largimit të kreut të shtetit me dhunë”.

Sikur ta thërrasim pak në ndihmë kujtesën, tabloja e Shqipërisë në fillim të marsit 1997 ishte kjo: rebelimi i popullit, i nisur në Lushnjë e në Vlorë, kishte përfshirë krejt jugun, Berisha kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe kishte nisur gjeneralët e tij me në krye Gazideden për të shtypur kryengritjen; mirëpo ushtria nuk i ishte bindur dhe ndodhej në gjendje të shthurrjes totale, çka kishte kaluar në duart e kryengritësve sasi të jashtëzakonshme armatimi. Në Tiranë, opozita, e përfaqsuar në mënyrë simbolike nga Forumi për Demokraci, jetonte prej javësh në terror dhe ankth, e paralizuar nga represioni berishian, por dhe nga arsye të tjera, si pafuqia për t’u lidhur e koordinuar me revoltën në Jug; madje dy nga kolegët e partisë së z. Zogaj “Aleanva Demokratike”, kishin zbritur në Jug dhe tentonin, pa sukses, të ndikonin mbi masat e njerëzve ose Komitetet e Shpëtimit.

Çfarë duhej bërë në këtë lloj situate?

Unë nuk dua të vij përsëri tek problematika e hallës, megjithatë mund të them se, personalisht, duke qenë jashtë Shqipërie, ashtu si dhe shokët e mi që ishin këtu brenda ose jashtë, shpresonim që “shahet” ndaj Sali Berishës të shkonin deri në “mat”. Përballë një revolte popullore në përmasa kaq të gjera na e donte zemra, madje ishim të sigurt, se do gjendeshin katër-pesë burra që disfatën e turpshme politike dhe ushtarake të klikës në pushtet ta konkretizonin me shmangien e trurit të mbapshtë të kësaj klike nga pushteti; a do ishte kjo shmangie arratisje jashtë shtetit, arrestim, presidencë formale deri në zgjedhjet e reja apo sëmundje kardiake, kjo s’kishte kurrfarë rëndësie: rëndësi kishte paralizimi total i Sali Berishës.

E ringjalla këtë dëshirë, pra vetëm për të rikujtuar situatën e atyre ditëve dhe jo për t’u futur në kampet e gazetarit të Klanit z. Andi Bushati. Ajo nuk u realizua për arsye të ndryshme. Për mendimin tim këto arsye janë: çdisiplinimi i revoltës në Jug, me njërën anë,  dhe mungesa e kokës në Tiranë me anën tjetër, pikërisht e atyre burrave që s’do kishin frikë nga një zgjidhje e re, një zgjidhje e panjohur deri më aty. Tani, arsyet e mungesës së kësaj koke janë të njohura. Ato lidhen, veç të tjerash, edhe me kushtet e tmerrshme mes të cilave punonte opozita nën Berishën, sidomos pas 26 majit 1996; pra, nuk më takon këtu të shpreh “pakënaqsi” osem kritikë, duke u ndodhur vetë jashtë shtetit në atë kohë; mirëpo konstatimi më lejohet dhe, sikundër shihet, ky është krejt i kundërt nga ç’konstaton Preç Zogaj, i cili thotë ndër të tjera se, “mbarë Shqipëria ishte mbërthyer nga paniku dhe tmerri…forcat e Gazidedes ishin tashmë të gatshme oër ta shtypun dhunshëm rebelimin”, kur dihet se ndërkaq forcat e Gazidedes ishin zgërlaqur me turp në Vlorë a gjetkë (e ke parasysh z. Zogaj se vlonjatët kishin zhveshur lart nga 5000 pjesëtarë të operacionit “Brisku” dhe porosisnin me radio brekë nga Tirana për ata varfanjakë?), kurse ushtria e Zhulalit gjuante për sorra.

Të vijmë tani tek argumenti i dytë, ai më i rëndësishmi në logjizmin e Zogajt: shpëtuam nga precedenti i largimit të kreut të shtetit me dhunë.

Ky pohim përmban në vetvete dy lajthime.

Së pari, nyja politike e krijuar në atë kohë nuk se kishte vetëm dy zgjidhje: ose të bëhej kjo që u bë, kompromisi dhe kalvari i tmerrshëm, ose të përmbysej Berisha nën marshimin e turmave vlonjate. Jo, fare mirë mund të thuhet edhe se Berisha mund të largohej me dinakëri, me zgjarësi, me guxim politik të kombinuara këto me presionin e jashtëm. Kjo nuk u bë.

Lajthimi i dytë: precedenti i largimit të një njeriu si Sali Berisha me dhunë nuk do të qe kaq i tmerrshëm, siç i duket Zogajt. Së pari, ai do të kishte bekimin e mbi 80% shqiptarëve të pjekur (çka e tregoi votimi), së dyti, nuk e njeh Zogaj nëj parim të shoqërive njerëzore që ka vepruar në të gjitha kohërat e pothuaj në të gjitha vendet, e që këtu po ia kujtojmë me gojën e Xhefersonit, njërit prej themeluesve të demokracisë amerikane: “Qeveria duhet të qeverisë me drejtësi. Në rast se qeveria shtyp popullin, populli e ka për të drejtë dhe për detyrë ta heqë deri me armë”. Është i sanksionuar dhe në Kushtetutën amerikane, ku shkruhet se populli ka të drejtë të prishë kontratën me pushtetarët e tij, në rast se këta veprojnë kundër interesave të popullit. Në një gjykim të fundit mua më duket madje se Zogaj me kolegë të tij, nëpërmjet 4 ose 9 marsit përforcuan (me përsëritje) një precedent të keq në politikën shqiptare, precedentin e ngurrimit, të hollimit, të kompromiseve çalamane, të zgjatjes së lëngatës për popullin e tyre.

Tani që iu përgjigjëm me disa argumenta të tjerë argumentave të Zogajt, le të pyesim për motivet e vërteta të veprimit të tij, i cili, veç të tjerash, u krye duke u shpërfillur fare Forumi Për Demokraci, një forum që partitë kryesore të opozitës ishin zotuar se do ta njihnin si kryet e tyre politike. Personi në fjalë kishte qenë deri më aty si nëj nga protagonistët e partisë “Aleanca Demokratike”, më saktë përgjegjës për shtypin e kësaj partie. Për rrethj dy vjet P. Zogaj edhe e drejtoi gazetën “Aleanca”; mirëpo kjo gazetë dalëngadalë shkoi drejt dobësimit dhe zhdukjes së plotë. Një dishezë të ngjashme njohu dhe vetë partia Aleanca Demokratike, së cilës, për arsye simpatie, edhe i kam qëndruar afër deri në zgjedhjet e vitit ’96, ndaj e njoh jo keq: fondet u tretën, kompiuterat e zhdukën, protagonistët filluan të largohen, baza e partisë gjithashtu nisi të firojë. Zgjedhjet lokale të tetorit ’96 treguan pikën e ulët ku kishte mbërritur kjo parti: nuk u fitua asgjë. Kështu që dhe P.Zogaj, me sa dimë, i la krejt punët e partisë për t’u bërë gazetar indipendent.

Dhe tamam në këtë pikë të nivelit zero politik, shfaqet një rast, një okazion i rrallë, po të shihet nën prizmin privat, për të mbujetuar politikisht dhe për t’u ngjitur sërish në podiumin e protagonizmit. Kështu troket në derën e Sali Berishës, ndoshta edhe me ngarkesën nostalgjike të vitit 1991, për të lidhur një kompromis, pavarësisht nga rebelimi në Jug, pa e përfaqësuar kurrësesi këtë rebelim, pa asnjë lloj autorizimi prej tij; madje në deklaratën e parë të nënshkruar bashkarisht me Sali Berishën i vihet ultimatum Jugut të dorëzojë armët për 48 orë (natyrisht që askush s’i dëgjoi). Ditët dhe muajt që pasuan janë të mbushur me aq vuajtje dhe gjak pse pikërisht në kompromisin e arritur ata që ngritën krye nuk u përfaqsuan – siç është e vërtetë dhe arsyeja tjetër që nuk ditën dhe nuk mundën të përfaqësohen.

Unë nuk arrij ta kuptoj asfare krenarinë e Zogajt për ato që ndodhën, po të përjashtoj përfitimin që ai, si kartë politike në të djegur e sipër, nxorri për vete. Që puna erdhi në zgjedhje të reja kjo nuk ishte meritë e trokitjeve të pandërprera në dyert e Sali Berishës natën e 4 marsit, por ishte një realitet i pashmangshëm pas dështimit të qeverisë Berisha në të gjitha drejtimet: pyetja ishte se vetëm kur do të bëheshin këto zgjedhje, më shpejt a me vonë nga ç’u bënë. Vetë jam i bindur se do të bëheshin më shpejt, sikur 4 siluetat e natës të mos kishin shkuar vjedhurazi te Sali Berisha. Por këtu vimë përsëri në lëmin e hipotezave që nuk kanë vlerë të shtjellohen më tej.

Cështja është, siç e thamë më lart, që gishti të vihet aty ku është realiteti.  Unë nuk e kuptoj këtë ngut që kanë Zogaj e të tjerë për ta shkruar historinë sa më shpejt – jo vetëm në intervista revistash, por dhe në libra të veçantë. Një gjë të ngjashme bënte dhe z. Mustafaj (Besnik) në vitin 1991, kur hidhte nëpër libra vetëm dritë pozitive mbi veten dhe partinë e tij demokratike, dritë që tregonte vetëm hapa të urt dhe në çdo pikëpamje të drejtë mbi Shqipërinë.

Por kot që mërzitemi, kjo Shqipëri nuk i mban dot gjatë misteret në barkun e saj, edhe klane të tëra sikur të bashkohen për falsifikim. E kapin herë pas here të vjella të forta. Z. Zogaj më mirë të tregojë hapur faktet, të gjitha siç kanë qenë. Interpretimet mund t’ia lërë edhe kohës.

1 komente në “Viti 97-të/ Kur Ardian Klosi akuzonte Preç Zogajn për marrëveshjen e 9 marsit me Berishën: ç’punë kishe ti aty?”

  1. Kris says:

    Po Shqiperia eshte si nje kopesht zoollogjik! E kam fjalen edhe per politiken! Dihet kush eshte Berisha PD dhe langot e Sales! S’ka nevoje per komente! Por pas tyre qe ndrojne militantet!Pas tyreqendrojne edhe analistet te gatshem per te shitur edhe trupin e tyre! Por midis tyre ka anal-iste qe kane per profesion edhe spiunllekun! Po e bere njehere ta kerkon trupi ta besh gjithmone! Nje nga ata eshte edhe preci! Anal-ist per gjithcka qe e urdheron Sala! Kemi edhe anal-istin Artan Hoxha! Kandidot per president! I ofron Berishes edhe bythen ashtu si Preci! Saleh e di mire qe nuk behet “stan me lepuj”! Respekte per Ardian Klosin! qe duhet te jete shembull per nga aftesite dhe koherencen e tij per cdo shqiptar!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje