Maqedonia, konflikti Rusi-Perëndim dhe shqiptarët!

21 Mars 2017, 10:00Rajoni TEMA

Shqiptarët me mbështetje të aleatëve të tyre perëndimorë, edhe pse të dëshmuar si fuqi e madhe elektorale në vend, vazhdojnë të shfrytëzohen nga politikanët maqedonas. Qëndrimi i Nikola Gruevskit nuk është lajm, derisa Zoran Zaev nga LSDM-ja vazhdon t’i mashtrojë shqiptarët me diskursin lustër sikur është në kërkim të të drejtave të tyre, por që lufta kryesore e tij është përmes shqiptarëve ta mundë Gruevskin

Nga Arbana Xharra

Thellimi i krizës në Maqedoni po shkon drejt një konflikti Rusi-Perëndim. Sinjalet nga ky vend konstatojnë se Ballkani Perëndimor po bëhet i papërballueshëm për BE-në e papërqendruar duke e lënë në mëshirën e përplasjes së madhe gjeopolitike globale. Influenca ruse në rritje dhe interesat turke në Ballkan janë duke goditur në shënjestër shqiptarët.

Shqiptarët me mbështetje të aleatëve të tyre perëndimorë, edhe pse të dëshmuar si fuqi e madhe elektorale në vend, vazhdojnë të shfrytëzohen nga politikanët maqedonas. Qëndrimi i Nikola Gruevskit nuk është lajm, derisa  Zoran Zaev nga LSDM-ja vazhdon t’i mashtrojë shqiptarët me diskursin lustër sikur është në kërkim të të drejtave të tyre, por që lufta kryesore e tij është përmes shqiptarëve ta mundë Gruevskin. Ai mblodhi hiç më pak se 70 mijë vota shqiptare, duke ua dhënë vetëm dy ulëse. Si rezultat partitë shqiptare të parcializuara dolën më keq se kurdoherë në histori, me vetëm 20 deputetë, nga të cilët 10 ishin të BDI-së, 5 të “Besës”, 3 të “Aleancës për shqiptarët” dhe 2 të PDSH-së.

Pa harruar se njëkohësisht influencat nga jashtë kanë përçarë shqiptarët në vazhdimësi. Për herë të parë futet në garë, ndonëse pa komisionar në terren, partia “Besa”  me financa dhe ndikime nga jashtë fiton 5 ulëse.

Të përballura me presionin vendor e kombëtar partitë shqiptare nisën procesin e unifikimit të kërkesave politike karshi partive maqedonase që rezultoi me Deklaratën e Përbashkët të Partive Parlamentare Shqiptare ose të njohur si “Platforma shqiptare”, që u ndërmjetësua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Tash me këtë kartë kundër luan presidenti Ivanov duke e kundërshtuar si shkas pse Tirana të përfshihet në këto zhvillime politike. Derisa të njëjtën argument ia forcon “Besa”, duke insistuar se “Platforma” u arrit në Tiranë, kjo vetëm sa rrit këmbënguljen e Ivanovit për të prishur çfarëdo unifikimi shqiptar.

Hapi i Gruevskit që nxiti krizë etnike

Kriza në Maqedoni sa vjen e bëhet edhe më e komplikuar dhe zgjidhja nuk duket të jetë afër.  VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit qeveris me Maqedoninë që nga viti 2006 gjer më sot, duke fituar zgjedhjet parlamentare më 2006-n, 2008-n, 2011-n, 2014-n dhe përfundimisht edhe më 2016-n.

Në mandatin 2006-2008, VMRO-DMNE-ja nuk respektoi vullnetin e votuesve shqiptarë që ishin përcaktuar për BDI-në e Ali Ahmetit dhe mori në koalicion PDSH-në e Arbër Xhaferrit dhe Menduh Thaçit, që kishin humbur zgjedhjet tek shqiptarët.

Ky hap i Gruevskit nxiti krizë etnike, bllokadë totale në parlament nga ana e BDI-së, e cila përfundoi me Marrëveshjen e Majit në vitin 2007 që mes pikave tjera heshtazi instaloi parimin “fitues me fitues”, që u respektua gjer në vitin 2016.

Ky parim de facto e përcaktonte Maqedoninë si shtet i dy shumicave, maqedonase dhe shqiptare, meqë fituesi i zgjedhjeve në kampusin maqedonas bën koalicion qeverisës me fituesin në kampusin shqiptar dhe këto dy parti themelojnë institucionet duke i dhënë legjitimitet të dyfishtë etnik, binacional.

Kjo ka parandaluar margjinalizimin e shqiptarëve në Kuvend dhe në qeveri, si dhe instalimin e shqiptarëve të preferuar nga ana e partive maqedonase.

Por kriza politike filloi në ditën e zgjedhjeve të prillit 2014, me ç’rast lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev deklaroi se nuk i njeh rezultatet zgjedhore dhe filloi bojkotin e Kuvendit.

Kriza u thellua në shkurt të vitit 2015, kur Zoran Zaev filloi me publikimin e mbi 1 milion bisedave ilegalisht të përgjuara me pretendimin që VMRO-DPMNE-ja kishte përgjuar mbi 20.000 qytetarë të vendit dhe të huaj.

Ky proces fillimisht rezultoi me dorëheqjet e ministrit të Brendshëm, Gordana Jankullovska, ministrit të Transportit, Mile Janakievski, dhe drejtorit të Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov, e më pas edhe të ministrit të Financave, Zoran Stavrevski, dhe në fund edhe vetë kryeministrit Gruevski.

Ndërkombëtarët në krah të shqiptarëve 

Duke i parë sinjalet e thellimit të krizës politike bashkësia ndërkombëtare nisi ndërhyrjen direkte, filloi procesi negociues midis VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së që rezultoi me Marrëveshjen e Shkupit, në qershor dhe korrik të 2015-s.

Në vrullin e negociatave dhe të krizës, në vendkalimin kufitar me Kosovën në Gushincë, si dhe në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës ndodhi një incident i rëndë i sigurisë që la të vdekur 18 persona, nga të cilët 8 policë dhe 10 shqiptarë nga grupi i armatosur. Ky incident në kulmin e krizës sistemore dhe brendaetnike rrezikonte t’i jepte karakter ndëretnik gjitha zhvillimeve në vend.

Sërish ndërhyrja e fuqishme e komunitetit ndërkombëtar, e cila parandaloi krizën ndëretnike dhe mbajti fokusin e partive politike mbi marrëveshjen e arritur.

Kjo marrëveshje parashihte reforma sistemore, ndryshim të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, themelimin e Prokurorisë Speciale për t’i hulumtuar krimet që rrjedhin nga përgjimet, instalimin e opozitës në qeveri për organizim të zgjedhjeve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 24 prill 2016.

Negociatat ishin shumë të vështira dhe me shumë vonesa, me ç’rast u kërkua shtyrja e zgjedhjeve të prillit 2016 dhe rikthimi i Kuvendit tashmë të vetëshpërbërë.

Negociatat vijuan dhe palët heshtazi u dakorduan që zgjedhjet të shtyhen për më 5 qershor 2016 dhe në ndërmjet kohe grupet e nëntokës kishin marrë në posedim materialet e përgjuara dhe u nis tregtimi i tyre në tregun e zi, si dhe kërcënimi i politikanëve.

Disa materiale komprometuese përfunduan në rrjetet sociale dhe kjo rezultoi me një hap radikal të Ali Ahmetit, i cili brenda ditës shkarkoi 8 ministra të tij dhe 4 zëvendësministra duke i zëvendësuar ata në ditën e fundit para shpërbërjes së Kuvendit me 12 persona të rinj në moshë dhe të pakomprometuar.

Në situatë të një parlamenti të shpërbëre tashmë, presidenti Ivanov ndërmori një hap radikal duke bërë falje masive të gjithë të hetuarve nga ana e Prokurorisë Speciale që nxiti protesta të dhunshme dhe kërcënime për bojkot të zgjedhjeve.

Kjo detyroi palët që t’i shtyjnë zgjedhjet përsëri, ta rikthejnë Kuvendin e shpërbërë me anë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ta ndryshojnë Ligjin për Falje, me ç’rast presidenti i shtetit u detyrua t’i tërheqë faljet, kryesisht të njerëzve nga VMRO-DPMNE-ja.

Palët iu rikthyen negociatave dhe në verën e 2016-s u dakorduan mbi reformat mediatike dhe listën zgjedhore si dy çështjet e mbetura pezull dhe pasi vlerësuan qe janë përmbushur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme, bashkërisht përcaktuan datën e zgjedhjeve më 11 dhjetor 2016.

Krahas ballafaqimit me krizën, përgjimet dhe dorëheqjet e funksionarëve të vet, zgjedhjet përsëri i fitoi VMRO-DPMNE-ja me 51 deputetë edhe pse me një dallim të ngushte me LSDM-në opozitare, e cila përfundoi me 49 deputetë, nga të cilët 2 ishin shqiptarë për herë të parë në Maqedoni.

Të ndarë, shqiptarët humbën ulëse

Partitë shqiptare të parcializuara dolën më keq se kurdoherë në histori, me vetëm 20 deputetë, nga të cilët 10 ishin të BDI-së, 5 të “Besës”, 3 të “Aleancës për shqiptarët” dhe 2 të PDSH-së.

Të përballura me presionin vendor e kombëtar partitë shqiptare nisën procesin e unifikimit të kërkesave politike karshi partive maqedonase që rezultoi me Deklaratën e Përbashkët të Partive Parlamentare Shqiptare ose të njohur si “Platforma shqiptare”, qe u ndërmjetësua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ndërsa Kuvendi i dalë nga këto zgjedhje u konstatua më 30 dhjetor 2016, por seanca u ndërpre në gjysmë për arsye se asnjë nga palët nuk kishin arritur marrëveshje koalicioni për të formuar shumicë parlamentare.

Kështu Kuvendi ngeli pa Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, si dhe pa kryetarin e ri të Kuvendit që paraqet simbol të shumicës së re parlamentare dhe nisjen e afateve kushtetuese për formimin e qeverisë.

Krahas kësaj presidenti Ivanov ia ndau mandatin Nikola Gruevskit, i cili me 10 ditë vonese filloi negociatat me Ali Ahmetin, por që dështuan më 29 janar 2017, për arsye të ndryshme, por kryesisht nga fakti që Gruevski dhe VMRO-DPMNE-ja ishin të papranueshme për shqiptarët dhe për komunitetin ndërkombëtar.

Në ndërkohë partia e Ahmetit nisi negociatat edhe me LSDM-në opozitare, që zgjatën edhe më gjatë sesa me VMRO-DPMNE-në dhe në fund u arrit marrëveshje parimore midis palëve për një Ligj të ri për Gjuhën Shqipe, si dhe për Deklaratën ose “Platformën shqiptare”.

Por presidenti Ivanov kërkoi garanci nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, që përfaqëson mbi 61 deputetë nga gjithsej 120 në Kuvendin e Maqedonisë, në mënyre që t’ia ndajë mandatin.

Gjatë procesit të mbledhjes së firmave nga LSDM-ja e Zaevit, organizata spontane qytetare nisën protesta masive në Shkup dhe në qytete të tjera kundër Platformës tiranase, kundër gjuhës shqipe dhe binacionalitetit.

Krahas kësaj Zaevi arriti t’i tubojë 67 nënshkrime deputetësh, por rrjedhimisht presidenti Ivanov ia mohoi të drejtën e mandatit me arsyetimin që kjo qeveri e re do ta cenojë integritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë nëpërmjet zbatimit të dygjuhësisë dhe “Platformës shqiptare” të përgatitur në shtete të huaja që paraqet ndërhyrje të vrazhdë në punët e brendshme të Shkupit.

BE-ja, e pafuqishme karshi Ivanovit 

Në mungesë të një ndërhyrjeje të fortë nga Washingtoni si pasojë e tranzicionit të pushtetit në SHBA, si dhe satanizimit të ambasadorëve të akredituar në Shkup nga ana e VMRO-DPMNE-së, e cila i akuzon për ndërhyrje, as edhe Mogherini e as Hahn nuk arritën ta bindin Ivanovin që ta ndryshojë vendimin e vet dhe vendi ka mbetur pezull në krizën më të thellë institucionale dhe politike që ka njohur ndonjë vend i rajonit.

Në ndërkohë mjegullinë amerikano-evropiane e shfrytëzon Rusia, e cila në mënyrë jokonvencionale është shndërruar në protagoniste dhe ka reaguar shumë shpesh dhe në mënyrë të drejtpërdrejt për krizën ne Maqedoni duke dënuar ndërhyrjen e Washingtonit dhe të Brukselit në punët e brendshme të Maqedonisë.

Në këtë ngërç të tërësishëm dhe përplasje të madhe gjeopolitike tashmë skaduan edhe afatet ligjore dhe kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve lokale që duhet të mbahen më 7-14 maj 2017.

Kuvendit jofunksional dhe të bllokuar dhe qeverisë teknike dhe pa mandat i shtohet edhe pushteti lokal jolegjitim, me mandat të skaduar që i shton edhe një problem shumë të madh krizës së paparë politike në Maqedoni.

Kryefjalë e qeverisë së re, nëse arrin të formohet dhe të funksionojë normalisht, do të jenë reformat sistemore, sistemi i përgjimeve, institucionet kontrolluese të pushtetit, sundimi i shtetit ligjor, përgjegjësia institucionale e politikaneve, vazhdimi i mandatit hetues për ngritje të padive për Prokurorinë Speciale për një vit shtesë sepse aktuali skadon në qershor 2017, zbatimi i dygjuhësisë dhe “Platformës shqiptare”, marrëdhëniet ndëretnike, marrëdhëniet me fqinjët, zgjidhja e çështjeve të hapura me Athinën për emrin e shtetit dhe Marrëveshja me Bulgarinë për Fqinjësi të Mirë, si dhe integrimi euroatlantik.

Zgjedhja e Qeverisë, e vështirë

Nesër (të martën në mesditë) kryesuesi i seancës konstitutive, ish-kryetari i Kuvendit në përbërjen e kaluar Trajko Veljanovski (VMRO DPMNE), ka thirrur koordinim të grupeve parlamentare për t’u dakorduar mbi vazhdimin e seancës parlamentare, të nisur më 30 dhjetor 2016 dhe të papërfunduar akoma.

Dy pikat e mbetura në agjendën e kësaj seance janë zgjedhja e Komisionit Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime, si dhe zgjedhja e kryetarit të ri të Parlamentit.

Përbërja e Komisionit Parlamentar është problematike për arsye se Komisioni përbehet nga 13 anëtarë dhe propozimi është që 6 t’i takojnë VMRO-së, 5 LSDM-së, 1 BDI-së dhe 1 “Besës”, por BDI-ja e ka kontestuar duke kërkuar 2 anëtarë.

Kandidati për kryetar Kuvendi gjithashtu duket se është përcaktuar në negociatat midis LSDM-së dhe BDI-së që t’i takojë shqiptarëve, me gjasë ish-komandantit të UÇK-së, Talat Xhaferri, por mbetet akoma e padefinuar saktë kjo pikë.

Mbetet e pasigurt nëse kjo seancë do të arrijë të përfundohet për arsye të tensioneve të mëdha në shoqëri, protestave jashtë Parlamentit dhe lëkundshmërisë së koalicioneve.

Në rast se përfundon seanca dhe zgjidhet kryetari i Kuvendit, atëherë ky i fundit zyrtarisht njofton presidentin Ivanov për shumicën parlamentare dhe të propozuarin për të marrë mandatin për formim të qeverisë, me ç’rast fillojnë afatet kushtetuese dhe presidenti ka 10 ditë afat kushtetues që ta ndajë mandatin.

Por pritet që edhe zgjedhja e qeverise së re të jete jashtëzakonisht e vështirë nga që Ivanov mund të refuzojë sërish që ta ndajë mandatin nën presionin e protestave të përditshme.

Shkupin sot e viziton edhe njëri nga autorët e Marrëveshjes së Shkupit, komisionari Hahn.

A do ta sjellë zgjidhjen Brukseli apo do ta konstatojë që Ballkani Perëndimor po bëhet i papërballueshëm për BE-në e papërqendruar duke e lënë në mëshirën e përplasjes së madhe gjeopolitike globale?

4 komente në “Maqedonia, konflikti Rusi-Perëndim dhe shqiptarët!”

  1. ... says:

    ik moj shpellare! rusia me perendimin ndajne torten e ju thoni se kane konflikt!!!!!!!!!!!!!!

  2. ... says:

    ik moj shpellare! rusia me perendimin ndajne torten e ju thoni se kane konflikt!!!!!!!!!!!!!!!!!

  3. allaturka says:

    Uroj qe sllavet bullgaro-serb tua shtypin mire koken shqiptareve deri sa ta kuptojne se pa nje unitet largpames per interesat e te gjithe shqiptareve, nuk kane per ta ngritur koken. Bythen po, se e ngrene cdo te premte.

  4. ... says:

    ik moj shpellare! rusia me perendimin ndajne torten e ju thoni se kane konflikt!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
    edhe nxirri pak dhembet jashte ne foto qe te dukesh perendimore!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje