Tusk nesër shkon në Shkup, me vete ka “sanksione” ndaj VMRO-së

2 Prill 2017, 13:22Rajoni TEMA

Kreu i Këshillit Evropian, Donald Tusk zbarkon të hënën në Shkup, e ashtu si zyrtarë të tjerë të lartë të bllokut përpara tij, duket se vjen me porosi të qarta për presidentin Gjorge Ivanov.

BE-ja është pozicionuar hapur pro zgjidhjes së shpejtë të krizës në respektim të Kushtetutës, që do të thotë t’i dorëzohet mandati i krijimit të qeverisë shumicës së re parlamentare.

Në axhendën e Tuskut do të jetë edhe ngërçi i emigrantëve, një shqetësim i pafashitur plotësisht ky i Bashkimit Evropian, por kriza politike aktuale e Maqedonisë dhe perspektiva evropiane e rajonit do të jenë padyshim pjesë qendrore e bisedimeve mes dy udhëheqësve.

Agjensia e lajmeve “INA” citon njohës të mirë të zhvillimeve në vend të pohojnë se vizitën e shefit të Këshillit Evropian e shohin si presionin e fundit ndaj Ivanovit për t’i dorëzuar mandatin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev.

Profesoresha Tanja Karakamisheva-Jovanovska nuk përjashton skenarin që zyrtari i lartë i bllokut të parashtrojë opsionin e disa sanksioneve të ashpra për disa politikanë nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe ndaj vet kreut të shtetit maqedonas.

Kjo është vizita e tretë e Tuskut brenda dy vitesh në Maqedoni. Gjatë ndalesës së tij të fundit, marsin e 2016-s, zyrtari evropian ishte i fokusuar te çështja e ngutshme asokohe e refugjatëve dhe emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Koha.net

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje