Banditët e Shkupit dhe Tiranës, dhe beteja e humbur e Bashës në Uashington

4 Maj 2017, 10:43Politika TEMA

Kur kryetari i PD, Lulzim Basha, deklaroi në çadrën e protestës në ditët e para të saj, se disa senatorë amerikanë kërkojnë hetim për ndërhyrjet e miliarderit George Soros në Shqipëri, dukej se po niste një kapitull interesant në politikën shqiptare.

Basha shpresonte se vizita e tij, lobimi dhe letra e gjashtë senatorëve amerikanë, do ndikonte pranë presidentit të ri amerikan, Donald Trump, për të ‘luftuar’ dy kritikët e tij, Edi Ramën dhe George Soros.

Por e kundërta ndodhi.

Siç raporton BIRN, deklarata e Tomas Shannon të DASH, bëri që PD të reagojë, duke kërkuar nga lobistët e saj në Uashington që të sigurojnë një takim në Departamentin e Shtetit.

Basha shkruan se ai ka qenë në inaugurimin e Trump dhe se ka nxituar vendosjen e emrit të Trump në një rrugë në Kamzë.

Përpjekja e PD dhe opozitës për të treguar se Shqipëria rrezikon destabilizimin, mori një goditje të fortë sidomos pas ngjarjeve në Maqedoni.

Madje letra e gjashtë senatorëve mund të ketë ndikuar për keq, duke u kthyer në bumerang për demokratët.

Revista e njohur amerikane, ‘Newsweek’ shkruan se këta gjashtë senatorë amerikanë, që u ankuan se Soros po ndihmon forcat e majta në Maqedoni dhe Shqipëri, po përkrahin banditët që pushtuan parlamentin maqedonas.

Pas këtyre banditëve qëndron Nikolla Gruevski, shkruan revista, dhe pas tij janë interesat e Moskës.

Dhe për ironi, senatori që udhëhoqi nismën kundër ndikimit të Soros në Ballkan, quhet Mike Lee dhe ishte kundër votës së Senatit për pranimin e Malit të Zi në NATO.

Ai u kritikua nga shtypi amerikan se po përkrah interesat e Kremlinit me këtë qëndrim.

Situata alarmoi senatorin John McCain, i cili jo vetëm foli ashpër në SHBA, por edhe vizitoi Ballkanin për këtë qëllim.

Në këtë mënyrë, dashje pa dashje, PD u rreshtua në krahun e gabuar, duke shqetësuar akoma më shumë Uashingtonin.

Prej këtu nisi edhe reagimi i ashpër i SHBA, që deklaroi fillimisht se do njohin zgjedhjet edhe pa opozitën.

Në betejën se kush do e ‘destabilizojë’ Shqipërinë, opozita apo qeveria, të parët duket se e humbën garën. (Mapo)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje