Marrëveshja/ Dritë jeshile për Vetingun e politikanëve, pritet zbarkimi i ekspertëve amerikanë në Tiranë. Ja afatet

19 Maj 2017, 09:00Politika TEMA
Marrëveshja/ Dritë jeshile për Vetingun e politikanëve,

Ky proces, pra largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë, është përcaktues për t’i hapur rrugë një procesi tjetër edhe më të rëndësishëm: Vetingut të politikanëve. Bëhet fjalë për ngritjen e institucioneve anti-korrupsion: Byronë Kombëtare të Hetimit, Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatat Speciale, për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit elitar.

Ngritja e institucioneve në fjalë, parashikuar në ligjin e SPAK, është e ndërlidhur me zbatimin e ligjit të Vetingut të drejtësisë. Konkretisht, pika 5 e nenit 6 të ligjit për SPAK-un parashikon ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për gjyqtar dhe nëpunës civil gjyqësor në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për prokuror dhe personel administrativ në Prokurorinë e Posaçme, dhe për drejtor dhe hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit. Asnjë kandidat nuk mund të emërohet në tre strukturat në fjalë pa kaluar në filtrin e këtij komisioni.

Por, që ky komision të konstituohet, duhet që të jenë ngritur organet e Vetingut. Ligji parashikon që komisioni përbëhet nga anëtarë që kanë kaluar me sukses skanerin e trefishtë për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet e papërshtatshme me krimin dhe testin e aftësive profesionale. Me ngritjen e organeve të Vetingut, hapet rruga edhe për ngritjen e këtij komisioni, i cili do të dominojë kandidatët për në strukturat e reja anti-korrupsion, të cilat do të kenë në shënjestër pikërisht politikanët.

Afatet
Në ligjin për SPAK ka disa afate që diktojnë ngritjen e organeve të reja të drejtësisë. Ligji për SPAK, po nën presionin e fortë të SHBA-BE është miratuar dhe ka hyrë në fuqi në tetor të vitit 2016. Pika, 4 e nenit 57 të ligjit për SPAK parashikon që Byrosë Kombëtare të Hetimit i sigurohet një mjedis i përshtatshëm pune dhe pajiset brenda katër muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Ky afat është tejkaluar, por ka disa afate të tjera, që detyrojnë ligjvënësit të zbatojnë këtë ligj.

Prokuroria e Posaçme, Byroja e Hetimit dhe Gjykatat Speciale duhet të ngrihen të paktën 300 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit në rastin koret, deri në muajit gusht. Kjo për arsyen se ligjit parashikon që të gjitha dosjet e korrupsionit dhe krimit, objekt të SPAK, duhet ta kalojnë në duart e Gjykatave Speciale dhe Prokurorisë së Posaçme.

Konkretisht, pika 6 i nenit 57 të ligjit për SPAK parashikon që në mënyrë që të respektohet e drejta e të pandehurve për një gjykim të drejtë, çështjet që do të jenë në gjykim para gjykatave për krimet e rënda në ditën e 300-të pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbeten nën kompetencën e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe nëse ato nuk bëjnë pjesë në kompetencën parësore apo dytësore të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sipas këtij ligji. Këto çështje ndiqen penalisht nga Prokuroria e Posaçme. Në mesnatën e ditës së 300-të pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kompetencat e parashikuara nga nenet 8 dhe 9, të këtij ligji, u kalojnë gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme.

Zbarkimi i amerikanëve  
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian do të asistojnë për ngritjen, funksionimin dhe monitorimin e veprimtarisë së institucioneve anti-korrupsion, sidomos të Byrosë së Kombëtare të Hetimit. Angazhimi i SHBA-BE është parashikuar në ligj.

Konkretisht, pika 9 i ligjit për SPAK, parashikon që një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje. Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Zbatimi i Vetingut
Zbatimi i Vetingut në drejtësi i hap rrugë ngritjes së institucioneve anti-korrupsion: Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale, për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit elitar.

Ndërvarja
Kandidatët për organet e reja anti-korrupsion duhet të kalojnë në filtrin e Komisionit të Posaçëm të Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve. Por, anëtarët e këtij komisioni duhet të kalojnë Vetingun.

Veprat penale në kompetencë të Byrosë dhe Prokurorisë së Posaçme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje