Jo vetëm rënie e pjesëmarrjes së votuesve të djathtë, por edhe…

30 Qershor 2017, 11:34Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Në faqet e kësaj gazete kam publikuar dy analiza në rang kombëtar, të votave të së dielës – njërën në nivelin e dy krahëve të spektrit politik (i majtë – i djathtë) dhe tjetrën në nivel partish. Nga të dyja analizat, rezulton se PD+PR kanë pësuar rënie gjigante të numrit të votave – 200 mijë më pak, se para 4 vjetësh ose 230 mijë më pak, se sa rezervuari natyral i votave të djathta (në këtë të fundit, përfshihen edhe votuesit e rinj që plotësuan moshën për votim).

Por, siç e kam theksuar në dy shkrimet e sipërcituara, ato analiza kanë qenë në nivel makro. Në nivel mikro, mund të gjenden raste të shkëputura kur një lagje apo një fshat, një ish-komunë apo një bashki, ka regjistruar një sjellje elektorale të ndryshme nga ajo që vërehet në rang vendi. Kështu për shembull, në bashkinë e Kamzës, PD-ja i mori votat pothuaj në përputhje me rezervuarin e saj elektoral. Ndërsa, ish-komuna e Krrabës e ndryshoi krejtësisht votën, – nga 90% për LSI-në në 2013-ën, në 70% për PS-në në 2017-ën…

Tani që kam në dorë një bazë me të dhënat e detajuara të votave për të 5363 qendrat e votimit, jam në gjendje të bëj një analizë në nivel mikro.

Kështu, në 1971 qendra votimi, konstatohet se rënia e numrit të votave të djathta (në krahasim me 2013-ën), është shumë e përafërt me rritjen e numrit të votave që kanë regjistruar partitë PS dhe/ose LSI dhe/ose PDIU dhe/ose PSD.

Le të japim një shembull (të zgjedhur krejt rastësisht). Në fshatin Ujëmirë të Kalasë së Dodës, votuan, para 4 vjetësh, 149 zgjedhës. Ndërsa më 25 qershor, votuan 146 zgjedhës. Pra, numri i pjesëmarrësve pothuaj nuk ndryshoi – u pakësua me vetëm 3 zgjedhës.  Ndërsa për PD-në, rënia ishte e thellë – nga 109 vota që mori më 2013, zbriti në vetëm 67 vota të djelën. Ku shkuan votat e saj? Tek PDIU, LSI dhe PS…

Si rasti i Ujëmirës ka edhe 1970 raste të ngjashme qendrash votimi, ku numri i pjesëmarrësve pothuaj nuk ndryshoi, por votat u transferuan nga PD+PR tek partitë PS dhe/ose LSI dhe/ose PDIU dhe/ose PSD. Të gjitha këto qendra ndodhen në zona rurale të vendit.

Në 992 qendra votimi të tjera, ekziston, në fakt, një korrelacion mes rënies së votave të PD+PR dhe rritjes së votave të partive PS dhe/ose LSI dhe/ose PDIU dhe/ose PSD. Por, sidoqoftë, korrelacioni është më i dobët se në  qendrat e analizuara më sipër. Shumica dërrmuese e këtyre 992 qendrave të votimit (907 prej tyre), ndodhen gjithashtu në zona rurale të vendit.

Në 2400 qendrat e tjera të votimit, duket qartë se rënia e votave të PD+PR është e lidhur drejtpërdrejt me rënien e pjesëmarrjes së të djathtëve. Shumica dërrmuese e këtyre qendrave (2312 prej tyre), ndodhen në zona urbane të vendit.

Duke e përmbledhur mund të thuhet se,  rënia e votave të djathta ka patur dy shkaqe pothuaj të barabarta. Në zonat urbane shkak ka qenë kryesisht rënia e pjesëmarrjes së elektoratit të djathtë, ndërsa në zonat rurale ka qenë kryesisht transferimi i votave tek partitë PS dhe/ose LSI dhe/ose PDIU dhe/ose PSD.

Arsyet e këtyre dy llojeve të rënies së votave të djathta, duhet t’i analizojë mirë kushdo që do të fitojë garën për kreun e PD-së…/afp.al/

3 komente në “Jo vetëm rënie e pjesëmarrjes së votuesve të djathtë, por edhe…”

  1. DN says:

    DMth appel per te ndeshkuar PDne ne cdo rast kur kishte mujt me fituar paska gjetur resonances tek elektorati i djathte!
    Bravo tash do e kuptoje peshen e aleateve te ‘vegjel’.

  2. pirri says:

    Ja fut kot nuk ka renie. Shiko 43% e 3.4 milion banore me 2. 8 milion banore.

  3. © KENDVESHTRIM TJETER © says:

    Partite humbese nuk mbeshteten ne analiza reale,ato stermundohen ti mbushin mendjen fansave,se votat u shiten ose u blene !
    Injorantet zhurmemedhenje si gjithmon te paret ne media,per te justifikuar humbjen !
    Nje shifer 8.4 miljon euro qarkulloi gjate fushates,per blerjen e votave !
    Shqiperia konsumon rreth 3 miljon euro ne dite,import !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje