Është Lulzim Basha në provë, jo opozita

26 Korrik 2017, 19:26Politika TEMA

Nga Astrit Patozi

Dëgjova sot Lulzim Bashën të merrte ne dorë skeptrin e opozitës dhe të përcaktonte kushtet, që duhet të plotësonte dikush për t’u pranuar të luftonte me qeverinë nën flamurin e tij.

Dhe mendova se sa të fyer duhet të jenë ndjerë ata burra dhe gra, me qindra mijëra kudo në Shqipëri, të cilët kanë zgjedhur të jenë kundërshtarë me Edi Ramën dhe me Partinë Socialiste në katër vitet e ardhshme.

Nuk ka asnjë kategori opozitari sot në Shqipëri që të pranojë Lulzim Bashën për juri të vlerësimit të aktivitetit të tij dhe kjo nuk ka të bëjë me asnjë paragjykim për të. Kryesisht për meritë të tij, Partia Demokratike ka humbur shumë nga pesha e saj specifike në parlament e kudo, ndonëse ende në numra ajo mbetet si forca më e madhe e opozitës edhe sot.

Por nganjëherë numrat nuk të ndihmojnë, sepse në politikë shpesh marrin më shumë vlerë kauzat dhe morali.
Lulzim Basha është sot, që po flasim, politikani më i kompromentuar në Tiranë, i cili akuzohet nga të gjitha anët për një pazar të mbyllur dhe okult me Edi Ramën. Edhe në mos qoftë ashtu, siç flitet gjerësisht, marrëveshja e 18 majit ishte e tillë që fundosi përdundimisht shpresat e Partisë Demokratike, por edhe të çdo partie dhe fluksi që sot është në opozitë, për një rezultat pozitiv në zgjedhjet e 25 qershorit.

Ndaj edhe Lulzim Basha sot nuk është në borxh deri në fyt vetëm me demokratët, të cilët i çoi me duart e veta në kasaphanën e Edi Ramës, por edhe me të tjerët. Dhe në këto rrethana, ai mund të jetë njeriu i fundit që mund të përcaktojë rregullat e opozitës, e aq më pak të klasifikojë se cilët janë ose jo kundërshtarët e qeverisë.
Askush sot në Shqipëri nuk ka ndonjë detyrim të provojë opozitarizmin e vet përballë Lulzim Bashës, ndërkohë që ky i fundit është në provë para gjithkujt, nëse do ta ketë seriozisht apo jo betejën me Partinë Socialiste, ashtu siç ka premtuar në shtator.

Njoh me qindra dhe mijëra demokratë, mosbesimi i të cilëve ndaj kryetarit të saposhkrirë ka shkuar aq larg, sa e kam vështirë të gjej një “trimëri” të tij që mund t’ua rikthente prapë.

Nëse e ka fjalën edhe për LSI-në, Lulzim Basha duhet të shprehet se çfarë ka ndryshuar tek ai, që një javë para 18 majit vajti e iu ul në gjunjë Ilir Metës (tek ai takimi i famshëm, që nuk u mbajt dot i fshehtë) dhe pastaj u hodh në krahët e Ramës, duke identifikuar partinë e presidentit si shënjestrën kryesore të fushatës.

E mbi të gjitha çfarë rrethanash kanë ndryshuar dhe çfarë garancish ka tani që këtij “fjalëmbajturit” të çadrës së lirisë nuk do t’i dalë diçka tjetër në të ardhmen që ta joshë njësoj si më 18 maj? Kjo është një pyetje që me siguri ia bëjnë vetes të gjithë ato forca politike, që kanë vendosur me vullnetin e tyre apo kanë qenë të detyruara të pranojnë opozitën me Edi Ramën. Dhe, sipas meje, janë në të drejtë të Zotit që ta bëjnë.

Por Lulzim Basha ka edhe një arsye tjetër pse nuk mund të gafurret dhe nuk mund të nxitojë sot të luajë rolin e korifeut të opozitës. Sepse ai sapo ka dalë nga një palë zgjedhjesh të neveritshme në Partinë Demokratike, të cilat, sikur të mos mjaftonte që ishin farsë, por edhe i manipuloi.

Dhe tani që mbushja e kutive të votimit u provua, Lulzim Basha u detyrohet të gjithë demokratëve, si atyre që refuzuan farsën, por edhe të tjerëve që e votuan. Të parëve se u mohoi garën, kurse të dytëve se u tall keq me votën e tyre.

Ndaj mos e merrni serozisht Lulzim Bashën! Ai thjesht po ngutet të paraqitet me shpejtësi si drejtuesi i fronti antiqeveritar, a thua se kjo është një dekoratë, nga ato që kanë shpërndarë pa doganë presidentët tanë.
Kryetari falso i një partie, qoftë kjo edhe më e madhja në shifra, nuk mund të jetë kurrë lideri real i opozitës. Sepse opozita është shpirt dhe frymëzim, përballje dhe vendosmëri, tolerancë dhe mençuri, bashkim dhe mirëkuptim, koncepte këto, që nuk kanë asnjë lidhje me Lulzim Bashën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje