Vonesa në ndërtimin e urës në Elbasan, Balla: Jemi të shqetësuar, ndryshim modelit të tenderimit

23 Shtator 2017, 16:25Politika TEMA

Ura e Broshkës, në Elbasan ishte parashikuar të përfundonte në muajin maj të këtij viti, por deri tani nuk janë realizuar as 50% e punimeve. 

Banorët kanë shprehur shqetësimin për ecurinë e ngadaltë të punimeve për ndërtimin e objektit mbi Shkumbin, që bën të mundur lidhjen e fshatit Broshkë me pjesën tjetër të njësisë administrative dhe me aksin nacional Elbasan-Peqin.

Nisur nga fakti që ndërtimi ka kaluar çdo afat të vendosur, deputeti Taulant Balla gjeti rastin të kërkojë ndryshimin e mënyrës së lidhjes së kontratave dhe tenderimit te objekteve të rëndësishme.

“Jemi shumë të shqetësuar për punimet e deritanishme të kompanisë dhe ky është një rast i cili do të adresohet nga qeveria për të ndryshuar tërësisht mënyrën e lidhjes së kontratave, mënyrën e tenderimit të objekteve të rëndësishme, sepse çdo objekt e ka një afat dhe tejkalimi i këtij afati është në dëm të cilësisë së punimeve, sepse nuk mund të bësh një këmbë ure sot dhe një pas 6 muajsh dhe sa të bëhet këmba e fundit e para është rrëzuar”, tha Balla.

Disa ditë më parë Bashkia e Elbasanit mori masa ndaj kompanisë në fjalë për vonesën e punimeve, por duke e vlerësuar investimin si mjaft të rëndësishëm, kryebashkiaku Sejdini e vuri theksin edhe tek të tjera investime që kanë nisur në këtë zonë.

“Në Papërr do të ketë edhe dy ura të tjera, që sipas të gjitha gjasave do të përfundojnë para kësaj ure. Paprri është njësia vendore që ka marrë më shumë investime në Bashkinë e Elbasanit. Jo rastësisht i ka pasur nevojë të kahershme, nevoja të cilat ne arritëm t’i plotësojmë dhe do vazhdojmë investimet në pjesën tjetër të kësaj njësie administrative, duke ecur paralelisht edhe me njësitë e tjera që kanë marrë gjithashtu investime të mëdha”, deklaroi Sejdini.

Ura ekzistuese në fshatin Broshkë u shemb në janar të vitit 2016 nga prurjet e shumta të lumit Shkumbin. Kjo nuk ishte e vetmja emergjecë e asaj kohe. Situata e pazakontë e motit bëri që disa ura të shembeshin dhe disa të tjera të dëmtoheshin, duke bërë urgjente ndërhyrjen.

1 komente në “Vonesa në ndërtimin e urës në Elbasan, Balla: Jemi të shqetësuar, ndryshim modelit të tenderimit”

  1. popull says:

    Si te gjitha investimet e tjera ne shqiperi eshte edhe kjo ure qe nuk mbaron . Eshte hapur kanal pergjate rruges El-LB me mendim se do ta mbyllin shpejt , akoma e kesaj dite nuk eshte mbyllur . Na thane do futet kabull elektrik dhe do mbyllet . Te gjithe pushtetaret e shohin dhe asnje nuk flet .Kjo eshte shqiperia .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje