ANALIZA/ Të kuptojmë kërcënimin e Koresë së Veriut

11 Dhjetor 2017, 17:24Bota TEMA
ANALIZA/ Të kuptojmë kërcënimin e Koresë së Veriut

SHBA e ka futur veten në kurthin e ekzagjeruar të Kim Jon-un për fuqinë e tij bërthamore. Nëse SHBA ia doli të frenojë një Bashkim Sovjetik më të fortë nga Berlini Perëndimor për tre dekada, mund ta frenojë dhe Korenë e Veriut.

Koreja e Veriut së fundmi testoi raketën e saj balistike Hwasong-15, që arriti lartësinë 4475 kilometra gjatë fluturimit 53-minutësh.

Përdorimi i një trajektore të lakuar mund t’i lejojë regjimit të Kim Jong-un aftësinë të godasë gjirin lindor të Shteteve të Bashkuara.

Megjithëse nuk është demonstruar ende një pajisje rifutjeje e aftë t’i mbijetojë fërkimit atmosferik, Koreja e Veriut lajmëroi se ka përmirësuar aftësinë për goditje bërthamore dhe është bërë një shtet bërthamor i plotë.

Ashtu si presidentë të tjerë amerikanë, Donald Trump tha se kjo ishte e patolerueshme. Po tani?

Përpara se t’i kthehemi politikës, është e rëndësishme të demaskojmë disa mite që interferojnë me analizën e qartë. Së pari, Kim mund të jetë një diktator i egër, por ai nuk është i çmendur apo vetëvrasës. Deri më tani, ai ia ka kaluar Amerikës në lojën e rrezikshme, por ai e kupton se një shkëmbim bërthamor me SHBA-në do të thotë fund për regjimin që ai po përpiqet të ruajë.

Së dyti, SHBA ka ngecur përmes fjalëve në kurthin e Kim të ekzagjerimit të fuqisë së predhave të tij. Në fund të fundit, Koreja e Veriut ka pasur armë bërthamore për më shumë se një dekadë; ato mund të çohen në portet amerikane në gjirin lindor dhe perëndimor me çdo mjet, edhe me një mjet mallrash.

Së treti, në këtë lojë të maces me miun, gjeografia i ofron Koresë së Veriut dominim lartësie vendore. Me mijëra kanale artilerie të fshehur në tunele pranë kufirit, Koreja e Veriut mund të kërcënojë të bëj kërdinë në Seul, kryeqytetin e Koresë së Jugut aty pranë, me mjete tradicionale.

SHBA e zbuloi këtë në vitin 1994 – kohë më parë se Koreja e Veriut të kishte një armë bërthamore – kur planifikoi një sulm parandalues për të shkatërruar impiantin e ripërpunimit të plutoniumit të Veriut vetëm për të zbuluar se aleatët e saj Koreja e Jugut (dhe Japonia) kërcënoheshin nga rreziku i sulmit tradicional.

Në kuptimin e politikës, Kina ka propozuar një “ngrirje për ngrirje” si mjet për të kontrolluar ambiciet bërthamore të Veriut.

Koreja e Veriut do të ndalonte të gjithë testet bërthamore dhe raketore (lehtësisht të verifikueshme); ndërsa kjo nuk do të përmbyste statusin bërthamor të Veriut, do të ngadalësonte zhvillimin e arsenalit të saj. Në këmbim, SHBA do të ndalonte ushtrimet ushtarake të përvitshme me Korenë e Jugut.

SHBA do të kishte të drejtë të vazhdonte ushtrimet nëse Koreja e Veriut do të shkelte ndalimin e testeve apo do të eksportonte materiale bërthamore.

Disa e shohin këtë si një marrëveshje të mirë, por varet nga objektivat e Kim. Nëse ai do vetëm siguri, mund ta lëmë vetëm, mbase të nënshkruajmë një traktat paqeje, të ulim sanksionet dhe të lëmë zhvillimin ekonomik të ndryshojë regjimin me kohën, si në Kinë.

Por Koreja e Veriut nën dinastinë e Kim nuk është një fuqi status kuoje. Që nga viti 1945, ka qenë një çudi: një diktaturë komuniste e trashëguar legjitimiteti i të cilës qëndron në pretendimet se është pararojë e nacionalizmit korean. Deri më tani, ka mbetur pas me konkurrimin ekonomik me Jugun, por shpreson që statusi bërthamor ta ndryshojë balancën.

Siç ka paralajmëruar Sung-Yoon Lee nga Universiteti Tufts, “për Veriun, kërcënimi i SHBA-së është një mjet i panegociueshëm i izolimit dhe ushtrimit të dominimit mbi Seulin. Kjo është mënyra se si regjimi i Kim Jong-un kërkon të sigurojë jetëgjatësinë e vet”.

Nëse dobësimi i lidhjeve mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut është qëndror për strategjinë e Kim, propozimi i Kinës për “ngrirje për ngrirje” është në dobi të tij. Dhe në vend që të ulë rrezikun, mund të nxisë veriun t’i rikthehet presionit të rrezikshëm ndaj Koresë së Jugut, si në vitin 2010, kur mbyti një korvetë të Koresë së Jugut, duke vrarë 46 detarë dhe duke goditur me predha ishujt e Koresë së Jugut.

Mundësitë e politikave të SHBA janë të kufizuara. Njëra është përdorimi i kufizuar i forcës. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Trump, gjenerali H.R McMaster, është cituar disa herë të ketë thënë se mund të jetë e nevojshme një luftë parandaluese nëse dështon diplomacia. Por edhe nëse projektohet si një goditje e kufizuar, a do të mbeste e izoluar përpjekja për ta vrarë apo goditur me predhë? Nëse jo, viktimat do të varionin nga dhjetëra mijëra në numra më të lartë.

Sanksionet vazhdojnë të jenë një opsion, por deri më tani nuk kanë gjeneruar mjaftueshëm presion për ta bërë regjimin e Kim të heqë dorë nga asetet e veta strategjike. Diplomacia kineze dhe sanksionet janë gjithashtu thelbësore, por deri më tani Kina ka rezistuar. Nuk e ka ndërprerë ushqimin dhe karburantin. Kinës nuk i pëlqen Kim, por nuk do kaos – apo amerikanë – në kufirin e saj.

Një paketë e mundshme do të ishte diçka si “GRIT” e Luftës së Ftohtë apo reduktim gradual i tensioneve ndërkombëtare: SHBA ta sigurojë Kinën për synimet e saj të kufizuara dhe të bjerë dakord për të koordinuar aksionet me Kinën. Të mos ketë më marshime në lumin Yalu të atij lloji që nxiti ndërhyrjen e Kinës në Luftën Koreane. Në Këmbim, Kina të përdorë presionin e vet ekonomik dhe diplomatik për të ngrirë menjëherë kërcënimin e testeve të Koresë së Veriut, por nuk këmbëngul në ngrirjen e forcave amerikane.

Mundësia e pakësimit të ushtrimeve të SHBA-së në të ardhmen do të varej nga sjellja e Koresë së Veriut ndaj asaj të Jugut. SHBA do të ofronte një traktat paqe të negociueshëm pasi Koreja e Veriut të pranonte uljen e tensionit me Korenë e Jugut. SHBA dhe Kina do të pranonin de fakto statusin bërthamor të Koresë së Veriut, por së bashku do të theksonin objektivin e tyre afatgjatë për një gadishull pa armë bërthamore. Koreja e Veriut bie dakord të ndalojë testet dhe eksportimin e materialeve bërthamore. Kina kërcënon të imponojë sanksionet e ushqimit dhe karburantit nëse Koreja e Veriut i dredhon marrëveshjes.

Perspektivat si një paketë me në qendër Kinën nuk janë të larta; por nëse dështojnë, SHBA nuk ka pse e zë paniku. Nëse ai doli të frenojë një Bashkim Sovjetik shumë më të fortë që të mos merrte një Berlin Perëndimor të izoluar për tre dekada, mund ta frenojë dhe Korenë e Veriut. SHBA duhet të rikthejë aftësinë e saj për të frenuar dhe mbrojtur përmes aleancave me Korenë e Jugut dhe Japoninë. Prania e rreth 50.000 trupave amerikanë në Japoni dhe rreth 28.000 në Kore, e bën frenimin e zgjatur të besueshëm. Kim nuk mund të vrasë koreano-jugorët apo japonezët pa vrarë amerikanët, dhe kjo, ai e di me siguri se nënkupton fund të regjimit të tij.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Understanding the North Korea Threat.(BIRN)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje