Profesioni është thjesht një konvencion

29 Dhjetor 2017, 13:34Blog TEMA

Nga Astrit Patozi

(Në kujtim të doktor Arben Runës)

Po ta dija që doktor Beni do të ikte kaq shpejt, do t’i kisha ruajtur të gjitha mesazhet e tij në telefonin tim. Do të kishte qenë pa asnjë dyshim kronologjia më e përpiktë e ditëve kur kam thënë, shkruar apo bërë diçka, që ia ka vlejtur.

Nuk kanë të shpeshta ato, pasi Arben Runa nuk kishte asnjë lidhje me patetizmin dhe vanitetin, por mbi të gjitha nuk ishte fare tipi që mund të kënaqej kollaj.

Shumë vite më parë, kur punoja si gazetar, gati e merrja inat se, atë që ne e kishim profesion, ai e ushtronte sa herë t’i tekej, me lehtësinë e një zanatçiu të sprovuar. Ndërkohë që jeta e tij kishte marrë një drejtim tjetër dhe të shkruarit kishte mbetur thjesht dhe vetëm një pasion i hershëm i rinisë.

Dhe më ngjasonte me ata muzikantët apo kantautorët, që nuk kanë studiuar asnjë ditë, por janë bërë më të famshëm dhe më virtuozë se shumë të tjerë, që e kanë kaluar gjithë jetën mbi pentagram.

Në ditën e lamtumirës së tij i kam harruar pothuajse të gjitha rastet, kur e kam shqetësuar doktor Benin për probleme shëndeti dhe ato kanë qenë realisht të shpeshta. Për vete apo për njerëzit e mi. Por kjo nuk është mosmirënjohje.

Mund të jetë e padrejtë, pasi ai ishte mjek shumë i zoti në specialitetin e vet dhe mbi të gjitha mjaft i gjindshëm, por unë e kam realisht të vështirë që ta mbaj mend atë si doktor.

Sepse do ta kujtoj Arben Runën më shumë përsa ka thënë dhe ka shkruar. Ashtu si gjithë burrat e zgjuar të kësaj bote.

Dhe jo rastësisht, mendova aty për aty, se e kanë gabim ata që mendojnë se zanati është përcaktues në jetën e njeriut. Sepse, pothuajse gjithmonë, ai është vetëm një konvencion.

Sot, teksa po e përcillnim të pikëlluar, m’u krijua ndjesia se qyteti ishte bërë më pak i mençur, më pak modest, më pak i njerëzishëm dhe më pak i talentuar pa doktor Benin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje