Kadareja përballë “krimit në Ballkan”

24 Maj 2011, 19:06Editorial TEMA
Kadareja përballë “krimit në Ballkan”

Nga Ardian Ndreca

Jemi mësue tashma me idenë se shumica e librave në gjuhën shqipe nuk përbajnë asnji event, e pjesa ma e madhe e tyne kalojnë në harresë me nji shpejtësi marramendëse. Kjo gja ka arsyet e veta, të cilat do të na largonin pafundsisht prej arsyeve për të cilat librat e Kadaresë përbajnë ngjarje letrare.

Libri i fundit “Mbi krimin në Ballkan. Letërkëmbim i zymtë” (Onufri, 2011) qysh prej titullit jep mesazhin e trishtueshëm që merr përsipër me transmetue. Autori kërkon me ia dorzue gjykatës së kujtesës historike kandvështrimin e vet rreth ngjarjeve tragjike të Kosovës.

Libri asht i konceptuem në tri pjesë, e para përmbledh letra që Kadareja ka marrë dhe i ka shkrue personaliteteve të ndryshme, e dyta paraqet nji intervistë të gjatë dhe e treta jep pjesë ditari dhe shkrime. Libri paraprihet prej nji hymje të gjatë e ndriçuese, në të cilën autori analizon përshkallzimin e krimit serb në Kosovë që mbërrin me përdorë shnjerzimin e grave si mjet lufte. Ai trajton gjithashtu qëndrimin e lëkundun të ndërkombtarëve deri para ndërhymjes ushtarake, heshtjen fajtore të politikës shqiptare, rinisjen e vështirë mbas çlirimit të Kosovës, brishtësinë e moralit të politikanëve kosovarë që shumë shpesh treguen padenjësinë e tyne me udhëheqë nji popull martir, jargavitjet neo-otomaniste etj.

Nji prej letrave ma interesante asht ajo e shkrimtarit serb Vuk Drashkoviç, drejtue Kadarese në qershor të vitit 1987. Thelbi i letrës asht ky: nacionalisti Drashkoviç i ban thirrje Kadarese me dënue irredentizmin kosovar, me dënue krimet historike që shqiptarët paskan ba kundër serbëve dhe me heqë dorë prej andrrave nacionaliste shqiptare.

Letra e Drashkoviçit asht shumë interesante në lexim, e kjo gja rrjedh prej navitetit të pafund të autorit të saj, i cili në disa pasazhe duket si nji budalla i randomtë.

Naiviteti, mungesa e sensit historik dhe e perspektivës politikës përçohet në çdo rresht të sajin dhe krijojnë nji përshtypje krejt të kundërt me atë që andrronte me krijue tek lexuesi shkrimtari serb. Retorika dhe mungesa e sensit kritik e bajnë autorin e letrës me u duk qesharak dhe meskin, sidomos kur nuk mbërrin me dallue në vazhdën e historisë: shqiptarët prej pushtuesve turq, ose ma mirë me thanë nuk don me pranue se turqit në Arbëri, për shumicën dërrmuese, nuk ishin miq por anmiq, madje mjaft mizorë.

Sot teza e Drashkoviçit propozohet me za të naltë deri edhe në korridoret e Ministrisë së Jashtme të Tiranës, ku bustit të Skënderbeut i ndrrohet vendi pse po na i jepka bezdi ndonji delegacioni të huej. Në këto vite teza e Drashkoviçit ka rrugtue prej Kosovës, në Maqedoni e në Shqipni, ndër podiume ku pseudo-historianë të thamë lozesh s’prajnë tue i thur himne pushtuesit të dikurshëm.

Besoj se qëllimi i botimit të kësaj letre nga ana e Kadaresë ka qenë me e ba qesharak Drashkoviçin, i cili i sheh tezat anmiqsore të Kadaresë të farkëtueme historikisht në Ballhaus (ish-selia e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Perandorisë Austro-hungareze) dhe në zyrat e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit. Tue mendue se letra u ba publike në mediat franceze në vitin 1987, ky “denoncim” publik i Kadaresë nga ana e Drashkoviçit, kishte si qëllim të vetin eliminimin e tij si faktor në gjinin e letrave shqipe. Pra, dora e shtrime për “dialog” e Drashkoviçit nuk ishte tjetër veçse nji dredhi levantine, me anë të së cilës ai kërkonte – tue e denoncue Kadarenë pranë regjimit të Tiranës si zadhanës të tezave austro-katolike – me asgjasue mbështetjen morale që kosovarët kishin prej shkrimtarit shqiptar në arenën ndërkombtare.

Pasojnë katër letra që Ismail Kadareja ua drejton presidentave Bush, Mitterrand, Havel dhe Papës Gjon Pali II, prej 11 deri me 15 shtator 1991.

Të katër letrat tregojnë nji gjendje shpirtnore të shqetsueme në kulm për fatin e Kosovës dhe i përcjellin personaliteteve të masipërme makthin se në Kosovë po përgatitet nji krim monstruoz kundër shqiptarëve. Shkrimtari përmend në ato letra përgjegjësitë morale të atdheut të demokracisë, SHBA-së, ndaj fatit të kosovarëve, ndjeshmëninë që duhet të tregojë vendi që ka formulue kartën e të drejtave të njeriut, tek e treta ai i apelohet sensit qytetar dhe demokratik të shkrimtarit të madh çek dhe në fund tue ju drejtue Papës polak përmend lidhjet shekullore me Vatikanin dhe vuejtjet e popullit shqiptar për shkak të persekutimit fetar.

Ajo që të çudit asht parandjenja e thellë e Kadaresë për tragjedinë që po konsumohej në Kosovë, ndërkohë që diplomacitë e vendeve të rajonit, përfshi edhe shtetin amë, flenin apo banin sikur nuk shihnin. Mundena me thanë tue u nisë prej këtyne dokumenteve se subjekti i parë ndërkombtar që nisi me u aktivizue në favor të çeshtjes së Kosovës ishte shkrimtari Kadare.

Sot Kosova ka fitue pavarsinë politike, por ende nuk ka mbërrijt me krijue nji stabilitet politik dhe kulturor dhe ajo çka asht ma e keqja pjesa ma e madhe e figurave të saja politike ka braktisë gjurmët e Rugovës së madh. Shenjat e kësaj tronditje të madhe të themeleve politike Kadareja i vëren në ditarin e tij të vitit 1999, ku shënon sjelljet antishqiptare që karakterizonin nji pjesë të delegacionit kosovar në Rambouillet. “Ngrehalucë” dhe “delirantë”, quen ai ata që për hir të interesave të veta meskine ishin gati me braktisë fatin e popullit kosovar në momentin ma delikat.

“Kosova për disa është tmerr, për disa është dhimbje kurse për disa vazhdon të jetë biznes” (f. 96).

Edhe sot e kësaj dite ka prej atyne që kacaviren në monumentin e martirëve të asaj toke, vetëm për me u dukë prej larg, për me ngrit nalt xhuxhmaxhuxhërinë e tyne shpirtnor dhe morale.

*   *   *

Nji i tillë asht edhe Qosja, parabola e të cilit nis si akademik i Beogradit dhe përfundon si mbështetes moral i afaristit Pacolli, i cili siç dihet e zgjodhi qesen për me plotsue andrrën e tij veleitare për pushtet. Kohët e fundit Qosja për me e ba ma të besueshëm denigrimin e Kadaresë nga ana e tij, e binjakëzohet atë artificialisht me sulme ndaj Berishës, në nji kohë që mes tyne nuk ka asnji analogji, as qytetare dhe as intelektuale, aq ma tepër që Kadareja ka vite që i lëshon taborrit të Berishës shigjeta të panumërta kritike, kuptohet prej atyne që mund të mbajë në kukurën e tij nji shkrimtar.

Në kohën e diktatit serb në Kosovë Qosja, antar i Lidhjes së komunistave të Jugosllavise, çmohej dhe gëzonte privilegje prej Beogradit, të cilët përposë ideologjisë së tyne ishin njikohsisht edhe anmiqte e kombit shqiptar. Ai emnohej akademik për tekstet e tija plot frymë marksiste ku shahej Fishta dhe i ashtuquejtuni dekadentizmi jokomunist. Qosja edhe pse ishte jashtë Shqipnisë nuk dënoi asnjiherë regjimin e Enver Hoxhës, nuk dënoi krimet dhe shtypjen që regjimi i Tiranës ushtronte mbi bashkëatdhetarët e tij. Nga ana tjetër ai mbante nji qëndrim tejet negativ ndaj Rugovës, të cilit arriti deri me i pezullue pagën në shenj hakmarrjet personale. Nji ndjesi e çuditshme përjashtuese e ka ndjekë gjithmonë Qosen si historian të letërsisë shqipe, injorimi i shkrimtarëve të letërsisë së vjetër shqipe, atyne që hedhin dritë mbi rranjët e identitetit tonë. Qosja ka bashkëjetue shumë mirë me regjimin e Beogradit, madje ai deri në fundin e viteve ’80 trumbetonte parullën e ruejtjes së vëllaznim-bashkimit me popujt e Jugosllavisë. Tendenca e tij ka qenë negative jo vetëm ndaj Rugovës, por edhe ndaj Kadaresë, Nanë Terezës, Anton Pashkut e deri ndaj Lush Gjergjit. Në këto qëndrime del në pah karakteri i tij orientalo-komunist, dëshira me e izolue Kosovën dhe mundësisht me e kthye në nji Kosovistan të vogël në gji të Europës. Nga ana tjetër Qosja nuk ka botue asnji letër publike apo dokument ku të tregojë se ka mbrojtë fatin e kosovarëve pranë personaliteteve intelektuale dhe politike ndërkombtare në vitet ’80-’90. Frustrimi senil dhe mllefi ndaj atyne që kanë pasë sukses ende s’e ka braktisë dhe padyshim do ta shoqnojë deri në ditet e mbrame të tijat.

*   *   *

Tue u kthye tek ky libër ma i fundit i Kadaresë mund të themi se ai ndriçon nepërmjet dokumentash nji periudhë të errët historike dhe shpreh, herë me nota tragjike e herë me nji shpresë të pazakonshme, kujdesin e shkrimtarit për fatin e kombit e të vet.

Grekët e lashtë kanë pasë nji koncept të caktuem për kohën si cilësi, asaj që në çastin kalimtar paraqet nji moment të papërsëritshëm historik. Ketë lloj kohet ata e kanë quejtë kairos, për me e dallue prej kohës kronos, çastet e së cilës janë të barazvlefshme dhe identike. Kairos asht koha e mbarsun me rastin e mirë, me mundësinë me ndrrue rrugë në histori, me u shelbue dhe me dalë prej ferrit ku historia na ka ndrye për shekuj me rradhë. Nga ana ikonografike Kairos paraqitet si nji djalosh me kryet e rruem dhe me nji tufë flokësh përpara. Ideja e antikëve ishte kjo: momenti historik kapet ende pa kalue, pse po na e solli shpinën nuk kemi ma se ku me e kapë.

Mbas shekujsh të tanë mjerimi shpirtnor kombit tonë i paraqitet, falë rastisjeve të fatit dhe sidomos sakrificave të vetëdijshme të nji pjese elitare, nji moment kairotik, por njikohsisht nji zhgan i tanë i ndërkryem po përpiqet me na e shkatrrue të ardhmen me korrupsion, me dhunë, me diktat mafioz dhe me flligshtina tjera që duen me e groposë përgjithmonë si Kosovën si Shqipninë. Edhe në letrën e fundit publike Kadareja u shpreh qartë se demokracia shqiptare “alla Berishe” ka lindë e vdekun dhe si e tillë ka 20 vjet që po qelb fund e maje gjithë shoqninë shqiptare.

Ka ardhë çasti me ba diçka, jo për hir të votave të Edi Ramës… por për hir të këtij momenti historik që jena tue e humbë përgjithmonë.

 

4 komente në “Kadareja përballë “krimit në Ballkan””

  1. Toni says:

    Hallall,

    Me ne fund nje person qe ja dika Qoses me rrenje eme dhemballe. Pseudo-Patriotit serb qe vetem vjell vrer ndaj cdo gjeje Shqiptare.

  2. Marin says:

    Shkrimi eshte nje sfide e trefishte: e para, sfidon gjuhen standarde shqipe; e dyta, sfidon kontributin patriotik e demokratik te Rexhep Qoses; e treta, sfidon mjeshtrine e gazetarise shqiptare duke gatuar nje pacavure.

  3. Dyrrahu says:

    Ardian Ndreca,
    Punëve që nuk mund t’iu dilni në mbrojtje mos i merrni.
    Kjo është një këshillë, e cila duhet t’ju shërbej për të ardhmën.
    Do të dëshiroja të dija se a keni mbaruar shkollim superior apo keni ngelur pa e blerë abetaren e dytë ngase të parën e pasket humbur.
    Ju zotëri nuk shkruani as gegërisht as toskërisht, mundoheni të anoni nga gegërishtja dhe nuk ia arrini. Drejtëshkrimi dhe gjuha e unjësuar qenkan të huaja për ju.
    Vazhdoni me këtë turr se do e thyeni qafën duke “zbuluar” margaritarë shekulli duke kundërshtuar akademikun Qosja.
    Dolët ju dhe shpifni për Qosjen se ka qenë ky e ky.
    Unë dua që lexonjësve tua sjell një shkrim të gazetës “Rilindja” të vitit 1972. Titulli i shkrimit të profesorit Qosje ishte : “Ruajuni prej patriotëve të rrugëve dhe kafeneve”. Në brendi përshkruan se si “patriotët” në rrugë e kafene flasin për patriotizëm e më pastaj shkojnë në SPB dhe i paraqesin të gjithë ata shqiptarë të cilët i kanë besuar patriotizmit të bashkëpunëtorëve të UDB-së.
    Kishit shkruar se Qosja ka qenë komunist jugosllav. Është e vërtetë, ka qenë, por në vitin 198, pas demonstratave, kur bëhej përdallimi Qosjen e kapë vala e përjashtimit nga partia komuniste. Për fat të keq Qosjen e përjashton Ibrahim Rugova. Kurse ky i fundit, deri në vitin 1989, ka qenë sekretar i Organizates Themelore të Partisë Komuniste të Jugosllavisë në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës. Bile në një intervistë dhënë gazetës Danas, Rugoven e pyet gazetari; a jeni ende anëtar i Partisë Komuniste?
    Përgjigjja: Po jam, por kohëve të fundit janë ngritë re të zeza ndaj anëtarësisë sime, nëse vazhdojnë kështu unë nuk do të jem më anëtar sepse kjo nuk është më politikë imja” ( deri sa nuk janë ngritë retë e zeza Partia Komuniste e Jugosllavisë ka qenë politikë e Rugovës).
    Të gjitha ato që i keni thënë për akademikun Qosja nuk qëndrojnë dhe si shpifje që janë duhet demaskuar autorin e rreshtave gënjeshtarë.
    Pse, pse mundoheni të shkruani gegërisht???!!! A nuk i thonë përçarje kësaj???
    Edhe zoti Baze më ka befasuar me lëshimin e kësaj paraqitjeje shumë destruktive dhe lënduese.

  4. golden goal says:

    Sa vepra ka Rexhep Qosja,autori nuk ka artikuj gazete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje