10 MUNGESAT e mëdha të Tiranës

Nga Bledi Mane

TemA e nxehtë e së shtunës

facebook.com/bledi.mane

 

Na mbytët ju provincialët, e keni bo Tironën si katund!

Kjo shprehje e famshme feston këtë vit 20 vjetorin e saj. Qyshkur sistemi politik ndryshoi,filloi edhe dyndja e parë drejt kryeqendrës së vendit. Nuk kishte më nevojë për leje pasaportizimesh apo letra komitetesh kështuqë gjithkush gëzoi të drejtën t’i vërsulej Perëndimit a Tiranës.

Me kuç e me maç, me apo pa para,me apo pa shtëpi,të persekutuar a të privilegjuar,beqarë a familjarë filluan të realizonin ëndrrën e tyre të vjetër… Tirana për (ne) ta tani ishte e prekshme.

Në fakt gjetë(m)n një Kryeqytet të pastër, të gjelbëruar e të sistemuar. Qytet miqësor që u bëri strehë edhe malësorëve edhe jugorëve,hapi dyer e dritare për këdo.

Por ashtu si me dyndjet italiane drejt Amerikës dhe të shqiptarëve drejt Italisë,nuk mbeti pronë pa u zaptuar e lulishte pa u prishur ndërsa ata, tironcit e vërtetë në heshtje kapërdinin brengën. Qyteti po transformohej me shpejtësi skëterrë drejt një oazi gjigand oriental sharlatan dhe politikat qeverisëse të djathta e të majta së bashku me harbutërinë e mjaft të ardhurve e tjetërsuan pashmangërisht.

Tirana po orvatej drejt së panjohurës dhe së bashku me petkun e një metropoli të vogël të rregulluar bolshevikisht po humbnin edhe traditat e establishuara nga vetë komuniteti prej 200 mijë banorësh në prag të kapërcyellit të fillimviteve ’90.

Nostalgjikët e kryeqytetit sot ndoshta do të më japin paksa të drejtë. Ne të klubit social campusALBANIA kemi renditur disa prej personazheve apo traditave më ekstravagante të 20 viteve më parë të cilat i mungojnë kryeqytetit.

-Si,mendoni se do t’ua kthejë këto tradita Lul Basha sërish?

-Më falni por pa ofenduar askënd, thjesht shkoni pinë birrë e hani qofte aty tek kioskat e kunatit ku dhunohen edhe parlamentarë e qytetarë e mos pretendoni që kryeqyteti juaj,imi,yni do tu rikthehet ditëve të tij të lavdishme. Megjithatë po u kujtoj se ky vit që po lemë pas la gjurmë të pashlyeshme në historitë komunare të 2 prej qyteteve më ekstravagante të planetit. Talibanët vranë Ghulam Haider Hamidin kryebashkiakun e Kandaharit në Afganistan, ndërsa talibani ynë Xhelul Basha vrau katër qytetarë të pafajshëm në mes të qytetit që sot drejton. Më falni që ua prisha humorin e kësaj fundjave. Lexim të mbarë të listimit të sotëm e ju lutem mos më gjykoni për çka po shkruaj sot. Edhe unë provincial jam por i mbetem mirënjohës Tiranës e Londrës, dy metropoleve ku jetova shumë kohë, mirënjohës se mësova dhe i mësova, mirënjohës se morra dhe u dhashë respekt e dashuri…

 

1. Ivi i famshëm i 21

Edhe Margaret Thatcher ishe një Punk. Në rininë e vet ish kryeministrja e hekurt britanike u bë pjesë e lëvizjes dhe muzikës Punk e zhvilluar midis viteve 1974 dhe 1976 në Amerikë, Angli dhe Australi. Me rrënjët nga garage rock-u dhe nga llojet që tani njihen si proto-punk, grupet e punk-ut iu shmangën perceptimit të teprimeve të rrymave popullore të rock-ut të viteve `70. Njëkohësisht kjo lloj rryme ishte simbolizëm i anarkizmit të kohës dhe një lloj revolte ndaj politikave të egra që cytnin luftë e urrejtje jo vetëm mes lindje-perëndimit. Duam s’duam por edhe Tirana e fundviteve ’80 pak me vonesë por kishte një nga përfaqësuesit më ekstravagantë të Punk-izmit mu në zemër të një komunizmi të egër. Ivi i famshëm i 21 Dhjetorit,djaloshi që dukej si alien i zbritur nga ndonjë planet i harbuar sfidonte me veshjen dhe sjelljet e tij jo vetëm regjimin por edhe mentalitetin e prodhuar nga fabrikat otomane-bolshevike. Unik në llojin e vet,diti të sfidonte përbuzjet mallkuese masive të kohës dhe dhunën kafshërore të sigurimit e policisë së kohës. E etiketonin të sëmurë mendor e duke mos ia pasur haberin as punkizmit e as çfarë kjo rrymë dhe individ donte të përcillte, dhuna kafshërore që ushtrohej mbi të po fillonin ta tjetërsonin edhe si qenie humane. Fatmirësisht 2 korriku i ambasadave e ndihmoi të largohej jashtë dhe pasi vendi u hap e po shikonte me mendje e sy më të mëdhenj, njerëzia filloi ti jepte të drejtë djaloshit i cili veçse zbukuronte qytetin e dremitur të kohës. Tiranës me xhinse të ngushta e me minifunde me xixa i mungon dyfish djaloshi Iv. Ka rreth 5 vjet që ka vdekur por në memorien e qytetit ende nuk ka lindur askush që ta zëvendësojë.

 

2.Xhiro e madhe

Bulevardi unik i Tiranës nuk shërbente vetëm për parada minatorësh dhe tankesh. Mendohet se u projektua nga arkitekti italian De Faust gjatë 1930-tave dhe si arterie kryesore e kryeqytetit ashtu si pa kuptuar u kthye gjatë viteve 1970-1998 në pasarelën ku parakalonte për tu shlodhur, për tu parë e për t(ë)u gjuajtur një popullsi e tërë.

Xhirroja e madhe e Tiranës mbetet argëtimi më i madh masiv i mbrëmjeve të një kryeqyteti. Aty shpalosej bluza, pantalloni, fustani, këpucët, e dashura, e fejuara, vjehrra, nusja, burri, biçikleta, cigarja, motori…ishte një Fashion TV ku gjithkush që nga djemtë e Mehmet Shehut e deri te Parashqevi Simaku e kishin organikisht të detyruar të parakalonin.

 

3.Gramoz Pashko

Kryeqyteti megjithëse tkurrej frikshëm drejt një izolimi bastard, ende mbante disa dritare-frëngji nga ku hynte aroma dhe puhiza oksidentale. Pavarësisht mendjeve të mykura të bllokmenëve model palimisk a lenkaçuk, po nga brenda atij Blloku, plangprishësit e tij,”pasardhësit bukëshkalë” shërbenin si ciceronë ilegalë nga të cilët mësonim se liria jonë cungohej pa të drejtë.

Bankieri Gim Andoni tregon plot nostalgji sesi kur ishte student i ekonomikut i bënin përshtypje disa revista në gjuhën angleze që akademiku Gramoz Pashko mbante gjithnjë me vete në fakultet. Kurioziteti e kish shtyrë këtë student dhe pasi kish pyetur pedagogun,për herë të parë prekte dhe lexonte revistën prestigjioze “The economist”. Ishte mesi i viteve ’80 dhe në Tiranën e radhëve të gjata për vajguri e qumësht, Pashko lexonte legjendaren britanike dhe filozofonte për profitet e ekonomisë së tregut.

Miqtë e tjerë të Gramozit e kujtojnë ende si një nga liberalët më të spikatur që ka pasur Tirana dhe pavarësisht boshllëkut që la pas vdekja aksidentale tragjike e tij duket sikur çdo ditë gjurmët që la profesor Pashko preken nga kushdo.

 

4.Kafe Flora

Në të djathtë të rrugës së Durrësit e në të majtë të Mine Pezës. Poshtë pallatit gjshtëkatësh ku Vaçe Zela, Dhimitër Xhuvani kanë banuar e banojnë, aty mes atij trekëndëshi që krijon ky udhëkryq ka qenë e famshmja dhe e papërsëritshmja Kafe Pastiçeri FLORA. Ismail Kadare e përmend shpesh në libra,edhe përkthyesi legjendar Robert Shvarc e kishte strehëzën e tij. Artistë të tjerë paksa rebelë të kohës nuk preferonin kafenenë mejhane të Lidhjes së Shkrimtarëve por Florën. Çifte të rinjsh a studentë “dekadentë” të ardhur nga jashtë e frekuentonin vazhdimisht. Ishte një nga pikëtakimet dhe vendet ku debatohej intelektualisht bukur. Ndryshe nga baret e hoteleve Dajti a Tirana, tek Flora kishte privilegjin të ulej gjithkush. Paksa më e shtrenjtë se kafenetë e tjera të kryeqytetit njëkohësisht edhe vendi ku provokohej dhe spiunohej profesionisht nga eksponentë të regjur e fillestarë të regjimit. Pas 1990-ës, privatizimi emergjent e parcelizoi dhe ia humbi lavdinë e dikurshme. 2 tentativa të ndryshme dështuan për t’ia rikthyer lavdinë e dikurshme. Sot është e zaptuar nga agjenci udhëtimesh.

 

5.Teodor Keko

Rebeli, paqësori, pijetari, energjiku, ekstravaganti, shkrimtari, gazetari, politikani, këshilltari, pinjolli i kineastëve… një nga mendjet e bukura të Tiranës së kuqe&Tiranës blu nuk jeton më. Te kafe Europa poshtë 9 katësheve ende shihet silueta e tij si mjegull e ylbertë. Para se të vdiste shkruante poezinë e fundit…

 

Kur e di se do të vdesësh

pemët kanë më shumë lule

dhe me shumë yje qielli ka

më të mirë dhe më të çuditshëm

janë njerëzit

që nuk e kuptojnë se hija e trupit të

tyre është vetë vdekja.

Kur e di se do të vdesësh

toka është pjellore, si grua,

dhe qielli ta shuan përjetësisht

etjen me shirat e tij

dhe avionët nuk fluturojnë për t’u

rrëzuar,

dhe njerëzit nuk lindin për t’u

bërë nesër të liq.

Më mirë ta dish se do të vdesësh!

Lulet lule do të jenë

dhe nuk do të

kundërmojnë me trishtim

dhe njerëzit do të kthehen më shpesh te

distributori i harruar

të furnizohen falas me besim…

 

26.5.2002

 

6.Tifozllëku mes klubeve kryeqytetase

Argëtim i cunguar dhe i racionuar. I shtrenjtë për shumë njerëz teatri,cirku,estrada por pavarësisht financave të xhepave të tyre për tifozllëk futbolli askush nuk pyeste. Klubet legjendare të Tiranës janë etiketuar qysh herët si të ushtrisë popullore “Partizani”, policia me blutë e “Dinamos” dhe autoktonët e paprivilegjuar me “17 Nëntorin-Tironën”. Veçanërisht ndeshjet derby mes tyre kanë qenë për dekada me rradhë kulmi i përballjes së tifozërisë ultrase. Bileta që shiteshin super të shtrenjta, emocione të justifikuara bukur, organizime të përsosura ,stadiume plot dhe ditë e hënë e brengosur ose relaksuese. Tifozëria e Tiranës ndryshe nga tifozëria unike e Shkodrës, Vlorës, Durrësit…jo vetëm që ishte diverse por ishte e vetërregulluar në mënyrë të përsosur pavarësisht handikapeve të kohës.

Luksi, paraja, teknologjia, shitblerjet e sotme e kanë zbehur këtë traditë të kultivuar të kryeqytetit e cila do të mbetet e nëpërkëmbur derisa aldobumçët e politikës do duan ta bëjnë synet futbollin sa herë vjedhin edhe pushtetin.

 

7.Arben Minga

Një nga gazetarët e paktë të mirëfilltë sportivë që ka vendi, Bledar Kuka shkruan për mitikun e futbollit Ben Minga: “Tani, Tirana ka një legjendë më pak dhe po ashtu futbolli shqiptar ka humbur një nga lojtarët e tij më të spikatur. Beni jetoi pak, vetëm 48 vjet (1959-2007), por tifozët bardheblu (në vecanti) kanë përjetuar kënaqësi të mëdha prej lojës së tij ku, në repartin e sulmit, kishte formuar binomin e paharrueshëm me Agustin Kolën. Minga i përket njërit prej brezave të artë të futbollit të Tiranës, atij të viteve 80-të, ndonëse ai e vazhdoi karrierën edhe në vitet 90-të. Me ardhjen e tij, të Kolës, Mucës, Hodjes, Litit etj. dhe me praninë e Sulejman Memës, Millan Bacit apo Bedri Omurit, 17 Nëntori i asaj kohe njohu suksese të mëdha, me titujt kampionë më 1982, 1985, 1988 e 1989 dhe me kupat e Shqipërisë më 1983, 1984 dhe 1986. Gjithashtu, Tirana u bë i vetmi ekip shqiptar që arriti të kalonte disa herë turin e parë të kupave të Europës, si më 1982 ndaj Linfield-it irlandezoverior, 1986 ndaj Dinamos së Bukureshtit, 1988 ndaj Hamrun Spartansit maltez dhe 1989 ndaj Sliema Ãnderers-it po malteze. Minga luajti në plot 18 ndeshje dhe shënoi 3 gola, nga të cilat 2 në Kupën e Kampionëve dhe një në Kupën e Kupave. Karriera e tij në kombëtare ishte, gjithashtu, shumë e gjatë, për kohën në të cilën ai luajti. Me 28 ndeshjet e zhvilluara për kuqezinjtë (2 gola të shënuar), Minga ishte për disa kohë rekordmeni i takimeve”

 

8.Bastet ilegale

Heshtur, tinëz, pa njoftime publike, me pak para në xhepa dhe parashikime në kokë sheshi para 15 Katëshit dhe rreth Pallatit të Kulturës mblidhte “profesorët e regjur të basteve”. Ilegale dhe të ndaluara me ligj, lojërat e fatit,bastet dhe kumari përbënin shkelje të rëndë jo vetëm të legjislacionit penal, por edhe të etikës dhe frymës komuniste të atdheut tonë të lodhur. Por kurrsesi pavarësisht dënimeve me burg të shumë eksponentëve dëshira për baste sportive nuk u zbeh asnjëherë. Përgjithësisht luheshin ndeshjet e kampionatit italian dhe ato të kampionatit tonë e veç bastexhinjve të thekur të Tironës nuk u mungonin as ujqërit shkodranë, korçarë, durrsakë, fierakë e vlonjatë.

Tradita u ruajt deri në vigjilje të shekullit XXI e më pas rregullimi i legjislacionit dhe kompanitë e basteve sistemuan ilegalitetin e këtij biznesi i cili llogaritet se qarkullon çdo ditë mesatarisht 3.4 miliardë lekë.

 

9.Azem Hajdari

Mos u ankoni. E di që do të reagoni menjëherë sa të lexoni emrin e tropojanit Azem, por lexoni deri në fund.

I ndjeri Hajdari jetoi rreth 18 vjet në Tiranë, por i mungon këtij qyteti rebelizmi dhe guximi i tij. Shkoni në qytetin Studenti dhe shikoni si janë tulatur gjindja. Lërini pa ujë, drita, ushqim, ngrohje dhe maezallah se ndonjë nga 12 mijë banorët e tij do të ndjehet. Hiquani facebook-un, makiatot, cigaret e hapura dhe do e shikoni sa do të mërziten. Merrni një përfaqësi studentësh të takojnë president a kryeministër dhe dëgjojini me kujdes nëse do ta ketë kush guximin tu kërkojë llogari pse Atdheu i tyre ka tashmë pasaporta pa viza dhe stomak pa ushqim të nevojshëm. Shikoni partinë qeverisëse nëse funksionon si organizëm politik normal dhe a ka brenda saj mendim ndryshe?

Ndaj duke lexuar çka shkruajta më sipër i jap të drejtë vetes sepse Tiranës i mungon opozitarizmi, statura dhe personaliteti i Azem Hajdarit e nëse do të ishte gjallë nuk do të kishte koalicion as me Lirin e as partia nuk do të zaptohej nga Majlindi, Mesili, Albani, Rajmondi, Jozefini dhe Lulëzimja…

 

10.Edi Rama dhe administrata bashkiake 2001-2011

“Tirana kishte një reformator trendi si Kryebashkiak, Edi Ramën, i cili riformatoi një administratë bashkiake tepër korrekte dhe ambicioze. Ai mbetet një figurë autoritare me substanca komanduese i cili nëse fiton vendin e Kryeministrit do ta çojë Shqipërinë në radarin e Europës. Para shtatë vitesh, ai u votua si Kryebashkiak i Botës 2004 nga një skemë e të mirave të agjencive të Kombeve të Bashkuara të impresionuara nga zhvillimi i shtrirë urban që përfshinte dekorimin e fasadave të apartamenteve me ngjyrat e Aleksandër Kalder. Rama një artist i arrirë që kaloi disa vite në Paris, afroi ngjyrimet e Tiranës me stilin e JKF: jo përse po, përse jo? Duke pikturuar pika vese dhe shigjeta jeshile në suvatimet e lodhura nuk ishte e lehtë, ai e dinte, por qyteti e meritonte një shtysë morale. Ai instiktivisht kishte të drejtë. Projekti ishte sukses. Edhe pse konkurset e Kombeve të Bashkuara janë një kafe shoqëri më vete, Rama dhe jo kryebashkiaku i Meksikës e fitoi çmimin: Edi Rama Kryebashkiaku i vendosur i Tiranës moçal, Klark Kent i Shqipërisë.

Para Ramës Tirana kishte pak vetura, shumë rrugë të paasfaltuara dhe më pak se 100 drita rruge. I zgjedhur në vitin 2000, ai importoi produktet Italiane dhe zotësinë Franceze për të zbukuruar bulevardet që tani ndriçojnë. Ai krijoi një zonë mode me asfalt dhe xham (qendra e saj quhet Blloku) pranë vilës së dikurshme të diktatorit Enver Hoxha, pluktoratit disiplinist i cili për katër dekada e izoloi vetveten nga kryeqyteti i tij dhe vendin e tij e izoloi nga bota. Parqet zëvendësuan barrakat. Klubet dhe kazinotë u hapën. Gjatë fundjavave, klubet e natës së Bllokut kanë banda që luajnë versionet e Lu Rid “Walk on the Wild Side” e marrin duartrokitje. Njerëzit zbaviten.I adhuruar apo i urryer Rama është i zjarrtë. Ai e ngriti Tiranën e lodhur duke e marrë dhe shpënë në një shekull të ri. Vetëm Ahmet Bei Zogu, Mbreti Zog i Shqipërisë u përqendrua kaq vendosmërisht tek nevojat themelore të Tiranës, duke shfuqizuar perçet dhe robërinë në vitet 1920. Zogu u largua nga Fashistët e Musolinit në 1939 dhe kolonistët nxorrën pak objekte të kushtueshme të stilit europian para se të zhdukeshin në një luftë që me shumë mundësi nuk do ta fitonin. Miqtë e ngjasojnë Ramën me Piterin e Madh, carin e mërkurtë të shekullit 18 sipërmarrja vizionare e të cilit dhe moto “bëni si them unë” e bënë një shfaqe të njohur në televizion para se një i tillë të ekzistonte.” Këto që sapo i lexuat nuk i kam shkruar as unë, as Blerina Gjoka, as Enton Palushi, as Bled Lumani, as Mero Baze. I ka shkruar publicisti dhe botuesi i revistes” The american” Christopher P. Winner.

 

(c)campusALBANI&TemA/2011

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...