10 RRAHJET POSHTERUESE të Berishës

TemA e nxehtë e së shtunës

Nga Bledi Mane

Facebook.com/bledi.mane

 

Fluturoja nga gëzimi. Pavarësisht se ishte natë e freskët, pavarësisht se udhëtoja mbi rimorkion e një saurele me thasë të grisur çimentoje, gjumi nuk më kaplonte fare. Isha vërtetë i gëzuar, më kishin zgjedhur një nga dy të rinjtë përmetarë që shkoja në Tiranë atë gusht të vitit 1991. I zgjedhur nga dega lokale e PD-së, misioni ynë për në kryeqytet ishte themelimi i forumit rinor demokrat. U mbështolla mirë me mushamanë e trashë që gjendej në rimorkio dhe pas 6 orë udhëtimi mbërritëm në Tiranë. Zbrita te udhëkryqi i 21 dhjetorit dhe me vrap u nisa drejt qendrës. Si fillim u lava dhe u pispillosa në wc-të e 15 katëshit e pasi pashë orën e sahatit të madh dhe veten time në xhamat vezullues të Muzeut Historik, iu bashkova të rinjve nga gjithë vendi. U futëm në katin e parë nga hyrja veriore e muzeumit ku në sallën e konferencave themeluam të parin forum rinor politik të Shqipërisë postkomuniste. Mbaj mend edhe sot të rinjtë energjikë demokratë Olta Vrioni e Ritvan Peshkëpia, Xheni Tanini e Arben Lika, Bardhyl Ukcama e Edit Harxhi… mbaj mend se për herë të parë në jetën time po shikoja e dëgjoja nga afër njeriun që prej gati 20 vjetësh i ka mbirë si halë në sy këtij vendi. Ngazëllimi ynë nuk shterte dhe teksa dëgjoja oratorinë e zotërisë që kishte pushtuar sallën me prezencën e tij në mendje më mbetën fjalët:

“Ju të rinjtë e sotëm jeni me fat se nuk do njihni më as varfërinë e as poshtërsitë e regjimit komunist. Nuk do të njihni as burgosjen dhe as dhunën e sigurimit të shtetit, do të jetoni të lirë si moshatarët tuaj nëpër botë dhe jeta juaj nuk do të sundohet nga asnjë lloj diktature”

Duartrokitjet dhe histerizmi ynë patetik nuk kishin të sosur. Vizatonim në kokat tona emblemën e parajsës blu për ku ishim nisur dhe të dehur nga mrekullitë që na prisnin e kishim zgjedhur heroin brenda nesh.

“Ju të rinjtë e sotëm nuk do të njihni as burgosjen dhe as dhunën e sigurimit të shtetit…”-shprehej lideri dhe kur ia kujton sot këto fjalë të vjen të qeshësh dhe t’i bërtasësh fort brenda veshëve:

O doktor Rrumpalla, institucioni i sigurimit të shtetit ra, por nuk ra institucioni i dhunës të cilin ti, lideri blu që na flisje dhe flet plot pathos e mban më këmbë ende dhe sot. Dhunë, dhunë, dhunë dhe 11 vite pushtet. Verbale a fizike nuk ka rëndësi, por një gjë dihet botërisht. Ti plakushi që u zgajde, u jargose dhe u paralajmërove të hënën nga fuqia kompensuese e natyrës dhe e Zotit,ti plakushi derdimen i djallëzuar e di mirë se një ditë gjithçka do të shkojë andej nga nisi…

Sot ne anëtarët e klubit social campusALBANIA po inaugurojmë stendën e parë të muzeumit të dhunës që ka ushtruar doktori qysh nga 1993 e në vazhdim. Ndjesë për të lënduarit, kujtesë e vigjilencë për të gjithë.

 

1.Flonja Pashko

Dikur i ati i kësaj zonje i hapi shtëpinë dhe zemrën. E kishte shok dhe mik të afërt dhe bashkë me Gramoz Pashkon, Berisha themeloi partinë e re politike dhe përgatisnin Shqipërinë e re liberale dhe të lirë. Pas fitores historike të marsit 1992, kreu i PD-së pasi likuidoi nga posti kryetarin e parë Azem Hajdarin, filloi luftën brenda llojit me të tjerë konkurrentë a armiq të fantazuar. Gramoz Pashko, pavarësisht se ishte një nga master mind të pushtetit të ri, pavarësisht se kishte bërë gati programin ekonomik qeverisës, nuk u shpërblye me asgjë përveç deputetllëkut. I paaftë për ta mposhtur politikisht dhe intelektualisht, Sali Berisha u hakmor në mënyrën më të ndyrë ndaj të ndjerit Pashko. Me krahun e armatosur të rrugës së Elbasanit, një grupim i rrezikshëm horrash&tropojanësh pranë presidentit të asaj kohe, i dhunojnë në kafshërisht vajzën e profesor Gramozit, Flonja Pashko e cila nga dhuna e paimagjinueshme vuajti për një kohë të gjatë pasojat e luftës së Berishës me të atin e saj.

 

2.Zef Brozi

Pas shumë muajsh orvatjesh, kërcënimesh dhe marrëdhëniesh të ashpërsuara ish kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, ish deputeti i PD-së dhe ish pedagogu i njohur i jurisprudencës Zef Brozi kujton:

“Më 5 nëntor 1995, rreth orës 5 të mëngjesit, policia vjen në shtëpinë time dhe më kërkon të hapja derën. Preteksti: “Kërkonin Pasaportën Diplomatike”. Ishte krejt e lehtë për ta kuptuar se qëllimi i policisë dhe SHIKU-t nuk ishte marrja e Pasaportës sime Diplomatike. Pa e hapur derën, u thashë se këtu e kam dhe i pyeta nëse kishin autorizim me shkrim për ta marrë. Më thanë se jo. Por ata insistonin që t’u hapja derën. I pyeta nëse kishin ndonjë urdhër prokurorie a gjykate, por një zë shikasi përgjigjej: “Jo, po hape derën se duam të bisedojmë diçka.”

U them se çfarë doni të bisedoni, por ata nuk jepnin asnjë shpjegim. U them se para orës 08:00 nuk e hap derën dhe ju si polici duhet të zbatoni ligjin. Atë ditë, në shtëpi kisha edhe nënën që kishte dalë nga spitali dhe ajo u shqetësua shumë, pasi kurrë më parë nuk kishte pasur përvoja të tilla, kurrë më parë nuk i kishte trokitur policia në derë. Nuk ka si meraku i nënës për fëmijët, edhe kur ajo ka bindje se e drejta qëndron në anën e tyre. Atë ditë u ndava me nënën nën rrethimin policor dhe për më se pesë vjet, derisa ajo u sëmur rëndë në dhjetor 2000, unë nuk pata mundësinë ta shihja më. Ajo skenë, mbase nënës sime të moshuar nuk do t’i ndahej nga kujtesa deri ditën që vdiq.

Jashtë, forca policie dhe shikase kishin rrethuar pallatin. Duke pasur përvojën e mëparshme, kur shteti kishte mohuar faktin e rrethimit policor të godinës së Gjykatës së Kasacionit në shtator 1995, me qëllim që të kisha sa më shumë prova, kam njoftuar deputetë, gazetarë, avokatë dhe miq të mi, që të vinin e të shihnin. Mjaft prej tyre erdhën. Të tjerë kishin edhe frikë. Deputetët, Imami, Ulqini e Legisi, si dhe gazetari dhe miku im Frrok Çupi e gazetarë të tjerë, ishin ndër të parët që erdhën në shtëpinë time për të parë situatën. Erdhi edhe përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane, i cili i pa vetë dhe i dokumentoi prezencën e forcave të shumta të policisë dhe SHIK-ut. Arben Imami i telefonoi ministrit të Punëve të Jashtme dhe e pyeti nëse ai kishte dhënë urdhër policisë për të marrë Pasaportën Diplomatike të Zef Brozit. Ministri u përgjigj: “Jo, dhe policia nuk ka punë me pasaportën e Brozit.” Pastaj, ministri i sqaroi Imamit se tani rregulli ka ndryshuar dhe Pasaportën Diplomatike Brozi duhet ta dorëzojë jo në Ministrinë e Jashtme, por tek Gjykata e Kasacionit. Arben Imami njihte edhe një ndër shefat e policisë që kishte rrethuar pallatin ku unë kisha apartamentin…

Unë kurrë nuk do ta harroj atë mëngjes të 12 nëntorit 1995 në Aeroportin e Tiranës, ku më shoqëruan disa të afërm e miq të mi. Në kafenenë e aeroportit, kur po prisnim për të shkuar tek avioni, unë e gruaja ime Diana kemi qëndruar me zyrtarin e Ambasadës Amerikane, i cili kishte ardhur posaçërisht për mua, jo si mik i imi, por me detyrën që i ishte caktuar për të qenë prezent deri në nisjen e avionit me të cilin do udhëtoja unë.

Avioni në të cilin isha unë e Diana filloi të lëvizë në pistë, por pas pak ndaloi. Menduam se do të ishte ndonjë defekt teknik. Pas disa minutash avioni u nis përsëri, mori shpejtësinë, derisa u shkëput nga toka dhe filloi fluturimin. Nga dritarja e avionit shihja pamjet e vendit tim që po e lija me dhimbje e zhgënjim.”

 

3.Eduart Selami

I treti kryetar i PD-së pas Hajdarit dhe Berishës, filozofi librazhdiot Selami duket se e mori lehtë politikën. Naiv dhe pasionant ndaj ndryshimeve të shpejta që po ndodhnin në vend kujtonte se rregullat e lojës të vendosura bashkarisht nëpër programe a statute partish do të respektoheshin si s’ka më mirë. Ngulmonte shpesh në fillim të viteve ’90 që posti i kryetarit të partisë të ndahej nga ai i presidentit e pasi u bë ky kompromis de jure Selami nuk mendoi më thellë për rrugën plot të papritura që e priste. Partia që morri për të drejtuar nuk pyeste për kërrkënd dhe forumet partiake drejtoheshin ende nga celula e presidencës. Njeriu që kish premtuar për ndarje dhe respektim pushtetesh po i vinte minat demokracisë së brishtë. Çka kishte lexuar nga filozofët dhe politologët e famshëm oksidentalë tashmë po i rrënoheshim para syve Eduartit, i cili me pragmatizmin kujtonte se do nxirrte jashtë loje të kudogjendurn dhe kryetutorin Berishë. Por një roje trupmadhe nuk e lejoi të hynte në mbledhjen e Partisë së tij, ku do përjashtohej. Selami këmbënguli dhe tropojani veproi. Fatkeqësisht fërkimet under&over ground Berisha-Selami plasën kur edhe kryetari i tretë i PD-së falë lidhjeve të tij me amerikanët u syrgjynos matanë detit pas një seri dhune verbale dhe kërcënimeve që vetëm burrat e vërtetë nuk mund t’i bëjnë.

 

4.Remzi Hoxha

Saga e të ndjerit Hoxha nuk ka mbaruar ende. I ardhur në Shqipëri si biznesmen, i gëzuar dhe i relaksuar se në këtë vend ku drejtonte një malësor prej krahinës heroike gjakovare do të punonte i qetë për çështjen kombëtare, pati një nga fatet më të zeza që mund t’i kurdisë shqiptari-shqiptarit, malësorët-malësorit. Falë fantazisë së një dibrani të sëmurë,falë egërsisë së dhunës që prodhonin entet publike të pushtetit të Berishës së I-rë, Remzi Hoxha u fut nëpër spiralet dhe qelitë e ndyra të ShIK-ut dhe pasi u dështua me të në mënyrë kafshërore spartane e vdiqën dhe ia tretën kockat diku në humbëtirë pa emër.

Familja e Remzi Hoxhës po i jep një leksion të mirë Berishës. Fitorja e tyre e parë ishte fshehja e përkohshme e një prej vrasësve tashmë të plakur me emrin Arben Kumbaro. Radha?…

 

5.Arben Imami

Hahahahahahahaha, qeshni edhe ju. Sot e ka ministër për t’i mbrojtur atdheun, familjen, gërdecët, turpet, mëkatet. 15 vite më parë, kur në mbarë vendin bëhej kërdia e vjedhjes së votave, gjatë atij fundmaji me shi dhe ankth, një nga drutë më shembullore nga besnikët leshpalarë të doktorit e hëngri edhe aktori Imam. E kanë masakruar dhe poshtëruar në publik e në privat. E rasën në një qeli policie ku i thyen hundë e dhëmbë, e çburrëruan aq keq sa u zhduk nga vendi e u fsheh i frikësuar rreth 10 muaj për tu rikthyer gjatë 1997-ës historike&histerike si gjeneral i protestave popullore të jugut të Shqipërisë. Pasi iu hakërryen edhe 8 vite të tjera njëri-tjetrit, në korrik të 2005 Berisha dhe Imami filluan të puthin me llapë njëri-tjetrin. Ende vazhdojnë edhe sot, duhen. Janë fetish të dy. Prodhojnë dashuri nga e e paimagjinueshmja, nga e pamoralshmja…

 

6.Neritan Ceka

Më mirë vritmë sesa të më poshtërosh!

Këtë shprehje fisnike e ka lexuar dhe hasur me mijëra herë nëpër analet e antikitetit arkeologu Neritan Ceka. Helenët, maqedonasit, thrakët, romakët, epiriotët, ilirët, dalmatët, dardanët, shqiptarët e kanë pasur simbol të krenarisë së tyre, Vritmë sepse poshtërimi më dhemb gjithë jetën.

Atje tek kioska e famshme e Fidelit, tek Bar West-i i parkut Rinia një tjetër poshtërim i dhunshëm iu bë edhe flokëbardhit Neritan Ceka. E degjeneruan bukëshkalët e pushtetit më 1996-ën e nuk pyetën as për moshë, as për respekt,as për tituj e grada shkencore, as për kontribute në politikë. E rrahën si në karadak por profesori i historisë si langaraq pa bythë iu orvat pushtetit të Berishës së II-të e tani i jep këshilla. Për çfarë mund ta këshillojë viktima vrasësin???

 

7.Preç Zogaj

Një nga themeluesit e parë të opozitarizmit dhe shtypit të lirë shqiptar. Njeriu që persekutohet më shumë ende dhe sot sa majtas dhe djathtas. Njeriu i letrave që mundohet t’i japë politikës tolerancë dhe shpirt artistik duket se e ka shkruar fatin e tij t’i mbetet opozitar çdo pushteti.

I dhunuar kafshërisht nga regjimi i Berishës më 1996 ende ndjehet i turpëruar sesi i ka shërbyer deri vonë gjakatarit.

 

8-9.Edi Rama&Ndre Legisi

Në librin e tij me kujtime të vitit 1997, publicisti egocentrist Fatos Lubonja përshkruan frikshëm lajmin e rrahjes së dy të rinjve të njohur. I pari një pedagog i arteve dhe kritik në shtyp i presidentit Berisha, ndërsa i dyti një djalosh mirditor anëtar i forumeve të partisë opozitare Socialiste. Lubonja tregon se pasi kishin lenë kafen e njohur West, grupi me miqtë i Edi Ramës ishin larguar për në banesën e tyre me qera në afërsi të parkut të autobusave, aty ku trimat shikas gazidedë të regjimit shik iu dolën në errësirën e natës së ftohtë të 27 janarit e me leva e hunj pas koke  i shtrinë për tokë gjysëm të vdekur.

 

10.Xhevahir Spahiu

A mund të rrihet shpirti i fjalës, mund të preket me dorë arkitekti i vargut, mund të gjakoset mendja e bukur dhe shpirti i dlirë e rebel?

E preku njeri me dorë Homerin a Pushkinin, Robert Burns-in a Rimbaut, Ana Ahmtovën a Migjenin, Dritëro Agollin a Fahri Balliun i ka dhunuar kush në komunizëm a demokraci?

Fatkeqësisht një nga poetët më të mirë ende të gjallë që ka mbarëshqiptaria, zotërinë e nderuar skraparlli Xhevahir Spahiu vetëm se shkroi e botoi një poezi për djemtë trima të Vlorës e rrahu dhe e dhunoi publikisht më 1997 ish bodyguard-i i presidentit të Republikës. Republika dhunon artistin dhe presidenti qesh i ngopur nga urrejtja…

I irrituar po e mbyll edhe unë këtë listim të kësaj të shtune me përgjigjen e akademikut kosovar Rexhep Qose:

-Ata që në pushtet mbahen me dhunë, nga dhuna do të vdesin!

E mbani mend tunelin, rebelët, ngazëllimin, poshtërimin, talljen dhe tak –fak 42 vitet e pushtetit të dhunshëm sesi u fikën nga krisma e një pistolete të vetme?

Ishte Gedafi libian që iku për lesh si një qen…

Rradha?

 

(c) campusALBANIA&TemA/2011

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...