10 meshkujt ME TE PUSHTETSHEM të vitit 2011

Nga Bledi Mane

TemA e Nxehtë/BEST OF

facebook.com/bledi.mane

 

Sot serinë e listimeve më të mira të vitit që publikojmë çdo të shtunë po e vazhdojmë me ribotimin e potencës (jo seksuale) të meshkujve. Shumë prej tyre kanë vite që sundojnë jetën tonë qysh kur hapin sytë dhe televizorin në mëngjes e deri kur bëhemi gati të flemë, madje na shfaqen edhe nëpër ëndrrat tona të varfra bardhë e zi. Si një shoqëri tepër maskiliste me nuanca të theksuara orientale, Shqipëria ka bërë progres modest në balancimin e fuqisë xhendërore.

Gjergj Elez Alia kishte bërë kërdinë mbi Bajlozin e Zi, Skënderbeu çante më dysh shkëmbinjtë e Librazhdit me shpatën e tij të rëndë, Mic Sokoli me fuqi të mbinatyrshme i mbylli me gjoksin e tij me lesh grykën topit osman që villte gjylet e zjarrta, fuqia e Vojo Kushit u dilte nëpër ëndrra konstruktorëve italianë që ndërtonin tanket e luftës së Dytë Botërore, shoku Enver Hoxha ua dhjeu hrushovianëve në Moskë dhe bota mbajti frymën e shqetësuar…

 

…mite, legjenda, gojëdhëna dhe përdorim pa kriter i hiperbolës në eposin shqiptar. Kështu na edukuan brez pas brezi edhe familjet edhe shoqëria edhe mentaliteti ynë. Ndaj të gjithë kërkojmë sot me çdo kusht të jemi ATA, të mbipushtetshmit, ATA për të cilët historia të flasë 24 orë.

Si çdo javë vazhdojmë edhe sot të botojmë sagën e njerëzve më të pushtetshëm të vendit tonë, një kontribut i shkëlqyer i studentëve masterizantë të gazetarisë& komunikimit pranë Universitetit të Tiranës.

 

1- Ismail Kadare.

Shkrimtar i shkëlqyer, mjeshtër i rafinuar i mendimit dhe fjalës, personalitet i shtrirë në kohë dhe hapësirë. Ushtron një pushtet absolut në hapësirën mbarëshqiptare vetëm nëpërmjet fjalës, artit dhe lirisë së mendimit oksidental. Ka çdo gjë që kërkon njeriu nga kjo jetë: familje, famë, liri, para, kontribute historike, vend përsëgjalli në panteonin botëror të letërsisë. Shpesh duket si vetë Zeusi që nga Olimpi vështron gjullurdinë e çmendur të përditshme shqiptare, qesh, trishtohet, tallet, klith, rënkon… Ismail Kadare këto 20 vite tranzicion është i vetmi shqiptar i pushtetshëm që nuk e kanë joshur madje as ofertat e të qenit president siç bëri kolegu i tij çek Vaclav Havel. Kadare ka lindur me fat, ka lindur për të na korrigjuar kohë pas kohe çmenduritë tona kolektive.

 

2-Edi Rama.

Deri mëngjesin e së hënës së 9 majit, udhëheqësi i opozitës shqiptare kuotohej dobët në bursën e politikës vendase. Fitorja e thellë dhe plebishitare e zgjedhjeve lokale rikonfirmuan edhe një herë nevojën që ka ky vend për të mos nxjerrë kaq shpejt nga skena zotin Rama. Njeriu që “tërboi” breza të tërë të këtij vendi, ende vazhdon të jetë pjesë e ngjyrave me të cilat lyejmë rutinën tonë të përditshme. Ekstravaganca e tij e ndihmoi të trampolonte guximshëm në llumin e ndyrë që prodhon politika mesdhetaro-ballkanase e Tiranës. Riformatoi Partinë Socialiste sipas shijeve të tij dhe nuk tërhiqet pa marrë pushtetin që i takon qysh prej 24 muajsh. Sa herë që pushteti i vjedh idetë, punët dhe votat, aq më shumë dashuri çliron statura e tij nga Kruma në Kavajë, nga Velipoja në Sarandë.

 

3-Sali Berisha.

Gjyshi po lodhet, gjyshi po jep maksimumin. Nuk ka më moshë gjyshi të vjedhë ende kuti dhe vota. Dikur si i plotfuqishmi i lagjes që dinte edhe emrat e dashnorëve të grave të shokëve, sot po i largohen me kujdes të gjithë. Ka fiksim të vjetër zëvendësimin e Bamir Topit, Ina Ramës dhe Bahri Shaqirit e më pas do flejë i qetë. Pasuritë dhe sigurinë e familjes e ka në duar të sigurta kështu që do të bëjë gjumin pa ëndrra. Lul Bashës ia futi në gojë si llokume e vjedhur fitoren e Tiranës dhe po nuk e përtypi dot…ka punë me shokët e Xenit!!!

 

4-Ilir Meta.

Të gjithë kujtuam se aferat e fëlliqura të liderit të LSI-së do ta mposhtnin juridikisht dhe politikisht në zgjedhjet më të afërta që mund të mbaheshin në këtë vend por llogaritë i kishim bërë gabim. Një popull i varfër i adhuron hajdutët dhe grabitësit. Tradicionalisht një ndër politikanët më të korruptuar, zoti Meta ka mundur të mbijetojë falë potencialit të llahtarshëm financiar që ka partia e tij LSI. Ndere dhe favore pa fund, punësime model Kine, abuzime me fondet publike, krahinizëm dhe besnikëri e verbër ndaj njerëzve që i qëndrojnë pranë në kohë të vështira, me një bashkëshorte altruiste dhe komisare politike të partisë, të gjitha këto do e mbajnë gjallë në politikë edhe rreth 10 vite të tjera skraparlliun Ilir. Pas allishverisheve që u jep fund brenda muajit korrik në Gjykatën e Lartë, Ilir Meta del i larë nga videot skandaloze të harbutërisë dhe në shtator do ia shohim përsëri fytyrën krah Berishës, si anëtar qeverie natyrisht.

 

5-Aleksandër Arvizu.

Jo një diplomat i rafinuar, por me një karrierë modeste në diplomacinë amerikane, zoti Arvizu duket se është bërë më i famshëm edhe se prezantuesi televiziv Agron Llakaj. Një diplomat “mistrec” dhe i paparashikueshëm, zotëria në fjalë vazhdon traditën e paraardhësve të tij në tutorimin e “Albania everyday life”. Ironik, dinak dhe intuitiv, së bashku me zëvendësen e tij Deborah Jones përfaqësojnë në mënyrë deçizive dhe tepër diplomatike dy nga njerëzit më me influencë në Shqipëri. Kanë arritur deri tani të mbajnë nën kontroll politikën sharlatane të Tiranës pavarësisht se herë nga e majta dhe herë nga e djathta atakohen primitivisht.

 

6-Bamir Topi.

I gjatë, i edukuar, akademik, tradicional, i qetë, tolerant, sharmant dhe paksa liberal. Përveçse President i Republikës, zoti Topi drejton edhe Forcat e Armatosura, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ushtron edhe kompetenca kushtetuese mbi krerët e Shërbimit sekret dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Të gjitha këto atribute civile dhe ligjore nuk e rendisin dot në krye të listës së këtij klasifikimi. Të kesh nëpër këmbë politikanë konfliktualë si Topalli, Berisha, Meta është më mirë të shijosh privilegjet e të qenurit President Republike dhe në qetësi të përfundosh mandatin 5 vjeçar. Megjithëse deri mot nuk i dihet, Bamirin e duan njerëzit, por njerëzit që duan Bamirin nuk i do as Berisha as Meta.

 

7.Aleksandër Frangaj&Blendi Fevziu.

Nuk mund të ndahet kjo dyshe nga klasifikimi ynë. Dy miqtë e vjetër gazetarë lezhjani Frangaj dhe kolonjari Fevziu qysh pas viti 2000 janë kthyer në eminencat gri të çdo politikani të lartë në këtë vend. Duke përdorur impaktet që çliron pronësia e mediumeve këtu si dhe duke përfituar nga vaniteti dhe mendjelehtësia lindore e klasës politike shqiptare kanë përfituar moralisht dhe financiarisht pa fund aq sa mund t’i llogarisësh pa frikë si rregullatorët e çdo deformimi “që hasin” qeveritë shqiptare në rrugën e tyre drejt integrimit(!). Momentalisht janë ndër njerëzit më të besuar të Berishës dhe fjala e tyre vlen sa mandatet e 20 deputetëve demokratë. Zoti Frangaj është një nga shqiptarët më të pasur të këtij fillimshekulli, ndërsa gazetari Fevziu një nga emrat më potentë të medias vendase.

 

8-Ardian Fullani

Governatori xhentëllmen i Bankës së Shqipërisë plotëson top listën e burrave të fuqishëm të këtij vendi me një karrierë të lakmueshme në fushën e financave dhe bankingut. Gjatë mandatit të tij të parë 7 vjeçar e ktheu Bankën e Shqipërisë në institucionin ku prodhohet siguri financiare dhe inflacion i kontrolluar. Përballoi me sukses krizën globale dhe udhëhoqi bankat e nivelit të dytë në Shqipëri drejt sheshpushimesh të sigurta. Ndryshe nga paraardhësi i tij dibrani egoist dhe cinik Shkëlqim Cani, zoti Fullani po i kthen edhe lavdinë historike & arkitekturore institucionit që drejton. Si rrogëtari më i paguar i administratës publike shqiptare ka mundur që sistemit bankar vendas t’i kontrollojë ecurinë profite duke mos ia lënduar klientelën. Para pak ditësh siguroi mandatin e tij të dytë pa bekimin e opozitës dhe sfida e tij më e vështirë mendohet të jenë 2 vite e ardhshme kur kriza do të ulet këmbëkryq në këtë vend.

 

9-Armand Duka

Klani i rrezikshëm i Zemunit, Dukët e krimit, mafiozët që kanë pushtuar Durrësin… Dhe vjen një ditë…atë që pështyve e lëpin sërish. Kështu i ndodhi edhe Sali Berishës me fiset durrsake Duka dhe Koka. Pasi i anatemoi për vite me radhë, tani i ka miq të bujtur në sofrën e tij qeverisëse. Duka e krimit, ose Armand Duka është sot përfaqësuesi më i spikatur i dy fiseve të lartpërmendur. President i Federatës Shqiptare të futbollit, një mik i mirë i legjendarit Michel Platini, aksioner në shumë sipërmarrje, milioner, me njerëzit e tij në politikë siç është deputeti Lefter Koka, influencë të paparë në zonat e Durrësit dhe Shijakut, qindra të punësuar, miliona lekë taksa dhe sigurime kontribute për shtetin, një vëlla tjetër ish ministër dhe biznesmen i fuqishëm… Futbollin e duan shumë, futbolli prodhon para, paraja është pushtet… Armand Duka e njeh mirë filozofinë e futbollit, parasë, pushtetit. Berisha e njeh mirë filozofinë e Dukës.

 

10.Enver Hoxha

Sepse kemi një shtet sharlatan, krime pa fund, siguri fraxhile, ekonomi të brishtë ndaj e duan një pjesë e popullsisë. Njerëzve, veçanërisht brezit të dytë dhe të tretë u mungon figura e legjendarit të frikshëm Enver Hoxha. Mosfunksionimin e këtij regjimit të ri liberal e lidhin me ringjalljen e diktaturës. Mbi shumë shqiptarë Enver Hoxha ka ende pushtet shpirtëror, u kall frikën dhe si nëpër legjendat me Kostandinin do e donin të paktën njëherë të ringjallur. Thjesht për kuriozitet sesi do të reagonin politikanët që kemi, zengjinët e rinj fringo dhe të fortët e lagjes.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...