Zhbërja

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Besnik Gjongecaj

Me një lehtësi tronditëse shumica e Kuvendit miratoi një ndryshim në ligjin për Arsimin e Lartë. Në këtë ndryshim parashikohet që autoritetet universitare do të kenë të drejtën e mandateve të njëpasnjëshme në zgjedhjet universitare, gjë që zhbën në fakt atë që po kjo maxhorancë bëri para jo më shumë se katër vitesh. Kujtoj luftën e gjatë prej babëzitësish që u zhvillua në atë kohë. Qeveria e PD kërkoi që mandati i autoriteteve universitare të ishte katërvjeçar dhe pa të drejtën e përsëritjes. Qartësisht, PD, e cila sapo kishte marrë pushtetin, kërkonte të vendoste njerëzit e saj në krye të universiteteve, gjë që mund ta bënte vetëm nëse ishte e sigurtë që do të largonte autoritetet ekzistuese prej tyre. Largimi duhet të ishte egërsisht sipas stilit komunist, por vetëm në përmbajtje. Në formë duhej të bëhej me ligj dhe kështu u bë. PD miratoi në Kuvend ligjin më të keq të bërë ndonjëherë për universitetet e këtij vendi. Kjo gjë u kundërshtua po kaq egërsisht nga njerëzit e socialistëve në krye të universiteteve të asaj kohe dhe nga partia e tyre me argumentin se mohohej e drejta që kanë individët për t’u zgjedhur. PD fitoi sepse kishte shumicën në Kuvend dhe që atëhere, mandati i autoriteteve të sotëm konsiderohet të jetë 4 vjeçar dhe pa të drejtën e një mandati tjetër vazhdues. Ashtu si para katër vitesh, edhe sot e kësaj dite, PD ka po të njëjtin qëllim: të ketë njerëzit e saj në krye të universiteteve. Ajo që ndryshon sot në krahasim me katër vite më parë është se këtë rradhë universitetet do të vazhdojnë të mbeten vasalë të pështirë të politikës jo më nëpërmjet kufizimit të mandatit të autoriteteve universitarë, si dikur, përkundrazi, nëpërmjet zgjatjes së këtij mandati.

 

* * *

 

Është jasht çdo dyshimi që universitetet e këtij vendi janë shndrruar në kavie të politikës. Nuk ka eksperiment që të mos jetë kryer në fillim në kurrizin e tyre, e pastaj diku tjetër. Nuk ka sharlatan që nuk iu ka hypur njëherë në kurriz dhe nuk ka përjetuar ëndjen shtazarake të komandimit të të aftëve, të degdisjes së tyre deri në qoshen nga ku zëri nuk vjen më kurrë, të shqyerjes së mendimit të lirë, të kooperativizimit apo të manaxhimit katundaresk. Nuk ka mbetur sharlatan që nuk e ka provuar njëherë se si mund të drejtohet politikisht sistemi universitar i këtij vendi, se si para se të bëhet një politikë duhet të mendohet se si të zhbëhet ajo, duke i lënë përfundimisht universitarët e vërtetë të këtij vendi në mes të asgjësë, pa asnjë mjet në dorë për të ndryshuar universitetet, madje pa kurrfarë qëllimi, misioni. Le të fillojmë me vitin 2005. U projektua reforma e sistemit të kërkimit shkencor dhe po të mos ishte këmbëngulja e autorit të këtyre rreshtave dhe e ndonjë kolegu tjetër, ajo do të ishte si në formë ashtu edhe në përmbajtje, as më shumë dhe as më pak, vetëm një hakmarrje ndaj drejtuesve të Akademisë së Shkencave të asaj kohe. Gjithsesi u arrit që të krijohej një dokument relativisht i plotë në të cilin reforma konceptohej si një ristrukturim thelbësor i krejt sistemit kërkimor të vendit. Vendin qendror e zinin universitetet dhe misioni thelbësor i reformës ishte edukimi i studentëve nëpërmjet kërkimit shkencor. Asgjë nuk ndodhi nga ato që u shkruan në letër aq sa vërtet shumë vonë e kuptuam që, ndërsa ne përgatitnim reformën në letër, diku tjetër projektohej zhbërja e saj.  Sot, nuk ka mbetur pothuajse asgjë nga ato që parashikonim të ndodhnin, përveçse disa qendra të mjeruara që akoma i karakterizojnë si kërkimore dhe disa njerëz të hutuar që vinë vërdallë e ndërrojnë karriget e tavolinat me njëri tjetrin. Ish profesorët e instituteve kërkimorë të dikurshëm shtyhen qosheve nga kërkuesit e rinj, të cilët janë shfaqur në horizont si silueta, pa personalitet, pa ditur matematikë, me një anglishte që e flasin me të njëjtin stil sikur kafshojnë bukën e dikurshme të misrit hibrid dypërdorimshme: njëherazi si ushqim për njerëzit dhe për bagëtinë; por me një dokument partie në xhep dhe me instiktin e të qënit gjithmonë me partinë që është në pushtet. U projektua reforma në arsimin e lartë dhe u vendos në një Master Plan. Ekzaktësisht si me reformën në kërkimin shkencor, ndërsa përgatitej ky Master Plan, diku tjetër, ekzaktësisht në zyrën e ministrit, përgatitej edhe zhbërja e tij. Kjo gjë u provua shumë shpejt kur shumica e PD në Kuvend, në vitin 2007, miratoi një ligj që në substancë ishte në kundërshtim të plotë me Master Planin, ndërsa ky i fundit u hodh në të njëjtin kosh plehrash ku gjendet dinjiteti i shërbyesve të sotëm të popullit, pra politikanëve. Shumë vite më parë ishte nënshkruar nga politikanët e këtij vendi pjesmarrja në procesin e Bolonjës, por nuk pushuan asnjë ditë përpjekjet për të bërë të kundërtën në Shqipëri. Shpresat ishin të mëdha pas vitit 2005. Politikanët e PD bënë ekzaktësisht atë që nuk pritej: devijuan plotësisht politikën universitare nga procesi i Bolonjës dhe këtë e bënë pa iu hyrë asnjë gjëmb në këmbë. E zhbënë këtë proces në Shqipëri akoma pa e filluar atë, si zakonisht. Ajo që mbeti nga zhbërja ishin disa kualifikime prej të cilave Evropa kishte kohë që kishte hequr dorë, ndërsa studentëve të hutuar iu thoshnin, pacipërisht, se ishin bërë pjesë e procesit të Bolonjës. Dhe së fundi, sepse nuk ishte gjë tjetër veçse një mënyrë e rafinuar për të çuar paratë publike te xhepat e pronarëve të universiteteve private, vjen reforma financiare e universiteteve ose një nga djallëzitë më të pështira të politikanëve të sotëm. Është jasht çdo dyshimi që një reformë financiare do ta rivitalizonte sistemin universitar dhe për një reformë të vërtetë, esenciale, të ndershme, përpjekjet e vërteta kanë filluar që në vitin 1996. Përpjekja e sotme për të realizuar një reformë financiare, në fakt, nuk është gjë tjetër vetëm një zhbërje e të gjitha përpjekjeve të ndershme të kryera në këtë drejtim. Edhe në këtë rast, si në të gjitha rastet e tjera, qeveritarët që mbulojnë arsimin e lartë veprojnë ekzaktësisht si më parë: i thonë publikut atë që kanë kohë që e kanë zhbërë dhe përgatiten për të bërë financimin e universiteteve në kundërshtim të plotë me interesat e tij.

 

* * *

 

Tani po bëhet një zhbërje tjetër, ajo e sistemit të zgjedhjeve në universitete. Realisht, ky nuk është problemi më i madh që shtrohet sot, megjithëse pas tij fshihet interesi i politikës për të sunduar universitetet. Problemi më i madh është ai që vendoset në raportin midis zgjedhjeve universitare dhe vetë universiteteve. Pra, çështja nëse kështu si zhvillohen zgjedhjet në universitetet tona, a i shërbejnë progresit të tyre apo i zhytin akoma më shumë universitetet në baltën e prapambetjes? Gjendja në të cilën ndodhen një pjesë e madhe e mësimdhënësve dhe studentëve në universitete, pra gjendja në të cilën është shumë e dyshimtë mënyra se si kanë hyrë në universitet dhe akoma më shumë, mënyra se si i kanë marrë gradat dhe titujt, kjo për pedagogët, dhe se si i marrin diplomat, kjo për studentët; pra mënyra thellësisht e dyshimtë se si i marrin të dy palët kredencialet e tyre akademike, vë në një dyshim të thellë integritetin e një pjese të konsiderueshme të universitarëve të sotëm, dhe prandaj, në të njëjtjën kohë, vë në një dyshim të thellë edhe rolin e zgjedhjeve në universitetet tona. Problemi që hasim sot në sistemin universitar nuk është kohëzgjatja e mandatit të autoriteteve universitare. Problemi i vërtetë, shumë më i rëndë, shumë më kompleks, i krijuar si gjithmonë dhe dobiçërisht nga qeverisja e këtij vendi, nga makutëria e saj për të sunduar universitetet, është: zgjedhjet në universitete, ashtu siç janë katandisur këto të fundit, bëjnë më shumë mirë apo më shumë keq? Jam i sigurtë që kjo është një çështje esenciale që duhet të bëhet e qartë për publikun e këtij vendi, por me siguri që do të kërkojë hapësirën dhe dedikimin e një shkrimi tjetër. Ajo që mund të thuhet në hapësirën e këtij shkrimi është se një parim shumë i rëndësishëm i adoptuar në hapësirën e arsimit të lartë evropian ka të bëjë me standardin që duhet të respektohet kur zgjidhen autoritetet universitare. Po citoj: ”Universitarët duhet të shohin te ata që do të zgjedhin jo thjesht dhe vetëm një produkt të preferencës së tyre, por personalitetin, shqetësimin, aspiratën, guximin për fjalën e lirë, mendimin dhe ndërgjegjen qytetare; pra gjithçka që do të donin t’i kishin vetë në përfytyrimin e tyre qytetar”. Qartësisht, integriteti i votuesve është kusht themelor për të kuptuar nëse zgjedhjet universitare do të bëjnë më shumë mirë se keq, apo të kundërtën. Një universitar pa integritet, i cili sheh te autoriteti universitar të cilit i jep votën njeriun që do t’i bëj një favor personal, do t’i japë një titull të pamerituar, një diplomë të pamerituar, do ta bëjë pjesë të korrupsionit, duhet ta ketë të ndaluar të votojë!. Fatkeqësisht, të tillë votues janë shtuar shumë në universitetet tona, duke përçudnuar thelbin dhe rolin e zgjedhjeve universitare. Politika ka punuar për një kohë të gjatë që të zhbëj integritetin e universitarëve, sepse vetëm kështu mund t’i bëjë ata të pandjeshëm në procesin e sundimit të universiteteve prej saj.

 

* * *

 

Amendamenti për dhënien e mundësisë autoriteteve ekzistues të universiteteve edhe për një mandat tjetër nuk u paraqit nga ministri i linjës, gjë që do të ishte një normalitet, madje nuk u paraqit as nga një deputet që të kishte një lidhje të veçantë me universitetet, t’i njihte universitetet në thelbin e tyre, madje as nga një deputet i PD, si forcë kryesore qeverisëse. Mandati iu paraqit Kuvendit në mënyrën më pak të pritshme, si mbi një sini, tavë, si një kokë e prerë, si një triumf i një kohe tashmë të harruar. Mandati iu paraqit Kuvendit nga një deputet me mbiemrin e çuditshëm Tavo, minoritar, dhe më kryesorja, nga një deputet i LSI, i një partie që nuk ka kohë të ngre kokën nga pesha e skandaleve të njëpasnjëshme dhe jo më të gjej kohë për mandatin e autoriteteve universitare! Si çdo gjë që del nga kjo parti, edhe ky amendament bie erë!. Gjithsesi, megjithëse çdo gjë është e çuditshme në këtë amendament, më e çuditshmja lihet të nënkuptohet: si është e mundur që PD, pak vite më parë, injoroi përpjekjet sublime të profesorëve të universiteteve për të reformuar sistemin universitar dhe pranon sot me lehtësi një amendament qartësisht në zhbërje të standardeve universitare, nga një deputet i vetmuar, i një partie akoma më të vetmuar, që vetëm shembull për universitetet nuk mund të jetë?

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

5 komente në “Zhbërja”

  1. fule says:

    E thote shume mire Edi Rama, as nje pushtues nuk do ti bente Shqiperise kete qe po i ben ky palo-kualicion sot.

  2. Ilir says:

    Ky djalosh i egersuar kunder pushtetit, por qe thote te verteten ka qene pjese e strukturave me te larta te PD, madje eshte pjese e fisit te Berishajve dhe sigurisht eshte edhe nje tropojan. I ati i tij, ish mik i mire i Berishes dhe familjes se tij. Ai u be Rektor i Universitetit Bujqesor disa vite pas marrjes se pushtetit nga PD. Ky inatcor filozof shkaterroj Universitetin Bujqesor ne kohen e sundimit te tij ne kete institucion, madje gjate kohes se prostituimit te tij ne kete institucion, Universiteti Bujqesor pesoj shkaterrimin me te madh ne gjithe historine e tij. U dogj dhe plackit nga banditet e PD, sigurisht nen drejtimin e ketij kapedani te shpelles, qe sot kapardiset me kritika te kritikes kritike kunder Berishes. Vertet, kritika e kritikes kritike, kjo ishte tema e diplomes se ketij kapedani. Ai kritikonte kritiken e kritikes se Engelsit ashtu sic ben sot me Berishen. Studiues i madh i filozofise marksiste. Sigurisht qe plangprishesi, i cili tradhetoj kryetarin e shpelles, Berishen, ne 1997 u mallekua si tradhetor dhe u la jashte fisit, pa as edhe nje post. Tani me meri inatcore thote te vertetat qe i ka mesuar brenda keshtjelles ku ka jetuar gjate gjithe ketyre viteve. Sigurisht, qe qellimi i tij final eshte qe ti thote ish shefit te tij qe mua me ke te mencuar dhe eshte mire qe te mos me kesh ne kampini kundershtar, por pranome prape ne qeverine tende. Me vjen mire kur e shoh inatcor sepse shkruesi ka qene ne keto pozita kur e kritikonte kete bej fodull per mosberjen e reformave ne Universitetin Bujqesor, kur mori pushtetin e ketij institucioni.

    Good luck!

  3. D s says:

    po qe se eshte tropojan eshte sharlatan dhe as e mar mundimin ta lexoj se cthote edhe sikur te kete te drejte

  4. MEMEDHETARI says:

    E lexova shkrimin me vemendje dhe i jap te drejte autorit.
    Mbase edhe ata qe kritikojne autorin e shkrimit kane te drejte,por une mendoj qe njerezit qe zhgenjehen nga nje politike e ndjekur prej dikujt dhe qe reagojne,duhet te jene te mirepritur…
    Mua me duket se tema qe ka trajtuar z.Besnik eshte nje teme e madhe,teper e rendesishme qe ka lidhje me te ardhmen e Kombit tone…
    Te mos shikojme se eshte nga Tropoja apo nga Vlora,le ta kritikojme per ndonje “kusur” qe mund te kete,por le ta lexojme seriozisht…
    Ne rrugen tone per te shpetuar Shqiperine le te kemi sa me shume “Dritan Prifter” e “Besnik Gjongecaj”…
    Une e falenderoj autorin e ketij shkrimi…

  5. irena says:

    Profesori ka te drejte. Ndaj te njejtin mendim me te. Universitetet jane kthyer ne kooperativa bujqesore dhe drejtohen me te njetin mentalitet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *