11 SHQIPTARET ME INSPIRUES të vitit 2011

Nga Bledi Mane

TemA e nxehtë e së shtunës

 

Vjet në të njëjtën kohë në të njëjtën stinë pasi bënim bilancin e vitit që shkoi, thurnim plane për vitin që prisnim. Fantazonim për pak më shumë mirëqenie dhe bekimet tona më të sinqerta i kishim dërguar drejt Brukselit dhe Ljubjanës ku ndodhet zyra dhe shtëpia e Tanja Fajon-it. Eurodeputetja sllovene ishte kthyer në avokaten e kombit shqiptar dhe altruizmi i saj gjeopolitik së bashku me pozivitetin e burokratëve të Brukselit për herë të parë kishin bërë histori. Pas gati 70 vitesh izolim komunist dhe tranzitiv, u çuan gjithë trarët e doganave të kontinentit e ne bijtë e shqiponjës së zezë dykrerëshe filluam të fluturojmë e të lëvizim të lirë. Këtë vit ndërsa moti i ftohtë na ka nxjerrë sërish në pah plagët e një fukarallëku digital bëjmë bilancin e 2011 që po ikën. Një vit që nisi me përmbytje dhe vrasje pushteti, vazhdoi me vjedhjen më spektakolare të votave të vullnetit tonë, pushimet mes plazheve të çvirgjëruara, krizën “e padukshme” ekonomike, një vit që burrëroi dhe kaliti më tepër racën tonë, një vit që morri me vete heronj sharlatanë e të vërtetë, një vit që i lëshoi rrufe paralajmëruese prijësit tonë…

E kam thënë dhe herë të tjera, vitaliteti dhe energjia që prodhon ky vend thjesht kërkon një menaxher të mirë aspak posesiv i cili duhet të na tregojë kahun e duhur. Pavarësisht kësaj sakrificat, puna,sfidat dhe egoja e shumë prej nesh ia vlen të përkthehet në respekt dhe mirënjohje.

campusALBANIA u prezanton sot klasifikimin e fundit të këtij vit dhe unë si moderator i kësaj rubrike u falënderoj të gjithëve ju të nderuar lexues kudo që jeni. Koha, sugjerimet,kritikat,opinionet tuaja e bënë Temën e nxehtë të së shtunës seksionin më interesant dhe më të debatueshëm të fundjavave shqiptare. Renditja e sotme ka emrat e 11 shqiptarëve të cilët inspirojnë këdo nga ne me punën e tyre. Përfitoj nga rasti që në emrin e klubit social dhe anëtarëve Alket Shupo, Olta Saliasi, Reldar Dedja, Gëzim Neziri, Ola Xama, Kol Dajçi, Jurgen Spiro, Anri Bala t’ju urojmë Gëzuar Krishtlindjen dhe lexim të këndshëm!

 

1.Dritan Hoxha

Edhe 10 vjet, edhe dekada të tëra të kalojnë shkolla mediatike e Top Medias mbetet kampusi më avangard i shpirtit oksidental shqiptar. Themeluesi, i ndjeri Dritan Hoxha la pas fortesën, e cila edhe sikur në rrugë të hapur të kryejë punën e saj do të jetë e pakonkurrueshme. Inspiruese mbetet jo vetëm sipërmarrja por edhe çka transmetojnë në publik produksionet e Top-it. Mediumi më i madh e më kualitativ mbarëshqiptar, i cili nëpërmjet valëve difuzive me zë a figurë tregon çdo moment se egoja e kësaj race krijon e bën punë të ndreqshme&të paqshme. Vetëm një çast mendoni, ose kthehuni mbrapsht në kohë. Imagjinoni dot një Shqipëri pa Top Channel? A nuk do ngjante Saliu me Simon Stefanin?

 

2.Geraldo Durda

I lindur në qytetin e Gramshit aty rreth vitit 1993 ende pa mbushur 1-vjeç prindërit e tij u transferuan me shtëpi në fshatin e nëmur të Gërdecit. Pjesë e një familjeje të mesme, prindërit e të cilit primare kanë vetëm punën e ndershme. Në mars 2008 Geraldon dhe familjen e tij e rrëmben tragjedia e fshatit me të njëjtin emër. Vëllai më i vogël Edisoni 7 vjeçar sepse kishte dalë jashtë shtëpisë të luante, plagoset rëndë nga shpërthimi mediu-miano shkëlzen-ian i municioneve të ushtrisë shqiptare. Pak ditë pas tragjedisë vocërraku Edison largohet nga kjo botë ndërsa nëna e tij ende vazhdon betejën ligjore për të lehtësuar sadopak dhimbjen e të birit që dergjet nën dhe. Geraldo, vëllai i madh tashmë rreth 18 vjeç, po sfidon me sakrificat e tij vrasësit e të vëllait që gjenden të lirë në parlament a rrugëve. Mjaft aktiv në shtypin e shkruar dhe pjesë e organizatës Kuvendi Civil. Kontribuon në ndërgjegjësimin publik dhe së bashku me kolegë të tij gjimnazistë nga gjithë vendi e lenë herë pas here pa gjumë qeverinë e korruptuar të doktorit të sëmurë. Kanë tentuar ta arrestojnë disa herë, por fuqia prej anteu që i vëllai i dërgon përtej varrit i tremb bazhibozukët e pushtetit.

 

3/4.Auron Tare&Artan Hoxha

Gazetari ndryshe. Gazetari aspak bajate dhe e pështirë. Gazetari e guximshme, pa ngjyra pushtetesh, produksione televizive mjaft simpatike dhe tërheqëse e ndërthurur kjo me aventura profesionale në Lazarat, Libohovë, Tropojë, Boston, New York, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”…

Vërtetë inspirues për këtë vit edhe studiuesi dhe aventurieri Auron Tare edhe gazetari i vjetër i ri Artan Hoxha (jo ai Ruli i Gencit). Profesionalizmi i tyre nuk ka pas ti diploma universitetesh gazetarie por pasioni, kreativiteti dhe puna e pa precedent të intrigojnë ti shohësh e ti ndjekësh sa herë shfaqen ekraneve.

 

5.Flora Hanelli

Gati tëhu! Fytyrë qeshur! Duartrokitjet gati sepse vjen për fushatë Sala, Luli, Genci, Jozi…

Nuk jemi në Piongiang të Koresë së Veriut, jemi në Tiranën evropiane ku servilizmi, makutëria, përulja, poshtërimi janë bërë pjesë e recetave ditore tonat. jemi në një vend ku për shkak të një honorari, tenderi, vendi punës, vendim të njëanshëm gjykate mund të tjetërsohesh brenda 24 orësh por….shëëëët,dikush po klith plot urrejtje:

-Çarë bëre për 6 vjet ti me qeverinë tënde?

-Çfarë i ke dhënë këtij vendi? I vodhe paratë për të ndërtuar një rrugë? Shite atdheun tim?

-Vrave katër baballarë. Je vrasës,vrasës!!!

Klithma nuk është vetëm e akademikes dhe intelektuales së guximshme Flora Hanelli. Ajo protestoi për një popull të tërë ndërsa përballë nuk kishte vetëm Xhelul Bashën. I klithi poshtërueshëm regjimit!!!

 

6.gazetatema.net

E paimagjinueshme, por e vërtetë. Është një nga redaksitë e vetme që në kontinentin evropian punon nën terror psikologjik, financiar, policor, shtetëror. Vetëm 2 djem e 2 vajza të drejtuar nga publicisti Mero Baze mes sakrificash vërtetë sublime kanë mundur të kenë sot në treg website-in më të klikuar të gazetave të Tiranës. Me miliona klikime çdo ditë kanë bërë që domain-i i Temës të jetë më i besueshmi dhe më referuesi. Mbetet mediumi që i ka hije edhe opozitarizmi edhe falënderimet e lexuesve nga Bajram Curri në Canberra, nga Çorovoda në Austin të Texas-it.

 

7.Valbona Selimllari

Jo klasifikim bukurie apo rini e përjetshme. Zonja Selimllari solli në spartakiadën e produksioneve të ngarkuara televizive të vendit programin më të bukur e më të fisshëm “Nga e Para”, i cili transmetohej në Vizion Plus. U shfaq jo vetëm si prezantuese e këtij formati televiziv ku një skuadër arkitektësh, ndërtuesish dhe areduesish shndërronin totalisht shtëpitë e thjeshta të mjaft familjeve të varfra e në nevojë. Valbona tashmë ka një lloj takti dhe ngjizje mjaft tërheqëse për të cilat jo vetëm familjet në nevojë kanë nevojë. Thjeshtësia e saj mpleksur me bukurinë dhe populizmin inspirojnë jo vetëm femrat.

 

8.Dritan Prifti

Njeriu që certifikoi guximin dhe theu tabunë e frikës. Pavarësisht se mbahemi për “arjanë guximtarë e vetullkaleshë” sërish tutemi dhe trembemi nga Ai. Mund të jetë i forti i lagjes,kryeministri,hajduti i fshatit, zëtrashi i mëhallës, kryetari i partisë,drejtori, xhamziu i bllokut ne i bëhemi urë dhe e lemë të abuzojë me ne. Dhe kjo telenovelë sikur zgjati paksa si shumë rreth 2 dekada. Nëse dikush tentonte të bzante, e nxirrnin nga rreshti dhe pas gjyqit publik e prisnin rrathët e ferrit por jo nën, mbi tokë. E kam provuar edhe vetë në vjeshtën e 2003-shit dhe si shpagim i hëngra 4 burgosje të një pas njëshme. Ndaj më inspiron Dritan Prifti sepse edhe falë imunitetit që të jep politika dhe paraja ai përsëri ua theu hundët atyre. Tani jemi paksa, pakëz më të çliruar e më të lirë por mendoj se një lloj pranvere arabe dhe 50 dritanër u jepnin zgjidhje përfundimisht gjërave në këtë vend.

 

9.Albin Kurti

Kosovës i ka lezet pavarësia dhe liria sepse gjallon në të një Vetëvendosje dhe Albin Kurt. Politikani i paprecedent dhe i pakompromis, mendjehapur dhe radikal njëkohësisht,i luftuar se di të luftojë opozitarisht dhe i papërlyer në bërllokun primitiv politik kosovar. Oksidental me nuanca orientale por pragmatist që populizmin e fiton gradualisht. Organikisht i nevojshëm për shtete si Bosnja, Serbia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

 

10.Gazmend Oketa

Fat i madh, Partisë Demokratike i ka mbetur një deputet si zoti Oketa që kjo parti të mos shpallte falimentin e të mos bolshevikohej përfundimisht. I vetmi zë, i brishtë,i dobët pakëz kurajoz por përsëri po ua them që mbetet i vetmi zë opozitar i kampit blu. Inspirues për qetësinë,elokuencën dhe specie e rrallë e semantikës dhe atij diskursi politik të nevojshëm që shfaqet rrallë në këtë vend. Pritet që me formimin e partisë së re djathtiste të (ish) presidentit Topi, angazhimi i G.Oketës të jetë më produktiv.

 

11.Panairi i librit

Po e mbyll paradën e sotme të listimit me pasazhe nga artikulli i revistës javore prestigjioze angleze “The Economist”, e cila vetë 3 javë më parë raportonte nga Shqipëria për Shqipërinë:

“Vitet e fundit, lajmet që vijnë nga Shqipëria janë dominuar nga përplasje e pafundme politike mes Sali Berishës, kryeministri, dhe Edi Ramës, lider i opozitës. Por krejt papritur retë duket sikur janë larguar. Socialistët e Ramës janë kthyer në parlament, duke biseduar me njerëzit e Berishës, dhe është gjetur një zgjidhje për zgjedhjet e kundërshtuara për kryebashkiak në Tiranë. Shqiptarët e lehtësuar tani po flasin për diçka tjetër: librat.

Ngjarja e muajit ka qenë Panairi i Librit në Tiranë, që përfundoi të dielën. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në kryeqytetin shqiptar. Diçka më shumë se 80 tenda u sulmuan virtualisht nga njerëz që tundnin në duar para cash me shpresë se nuk do humbisnin bestseller-at e fundit. Ambasadorë, peshkopë, personazhe të jetës publike dhe politikanë ishin të gjithë aty.”

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...