10 KANDIDATURAT më të spikatura që meritojnë POSTIN E PRESIDENTIT

TemA e nxehtë e së shtunës

Nga Bledi Mane

facebook.com/bledi.mane

Javën që shkoi në rubrikën e nxehtë të së shtunës debatet dhe komentet e lexuesve ishin vërtetë të nxehta. Emrat e 10 ish apo politikanëve aktualë aktivë i pata etiketuar sharlatanë në atë çfarë kërkojnë të bëhen më 20 korrik. Kandidatura e Presidentit të Republikës ka nisur të orvatet mes emrash mediokrish, militantësh, servilash, meritokratësh, por në shumicën e rasteve dëgjojmë të përmenden beniaminë kryetarësh të dy prej partive politike më të mëdha.

Klubi social campusALBANIA këtë fillimviti u mundua të selektojë 10 nga emrat më të spikatur që qarkullojnë në tregun politik-mediatik të Tiranës dhe duke i publikuar me një minibiografi çdo kandidaturë të mundshme, duam të tërheqim më tepër vëmendjen e opinionit publik. Duke zgjuar ndërkohë edhe koshiencën e 2 liderëve “të mëdhenj” të cilët sërish kanë në dorë me zgjedhjen konsensuale të presidentit, progresin apo regresin e kësaj republike të pushkatuar përsëgjalli qysh në themelimin e saj!

 

1.Bamir Topi

Qysh pas presidencës së Alfred Moisiut, ndryshe nga çfarë u paragjykua gjatë dhe pas verës së vitit 2007, Bamir Topi nuk u ndrydh aspak nga porositë meskine dhe trysnia e partisë së tij “demokratike”. E nisi me një low profile dhe gjatë mandatit 5 vjeçar befasoi këdo me maturinë dhe qetësinë e një shtetari të vërtetë. I la mënjanë presionet e dy krahëve dhe pavarësisht zgjedhjes së tij gjatë një votimi surprizë në parlament diti të triumfojë mbi skepticizmin dhe pengesat që nuk ia përtuan kurrë kundërshtarët. Me një populizëm për t’ia patur zili dhe impakt admirues në popull,Bamir Topi ndryshe nga pasardhës të tjerë nuk u shqua për abuzime arbitrare me postin dhe zyrën e tij dhe pasi u shkëput nga mefshtësia e fillimit diti të menaxhojë veten dhe detyrën kushtetuese. Pavarësisht sulmeve dhe zullumeve të ardhura rishtas nga kryetari i ish partisë së tij, Bamir Topi mbetet një nga kandidaturat më të admirueshme për tu rizgjedhur president e në mos ndodhtë këtë korrik jam i sigurt se një mandat i dytë për të do të jetë i paevitueshëm.

 

2.Briseida Mema

Dikur një nga gazetaret simpatike të së përjavshmes letraro-politike “Drita”. Me artikujt dhe veçanërisht përkthimet e pazakonta të fundviteve ’80 së bashku me kolegë të tjerë të gazetës së Lidhjes së Shkrimtarëve, u paraprinë jo vetëm ndryshimeve politike në vend, por edhe një medieje liberale promotore e kapitullimit të një mentaliteti kolektiv të mykur. Qysh me fillesat e pluralizmit lokal, zonja Mema mbetet e vetmja gazetare korrespondente e agjencisë së lajmeve franceze Agence France Presse, AFP, për Shqipërinë dhe gjithë hapësirën shqipfolëse. Një nga emrat më të spikatur jo vetëm të gazetarisë, por edhe të botës akademike dhe lirive e të drejtave të njeriut veçanërisht grave. Mban titujt Profesore dhe Doktore e letërsisë, gjuhësisë frënge dhe gazetarisë evropiane. Do të ishte një nga rastet historike që në këtë përvjetor të 100-të të pavarësisë, ky vend të zgjidhte të parën presidente femër e cila gëzon padyshim simpati racionale sa majtas dhe djathtas.

 

3.Artan Fuga

Ish lektori im i filozofisë, emri i të cilit përmendej shpesh edhe gjatë presidencialeve të 2007, e meriton të jetë një nga emrat e denjë konkurrentë. Shpesh debatoja me Prof.Fugën duke ia përmendur oportunizmin e tepruar, i cili e karakterizon. Ndoshta tani më mirë se kurrë ky lloj oportunizëm organik ia vlen të vihet në punë duke drejtuar këtë vend me klimë të thatë të ashpër politike. Akademizmi i zotërisë në fjalë lëvruar mes Tiranës dhe Parisit si dhe njohja me detaje dhe empirizëm i historisë dhe realitetit vendas kanë për të prodhuar një president fillesat e të cilit do të jenë pak lëkundëse por më pas e në vazhdim as Berisha e as Rama nuk do të kenë shanse për kompromise vetjake.

 

4.Agim Fagu

Mbaj mend gjatë 1997-ës kur ish ambasadori i Berishës president, mësuesi i anglishtes, elbasanasi Pavli Qesku, kyçi ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër kishte lenë pas zyra të shkatërruara e të rrënuara. Kishin vjedhur edhe prizat elektrike dhe pllakat e halesë e si për inat të socialistëve që u kishin marrë pushtetin grisën edhe flamurin kuqezi që valëvitej nga ballkoni i ambasadës sonë në lagjen e njohur Victoria të Londrës. Ne shqiptarët e paktë të atyre viteve në Angli mbetëm të shokuar nga vandalizmi. Emërimi i ambasadorit të ri ishte surprizë. Përfaqësonte Shqipërinë në Mbretërinë e Bashkuar një nga fytyrat dhe emrat më të dashur të sportit shqiptar dhe jo vetëm. Agim Fagu solli nga vendi i tij energjinë dhe pasionin arbëror, mashkullitetin dhe vitalitetin mesdhetar, egon ballkanase dhe edukimin e tij të kompletuar. Rinisi gjithçka nga e para dhe bashkë me ambientet e reja u vendosën edhe urat e reja të komunikimit me komunitetin shqiptar por edhe me politikën dhe miqtë britanikë. Po ta shikosh me vëmendje karrierën e zotit Fagu bie në sy suksesi dhe korrektësia. Shkëlqeu në basketbollin lokal dhe ndërkombëtar, shkëlqeu në diplomaci, ndihmoi modestisht lëvizjen olimpike shqiptare dhe u dorëhoq atëherë kur kujtuan se do e kishin “nën fre”. Politika natyrisht. Ndaj ia vlen një president i tillë dhe patjetër që e djathta ka për t’ia huazuar së majtës.

 

5.Besnik Mustafaj

Një tjetër kryetar shteti tropojan?-do të bërtisni ju ndërsa unë do tu kundërshtoja.

Ndryshe nga patrioti i tij viçidols, Mustafaj ka më shumë rafinaturë qytetare dhe fisnike. Më shumë besnikëri dhe elokuencë politike pa përmendur këtu talentin dhe eksperiencat e gjata në literaturë dhe përkthim. Një nga intelektualët e mirëfilltë që rafinoi Tirana e viteve ’80,pjesë organike e lëvizjeve politike antikomuniste zoti Mustafaj mbahet mend edhe si respektues i institucionit të dorëheqjes duke treguar jo vetëm maturi dhe nuhatje politike, por edhe burrëri. Pavarësisht largimit nga jeta parlamentare, Besniku i ka mbetur besnik aktivizimit të tij politik në forma të ndryshme duke mos shkëputur në asnjë rast fillin lidhës mes tij dhe elektoratit. Kontributet e tij edhe në diplomacinë shqiptare do e konturonin si një kandidat potent për postin e presidentit.

 

6.Pëllumb Xhufi

E ka gjithçka perfekte. Pragmatizmin, nivelin dhe background-in akademiko- politik, tolerancën dhe sqimën e nevojshme të një burri shtetar të vërtetë. Gjithçka e ka në kohën dhe vendin e duhur por këshilla ime do të ishte reduktimi, racionalizimi i nacionalizmit të tij të ekzagjeruar i cili herë pas here devijon nga parametrat evropianë të nevojshëm për krenarinë kombëtare. Pëllumbi ia vlen të rehatohet për 5 vjet në kafazin presidencial pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

 

7.Servet Pëllumbi

Një tjetër pëllumb i pjekur e i thekur. Ish profesori i filozofisë marksiste, i konvertuar sipas rrethanave emergjente post ’90 në përhapës të socialdemokracisë, një prej politikanëve paksa të vjetër në moshë por i urtë e me vlera të mëdha do të ishte një zgjidhje ideale për president. I paepur e aspak kompromentues, ka ditur të mos bjerë në rolin e ushtarit urdhërzbatues dhe pavarësisht deputetllëkut të thjeshtë apo drejtuesit të parlamentit ka ruajtur ekuilibrat e nevojshëm duke zbutur e nuancuar me tolerancë këtë politikë sharlatane që po na nxin jetën dhe të ardhmen.

 

8.Shezai Rrokaj

Në qoftë se partia politike më e korruptuar e këtij gadishulli LSI-ja e Lilit, ka ende emra personalitetesh që ia vlen t’i nominosh në postet më të larta drejtuese një prej tyre është profesori i nderuar Shezai Rrokaj. Ish rektori i Universitetit të Tiranës, i pari që filloi eksperimentimin e kurrikulave të Kartës së Bolonjës, momentalisht një prej dekanëve më punëtorë që kanë njohur fakultetet publike ndoshta ka bërë zgjedhjen e gabuar duke u rreshtuar majtas-djathtas-majtas si lësëist e duke ia zbehur paksa potencën vlerave të tij në politikë. Mendoj se kanditadura e tij do të detyronte Ilir Metën tu “mbyllte gojën” dy titanëve të politikës të cilët kanë mprehur shpatat për betejën e nxehtë të verës së nxehtë që po troket.

 

9.Dashamir Shehu

Edhe unë kam pas pirë e jam dendur me alkool. Kam shkuar tapë në punë, fakultet, studio televizive, në aeroplan kam hyrë tapë apo rajon policie, kam shkuar tapë në shtëpi, hotel, krevat… dhe ja ku jam. Ndoshta dehjet i vlejnë njeriut për pak kohë të nxjerrë jashtë barkut akumulimet apo brengat ndaj mos e paragjykoni dikë që e dashuron paksa alkoolin. Meqenëse po dehemi me nektarin e stinës së zgjedhjeve presidenciale po u paraqes një nga kandidaturat më simpatike që e djathta shqiptare ka pasur dhe ka. Ish kryeministri Dashamir Shehu, një nga tironcit e rrallë dhe babaxhan, njeriu i drejtpërdrejt që i mungon parlamentarizmit dhe çdo partie do i vlente më shumë sesa kopukët që i listojnë sa për ngritje dore. Dashamir Shehu do të na kënaqë të gjithëve dhe duke qene aspak egocentrist ka për të vazhduar me përulje dhe patos atë çka Moisiu dhe Topi ndërtuan me sakrifica sublime.

 

10.Xhoana Nano

Me kontribute të papara gjatë kohës kur ishte refugjate në Greqi, kontribute mbresëlënëse në sektorin e udhëtimeve publike me autobuszat Joy Travel, pasagjerja më frekuentuese e kompanisë ajrore Austrian Airlines në udhëtimet Tiranë-Vienë-Tiranë si dhe hapësja e restorantit më të ri në kryeqytet ndërtuar poshtë shkallëve të stadiumit Dinamo ngjitur me dhomat e zhveshjeve të futbollistëve, zonja Xhoana Nano Nano do të kishte më tepër reputacion se bashkëshorti i saj i rënë në sevda me presidencën. Pavarësisht se armiku i tyre i vjetër i betuar Berisha i burgosi, i telendisi dhe ua vuri brekët 8 vjet rresht në majë të kokës duke i sharë e poshtëruar 24/24, për hatër të asaj karrige që ia kanë shkurtuar këmbët me kushtetutë çifti Nano nuk heq dorë në asnjë lloj mënyre për të ulur bythën aty. I vetmi problem me Xhoanën është arsimimi sepse ashtu si i ndjeri Sabri Godo edhe Xhoi nuk shkoi më larg sesa një dëftesë gjimnazi.

 

Kontribuuan për këtë seksion të fundjavës: Reldar Dedja, Ola Xama, Alket Stamolla, Jeton Saliasi, Nada Hoxha dhe Klejda Cenko

(c)campusALBANIA&TemA/2012

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...