10 gazetarët më premtues të dekadës

TemA e nxehtë e së shtunës

Nga Bledi Mane

 

Parmbrëmë duke u shkëmbyer e mërkura me të enjten, në kulmin e natës së ftohtë kur shiu shkrinte borën e këtij fillimshkurti zgjohem i lebetitur prej thirrjeve shokuese të një gruaje. Komshinjve të mi 2 kate më sipër u kishte rënë zjarri në banesë dhe e zonja e shtëpisë pa burrin për momentin, e mbetur me vajzën e vogël 4 vjeçare kërkonte ndihmë. Zjarrfikësja dhe policia ia behën me të shpejtë por prania e tyre nuk po ndihmonte për asgjë. Makina rrangallë çekosllovake e viteve ’70, zjarrëfikësit e patrajnuar pa shkallë,kokore,kostume dhe maska, thjesht i drejtuan tubin me ujë banesës që përvëlohej dhe kaq. Flaka dhe tymi i zi i ndihmuar prej erës po përpinin edhe apartamentet e tjera dhe kaosi e paniku i banorëve vetëm sa degradonin situatën. Jo zjarrëfikësit por banorët nxorrën prej shtëpisë gruan dhe vajzën që kërkonin ndihmë, ndërsa irritimi i gjindjes së zgjuar llahtarshëm nga gjumi përplasej mbi amatorizmin dhe dembelizmin e luftëtarëve të zjarrit.

Të gjithë kundronim të pafuqishëm tek zhurritej banesa e Bardhi Muços, ndërsa klithma e një gruaje mes nesh më shokoi krejt:

-Merrni në telefon atë gazetarin e Top Channel-it të vijë të filmojë këta lloj zjarrfikësish që shikojnë pa pikë turpi sesi i digjet njeriut shpirti dhe shtëpia…

***

Edhe kur punët a jeta është pisk, edhe kur duam të ndajmë gëzim a hidhërim, edhe kur vidhet e vritet, edhe kur abozohet dhe keqtrajtohet,tashmë instikti ynë kolektiv funksionon normalisht. Mendja shkon direkt paralelisht te polici dhe gazetari, te ambulanca dhe gazetari,te prokurori dhe gazetari,te avokati i popullit dhe gazetari. Konturimi përfundimtar i kësaj mbrojtjeje ngushëlluese pse jo dhe shpresuese mbetet Top Channel. Ekrani dhe gazetarët e tij të cilët qysh në janarin e 2004 ka marrë tashmë patentën e Avokatit mbarëpopullor ku çdo kush pa droje flet dhe qan hallin.

-Alo, po mbytemi. Na ndihmoni!- vinin brengat dëshpëruese prej kanalit të Otrantos në valët e ekranit dhe një komb mbante frymën.

Fatmirësisht, ekrani dhe gazetarët e Top-it së bashku me disa emra të tjerë të përveçëm të industrisë mediatike kanë mbetur të pangjyer në çorbën që regjimi dhe mafia lokale po gatuajnë këtë dekadë. Gazetaria është bër pis në këtë vend, liria e shtypit ka kohë që e shtypur po pluskon e hallakatur mes lindjes dhe perëndimit, media kundërshtare po falimenton dhe profesioni i lajmësit po kriminalizohet duke i shërbyer halabakërisht oborrit.

Liria e medias në këtë vend ka zbritur llahtarshëm deri poshtë në vendin e 96 dhe indeksi i lirisë së vitit 2011 e tregoi më së miri muajin e shkuar.

Sot campusALBANIA rubrikën e fundjavës po ia kushton një race të re gazetarësh të cilët jo vetëm nga mosha por edhe nga mentaliteti,kurajoja,arsimimi,profesionalizmi po mbajnë gjallë një Shqipëri me shpresë të zbehtë por të pa mortosur, një Shqipëri që nga momenti në moment mund të bëhet shoqe me Bjellorusinë, Ukrainën, Turkmenistanin, Ugandën, Xhibutin dhe falë punës vetëmohuese të këtyre kolegëve gazetarë vendi ynë ka për të rimarë veten shumë shpejt.

 1.Anila Basha

-Je e pushuar nga puna si drejtoreshë e gazetës “sonë” se vjen me vonesë në punë!

Vetëm kaq iu komunikua zonjushës Basha nga pronarët e rinj të Gazetës Shqiptare dhe pa marrë parasysh kontributin dhe rizgjimin që i bëri gazetës u hodh në rrugë si shishet njëpërdorimshme të birrës Korça. Jam i sigurtë se edhe vetë pronarët e kanë menduar se ringritja e Anila Bashës nuk do të vononte. Pavarësisht acarimeve që Berishës dhe qeverisë së tij i sjell herë pas here kjo gazetare, nuk mundën as kësaj here ta mundnin përfundimisht. Kurajoze, e drejtpërdrejtë dhe menaxhere e shkëlqyer gazete, Anila Basha u rifut në tregun e çrregulluar të medias së Tiranës me titullin e ri Shqiptarja.com. Me botuese Alba Malltezin duket se drejtoresha e re e vjetër Basha ia di kleçkat tregut dhe shijeve të lexuesve. Një nga titujt e paktë opozitarë, gazeta e saj ka nisur mbarë rrugëtimin dhe pavarësisht rregullave të poshtra të vendosura nga Berlusconët lezhianë duket se u gozhduan frikshëm në shijet e lexuesve.

2.Muhamed Veliu

Shkolla britanike e gazetarisë që Sokol Balla solli në Shqipëri nuk mund të konturohet plotësisht pa profilin dhe kontributin e emrit të Muhamed Veliut. I kthyer nga Londra pas 12 vitesh, zoti Veliu mbetet një nga trendet e gazetarisë investigative të shkruar por dhe produktet e tij në televizion kanë vendosur tashmë standarte profesionale që katedrat e gazetarisë në mbarë vendin i kanë marrë si leksione të domsodoshme. Vullneti dhe korrektësia profesionale e ngërthyer me pasionin organik të Veliut e kanë bërë një nga gazetarët më të pakonkurueshëm për momentin. I vetmi gazetar shqiptar që ka më shumë kooproduksione gazetareske me kolegë të huaj për gazeta,revista,radio dhe televizione prestigjoze. Mbetet një nga pikat e rëndësishme referuese të medias ndërkombëtare për Shqipërinë e veçanërisht shtypi anglosakson prej Australie deri në Dublin e kanë pikën e tyre të dobët!

3.Arta Tozaj

De facto Republika e Shqipërisë ka dublim të postit ministror të integrimit. Rastësisht e fatkeqësisht në atë karrige janë ulur dy femra. Njëra e zgjedhur prej Doktorit ndërsa tjetra prej opinionit publik.Të dyja në fakt kanë lidhje me gazetrinë. E para kur ishte thatime dhe aspak fotozhenike lexonte lajmet e Vjollca Vokshit për TVSH-në e reckosur të para ’97. E dyta e nisi karrierën me Telenorbën,Top channel,Klan e sërish me Top-in. Me plot gojë po e quaj korespondenten më të kompletuar dhe më profesioniste që ka pasur ndonjëherë Kosova a Shqipëria në Bruksel. Emër dhe fytyrë e dashur për të gjithë komisionerët dhe zyrat e tyre të shqtypit, Arta Tozaj pa shumë ekuivoke i ka shërbyer informimit dhe integrimit në të mirë të vendit më shumë se Majlinda apo Kastriot pa parti i Sali Berishës. Norman John Powell, anatomisti i studimeve të opinionit publik do e kishte zili impaktin që zonja Tozaj çliron në mënyrë permanente mes nesh.

 4.Artan Hoxha

Gazetari ndryshe. Gazetari aspak bajate dhe e pështirë. Gazetari e guximshme, pa ngjyra pushtetesh, produksione televizive mjaft simpatike dhe tërheqëse e ndërthurur kjo me aventura të rrezikshme profesionale në Lazarat, Tropojë,Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”…

Vërtetë inspirues gazetari i vjetër i ri Artan Hoxha (jo ai Ruli i Gencit). Profesionalizmi i miksuar me guxim nuk ka pas tij diploma universitetesh gazetarie por pasioni, kreativiteti dhe puna e pa precedent të intrigojnë ta shohësh e ta ndjekësh sa herë shfaqet ekraneve historibërësi Artan Hoxha.

5.Ornela Islami

Fytyra ëngjëllore dhe feminiteti ekstra delikat i saj duket sikur shkojnë përshtashëm me profesionin që ka zgjedhur. E rikthyer nga Italia e kompletuar dyfish me pasion dhe ide për profesionin, Ornela Islami zbuti profesionalisht ekranin e gjigandit Top Channel me programet e saj të ëmbla “Shqipëria ime” dhe “Kinemaja ime”. Ndërthurja e turizmit vendas dhe magjia e artit të shtatë sollën për një audiencë të zgjedhur finesën dhe definicionin e lartë që produksine të tilla janë menduar për. Klima e egër dhe politika me futjen e hundëve që bën në politikat redaksionale nuk gjetën vend në mikrofonin dhe minutazhin e zonjushës Islami e cila i solli për herë të parë publikut personalitete si Giuseppe Tornatore,David Coverdale,Manu Chao. Me Ornela Islamin nuk kemi një kopje të shëmtuar të televizionit italian me gogla telebingoje por një gazetari relaksuese dhe të brishtë që na nevoitet.

6.Fatos Mahmutaj

I është dërguar një letër Ndreas që gardisti gardën në janarin e vjetshëm..Po u risjlell disa pasazhe:

“O Ndre Prendi, unë quhem Fatos Mahmutaj, dhe aktualisht jetoj në Bruksel. Po e marr mundimin të të shkruaj nga këtej, se mendoj që unë dhe ti, kemi një të përbashkët të madhe dhe disa më të vogla nga ai 21 janari i mallkuar, i vjetëm.

Që të mos hallaktemi or Ndre, po hyj në temë duke të sqaruar, se ajo e përbashkëta e madhe për neve, është fakti se të dy jemi viktima të 21 janarit. Mua ma futën me plumb duke qenë në krye të detyrës si gazetar e duke raportuar për publikun live, ty të gjuajtën me grushta e shkelma; unë përfundova me dorë të copëtuar, ti me sy të nxirë. Për dreq ata që na masakruan, ishin të së njëjtës skuadër. Gjithësesi or Ndre, se harrova të të them më sipër, ne kemi edhe disa të kundërta. Unë ende vazhdoj dhe gjithmonë do të mbetem i dashuruar me profesionin e gazetarit, me fjalën e lire. Ndërsa ti tani i çburrëruar pa armë e spaleta mbi supe pret të burgosesh si një vrasës. Unë i shafqem publikut në çdo ekran e gazetë, ti fshihesh e do të qëndrosh i fshehur gjithë jetën prej frikës së hakmarrjes.

7.Besard Likmeta

I diplomuar për filozofi në Amerikë, 28 vjeçari Likmeta qysh prej pesë vitesh është redaktor përgjegjës i gazetës on line www.balkaninsight.com. Një medium relativisht i ri por me tepër influencë në rajon i financuar kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe alternativa të tjera legale. Me kontribute informative nga çdo kryeqytet i peninsulës, Balkan Insight mbetet një nga zërat më të besueshëm dhe më të balancuar në mishmashin e titujve ballkanikë. Besart Likmeta pavarësisht se në vendin e tij është një profesionist i mirëfilltë gjysëm anonim, me komentet dhe analizat nga Shqipëria ka kohë që është kthyer në burim informimi tepër i besueshëm jo vetëm për Brukselin, Washingtonin,Romën apo Athinën por edhe i zyrave politikëbërëse të Tiranës.

8. Beti Njuma

E instutucionalizoi librin në Shqipëri. Industrinë e botimeve e rifuti në hartën e biznesit dhe të argëtimit. I rezervoi të dielës qoshkën e nevojshme të të lexuarit me miq autorë vendas e të huaj. Bëri që njerëzia të racionojnë tashmë veç parave për ushqime, veshje, argëtime edhe kuotën e detyruar të blerjes së mikut të shtrenjtë e të vjetër. Letargjinë 2 dekadëshe të zbehjes së kulturës së leximit e ktheu në radhën e parë të platesë dhe pavarësisht se “Vitrina e librave të zonjës Njuma” nuk ka një sponsor zyrtar mbetet programi televiziv që do të rezistojë më shumë se opinionet e zonave të lira apo zonat e lira të klaneve.

9.Marin Mema

Shqipëria tjetër e Marinit nuk është lyer e llangosur me ngjyra të tepërta. Atje gjen vendin dhe njerzit tek lëngojnë mes skamjes dhe mizerjes por zbulon edhe detaje interesante të historisë dhe trashëgimisë sonë të përbashkët. Veç kësaj zoti Mema shfaqet herë-herë me kronika televizive politike “të rrezikshme e të athëta” të cilat jo pak raste e kanë ekspozuar ndaj dhunës. I lindur dhe i ritur në një familje ku gazetaria është organikisht e detyruar të trashëgohet, formimi i tij akademik e ndihmon të etiketohet tashmë profesionist i vërtetë.

10.Esmeralda Mulaj

Thonë se një nga yjet e gazetarisë që shkëlqente korridoreve të TVSH-së së Tit Becit iu rëmbye në mënyrë të pdrejtë nga Bashkia e Tiranës.

Arsyeja? Përmirësim i imazhit dhe punës së zyrës së shtypit pranë këtij instutucioni.

Tani nuk ia vlen më të paguani taksën mujore të TVSH-së. Thyeni ekranet e televizorëve tuaj dhe vajtoni në vetvete këtë largim!

(c)campusALBANIA&TemA/2012

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...