Lugina e Preshevës kërkon autonomi politike

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi kërkon që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të zgjidhet në koherencë me atë të serbëve të veriut, dhe për këtë çështje ai kërkon ndihmën edhe të Prishtinës por edhe të Tiranës.  Në një intervistë për gazetën “Zëri”, Kamberi theksoi se shqiptarët në Luginën e Preshevës janë kundër ndryshimit të kufijve.
“Ne e kemi të qartë qëndrimin tonë. Deklaratën politike të fundit që e aprovuam, por që buron nga platforma politike e vitit 2006, qëndrimi ynë është shprehur qartë, ne nuk jemi për ndryshim të kufijve, ne respektojmë parimet apo Planin e presidentit Ahtisari, ne respektojmë qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare, se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, por deri në masën kur bashkësia ndërkombëtare nuk ndërron qëndrim në aspekt të respektimit të integritetit territorial të Kosovës. Po nëse i krijohen rrethana të tilla dhe serbëve të veriut do t`iu lejohet kjo mundësi, ne me automatizëm do të kërkojmë që e njëjta mundësi të jetë e aplikueshme edhe në Luginë të Preshevës” theksoi Kamberi.
Kamberi gjithashtu ka theksuar se nëse ndërmjet shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe serbëve në veri të Kosovës, krijohen standarde të dyfishta, konfliktet dhe trazirat në Ballkan nuk do të përfundojnë kurrë.

“Pra, nëse aplikohen standardet e dyfishta, atëherë kjo do të jetë një burim i vazhdueshëm i konflikteve në këtë zonë të Ballkanit Perëndimor. Ne mendojmë se vlerat e caktuara të Planit të presidentit Ahtisari të cilat paraqesin standarde më të larta se ato që i ka Këshilli i Evropës, sa u përket të drejtave të komuniteteve, duhet të jenë të respektueshme edhe në Luginën e Preshevës”, thotë Kamberi.
Kryetari i Bujanocit dhe ish-anëtari i grupit negociator gjatë konfliktit në Luginë e ndien veten të izoluar nga marrëveshjet e bisedimeve Kosovë-Serbi. Ai thotë se janë shqiptarët e Luginës ata që po e paguajnë “haraçin” e negociatave të Brukselit. Sipas Kamberit, është edhe Qeveria e Kosovës ajo që po i kontribuuan këtij izolimi, sepse me një vendim të veçantë ajo mund t`i heqë tarifat doganore.
Prefekti i Bujanocit gjithashtu i konsideron të panevojshme dhe provokuese zgjedhjet e serbëve në Kosovë, ndërsa e konsideron rrezik permanent që në zgjedhjet lokale shqiptarët të humbasin komunën e Bujanocit.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *