10 EKSTRAVAGANCAT e Tiranës për vitin 2012

Nga Bledi Mane

facebook.com/bledi.mane

 

Nëse ka ndonjë kryeqytet në kontinent, indiferent dhe energjik njëkohësisht, është dhe mbetet vetëm Tirana. Metropoli ku pleksen pa rregulla orientalizmi me aksidentin, puna me korrupsionin, intrigat me ndershmërinë, luksi me lypjen vetëm Tirana mbetet. Kryeqyteti, i cili pavarësisht se kriza ekonomike avancon apo nëse bursat e planetit mbyllen me bilance negative, vazhdon të pijë kafen rehat pa siklet nga blloku. Rritet a ulet çmimi i naftës, Tirana nuk e prish terezinë, por të tregohem i sinqertë ky qytet ka diçka magjike që të pështjellon të tërin. Banorët e Tiranës nga kudo ardhur kanë një vitalitet dhe ego mes veti, e cila i ndërsen të bëjnë poshtërsia a mrekullia pa pyetur për kosto financiare a kosto jete. Tirana është vendi i njerëzve që pëlqejnë të rrezikojnë e përderisa do të kemi mungesën e një menaxheri të mirë do të mbijetojmë të gjithë mes mishmashit, ndotjes, qejfeve, borxheve, kurvllëkut, punës…

Ndaj për të dytin vit radhazi nuk po nguroj që së bashku me kolegë të mi gazetarë të rinj të klubit social ‘campus ALBANIA’ tu sjell ekstravagancat e 2012-s. Kemi qëmtuar me kujdes qytetin, fenomenet, njerëzit, tendencat dhe së bashku edhe me sugjerimet e qindra lexuesve përzgjodhëm ekstravagancat më pikante të Tiranës, qytetit që kur largoheni prej tij ia ndjeni mungesën, zhurmën, aromat, njerëzit.

 

 

1.Rruga “Asim Zeneli”

Nga të paktat rrugica që kryeqytetit i kanë mbetur pa u tjetërsuar. Lidh rrugën “Lek Dukagjini” para televizionit publik me rrugën e Elbasanit. E planifikuar dhe ndërtuar gjatë mbretërimit të Zogut me vila dhe kopshte tipike, gjatë monizmit u shpronësua duke u vendosur në të banorë të rinj, anëtarë nomenklature. Deri në fund të viteve ’90 mbeti një xhep i harruar i rrënuar. Pas ekspansionit të bizneseve dhe ndërtimeve në Tiranë kjo rrugë si me magji u konvertua në vendin ku sot janë disa nga restorantet dhe baret më të qeta e më të shtrenjta. Nuk janë bërë ndërtime sharlatanë të ngucura me përjashtim të selisë së ambasadës holandeze, një vilë e re katër katëshe e përshtatur më së miri me arkitekturën e vet rrugës. Parkimi i automjeteve gjatë gjithë ditës mbetet shqetësim, por një shëtitje më këmbë në të gjatë orëve të mbrëmjes është vërtetë befasuese.

 

2.Revista Anabel

Dalina Buzin vetëm njëherë nga afër e kam parë në redaksinë e gazetës Korrieri. Herën e dytë tek fliste në një debat televiziv për modën por kurrsesi nuk bëja dot lidhjen. Si specialist dhe vëzhgues i medias që pretendoj se jam, nuk më shkonte ndër mendje sesi një vajzë “e vogël” si Dalina do të prodhonte një nga revistat më fantastike që ka tregu i mbytur vendas. Anabel mbetet një nga revistat ku punohet me përkushtim dhe dashuri profesionale. Me kopertina mahnitëse, faqosje, foto dhe ngjyra plot jetë ky botim mbush boshllëqet shqiptare të prestigjiozeve Vogue, Elle, Vanity Fair dhe ka bërë që femrat shqiptare ta korporojnë leximin me modën dhe vice-versa. Revista Anabel është një botim mujor kualitativ, kushton 300 lekë dhe konceptohet në atë mënyrë që leximin e saj ta keni të në mënyrë permanente të detyrueshme pas leximit të parë natyrisht.

 

3.Campusi universitar “Marin Barleti”

E keni vënë re një lloj manie dallkauke që kemi ndoshta prej boshllëqeve që trashëgojmë?

Kafen e duam ta pimë në qendër ku të na shikojnë të gjithë, butikun ku blejmë brekët në qendër e duam bashkë me shtëpinë dhe supermarketin. Në qendër dalim edhe me makinë e më këmbë ose kur shkojmë refugjat andej nga Omonia e Athinës, Picadilly i Londrës dhe Times Square i New York-t vërdallosemi. Edhe kur fillojmë studimet, mundësisht universitetin e duam sa më në qendër. Nuk ka rëndësi se ngelemi në klasë, thjesht duhet të dukemi që jemi studentë. I nxjerrim jashtë loje legjendarët, universitetet e Bolonjës, Oxfordit, Sorbonës, Harvardit me ambientet e tyre në periferi të qeta e plot energji të rinjsh, me parqet dhe fakultetet ku nxihet dije e prodhohet shkencë e civilizim. Në Tiranën e 54 universiteteve publike e private ku në çdo lagje e minibashki do të gjeni ndonjë nga këto universitetet 2 dhoma e 1 kuzhinë keni rastin të studioni e relaksoheni në një oaz të paqtë e të gjelbëruar. Universiteti “Marin Barleti”, një nga 10 universitetet më të mira të vendit (http://www.gazetatema.net/web/2011/09/17/10-universitetet-me-cilesore-te-shqiperise/) ndodhet në afërsi të kodrave të liqenit me kampusin e tij simpatik. Godinat e fakulteteve, biblioteka, kantina e studentëve, ambientet e jashtme plot pastërti e gjelbërim së bashku me sigurinë 24 orëshe e kanë kthyer këtë kampus universitar në ishullin e vetëm ku prodhohet dije e mirëfilltë dhe ku biznesi i arsimimit të gjeneratave të reja është marrë seriozisht.

 

4.Dyshimet e Frangajt ndaj Familjes Berisha

E pabesueshme, por e vërtetë. Aleksandër Frangaj dhe miku i tij Samir Mane, janë në makth për të ardhmen e raporteve të tyre me Familjen Berisha. Rivali i tyre i heshtur, Bashkim Ulaj, përveçse është shumë para se ata në investime dhe të ardhura, ka nisur ndërtimin e një rrjeti luksoz televiziv përmes internetit. Ai ka rekrutuar deri tani punonjësit më të mirë të Top Channel-it dhe po vazhdojnë aplikimet. Të gjithë u çuditën kur Berisha dhe Olldashi i dhanë atij jo vetëm monopolin e rrjetit të internetit në Shqipëri, por dhe projektin e dytë qeveritar për këtë. Pas atij biznesi fshiheshin planet për një superfuqi të re televizive. Kjo e ka futur në panik Frangajn dhe po kërkon të zhbirojë deri kur mund ta mbaj “besën” me Familjen, e cila e ka prerë në besë! Herë- herë duket se e kanë lëshuar nervat, aq më tepër kur mendon që Olldashi mund të jetë dhe aksioner aty.

 

5.Ditëlindja e Lori Hoxhës & Lamborghini LP 560-4 dhuratë

Kafenë e njohim të gjithë. E rrufisim çdo mëngjes dhe besoj të gjithë keni fiksuar imazhin e vajzës elegante flokëgjatë stampuar prej vitesh kudo. Kafeja quhet Lori, porsi vajza e madhe e të ndjerit Dritan Hoxha. Perandori i pavdekshëm i medias, informimit dhe argëtimit “new age” “made in Albania” la pas veprat e tij të pakonkurrueshme, por edhe fëmijët. Vajza e madhe me emrin e ëmbël porsi kafeja Lori para pak kohësh mbushi 18 vjeç dhe nëna e saj Vjollca Hoxha në respekt të moshës legale që kapërceu e bija i dhuroi një birthday party fantastik në ambientet e bar restorant “Diesel” në kryeqytet. Mes miqsh,të ftuar të famshëm, dj të njohur dhe pije e argëtim pa fund u festua deri në orët e mëngjesit e ku fatura e festës shkoi deri në 23 milionë lekë. Surprizat nuk mbaruan këtu për zonjushën Hoxha. Në fund nëna e saj i dhuroi çelësat e një makine të re të bardhë Lamborghini LP 560-4 Spyder, çmimi i së cilës është thjesht 225 mijë e 100 euro.

 

6.Besnikëria e gazetares Esmeralda ndaj Lulëzim Bashes

Ndoshta gabohem, por këta qeverisësit e djathtë i akuzon për çfarë të duash e nuk gabon lehtë. Thuaju vrasës e mes tyre ka të tillë, të korruptuar me bollëk, injorantë me kilogramë, servilë me kuintalë, lapangjozë pa fund. Imoralë e qejflinj nuk para ka, jo sepse shumica janë të shëmtuar deri në rrobat e trupit, por i janë përkushtuar pasurimit të shpejtë e ndoshta kur do të jenë në opozitë do harxhojnë me kurva paratë që ua ofroi pushteti. Por mbi të gjitha këta shquhen për fakti që prodhojnë gazetarë besnikë. Për shembull kur themi Berisha kemi parasysh Fevziu, kur themi Topalli kemi parasysh Elona Meço në Top Channel, kur themi Blushi kemi parasysh Henri Çili, dhe kur themi Lulëzim Basha kemi parasysh Esmeraldën. Lul Basha u njoh me të gjatë kohës kur si ministër i punëve botore vriste mendjen sesi duhej ndërtuar e vjedhur Rruga e Kombit. Më pas falë udhëtimeve të shpeshta të ministrit të Jashtëm, gazetarja e shoqëronte nëpër shërbimet diplomatike. Gjithmonë televizioni publik dërgonte të njëjtën gazetare me shërbim jashtë vendit, e cila me kameramanë të ndryshëm ndiqte nga pas, majtas e djathtas kryediplomatin e Berishës. Miqësia u forcua edhe më kur pas mandatit të vjedhur të kryebashkiakut, Lulëzim Basha i vodhi televizionit shqiptar edhe gazetaren Esmeraldë, e cila tashmë braktisi lajmet e rreckosura të partisë e punon në zyrën e shtypit të bashkisë së Tiranës. Një besnikëri për tu pasur zili.

 

7.Gjergj Ndreca me zemër burri

Sërish po ua risjell çka kam shkruar për të guximshmin, të vuajturin, babaxhanin dhe burrin e vërtetë.

“Gjergj Ndreca ish i dënuari politik i mbetur rrugëve pa rrugëdalje në gjithë këtë zallamahi kombëtare, brenda dy ditësh përfundoi sërish në birucën numër dy të rajonit policor numër një sepse dhunoi për herë të dytë një qytetar.

Në fakt agresori Ndreca nuk i zgjedh dosido viktimat e tij, por pasi ua ka studiuar mirë e mirë biografitë, ua gjen një arsye të fortë para se tu gjuajë me shpulla e grushta.

I pari ishte politikani i karrierës së PD-së Ilir Rusmali ndërsa i dyti ish hetuesi tashmë avokati Agim Tirana.

Arsyet e atakimeve kanë qenë tepër të forta dhe sipas shpjegimeve të të arrestuarit, lidhen përgjithësisht me revanshin dhe hakmarrjen e akumuluar të vuajtjeve ndër dekada të Gjergj Ndrecës.

Ndërkohë sot dy miqtë e Ndrecës dëshmuan për gazetën e përditshme “Shekulli” se “Agim Tirana ka qenë ish-hetues në kohën kur Gjergji është dënuar për agjitacion e propagandë dhe ai u ka rrëfyer se  zoti Tirana e ka djegur me cigare në fytyrë gjatë hetimeve në periudhën e komunizmit”…

Shumë paska duruar shqiptari Ndreca. Më shumë se 30 vjet e ja ku shpërtheu tani. I dhunuar, i përçudnuar, i djegur, i përvëluar, pa bukë e pa liri priti si tigri i egërsuar prehën e tij. Nuk mund të priste më gjatë sepse djegiet me cigare në fytyrë ende i përcëllojnë por më tepër i përvëlon çburrërimi dhe poshtërimi.”

Tmerri i pushtetarëve të sotëm, Gjergj Ndreca po shkund me grushtat e tij Tiranën e drobitur, të dremitur.

 

8.Suita Presidenciale Sheraton/Albania

Dhoma më e shtrenjtë e ndonjë hoteli në Shqipëri mbetet edhe për këtë vit Suita presidenciale në hotelin Sheraton. Me pamje fantastike të dyfishta nga stadiumi “Qemal Stafa” dhe kodrat e liqenit artificial,me lehtësira dhe luks paksa të ekzagjeruar nuk i mungojnë as vaskat dhe jacuzzit, as shërbimi ekselent 24 orësh, bari dhe kuzhina në dispozicion, salla e forcës e madje masazhatoret filipinase. Suita ka një sipërfaqe 230 metra katrorë dhe çmimi për një natë shkon 2180 euro.

 

9.Sex në Big Brother

Erdhi momenti i duhur. Konkurrenca e fortë televizive mes telenovelash orientale turke dhe telenovelash origjinale shqiptare patjetër që reflektohet edhe në ulje-ngritje audience. Edicioni i pestë i Big Brother Albania kurrë nuk kishte konkurrencë më të fortë shikueshmërie se kësaj here ndaj si me porosi edhe vetë banorët duket se nuk mjaftohen me debate bajate e pa vlerë. Shikuesit kanë nevojë për “action” dhe duket sikur dëshirat po përmbushen. Puthjet tashmë janë diçka e rëndomtë dhe vetëm seksi mund të shihet si risi. Banorët kanë filluar të mos i rezistojnë dot tundimit dhe marrëdhëniet e tyre seksuale me shoqet e shokët e njohur brenda tashmë po bëjnë që ti qepet goja edhe kësaj shoqërisë sonë gjasme konservatore, e cila moralin e ka thjesht sa për fasadë, thjesht për të ekremizuar e spahizuar poshtërsitë dhe krimin.

 

10.Futboll qeverie

Në fakt nuk është ekstravagancë. Megjithëse futbolli i kthyer në biznes mbetet sporti më argëtues dhe drithërues në botë, në Shqipëri politizohet dhe deformohet nga politika jonë pa lidhje me futbollin. Tirana këtë vit prezantohet me një ekip të fortë e pretendent, e cila me një trajner kalibri si ish futbollisti i Barcelonës Sanchez, përsëri është programuar të mos shpallet kampione. Kalkulimet e federatës me qeverinë dhe biznesin shpallin Skënderbeun kampion dhe Tiranën fituese të Kupës së Republikës. Mirë dhe kaq. Fatmirësisht kryebashkiak Tirana ka Lulin e doktorit se përndryshe do e shikonit ekipin e Sanchezit ku do të përfundonte… Pyesni Shpëtim Gjikën e Vlorës se ka goxha eksperienca me kampionate të tilla.

(c)campusALBANIA&TemA

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...