Reciprociteti i Editës e Borkos – burgosjet

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Adriatik Kelmendi

PA ASNJË DYSHIM se përmasat tash i ka tragjike, ndonëse gjithçka luhet sipas skenarit të një komedie, komedie të zezë.

Më në fund ka një fushë ku po ushtrohet reciprocitet i plotë në raportin Prishtinë – Beograd. Mirëpo, kjo nuk gjendet në asnjë nga “marrëveshjet”/konkluzionet që i kanë arritur në prani të Robert “z.Kravata” Cooperit në Bruksel Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq. I vetmi reciprocitet që po zbatohet pas një vit negociatash të mundimshme është ai në fushën e burgosjeve.

Beogradi ka filluar fushatë të pastër hakmarrjeje ndaj arrestimeve që ka bërë Policia e Kosovës të individëve nga strukturat paralele të Serbisë javëve të fundit. Dhe si për të mos lënë dyshime se një konstatim i këtillë dikujt mund t’i tingëllojë si një hiperbolizim, është kujdesur shpejtë vetë nxënësi më i mirë i kasapit të Ballkanit, Milosheviq, sot zv.kryeministër dhe ministër i Brendshëm në qeverinë “demokratike” të Serbisë. Ivica Daçiq ka dhënë një konferencë shtypi të mërkurën në Beograd për t’ua bërë me dije të gjithë atyre që ndoshta edhe kanë pasur ndonjë fije dyshimi, se megjithatë ai dhe qeveria e tij mund të aplikojnë politikat e “kohëve të shkuara e të mira”, kur Slobo për një polic serb të vrarë ka ditur të bombardojë ose të masakrojë deri edhe një katund të tërë.

“Ta kuptojë mirë Prishtina se çka do të thonë masat e vërteta të reciprocitetit”, ka kërcënuar hapur Daçiq, teksa ka përmendur dy shqiptarët e fundit të arrestuar nga policia serbe.

E vetëm një ditë më herët, shefi i tij i ri, Tadiq, në Lisbonë mori çmimin Veri – Jug të Këshillit të Evropës për përkushtim në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe solidaritetit në botë (sic!).

NJË MIK IMI avokat po më tregonte se nëpër çfarë peripecish kishte kaluar në fillim të kësaj jave në Serbi, teksa kishte shkuar për t’u interesuar për fatin e një nga katër të burgosurit shqiptarë atje brenda ditëve të fundit.

Ndonëse kishte marrë leje nga kryetari i Gjykatës për ta vizituar klientin për të cilin e kishte angazhuar familja, kjo nuk i ishte mundësuar në asnjë mënyrë.

Njëherë policët e kishin kontrolluar detajisht, duke e detyruar edhe të zhvishet për “shkaqe sigurie”. Pastaj i kishin thënë që të presë 10 minuta, më vonë një orë e sërish edhe një orë tjetër. Duke parë se po bënin lojëra, avokati kishte shkuar edhe një herë të kryetari i Gjykatës për t’u ankuar dhe pas një telefonate me autoritetet e burgut, ai i ishte përgjigjur se tash gjithçka ishte në rregull. Por, në godinën e burgut ishte përsëritur e njëjta. Pasi që i ishin dhënë disa orare të ndryshme se kur do të lejohej ta vizitonte të burgosurin, atij përfundimisht i ishte thënë se nuk kishte shanse që bënte një gjë të tillë. Preteksti: zv.ministri i Brendshëm serb kishte thënë se çështja e vizitave të avokatëve nga Kosova dhe Serbia anasjelltas duhet të qartësohet ndërkohë në kuadër të marrëveshjes për përfaqësim rajonal!

Mirëpo, njëjtë nuk i kishte ndodhur asnjëherë avokatit tjetër nga Kosova, por me etni serbe.

Reciprocitet, de! I Serbisë që është aq demokratike saqë ka fituar statusin e kandidatit për në Bashkim Evropian!

A KA NDONJË shqiptar trim nga Kosova tash që e bën zemrën gur dhe merr udhën nëpër Serbi? Edita dhe Borko, Thaçi e Tadiqi, bashkë me Cooper para ca muajsh na kishin thënë se Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshje për qarkullim të lirë për herë të parë pas përfundimit të luftës.

A është ky ai qarkullim i lirë që po e shohim?

A është ky suksesi i dialogut në Bruksel?

A është kjo Serbia evropiane?

A është kjo Qeveria Thaçi që e ka bindur Serbinë ta njohë Kosovën?

A është kjo ajo çka ka ndërmjetësuar, ndihmuar, lehtësuar, organizuar, siguruar, garantuar (…vazhdoni vetë!) “z. Kravata”?

Serbia dhe Kosova sot ndoshta janë më se paku të kuptuara nga vitet e fundit të pasluftës.

Mirëpo, Serbia falë Kosovës është kandidate për BE. Kurse, Kosova ia ka dalë që, falë Serbisë, edhe pavarësinë e saj të shpallur ta zyrtarizojë si të hapur për interpretim, varet si e do kush, si shtet ose jo. Natyrisht, pa paragjykime.

GJITHSESI, TASH I mbetet “z. Kravata” që ta caktojë edhe një pikë në agjendën e bisedimeve Kosovë – Serbi, që pritet të vazhdojnë në Bruksel, por jo pa u kryer zgjedhjet në Serbi, se s’bën. Kjo pikë do të mund të ishte shumë e rëndësishme për përmirësimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë – këmbimi i pengjeve. Robërve të pasluftës. Pasi që kështu po shihen në Beograd të arrestuarit serbë ne Kosovë dhe ata shqiptarë në Serbi. E në Kosovë s’po bën kush zë.

Bile, as zonja Tahiri, e as zotëri Thaçi.

A po pajtohen edhe në këtë pikë të negociatave?

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *