Unë nuk e kam friend në Facebook vrasësin!

Nga Mero Baze

Unë humba një orë duke u hedhur një sy gjithë fansave të mi në Facebook. Kontrollova së pari mos e kisha friends Viktor Gushin. Për fat nuk e kisha, por pashë që kolegia ime, Ilva Tare, dhe emisioni i Rudina Magjistarit tek TV Klani, ishin të përzgjedhurat e tij. Zoti i paska ruajtur se ndoshta mund të ishte dhe gjahu i radhës për të. I njëjti tip kishte përzgjedhur të bënte like dhe Edi Ramën, gjë që i dha shansin TV Klanit të shpallte vrasësin thuajse njeri të paguar nga Edi Rama. Në origjinë ishte pakicë kombëtare arumune, biles fliste dhe gjuhën e vllehve, por për fat kjo nuk u përdor negativisht.

Të premten mbasdite, televizionet e pushtetit në fillim, dhe më pas të gjithë, shfaqnin një vrasës të arrestuar, i cili filmohej me celular njësoj si Gadafi disa minuta para vrasjes. Ishte Viktor Gushi, një njeri që për 5 minuta para kamerave të policisë, të cilat ishin të shumta, pranoi rreth 16 krime të kryera qetësisht prej vitit 2005, kur policia e paska hequr nga skedari si e dyshuar, pasi inspektorët që e kishin ndaluar për herë të fundit ishin pushuar nga puna.

Po çfarë dëshmon bashkëjetesa jonë kaq e gjatë me një vrasës serial, produkt i një shoqërie të pashpresë si shoqëria jonë?

Nëse i referohemi identikitit të tij social, ai është një i papunë klasik, që rend pas lojërave të fatit, të cilat kanë futur në traumë mijëra të rinj shqiptarë, që nuk ka perspektivë për punë dhe biznes, dhe që ka fituar siguri se këtu krimi nuk ndëshkohet. Rrëfimet e tij para policëve që e pyesnin si në një konferencë për shtyp, tregojnë qartë se ne bashkëjetojmë në shoqëri me mijëra njerëz që kanë probleme të ngjashme, por do Zoti të mos kenë fiksime të ngjashme si ky vrasës. Në këtë aspekt jemi të gjithë të rrezikuar.

Por përtej krimeve të tij monstruoze, Viktor Gushi denoncoi para nesh profilin e një shteti, të cilin pushteti politik e ka deformuar dhe e ka bërë një vend të botës së tretë.

Së pari, Viktor Gushi na tregoi se këto 7 vjet mund të blesh lirshëm armë në Tiranë. Ai tregoi dy raste kur kish blerë armë me vlerë afërsisht 600 dollarë dhe 250 dollarë, dhe kishte kryer krime me to.

Së dyti, na tregoi se për 7 vite policia nuk ka mundur të zbulojë dot një vrasës dhe keqbërës që i kryente krimet ditën me diell, biles duke shkuar në disa raste disa herë në të njëjtin vend krimi.

Së treti, na tregoi se procedura e hetimit ndaj këtij krimineli ishte aq e rrëmujshme në momentin e arrestimit, sa ai mund t’i mohojë ato të gjitha një ditë më vonë dhe të fusë në krizë gjykimin e tij.

Së katërti, na tregon se lojërat e fatit, të cilat janë biznesi që po lulëzon më shumë nën pushtetin e Berishës, janë një nga traumat e mëdha që po çojnë njerëzit drejt vetëshkatërrimit.

Së pesti, na tregon se karvani i policëve që filmonin kush me iPhone e kush me celularë, ndërkohë që ai nuk dinte kujt t’i përgjigjej më parë, po i japin Shqipërisë fytyrën e Libisë dhe vendeve të botës së tretë që kulturën e dhunës e kanë në gjak dhe para një të arrestuari.

Së gjashti, na tregon se kultura e shfaqjes së kriminelit të kapur në TV-të e pushtetit është ilustrim që pushteti ka administruar gjithë detajet e keqpërdorimit banal të hetimit popullor të këtij vrasësi.

Së shtati, na tregon se nuk kemi një kulturë tonën të shmangies nga ekrani të një rrëfimi kanibalesk, i cili mund të shokojë të afërmit e viktimave. Televizioni Al Jazeera nuk pranoi të transmetonte videon e ofruar disa ditë në parë për vrasjen e kriminelit francez Merah vetëm për shkak të respektit ndaj publikut.

Së teti, na tregon se pushteti në këto momente nuk është duke u lutur për shpirtrat e viktimave, që kanë humbur prej këtij vrasësi, por për ta përdorur arrestimin diletant të tij si një fitore politike, duke ua bërë atyre dhe më të dhimbshme humbjen e të afërmve të tyre.

Së fundmi, prania e tij mes nesh na tregon se ne bashkëkombasit e tij, dhe njëkohësisht viktimat e tij, e kemi ndihmuar atë përditë të bëjë atë që ka bërë. E kemi ndihmuar kur kemi hequr policët profesionistë nga puna dhe i kemi zëvendësuar me amatorë që ngazëllehen kur janë para një të arrestuari, e kemi ndihmuar duke e lënë rrugëve pa perspektivë për të jetuar dhe të zhytur në llumin e lojërave të fatit, të cilat lulëzojnë nën pushtetin e Familjes, e kemi ndihmuar duke humbur kontrollin mbi krimin dhe territorin ku shiten armët si të ishin fruta- perime, por mbi të gjitha e kemi ndihmuar kur e shfaqëm ashtu gjakftohtë dhe serbes para kamerave amatore të policisë, duke e bërë atë një mit për krimin e rrugës. Mbi të gjitha e kemi ndihmuar të gjejë dhe një alibi për të shpëtuar nga gjykimi. Të thotë që në Facebook adhuronte Edi Ramën. Atëherë qeveria është gati të harrojë që është një vrasës.  Shikoni TV Klanin nëse nuk e besoni dhe do ta kuptoni se për pushtetin e Berishës tashmë ka rëndësi kë ka përzgjedhur vrasësi në Facebook dhe jo kë ka përzgjedhur në rrugë për ta vrarë. Unë nuk e kam friends, pasi as 1 për qind të rreth 5 mijë friends-ave nuk njoh, por po qe se do ta kisha, faji i tij do zbutej edhe më. Se për këtë pushtet krimineli më madh është krimi i të bërit opozitë dhe jo vrasësit në rrugë. Ndaj dhe ata janë shtuar aq shumë.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...