15 vjet të KOHËS: Liria dhe shtypi

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Agron Bajrami

Një njeri i madh kishte thënë një herë e një kohë – më shumë se një qind vjet më parë – se ai që do të bëjë gazetë ndër shqiptarët duhet ta dijë se, si do që ta bëjë, do të përballet me kritika e të shara!

Në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; – kishte thënë ai – në e bëfsh me fleta të vogla, do të thonë se s’është gazetë, por libër.

Nëse e shtyp gazetën me shkronja të vogla, do të thonë se nuk lexohet se ti prish sytë, e nëse e shtyp me shkronja të mëdha, do thonë se don vetëm të mbushësh vend!

Nëse nuk shkruan për politikë, do të thonë se nuk është koha për gjëra të kota kur vendi ndodhet në rrezik! E nëse shkruan për politikë, do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë!

Nëse nuk gjen të holla për të mbajtur gazetën, do të thonë se nuk je i zoti, e nëse i gjen të hollat do të të quajnë intrigant a i shitur.

Nëse flet për çlirimin e plotë të Shqipërisë, do të të quajnë djall sepse kërkon gjëra që nuk bëhen, po nëse flet se duhet shpëtuar gjuhën dhe kombin nën hijen e një Fuqie të Madhe, do të thonë se nuk je shqiptar i vërtetë!

“Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që ta pushosh gazetën“.

Kishte shkruar kështu njeriu i madh, Faik Konica, më 1901, në gazetën Albania, në atë që njihet si letër këshillë për një gazetar të ri!

„Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, atëherë do të hidhërohen të gjithë“, kishte thënë Konica 111 vite më parë!

 

***

 

Shumë të kohës tingëllojnë këto këshilla të Konicës edhe sot. Kështu tingëllonin edhe më 31 mars 1997, kur nga e përjavshmja “Koha” e nisëm të përditshmen KOHA Ditore!

Sot, 15 vjet më vonë, kur e shënojmë këtë – të them ashtu – jubile të vogël tonin, puna e të bërit të gazetës mbetet sfidë për ata që e duan shtypin e lirë!

Një shtyp që është në shërbim të shoqërisë dhe vendit, por jo edhe të pushtetit! Një shtyp që e di se puna e gazetarisë së mirë nënkupton përballje me të mëdhenjtë që e shohin veten mbi ligjin dhe rendin!

Kështu ka qenë në kohën e Konicës, kështu është sot dhe kështu do të jetë gjithmonë!

 

***

 

Ne gazetarët, kemi shumë dëshirë të citojmë. Nuk është mister – është deformim profesional: Puna jonë e përditshme është, në masën më të madhe, të tregojmë se çka ka thënë dikush tjetër!

Dhe një prej citateve për vetë gazetarët që më duket i përshtatshëm sot është thënia anonime se „gazetaria është drafti i parë i historisë“. Apo, sipas një thënieje tjetër, gazeta i jep lexuesit të saj mundësinë të jetë dëshmitarë i historisë.

Sot, kur kthej kokën për të parë 15 vjetët e kaluar të KOHËS Ditore, vërtet kam ndjenjën e një historie të gjatë. Më vijnë si të ishin 150 vjet përvojë! Apo edhe më shumë!

Sa shumë gjëra kanë ngjarë, të mira e të këqija, të trishtueshme e të hareshme. Të gjitha të shënuara, në një mënyrë apo tjetër, në kronikat e KOHËS Ditore.

Dhe, duke kthyer kokën për të parë 15 vjetët e kaluar, shoh jo vetëm gazetën! Shoh njerëzit që e bënë këtë gazetë të jetë kështu si është, kolegët e dikurshëm dhe të tanishëm.

Gazetarë. Redaktorë. Fotografë. Lektorë. Daktilografë. Kolumnistë. Kompjuteristë. Drejtorë. Inxhinierë. Telefonistë. Shoferë. Distributorë. Makinistë në shtypshkronjë e punonjës administrate…

Dhe, para të gjithëve, shoh lexues! Një armatë të tërë. Njerëz që për 15 vjet, çdo mëngjes, e kanë marrë këtë gazetë. Njerëz që na shkruajnë letra përkrahjeje kur na sulmojnë, dhe letra kritike kur gabojmë. Njerëz që më ka ndodhur të më ndalnin në rrugë për të më dhënë këshillën se çka i mungon gazetës. Apo për të më treguar se fjalëkryqin e kemi pasur me gabime ditën e shtunë!

Madje edhe familjarët tanë, që, duke lexuar gazetën, të gjejnë gabimet teknike, apo edhe logjike, që ndodhin, apo të kërkojnë përmbajtje të preferuar: “Babi, Qysh nuk është sot lajmi për Messin – po i ka dhënë mbrëmë tre gola?!“

Apo të të shprehin mendimin për ridizajnimin e gazetës që, dikujt i pëlqen shumë, e dikush e ka më të zorshëm adaptimin me të.

Këta janë fuqia jonë të cilën nuk po mund ta mposhtë askush! Janë njerëz që e lexuan këtë gazetë edhe në kohë të pushtimit. Edhe në kampe refugjatësh. Edhe në ekzil. Edhe në kohën e kaosit të pasluftës. Edhe në kohën e rindërtimit. Edhe në kohën e shtetëzimit. Edhe sot, kur ëndrrat kanë nisur të zbehen, dhe frika nga zhgënjimi me shtetin po bëhet çdo ditë e më e madhe.

Njerëz që e kuptojnë, në një mënyrë apo tjetër, se një shtet dhe një popull nuk mund të jenë të lirë, pa një shtyp të lirë. Pa një gazetë që e kanë të veten. Të cilës mund t’i besojnë!

Njerëz që e dinë për të vërtetë atë që e ka thënë, para më shumë se 200 vjetësh, presidenti Thomas Jefferson: liria jonë varet nga liria e shtypit, dhe ajo nuk mund të kufizohet pa u humbur.

Këta njerëz dhe ky besim e bëjnë këtë punë të vlefshme. E bëjnë këtë gazetë të mbetet kështu si është.

Dhe për këtë, i falënderoj të gjithë!

 

(Fjala e mbajtur ne ceremoninë e 15-vjetorit të KOHËS Ditore)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “15 vjet të KOHËS: Liria dhe shtypi”

  1. Sot mbushen plot 21 vjet nga vrasjet makaber te 2 prillit 1991 ne Shkoder.
    Nder e lavdi heronjve te 2 prillit! U qofte i lehte dheu i Shkoderloces!
    Drite u paste shpirti heronjve te 2 prillit!
    U vrane me arme serbe!
    U vrane me plumba serbe!
    Vrasja e tyre u urdherua e u pagua nga mercenare shqipfoles te Beogradit qe synonin ta fusnin Shqiperine e raskapitur e drobitur nga katrahura komuniste ne nje kasaphane e gjakderdhje.
    Pse…. Vetem qe te ngrinin karriken e tyre, poltronat e tyre neokomuniste mbi shkulmet e gjakut te paster e te dlire shqiptar te Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Bishanakut dhe Besnik Cekes e dhjetra te tjereve.
    A nuk jane po ata mercenare te Beogradit qe e deklaruan ashiqare para shqiptareve ne janar te vitit te kaluar se jo kater e katerdhjete por edhe mijera do te vriteshin prej tyre per te mbrojtur karriken e poltronat e tyre te ngritura mbi gjak.
    A nuk e pat thene vete babai i tyre Lenini se pushteti eshte me veshtire te mbrohet se te ftohet!
    E kush eshte vrasesi!?
    … Jo dorasi! Urdheruesi!
    … Jo Ekzekutori! Kryekzekutori!?
    Vrasesi i 4 heronjve te Shkodres eshte vrasesi i Remzi Hoxhes, qe i zhduken edhe kufomen…
    Eshte vrasesi i mbi 4000 shqiptareve ne 1997-en…
    Eshte vrasesi i Otrantos…
    Eshte vrasesi i Azem Hajdarit …
    Eshte vrasesi i Gerdecit!
    Eshte vrasesi i 4 protestuesve te 21 janarit 2011…!
    …. Eshte vrases serial…
    Drejtesia vonon… Drejtesia nuk harron as vrasesin serial dhe as bashkepunetoret e tij!
    Vrasesi serial eshte vrases i Shqiperise!
    Jo vetem i saj, por edhe i enderrave te shqiptareve, i aspiratave te tyre ” e Duam Shqiperine si e gjithe Evropa!” ” E duam Shqiperine si Amerika demokratike!”
    Eshte ai qe ne vend te Evropes dhe Amerikes po i con shqiptaret e Shqiperine drejt Azerbjxhanit e drejt Butanit!
    Vrasesi serial eshte ai qe mos qofte!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *