Rama në Krujë: Kjo qeveri barbare po bën eksperiment makabër me këtë qytet

Kreu i PS-së, Edi Rama, është ndalur gjatë ditës së sotme për një vizitë në qytetin e Krujës. Gjatë një bashkëbisedimi që ka pasur me të rinjtë, Rama ka thënë se qeveria barbare e Berishës, është duke e shkatërruar këtë qytet.

“Kruja nuk do ishte ky qytet që është sot, nëse nuk do ta kishte në dorë një qeveri barbare si kjo që qeveris sot vendin”, tha Rama gjatë takimit.

Ai e quajti “eksperiment makabër” atë që po i bëhet sot jo vetëm Krujës, por edhe gjithë Shqipërisë, pas së cilit përfitojnë një grusht njerëzish, në mënyrë të pallogaritshme, duke lënë mbrapa shenja dhe vraga të pariparueshme e të tmerrshme në trupin e një qyteti si Kruja, aq sa dhe vetë pushtuesit Krujës nuk e kanë bërë.

“Doja t’ju thoja që a e parafytyroni sesi do të ishte një vend si Kruja me historinë që ka Kruja dhe me rolin që ka luajtur Kruja jo vetëm në historinë kombëtare, por edhe në historinë e Europës, nëqoftëse nuk do të kishte rënë në duar barbarësh si ato që po e shkatërrojnë përditë. Nuk do të lejonin të dëmtohej asnjë gurë që lidhet me atë histori. Nuk do të lejonin të pritej asnjë pemë që është rritur nën qiellin e asaj historie. Nuk do të lejonin të ndërtohej asnjë shëmbëlltyrë e barbarisë urbane që në fakt e cenon rëndë atë histori. Nuk do ta kthenin trupin e një vendi si Kruja në një trup që duket sikur është shtirë në sallën e autopsisë pas vdekjes, duke e përdorur për një eksperiment të pamundur. Një eksperiment që bëhet në kurriz të gjithë njerëzve të zakonshëm, jo vetëm të Krujës, por edhe e të gjithë këtij vendi që quhet Shqipëri, vetëm e vetëm që një grusht njerëzish të përfitojnë në mënyrë të pallogaritshme dhe pastaj të largohen dukë lënë mbrapa diçka aq të tmerrshme dhe aq të shëmtuar sa as pushtuesit e Krujës nuk e lanë mbrapa”, tha Rama gjatë fjalës së tij.

Gjatë takimit, Rama u ka shpërndarë kartën e anëtarësimit të PS-së edhe 260 të rinjve të këtij qyteti.

 

 

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...