INTERVISTA/ Një kafe me Mero Bazen: Asgjë nuk i fal Sali Berishës!

Është një ndër gazetarët më të përfolur, që me librat dhe shkrimet e tij ka pasqyruar një realitet të cilin jo të gjithë kanë guximin ta pasqyrojnë. Kontakti im i parë me të qe në telefon, kur, pasi i shpreha dëshirën për t’u takuar, më la një takim të nesërmen, në një bar tek ish-Blloku. Kuptohej se ky ishte një ambient që e frekuentonte shpesh, pasi të gjithë e njihnin dhe ai ndihej shumë rehat aty. Përshtypje më bëri pamja e tij prej gazetari skeptik, që mbante përpara një iPad, të cilit nuk ia ndante sytë as gjatë kësaj bisede…

 

Intervistoi: Rita Rrjolli, Gazeta “Intervista”

 

– Për çfarë të shqetësojnë njerëzit kur ulen ta pinë kafen me ty?

– Shpesh, janë njerëz me probleme të cilët mendojnë se duke gjetur një gazetar për t’u zbrazur, zgjidhin hallet e tyre apo padrejtësitë që u bëhen. Shpesh, njerëzit që kanë probleme, janë shumë irracionalë dhe nuk arrijnë ta ndajnë problemin nga padrejtësia që u bëhet. Duhet të kesh nerva t’i dëgjosh, t’i kuptosh dhe t’i qetësosh. Është një taksë që ia paguaj profesionit dhe pozicionit të zgjedhur si gazetar kritik. Pa impresionet e njerëzve dhe problemet e tyre, nuk mund të shkosh kurrë në zemër të problemit.

 

– Shumë “dru” i jep Berishës apo Familjes, siç e quan ti në shkrimet e tua… Pse?

– Nuk e kam qëllim në vetvete, por fakti që ata shfaqen kudo ku vidhet, ku vritet për të vjedhur, ku ka tendera, ku ka koncesione, ku ka shitje-blerje tokash në bregdet, nuk është përzgjedhja ime, por e tyrja. Shqipëria ka pasur edhe Kryeministra të tjerë, bile edhe të korruptuar, por familja e tyre nuk ka pasur asnjëherë kaq prani në vendimmarrje sa kjo Familje. Për shembull, ne akoma nuk ua dimë emrin fëmijëve të Fatos Nanos, të cilët janë moshatarë me fëmijët e Berishës.

 

– Duket se Berishën, më shumë e kritikon ti sesa Rama, bile krijohet përshtypja se e vetmja opozitë në këtë vend je ti dhe “Fiks Fare”. Nuk ke frikë për veten apo fëmijët e tu?

– Natyrisht që jam i shqetësuar për fëmijët e mi, për mënyrën se si ndikon puna ime në jetën e tyre. Ndjehem keq kur nuk gjej dot pare të paguaj shkollën e djalit të madh, apo kur djali i vogël vjen i mërzitur në shtëpi pasi ka dëgjuar dikë ta kërcënojë për shkak të babait, por njerëzit e bëjnë vetë fatin e tyre dhe shpresoj që kjo t’i bëjë më të fortë.

 

– Ka shumë vetë që thonë se guximi yt është i çmendur. Ti, si thua?

– E çmendur është ajo që bën pushteti ndaj shqiptarëve. Ta kundërshtosh atë, është normalitet. Problemi ynë është që po na kthehet në standard çmenduria e pushtetit dhe duket anormale e çmenduri kundërshtimi i tij.

 

– A merr të paktën ndonjë masë për ruajtjen tënde dhe të familjes?

– Jo. Askush nuk i shpëton dot rrezikut duke u ruajtur. I gënjen mendja edhe ata që mbajnë antiplumb si Berisha, edhe ata që mbajnë super roje, si Rezart Taçi, edhe ata që blindojnë shtëpitë, si Ilir Meta. Askush nuk i ka shpëtuar dot një vendimi për t’u ekzekutuar, nëse e keni fjalën për këtë, ndaj njeriu duhet ta jetojë jetën e tij normalisht dhe me dinjitet. Ajo është kënaqësia e vetme. Vdekja është një kufi përtej të cilit nuk i jep më llogari askujt, ndaj nuk ia vlen të mendosh për të, kur je gjallë.

 

– Pse e bën gjithë këtë luftë kundër korrupsionit? Ç’të shtyn dhe çfarë fitimi ke? Mendon për shitjen e më shumë gazetave, apo…

– Korrupsioni dhe korruptimi i shoqërisë shqiptare ia ka arritur të krijojë një mentalitet të dëmshëm, që edhe lufta kundër korrupsionit, është korrupsion. Në fakt, unë nuk bëj luftë kundër korrupsionit si qëllim në vetvete. Unë përpiqem t’u them shqiptarëve ç’bën qeveria e tyre dhe ku janë problemet e tyre. Problemi është se qeveria bën korrupsion, problemet e shqiptarëve vijnë nga korrupsioni dhe kjo krijon idenë sikur unë kam predispozicion të merrem vetëm me hajdutë. Në fakt, unë merrem me pushtetin, por ai na ka qëlluar hajdut dhe për këtë, po paguaj një çmim të rëndë, një superpersekutim financiar, një shkatërrim të investimeve të mia në gazetë dhe shtyp, një izolim total për reklama në gazetë, edhe pse “Tema” është gazeta më e lexuar në vend. Pra, nëse do të ishte për fitim, në këtë shoqëri të korruptuar, fitohet duke qëndruar me pushtetin e jo kundër tij. Kundër tij, ke vetëm probleme, por derisa kam zgjedhur këtë profesion, do të duhet t’i përballem edhe me problemet.

 

– A bëjmë pak thashetheme politike? Si e parashikon të ardhmen? Do të ketë zgjedhje të parakohshme? Po zgjedhje të lira? Kush do të fitojë?

– Nuk kam ndonjë optimizëm për atë që do të ndodhë së afërmi. Berisha do të zgjedhë Presidentin e vet, opozita do të ndjekë rrugën që ka nisur dhe ballafaqimi do të ndodhë në zgjedhjet e vitit 2013. Ajo që më shqetëson është se opozita nuk po prodhon një frymë bashkimi dhe zgjerimi të koalicionit, por po humbet energji me performancën e Partisë Socialiste. Partia Socialiste është partia e parë në vend dhe do të jetë e tillë për shumë kohë, por Rama dhe Berisha kanë prodhuar një sistem ku pushtetin e merr koalicioni i parë dhe jo partia e parë. Ndaj Edi Rama ka nevojë të veshë kostumin e liderit të koalicionit dhe jo të kryetarit të Partisë Socialiste që ndan tesera në çdo fshat. Ajo parti ka tesera që nga 1941 dhe as e shton e as e pakëson dot Edi Rama. Ai duhet të shtojë aleatët e saj të vegjël, bile edhe ata të vegjlit fare, me 200 vota, pasi me atë sistem që ka bërë, fitorja vjen edhe prej atyre. Berisha është në pushtet falë 16 vagonave që i vuri pas trenit të PD-së në vitin 2009 se, po të ishte për PD-në, ajo doli parti e dytë dhe do të ishte në opozitë. Në Partinë Socialiste ka një frymë të keqe ndaj faktorëve të tjerë opozitarë, ka shumë teori konspiracioni dhe shumë dyshime ndaj njerëzve apo grupimeve që janë krah tyre. Kjo vjen ngaqë shumë prej tyre janë aty të emëruar dhe jo si njerëz që e kanë çarë vetë karrierën politike dhe gjithkush tjetër i ngjashëm, u duket rrezik. Ata duhet të çlirohen dhe të kuptojnë se rreziku është Berisha e jo ata që janë krah tyre, kundër Berishës.

 

– Po të ardhmen politike të Berishës, si e sheh? Do gjykohet për këto që ka bërë, apo do të ketë një dalje të butë në pension?

– Me këtë sistem drejtësie që kemi, kam fare pak shpresa se një ditë ai do të gjykohet, por vetë Berisha është më i pasigurt se unë për këtë. Ai po merr masat të marrë në kontroll drejtësinë përmes Presidentit, KLD-së, Prokurorit të Përgjithshëm etj. Ai është një Kryeministër që ka vrarë 30 vetë në pesë vjet, vetëm për të mbajtur pushtetin me para të pista dhe mënyra të pista. Do të ishte më mirë për të ta pastronte këtë histori vrasjesh me drejtësinë, pasi nëse e lë ta zgjidhë privatisht, do të marrë më qafë pasardhësit e tij. Unë vetë nuk i fal asgjë nga gjithë investimi i tij personal për të më shkatërruar biznesin, pronën dhe pasuri të familjes, në mënyrë arbitrare. Nëse pengon drejtësinë të më kthejë atë që ka shkatërruar, unë do ta gjej mënyrën që ta vendos drejtësinë në vend.

 

– Nuk të duket sikur sa vjen e po zvogëlohet numri i opozitarëve? Shumica e mediave e kanë mbyllur gojën përballë Berishës…

– Berisha ka një strategji për t’i mbyllur gojën medies. Ai ka dhënë shembuj të fortë të ndëshkimit për ata që kritikojnë e shembuj shpërblimi për ata që i shkojnë pas dhe kjo ka bërë që shtypi të ndjekë shembujt e shpërblimit. Kjo na ka kthyer në minoritet, por jo në njerëz të parëndësishëm. “Tema” online klikohet më shumë se gjithë gazetat, Top Channel klikohet dhe shikohet më shumë se të gjitha televizionet. Ndonjëherë mjafton një vështrim ndryshe, për të përballuar gjithë propagandën dhe baltën kundër teje. Mjafton një laptop dhe internet, për të hedhur në erë gjithë ndërtesën e gënjeshtërt të medias së Berishës.

 

– Je autor i disa librave politikë të suksesshëm. Çfarë të tërheq më shumë, të shkruash libra apo të bësh gazetë?

– Në Shqipëri ka një problem të madh me publicistikën politike. Këtu shkruhen shumë pak libra politikë. Thuajse vetëm unë dhe Preç Zogaj kemi libra që dokumentojnë tranzicionin. Në çdo vend të botës, mund të gjesh qindra libra publicistikë për një periudhë 20 vjeçare. Libri është një gjë e rëndë që ka shumë vlera kur shkruhet në kohën që ndodh. Ai është një referencë e shkëlqyer për të ardhmen dhe gazetarët e mirë, duhet doemos të shkruajnë libra për atë që raportojnë përditë. Libri është diçka më e gjerë, më komplekse dhe më e vërtetë. Kur ulesh të shkruash një libër, ke një detyrim më të madh ndaj të vërtetës sesa kur bën një artikull, ndaj edhe vlen më shumë. Ndryshe, do të na ndodhë si me Enver Hoxhën për të cilin, për 20 vjet liri, janë shkruar vetëm dy-tri libra dhe ato, me zhurmë të madhe. Për Ali Pashë Tepelenën ka një mijë libra nga gjithë bota, kurse për njeriun që na diktoi pesëdhjetë vjet, s`gjen as pesë libra. Ky është defekti i shoqërive pa kujtesë kolektive, të cilat rrezikohen gjithmonë nga përsëritja e sëmundjeve të totalitarizmit, siç po ndodh në të vërtetë.

 

– Kur sheh se ti shkruan, përpiqesh, lufton, por pak efekt kanë shkrimet e denoncimet e tua, a ka momente kur thua: “Kot sa merrem me këto!”?

– Nuk kam rënë ende në atë grackë dëshpërimi! E di që, po ta kthej kokën pas, dëshpërohem. E di që, kur shikoj se ata që unë sulmoj si të korruptuar gradohen për shkak të shkrimeve të mia, mund të mërzitem, por ia kam mbushur mendjen vetes se unë duhet të bëj punën time dhe pushteti i korruptuar, punën e vet. Unë mbaj përgjegjësi për betejat e mia, jo për moralin e pushtetit. Për atë, duhet të mbajë përgjegjësi shoqëria!

 

– Nga shkrimet e tua duket se ke shumë informacion për shfaqje korruptive, aq sa duket sikur ke lidhje me SHIK-un, prokurorinë apo policinë. Kështu është? Si e gjen informacionin për shkrimet?

– Nuk ka nevojë të kesh lidhje të tilla, bile, lidhje të tilla të pengojnë të punosh si njeri i lirë. Në Shqipëri, mjafton kurajoja për të denoncuar, pasi faktet t’i bien vetë njerëzit nëse besojnë se ti i përfaqëson ata. Shikoni se si shumë njerëz shkojnë dhe denoncojnë problemet e tyre tek Erion Braçja dhe jo te Damian Gjiknuri, për shembull! Shiko se si njerëzit shkojnë te “Fiks Fare” dhe jo te Fevziu, për shembull, për të denoncuar diçka të rëndë. Po ashtu, vijnë edhe te “Tema”. Ata besojnë se ne i përfaqësojmë dhe nuk ua shesim kauzën, nuk ngatërrojmë avokatin me viktimën.

 

– Ndër botimet e tua, cili shkrim të ka lënë më shumë mbresa dhe e veçon nga të tjerët?

– Unë shkruaj përditë prej 20 vjetësh. E kam të vështirë të veçoj diçka, por mund të them me krenari se kam qenë i pari që e kam denoncuar pazarin e djalit të Sali Berishës në Gërdec, gjashtë muaj para se Gërdeci të shpërthente. Se kam bërë të njohur për shqiptarët sekserin e familjes, Damir Fazlliç, se kam nxjerrë në dritë lidhjet e së bijës së Kryeministrit me investitorë të huaj që kërkojnë koncesione në Shqipëri apo histori të tjera të ngjashme.

 

– Pse nuk i bëjnë edhe gazetarët e tjerë këto lloj shkrimesh investigative? Mungon kurajoja, profesionalizmi?

– Ka një ngatërresë mes punonjësve të shtypit dhe gazetarëve. Punonjës shtypi ka shumë, gazetarë ka pak, por dhe pak, mjaftojnë për të bërë beteja. Në stilin e tyre, ka plot kolegë që janë dinjitozë në luftën e tyre.

 


REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...