Pikë e pesë

21 Prill 2012, 21:06Blog TEMA

Nga Lumir Abdixhiku

Java që lamë pas tregoi sa keq shqiptarët i kanë punët, në vete dhe në mes vete. Nga mungesa e reagueshmërisë në mbrojtje e deri te mungesa e pasionit për të ngritur kombin bashkë, renditen argumentet se pse shqiptarët sot janë pikë e pesë. Do të mbesim të tillë sa herë që nuk ndjekim një ideal, një frymë e një doktrinë shtetformuese e kombforcuese

 

Edhe këtë javë reagimi i institucioneve tona ishte i lodhtë, pa substancë dhe pa një ide se si të shkohet më tutje në problemin më të rëndë kosovar që nga paslufta, veriun. Një parazitizëm i tillë tregon se kosovarët nuk mendojnë fare vetë, nuk besojnë se duhet të gjenerojnë politikë e hiç më shumë se duhet të mbajnë shtet; ata arrijnë dëlirin politik me lëshime të deklaratave e stilizim të tyre. Cili duket e tingëllon më bukur ndez më shumë në vota. Kosovarët sot janë tërësisht të varur nga “miqtë ndërkombëtarë”, nga politika rajonale e nga preferencat e huaja. Mendja e tyre funksionon se si duhet përshtatur më mirë preferencave të të huajve. Kush përshtatet më shumë ka gjasa të ecë më lehtë në shkallët politike që megjithatë janë të vetmet që i ngrenë në jetë. Përtej beneficioneve personale, një ndjekje e tillë sjell asgjë. Në një lojë kur ti pret e nuk krijon, goli herët a vonë do të vijë. Do të vijë meqë të tjerët nga ana tjetër krijojnë, mendojnë e prodhojnë; ashtu siç bëri dje Serbia e ashtu siç bën sot. Dhe në fund, ‘miqtë’ që deri dje të jepnin udhëzuesin e lëvizjes sate, do t’i rrahin shpinën asaj. Të paditurit tanë, të shkretët e të mjerët, nuk kanë se si të kuptojnë se politika jonë formon dhe qasjen ndërkombëtare ndaj nesh. Kur ne rrimë, ndërkombëtarët rrinë, kur ne nuk bëjmë, ata do të bëjnë.

Mungesa e mendjes dhe e dijes në institucionet tona bën që ne të përfundojmë me outpute sui generis, pa ndonjë progres domethënës, e në raste si Veriu pa reagim fare (diçka më ndryshe se ai deklarativ). Shpresa e mbetur në Parlament, u shua në pesë minutat e parë të seancës. Aty njeriu kupton se Parlamenti është bërë një arenë e shpëlarjeve të mëkateve nga gabuesit, e mundësi e artë për të gozhduar nga pretenduesit. Një tempull që, para së gjithash, duhej të ishte i fuqisë, rendit e mendjes, sot është asgjë më shumë se një mbrojtës televiziv i veprimeve të Qeverisë dhe një mundësi opozitare për të fituar poena politikë në çdo hallakamë qeveritare. Në vend se institucioni i popullit të dalë me rezolutë të qartë e kërkesë për mbrojtje të pakontestueshme ndaj kosovarëve të ngujuar, i njëjti bëhet hiç më shumë se një vend ku nuk prodhohet asgjë, ku atraksioni më i madh është ironizomi politik e ku paratë çohen poshtë (me plot kuptimin e fjalës).

Për zhvlerësimin e Parlamentit fajet i kemi vetë. Degradimi filloi atëherë kur lejuam hyrjet e daljet si në kopsht publik të çdo ndërkombëtari, kur i konsideruam vendimet e tij si këshilluese, e kur koncentruam angazhimin e deputetëve proqeveritarë në mbrojtje të çdo aktiviteti të qeverisë, pa menduar as për një grimë me mendjen, logjikën e sensin e vet. E derisa Parlamenti është shndërruar në arenë cirku, fyerjesh e sharjesh në baza partiake, veriu i vendit vazhdon të mbetet pa zot shtëpie. Dalëngadalë i njëjti po na rrëshqet nga duart, nëse e kemi pasur ndonjëherë. Nesër, mbrojtja e kosovarëve do të jetë e pamundur. Nesër, njëjtë siç arsyetohemi sot, do të themi se problemin kemi trashëguar, ani pse secili që trashëgoi i dha pak kilogram neglizhencë, problem e inferioritet.

 

 

Veriu i dhimbshëm tregon se si shqiptarët sillen ndaj pretenduesve territorialë të tyre. Skandali i energjisë me Shqipërinë, në anën tjetër, tregon se si ata sillen në mes vete. Jo se ky skandal është i ri, por se më në fund mediet tona vendosën ta vënë atë nën spektrin e dritës. Sipas medieve kosovare, vonesat në ndërtimin e lidhjes në fjalë bëheshin për pasurime individuale të liderëve nga Tirana, madje, për të keqen tonë në llogari të biznesmenëve nga Serbia. Nuk dua të bëj avokatin e asnjërës palë, në këtë gjendje ku janë shqiptarët gjithçka është e mundshme; dua vetëm të them se pavarësisht arsyeve është turp i madh për dy palët që në 13 vite nuk arritën të ndërtojnë një linjë të përbashkët energjetike; turp i turpit. Kujtoj se problemi energjetik daton që nga paslufta, se neglizhenca jonë e inferioritetit i paparë ka bërë që Kosova në plot 13 vite jo vetëm të pasurojë Serbinë por të blejë energji edhe më shtrenjtë, kjo sepse Serbia obligon Kosovën të paguaj dhe TVSH-në, gjithmonë duke e konsideruar Kosovën si pjesë të saj.

Mungesa e një linje energjetike me Shqipërinë ka bërë që dy vendet të humbasin dukshëm nga mosshfrytëzimi i përparësive krahasuese. Kujtoni se shumë lehtë do mund të zgjidheshin mungesat e energjisë elektrike në dimër për Kosovën e në verë për Shqipërinë sikur dy sistemet të unifikoheshin e nëpërmjet kësaj linje të dërgonin tepricat e tyre gjatë ujërave të shumtë në Shqipëri gjatë dimrit për në Kosovë, dhe thëngjillit gjatë verës nga Kosova për në Shqipëri. Nuk ka as edhe një arsye të vetme logjike prapa shtyrjeve në vazhdimësi për këtë linjë; as edhe një. Shkasi i vetëm është neglizhenca. Pavarësisht kësaj, nëse pretendimet e medieve kosovare dalin të vërteta, atëherë përgjegjësia duhet t’i rëndojë shpatullat e dikujt në Tiranë.

Por një relacion i tillë jep më shumë dhimbje se sa vetëm kostoja financiare. Një trajtim i tillë tregon se gjërat me zor nuk bëhen. Në të njëjtën logjikë u trajtuan edhe patatet kosovare gjatë gjithë verës, kur me absurditetin më të madh atyre iu dha çmimi referencë nga Qeveria shqiptare, vetëm për t’u zhbërë referencimi pasi u kalbën. Për gjithë ata me dije modeste mbi tregtinë ndërkombëtare, çmimi referencë është një çmim që një vend i vë një produkti nga një vend tjetër, mbi të cilën më pas vendosen obligimet doganore e tatimore. Këtë verë, ‘nëna Shqipëri’ kishte referencuar patatet kosovare me plot 24 centë për kilogram, ani pse një kilogram patateje kosovar kushtonte hiç më shumë se 8 centë. Pra, në vend se bujku kosovar të tatimohej për kilogram patateje mbi bazën 8 centë, ai u tatimua me plot trefishin e çmimit të saj real; rrjedhimisht paguante obligime tatimore më shumë duke bërë çmimin e patates më pak të konkurrueshëm e fare të shijshme. Për të bërë inatin dhe më të rëndë, “nëna Shqipëri” kishte referencuar pataten nga Serbia në 8 centë, atë të Malit të Zi me 10 centë, e të Maqedonisë me 14 centë. Si duket, parimi ka qenë ku ka më shumë shqiptarë më shtrenjtë.

Vitin e kaluar kisha shkruar se për Shqipërinë Kosova shihet vetëm si një treg shitës e assesi blerës; pra Tirana zyrtare do të thirret në patriotizëm, bashkim ekonomik e një varg fjalësh turbo-folklorike vetëm kur të shohë mundësinë për të marrë para nga Kosova, assesi për të dhënë atje. Kur bujku kosovar, pas plot 13 viteve heqje të zitë e ullirit arriti të prodhojë patate madje më mirë e më lirë se në rajon (si duket gjetëm një produkt ku mund të bëjmë më mirë), “nëna Shqipëri” i tha të njëjtit bujk se patatja e tij nuk mund të shitet atje, ani pse çdo ditë të lume i mban ligjërata për bashkim ekonomik e forcim të kuqezinjve.

E me sjellje indiferente që shqiptarët kanë ndaj njëri-tjetrit, qoftë në vija të mbrojtjes si në veri, apo dhe në tregti si në energji e patate, 100-vjetori i mëvetësisë duket si një festë që duhet bërë sa për sy e faqe. Të paktën, në një shekull përpjekjesh për liri e ngritje të shqiptarëve ne mësuam asgjë. Me politikë si kjo, me ego kaq korruptuese e kaq individuale asgjë nuk është e mundur; asgjë nuk do të jetë.

 

1 komente në “Pikë e pesë”

  1. raimondi says:

    Artikulli eshte shume i drejte ne ceshtjet qe trajton , porse zgjuarsia eshte qe te diskutohet si te gjenden ruget per t e permiresuar gjendjen ne te ardhmen, se sa te futesh dhe te kekrosh kush e ka gabimin

    Une mendoj se nuk duhet te merremi me analizen e gabimeve , per arsye se futemi ne nje spirale pa fund dhe te demeshme e cila nuk na ndihmon per arsye se ne jemi fillestare ne demorkaci dhe kritiken e marrim per keq

    –Ndaj eshte mire qe te hidhen ide dhe zgjidhje te reja per kete problem qe kemi tani dhe gabimet e te shkuares ti leme pas kraheve —

    Dmth te bejme nje propagande te tille qe te pershpejtojme ndertimine e linjes se Energjise elektrike Shqiperi-Kosove –dhe nga ana tjeter Kosova
    do ishte mire te ndertonte edhe nje Linje Kosove -Maqedoni, ne menyre qe ne raste krize te merte energji nga Bullgaria qe e shet edhe me lire energjine

    Po keshtu i duhet sugjeruar qeverise shqiptare qe eksportimi i energjise te behet nga Italia dhe jo nga vendet e Ballkanit

    Ndersa ne lidhje me maredheniet tregetare , duhet sensibilizuar politka shqiptare
    nga shtypi i Kosves qe te hiqen fare referencat me Kosoven per cdo lloj malli dhe te konsiderohet Kosova si krahine e Shqiperise ne maredheniet tregetare …..

    Se tek e fundit ne atje duam te shkojme qe Koaova te behet pjese e Shqiperise ,
    ndaj nuk duhet te kete cmime reference per mallrat e Kosoves aq me shume qe jemi edhe i njejti komb

    ___Me nje fjale duhet biseduar me urtesi me qeverine shqiptare per keto probleme ,pa u futur kosvaret ne konfliktin politk qe kane politkanet e Shqiperise me njeri tjetrin sepse tek e fundit Berisha eshte ne krye dhe duhet folur me te

    Ndaj politkanet kosovare duhet te vijne ne Shqiperi dhe te biseodjne me te kur ka ceshtje te tilla . ne menyre qe te gjendet gjuha e perbashket
    –porse duke biseduar me Berishen me shpesh , edhe e nxit ate qe te punoje ne ate drejtim …..

    Pra duhet bere POLITKE me Berishen, ta marresh me te mire , se s’ke ci ben ate lloj tipi ka ai
    dmth te ritet sa me shume komunikimi midis politkaneve dhe shtypit te Kosves me Qeverine e Berishes

    Ky komunikim duhet bere sa me shpesh nga pala kosovare , sepse ne kete menyre e ve ne pozite Salen , e detyron ate te fokusohet ne zgjidhjen e problemeve te perbashketa Shqiperi-Kosove

    Me Slaen gjerat zgjidhen vetem duke i krehur bishtin Sales, se keshtu eshte i gatuar Salia , pastaj po ra nga fiku Sala , atehere opozita shqiptare ti hapi proces penal per kete qe i ka bere Kosoves dhe ta kaloje Slaiu pjesen e jetes qe i ngelet ne burg

    Se kete qe ka bere Sala per linjen e Interkonjeksionit ai e meriton ta rrasesh ne burg ,
    por tani ai eshte ne krye dhe me te do bisedosh , nuk ke me ke bisedon tjeter_
    Ndaj kosovaret ta marin me te mire , qe Sala te pershpejtoje ndertimin e linjes elektrike

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje