INTERVISTA/ Fatos Nano: “Si President, doja t’i dëftoja Xhoanës, që akoma i kam të varura në këmbë armët e burrërisë”

Shoku Nano, ju kishim harruar fare, kaq vite të tëra. Cila e mirë ju solli prapë midis nesh?
– Tërë dimrit, me Xhoanën u ramë derë më derë gjithë kazinove të Vjenës. Andej, nëpër to, me këdo që loznim, nuk na tha asnjëri që ” jam ish-Kryeministri “. Xhoanës i hipi inati në tepelekun e kokës, e filloi të më gjuante me lugë e pirun, ku të mundte, në trupin tim. ” E shikon,- më thoshte duke bërtitur, – cilët janë burrat e vërtetë? Janë ata, që tërë ditën e ditëve bredhin kazinove, jo se u katandisën “ish-kryeministrat”, por janë akoma me tope në këmbë”.
– E kujt ishte ideja që të rivinit sërish kandidaturën për Presidenti i shqiptarëve?
– Kjo ishte ideja e imja. Të bëhem President, doja t’i tregoja Xhoanës, që akoma armët e burrërisë i kam varur në këmbë.
– Shoku Nano, besoj se ju ka mbetur akoma kaq zgjuarsi, sa të kuptonit, që shoku Edi, nuk do t’ju bëjë kurrë President? E, sidomos, tani, që është më shumë se kurrë afër ofiqit të Kryeministrit. Ti President dhe Edi Kryeministër, do të ishte historia e 2 Kamberëve në një derë.
– Unë, hallin tim, e bisedova me shokun Ilir, sepse shoku Ilir më ka ca borxhe, nga e kaluara. Nuk e besoj se shoku Ilir, e ka harruar tani, që unë i mësova si të ngasë makinën e politikës. Pa mua, shoku Ilir, do të ishte akoma Ilir. Pa mua, shoku Ilir nuk do të kishte as Lalzë dhe besoj se edhe Monika do ta kishte braktisë, për të ikur emigrante në Itali, si të tjerat. Kjo kohë e tanishme, na bëri tok, me shokun Ilir, na bashkoi halli i përbashkët. Si të çkulim nga partia jonë preshin e gjatë që na ka mbirë.
– Këtë s’mund ta besoj. Ti e syrgjynose shokun Meta nga PS-ja
– Në politikë, armiku i armikut tënd, të bëhet gjithmonë miku yt. Me shokun Ilir, tani kemi një armik. Çorapegrisurin e Parisit. Po nuk më beson, të them edhe një tjetër të vërtetë. Për inat të çorapegrisurit, tashmë unë e kam harruar Bënçën fare dhe me shokun Sali jemi prapë miq, si dikur, nga koha e shokut Ramiz.
– Po pse biseduat më parë me shokun Ilir?
– Shoku Ilir është tani në politikë, si assoja. Shoku Ilir, më kujton vetveten time, kur shoku Ramiz, më futi mua në PPSH-në e dashur, si assoja, e ta kryesoja. Nuk e shikon, assoja e shokut Ilir mban në qeveri një Berishë të krimbur me 67 portofole. Prandaj, si mjeshtër i kumarit, unë e dua asson e Ilirit, ti kë këmbalecin preshit të gjatë e të hedh në dorë partinë time të dashur.
– Tani, që të mbeti sallatori në dorë, se Presidencën shoku Sali ia dha shokut Nishani, cilat do të jenë ambiciet e tua politike?
– Atë që më shkon për hije, mua Fatos trimit, Fatos Lules. Të jem balli i dollisë së partisë time. Unë Fatos Nano, pa Xhoanë edhe mund të rri, po pa dy gjëra nuk mund të jetoj dot, më asnjë ditë. Pa të shkretën raki e uiski, që e hedh në gurmaz, që nga sabahu e deri në sabahun tjetër dhe pa partinë time. Sa shumë e dashuroj partinë, pyesni shoqen Majlinda Ketën, që të më besoni.
– Po me kë do ta ngresh dollinë, tani, shoku Fatos? E pe vetë, që s’ta vari as shoku Gramoz, dhe as konia jote, Taulant pistolja.
– Mos m’i përmend më ata zuzarë. Se u bënë zagarë, që venë e lehin për atë kush u hedh tani nga një kockë. Po nuk ka vdekë burrëria e Fatos Nanos, sa të kem me jetë pelivan Arben Malajn. Po, meqë më kujtove, hajde ta pimë bashkë, këtë shishkë uiski, për shëndenë e shokut Braçe. U zgjaft akoma edhe dy herë në bojë, se më kënaqi kur ia përplasi çoparegrisurit, e i tha se në emër të socialistëve tani flet Fatos djali.
– Po janë kohë të vështira, shoku Nano. Sot, të bësh me vete milet, duhen para, se ka vdekë koha e idealeve të partisë. Të gjitha në Shqipëri, i ka blerë Berisha e Meta, ndaj bërtet Rama i shkretë, se i mbarohen edhe qindarkat e Bashkisë.
– E kam biseduar këtë punën e parasë edhe me shokun Ilir, edhe me shokun Berisha. E kam të zgjidhur hallin e parasë, ndaj të ma dëgjoni koburen, kur ta shkrep si top nga shtatori e tutje. Atë që me bëri mua Berisha, që pagoi Erjon Velinë për llogari të Edit, e më nxori këngën “Nano ik”, tani, po ajo dorë, tani më paguan mua të këndoj këngën ” Çorapegrisur ik”. Në këtë botë, lahen gjynahet.
– Po më lini pa mënd në kokë, shoku Nano. Vërtet ma thua, të të japin lekë, ty, Shoku Ilir e shoku Berishë?
– Na, pije të tërë, këtë të shkretë uiski, që ka mbetë në shishkë, o derëzi, se t’u tha gurmazi nga habia e fjalëve të mia. Po ku pjerdhin nga paratë shoku Ilir e shoku Bershë? Shoku Ilir vetë më tha, do më jap sa lekë të dua unë, vetëm e vetëm që të lë me kallam në dorë Edin e Tope-Chenell-it. Shoku Berishë, më tha çfarë të dua unë, qoftë dollarë, qoftë euro, qoftë stërlinë. – Shoku Fatos,- më tha shoku Berishë-, më siguro, që të heqsh qafe të mallkuarin, faqezi, Ram. Unë, atë doja, ndaj iu hodha dhe i dhashë, jo vetëm dorën, por edhe faqen, gjuhën, të tëra, por shoku Berishë, qëndroi i ftohtë si ahu i Tropojës e më tha: ” Të jap un, sa të dush, veç më siguro, që nuk do pish, as raki, e as uiski, sa të bëhesh tap, e më bën gjumin e ariut, tërë dimrit, e më lë me cicru ciu, ciu., i mallkuari, faqeziu, Ram”
– Dhe cili është misioni yt, shoku Fatos, tani, që mbaruan edhe banjat e gushtit?
– Ta thashë, pra. Qëllimi që më ka ngarkuar zonja ime Xhoanë, është t’ja hipi prapë mushkës të PS-së. Qoftë nga të mbari, qoftë për së prapthi. Mjafton, që unë të jem në kurriz të mushkës parti! Telegraf

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...