Ligjërimi politik dhe ndotja akustike

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Ilir Yzeiri

Siç edhe mund ta kenë vënë re të gjithë, java që shkoi u karakterizuar nga një ligjërim politik në kufijtë e marrëzisë. Kryeministri i Shqipërisë iu kthye edhe njëherë tjetër fjalorit fyes, shantazhues, thashethemeve dhe fjalëve të rrugës për të akuzuar ish-presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe liderin e Aleancës Kuqezi Kreshnik Spahiu. Në këta njëzetë vjet, ligjërimi politik në Shqipëri është shfaqja më e shëmtuar e përdorimit të shqipes ose është përdorimi i shqipes për anët më të shëmtuara të jetës shoqërore.

Ndërkaq, kur flasim për ligjërimin politik kemi parasysh një anë të rëndësishme të komunikimit shoqëror atë që thirret komunikim politik, i cili përbëhet nga ligjërimet e aktorëve politikë (debatet në parlament, intervistat në media, fjalimet në kohë fushate) nga media që organizon debate politike me të ftuar politikanë ose analistë dhe nga sondazhet. Të tria këto sfera ushqejnë komunikimin politik. Vende të pazhvilluara si ky i yni janë tërësisht të pushtuara nga ky lloj komunikimi. Nëse ti do të hapësh televizorin, do të shohësh se ka disa stacione që transmetojnë çdo marrëzi të qeveritarëve apo të politikanëve. Madje, marrëzia e ndonjë stacioni arrin deri atje sa një folës ngulet para një laptopi e lexon lajme politike të mërzitshme derisa sa vjen ora e drekës kur, pothuajse të gjitha stacionet e dorës së dytë, lidhen «live» me kryeministrinë sepse kryeministri do të flasë në mbledhje të qeverisë për rekordin e tij të notit ose do të recitojë ndonjë marrëzi tjetër të neveritshme. Në tërësi, informacioni që përcillet nga televizionet e mëdha dhe të vogla zotërohet në më shumë se 80% nga lajme që lidhen me politikën.

Të duket se në Shqipëri nuk ndodh asnjë gjë tjetër. Gjithë njerëzia ngrihet në mëngjes dhe rri me veshtë ngrehur se çfarë do të thotë x-i apo y-i. Sfera të tilla të jetës si arti apo kultura, zbavitja apo problemet shoqërore, arsimi apo filozofia nuk përbëjnë më asnjë lajm. Ato edhe nëse lëvrohen nuk e di askush se në çfarë sallash të errëta shtillen, sepse lajmi për to nuk shkon në publik përmes mediave. Ndërkaq ndotja e rëndë akustike që vjen prej ligjërimit të ngurtë politik i ka bërë shqiptarët njerëz agresivë dhe gjysmë të shkalluar.

Kjo atmosferë e jetës politike në Shqipëri të sjell ndërmend një vend të sakatosur, të afron imazhin e një vendi në luftë. Me anë të ligjërimit politik kryeministri i vendit thuajse përditë flet për armiq e kundërshtarë të rrezikshëm. Demokracia në këtë vend jo vetëm që nuk gjëllin askund, por koha në të cilën jetojmë mund të karakterizohet si një epokë e egër obskurantiste sepse llumi i hakmarrjes dhe i luftës për të shkatërruar kundërshtarin politik është bërë refren i përhershëm i kryeministrit dhe i qeverisë. Natyrisht Parlamenti është një institucion përballjeje, ndeshjeje të mendimeve e të praktikave dhe debatet e ashpra edhe mund të mirëkuptohen në ndonjë rast. Mirëpo te ne Parlamenti është shndërruar në vendin ku shqipja e gjorë shfaqet vetëm si bartëse e shpifjeve, sharjeve, fyerjeve dhe kapadaillëkut ordiner. Parlamenti shqiptar nuk është vendi ku deputetët diskutojnë për probleme të realitetit të vështirë me fraza të kujdesshme, me një gjuhë të zgjedhur e me kulturë. Jo. Në atë Parlament, në çastin që kryeministri i këtij vendi merr fjalën gjuha shqipe rrudhet, mpihet e shfytyrohet, sepse asaj do t’i duhet të kalojë nëpër dhëmbët e një njeriu që jo vetëm nuk ka respekt për fjalën, por e përdhunon dhe e përçudnon atë si të ishte një taleban.

Ne shqiptarët kemi një traditë folklorike, që e respekton shumë fjalën. Nëse do të shfletosh Kanunin e Lekë Dukagjinit do të vëresh se të gjitha nyjat e tij vërtiten rreth raportit të njeriut me fjalën. Fjala është një gjë e shenjtë dhe shqiptarët e kohës së vjetër kishin shumë frikë dhe shumë nderim për fjalën, sepse nga ajo, prej zgjedhjes së saj, prej përdorimit jo të qëlluar të saj, dora shkonte menjëherë te arma. Në të gjithë vendin nga Veriu në Jug, institucioni i fjalës është edhe sot e gjithë ditën një gjë e shenjtë. Kuvendet e burrave dhe odat e miqve vërtiteshin të gjitha rreth shenjtërisë së fjalës. Në Veri e në Jug bie fjala është ligj i pashkruar që në kuvende apo oda burrash nuk mund të flitet me zë të lartë. Unë kam shumë miq tropojanë që flasin me zë të ulët dhe nuk e ngrenë kurrë zërin. Specialistët e antropologjisë kulturore thonë se zëri i lartë dhe e bërtitura nuk është atribut i gjithkujt në një Kuvend, madje tonaliteti apo ngritja e zërit është një shenjë që përçon një mesazh më të fortë ngandonjëherë se vetë fjala.

Është e paimagjinueshme se si kryeministri i këtij vendi e lëshon gjuhën dhe zërin gati pa fre dhe shfaq para të gjithëve një gjendje alarmante duke e bërë gjithnjë e më të neveritshëm parlamentarizmin e debatin. Askush nuk mund të më shpjegojë se si një kryeministër ulëret e akuzon ish-presidentin e vendit, Bamir Topi për krimin më tragjik të ndodhur në këta njëzetë vjet, siç ishte vrasja e gjykatësit Konomi, e pastaj pa iu dridhur qerpiku thotë se unë nuk kam fakte por kështu thonë. Ulja e ligjërimit politik në një nivel të tillë është mjerim dhe trishtim i thellë. Teoricienët e komunikimit kanë vënë re se komunikimi është marrëdhënie, por edhe shfaqje. Sapo ne hapim gojën e flasim ne shfaqim tipare psikologjike, sociologjike sepse fjalët nuk janë thjesht shenja ato janë modele mendore apo sekuenca e se brenda tyre rrinë histori të tëra. Kur unë them “peshkatar”, thoshte Eko, ai që më dëgjon përfytyron një film të tërë; detin, një njeri me bluzë me vija, me mjekër të bardhë, varkën dhe përfytyrimi mund të shkojë deri edhe te peshkatari i Heminguejit te romani “Plaku dhe deti”. Ndërsa kur një njeri na thotë një gënjeshtër, na mashtron dhe ulëret, ne nuk kemi përballë një bashkëbisedues normal, por një përbindësh që është gati të na vërsulet të gjithëve ne me po atë lehtësi që i vërsulet edhe kundërshtarit politik, sepse pas atij ligjërimi nuk qëndron një njeri normal, por një njeri anormal, i cili nuk respekton maksimën e marrëdhënies, por nxitet nga ajo e përjashtimit hde asgjësimit të bashkëbiseduesit. Të gjithë e sjellin ndërmend filmin e famshëm “King’s speech” («Fjalimi i mbretit»), që është ndërtuar mbi një ngjarje të vërtetë. Babai i mbretëreshës së sotme të Anglisë ishte mbret në kohën që Gjermania naziste po bëhej kërcënim për Europën dhe botën. Erdhi një çast dhe ai duhet që t’i drejtohej popullit anglez me një fjalim, por këtë nuk mund ta bënte dot se i mbahej goja. Merr një aktor amator e nis të punojë me të që të shmangë këtë handikap dhe me përpjekje të stërmundimshme arrin që të flasë rrjedhshëm. Mirëpo filmi ka një detaj tjetër. Mbreti duhej të fliste, por toni i fjalës së tij duhet të ishte i përzishëm, tragjik. Kjo kërkonte që zëri të ishte i ulët, pra ai të fliste me zë të ulët. Dhe ky lloj ligjërimi ishte dyfish i vështirë për mbretin që belbëzonte. Mirëpo ai, me stërmundime të jashtëzakonshme, ia arriti që të komunikonte me popullin e tij dhe t’u fliste atyre me zë të ulët, me një ton të shtruar e të përzishëm.

Përfytyroni për një çast sikur në vend të tij të ishte kryeministri ynë dhe mendoni se çfarë ulërimash do të dëgjonin anglezët e gjorë. Mirëpo, anglezët janë të bekuar sepse ata kanë qindra vjet që kanë skalitur fjalën në çdo institucion siç është fjala vjen Dhoma e Deputetëve ku fjala ka qindra vjet që nuk shpërdorohet, ku institucioni i fjalës është gati hyjnor. Edhe para pak ditësh kur Anglia përkujtoi tragjedinë e vdekjes në stadium, kryeministri Cameron kërkoi përsëri falje pse qeveria e asaj kohe nuk ishte treguar shumë transparentë dhe nuk kishte treguar qartë se si vdiqën dhjetëra tifozë anglezë. Po ashtu kandidati republikan Romney është vënë në pozitë të vështirë pse mediat i kanë “vjedhur” një prononcim konfidencial për zgjedhësit demokratë. Dhe në këtë rast fjala e shqiptuar prej tij në një kontekst tjetër i ka prishur imazhin. E mendoni dot se si mund të pritej te ne po të ndodhte një gjë e tillë? Shkatërrimi i ligjërimit politik dhe mbushja e tij me frazeologji banditësh, me kërcënime halabakësh dhe me sharje rrugeçërish, dëshmon se bartësit e këtij ligjërimi e përfytyrojnë veten jo si të zgjedhur të popullit, por si banditë rrugësh që e shohin kundërshtarin politik ashtu siç e sheh një bandit banditin tjetër.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Ligjërimi politik dhe ndotja akustike”

  1. Psikologu says:

    PSIKOLOGJA GJENETIKE.
    Saliu ka ne bark shume frike,jashte normes,kete frike mendon ta nxjere duke frikesuar te tjeret qe e konkurojne,e ka gabim.Psikologjia verteton se me kete menyre ai e rit friken qe i vlon ne c’do qelize te trupit te tij te helmuar nga pa aftesite drejtuse.
    Bamir Topi gjenetikisht dhe familjarisht prej para ardhesve te tij,ka nje edukate qe duhet t’ja pervetesojne te gjithe parlamentaret e ardheshem te Shqiperise.
    Misioni i tij permes FRD-ke eshte teper human,kjo parti ka program te plotesoje gjithe boshlleqet e tranzicionit,ndaj ne votime jemi me te. Boll na mashtruan 22 vite dy pingpongistet dhe ne naivet rijme i shohim duar kryq.

  2. Mark Gjonaj says:

    Me te vertete, ashtu eshte Psikologu…, si nuk u kap jashte lojes, jashte vetvetes nje here Presidenti Topi?! Edhe nese e kemi kritikuar ndonjehere si popull, ose kemi kerkuar qe te ndikoje ndaj shume fenomeneve negative; kane qene per shkak te paudhesive te Berishes. Une kam pershtypjen, se kjo nuk eshte vetem nje cilesi e mire e nje udheheqesi, por eshte dhe njohja me kohe e nje lideri zullumqare, prandaj, Topi asnjhere nuk nxorri nga goja e tij nje fjale te pakontrolluar. Fjala me e rende e Topit ndaj Berishes ka qene baras me nje kleriku, ku theksonte se per keto sjellje ndaj tij, Berisha duhet meshiruar!.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *