12 SHQIPTARËT MË INSPIRUES TË VITIT 2012

FOTO KRYESORETemA e nxehtë e fundvitit

Nga Bledi Mane- Public Enemy

 

Heronjtë e vitit nuk mundnim t’i harronim edhe për këtë vit. Traditën që e nisëm vjet nuk mund ta braktisnim kaq shpejt. Mes një amullie dhe kaosi të këtij vendi ku mund të shpallesh armik a idhull brenda 24 orësh, është e vështirë të selektosh më produktivët dhe më nxitësit. Na u desh rreth një muaj kohë debatesh dhe vëzhgimesh të vendosnim se cilët do të shpallnim për vitin që po ikën.

Jo thjesht vetëm për modesti dhe altruizëm këtë vit nuk kemi shpallur një prej blogjeve dhe zërave opozitarë më të lexuar, më të komentuar, më të adhuruar.

www.gazetatema.net vazhdon të mbetet në top listën e faqeve më të klikuara kudo ku ka shqipfolës. Blogu, i cili revolucionarizoi kalimin e gazetave nga letra klasike në web duke dyfishuar lexueshmërinë dhe varietetin e moshave është dhe mbetet gazeta e përditshme TemA.

campusALBANIA u prezanton sot klasifikimin e fundit të këtij vit dhe unë si moderator i kësaj rubrike u falënderoj të gjithëve ju të nderuar lexues kudo që jeni. Koha, sugjerimet, kritikat, opinionet tuaja mirëpriten dhe pavarësisht fyerjeve dhe kërcënime që mbeten në miniaturë ne do të vazhdojmë t’i bëjmë opozitarizëm edhe vetes kur të jetë e nevojshme.

Renditja e sotme ka emrat e 12 shqiptarëve apo produkteve shqiptare të cilët inspirojnë këdo nga ne me punën e tyre. Përfitoj nga rasti që në emrin e klubit social dhe anëtarëve Alket Saliasi, Arta Alipostivani, Reldar Dedja, Gëzim Neziri, Ola&Eda Xama, Arbër Dajçi, Jurgen Spiro, Anri Bala t’ju urojmë Gëzuar Vitin e Ri dhe lexim të këndshëm. Gëzuar!

 

1-Arbën Xhaferri

Ndoshta nga të paktët politikanë mendjehapur dhe me një racionalitet të admirueshëm e i pashok në hapësirat mbarë shqiptare. Filozof i një politike të urtë dhe aspak agresive, iku nga kjo botë duke lenë bosh një vend i cili të paktën këtë dekadë nuk ka për tu zëvendësuar. Gazetarja Rudina Xhunga që e ka njohur nga afër shkruan: “Nëse shqiptarëve u duhet një mentor, ai është Arbën Xhaferi. Nuk ke për të njohur dikë të ngjashëm, aq racional dhe optimist, aq besimtar në tezën se Shqipëria bëhet dhe ti mund të japësh një dorë. Po ikën koha e polarizimit dhe sharjeve, do të vijë koha e ndërtimit. Shumë shpejt. E atëherë ti nuk mund t’u referohesh debateve pa bukë e argumente të politikës aktuale shqiptare, ku askush nuk prodhon asgjë. Kjo kohë është shterpë dhe po vdes si e tillë. Arbën Xhaferi kishte ide, kishte vizion, kishte ç’të ndante me ty, me mua me ne të gjithë”.

 

2-Ardian Klosi

Publicisti dhe intelektuali i mirëfilltë Ardian Klosi i iku atdheut të tij me vetëdije të plotë në kohën kur atdheu po lëngon. Mbylli sytë përgjithmonë se nuk u bëri dot rezistencë vuajtjeve të një atdheu të rraskapitur. Mundohej me mish e shpirt të iluminonte me mënyrën e tij fine këtë vend e ndërkohë la betejën përgjysmë dhe iku. Iku dhe u dha një arsye më shumë batakçinjve të rrjepin këtë vend. Iku dhe gëzoi pa masë bashibozukët dhe arkitektët anadollakë të orientit ta kurvërojnë me xixa dhe varaqe Shqipërinë e mbuluar me burkën e krimit dhe injorancës. Iku dhe i dha elitës jargavece servile të Tiranës një arsye më shumë të ndjehen të lehtësuar pas vdekjes së tij.

 

3-Lirak Bejko

Simboli i qëndresës antikomuniste dhe kundërshtar i regjimit më të ri diktatorial të kontinentit.

I vuri zjarrin vetes me guximin e një heroi të vërtetë të cilët koha na i kishte fshirë nga kujtesa dhe pamja vizive. I dha fund jetës në mënyrë koshiente, iku nga kjo botë i poshtëruar duke kafshuar i vetëm dhimbjen dhe turpin e mosmirënjohjes.

Liraku e sakrifikoi jetën të zbukuruar me një altruizëm në dukje nxitës, shpresëdhënës, iniciues, vazhdues, historik ndërsa ne të mbijetuarit këtej matanë vazhdojmë të mbetemi tepër të izoluar e të ngërdheshur mes mpirjes totale kolektive, ndërgjegjes së brejtur dhe reagimit impotent qytetar.

 

4-Programi televiziv “Fiks Fare”

“Fiks Fare” është një emision i pashitshëm nga Top Channel, i pangjashëm dhe i padurueshëm në çdo televizion tjetër sot për sot. Gjatë dhjetë viteve ai ka shkaktuar dorëheqje ministrash, çka nuk i kanë shkaktuar dot as revolta popullore. Ai ka çuar në prokurori qindra persona nën akuzë për korrupsion, shumë herë më tepër se sa ka çuar qeveria apo vetë prokuroria. Dhe sulmet ndaj tyre përveç etiketimeve perverse të Berishës, apo ndonjë gjobe tinëzare si ajo e gjykatësit Agim Bendo, nuk kanë qenë të mëdha. Pikërisht ky është dhe thelbi i suksesit të Top Channel-it që merr profilin e lartë televiziv, e mbron emisionin e vet dhe i mban larg kundërshtarët nga lufta me të. Berisha tentoi gjatë që përmes etiketimeve të tij të ndante Top Channel-in nga Fiksi, sidomos pas video-skandalit të Ilir Metës, duke sulmuar Filip Çakulin personalisht me etiketimet “çakall”, “gjobëvënës” etj, dhe duke shprehur konsideratë për Top-in, por dështoi. Top-i pati fuqinë të mbronte produktin e vet.

 

5-Rita Ora

Fama e saj është me të vërtetë fama e merituar e një superstari. Pa shumë bujë, zhurmë dhe reklama të skaduara, pa blerë as mediat dhe as kritikët e muzikës, shqiptarja e Kosovës tashmë shtetase britanike tregoi më së miri se talenti dhe puna të ngjisin atje ku ke ëndërruar. Ndryshe nga patriotet e saj në Prishtinë dhe Tiranë që nuk lanë këngë arabe dhe azerbajxhanase pa tjetërsuar, zonjusha Ora diti të shfaqë edhe njëherë atë tharmin që mbruhet brenda shpirtit të çdo shqiptari. Muzika dhe performancat e saj përforcojnë më shumë identitetin tonë evropian. Faleminderit e vogla Rita E MADHE!

 

6-Aleanca Kuqezi & FRD

Skepticizmit të fillimit të shumë prej nesh, mallkimeve dhe rënkimeve të doktorit lëvizja nacionaliste e moderuar AK po i përgjigjet çdo ditë me atë agresivitetitn plot fakte kokëforta dhe të domosdoshmëm. Ndezi nacionalizmin e harruar prej dekadash, bëri që fqinjët të mos na konsiderojnë më dorë të dytë, gjeneratat e reja i detyroi të duan më shumë atdheun dhe mes gjithë këtyre impakteve detyroi kryeministrin në ikje të luajë me kartën e fundit, nacionalizmin e tij paçavure, në zgjedhjet e ardhshme. Tashmë, faktorizimi i AK po detyron partitë e mëdha tradicionale të mendojnë më seriozisht jo vetëm për koalicionet e motshme, por edhe të kujdesen më tepër për këtë vend të lodhur nga vjedhja.

Edhe partia simpatike e të djathtëve me taban FRD, po lëvron në ballkan pazarin politik të Tiranës urtësinë dhe racionalitetin e munguar prej dekadash. Të urtë dhe këmbëngulës në kauzën e tyre Topi, Oketa, Biberaj, Gumeni po sfidojnë me kurajo kokallën “e djathtë” që ende qeveris jo për faj të tij, por për fajin tonë natyrisht.

 

7-Xherdan Shaqiri

Ylli shqiptar i futbollit zviceran, njeriu që pse i shënoi një gol Shqipërisë u shenjua dhe u anatemua si askurrkush më parë. Një ndër futbollistët e shumtë ekstra komunitarë i natyralizuar si shtetas zvicerian, u shpall armik e u kërcënua me jetë pse luan futboll dhe argëton miliona njerëz. Fushata kundër tij ishte një nga më të poshtrat që kanë parë mediat apo rrjetet sociale në web. Dhe ta mendosh sa fëlliqur që luajtëm “ne të bijtë e shekullit të ri që na u dhimbs kombëtarja e futbollit”?  Ndrea Prendi vrau katër të pafajshëm (jo duke shënuar gola te porta e kryeminsitrisë), Arben Ristani vodhi votat e shenjta të vullnetit dhe nuk pipëtiu askush kurrkund… Goli i Shaqirit ishte autogol i respektit tonë ndaj vetes dhe ndaj argëtimit të paqtë që ende na mungon.

 

8-Varieteja “Portokalli”

E mbani mend kur vdiq shoku Enver? Iku dhe Shqipëria, mendonte mileti i frustruar. Pyesni një militant blu si e mendon PD-në pas kapitullimit politik dhe fizik të doktorit? Shkërmoqje totale, mendojnë gjindja. Po kur iku Agron Llakaj nga Kabareja e humorit “Portokalli” u kujtohet si thoshin skeptikët? Vdiq humori!

Dhe humori nuk vdiq, puna vazhdoi, talentet nuk reshtën, ndërsa regjisori Altin Basha bashkë me artistët e tjerë fantastikë vazhduan atë çka kishin themeluar. Pas gati 9 vitesh, akademia e humorit të portokalltë mbetet e pakonkurrueshme dhe tregoi më së miri që puna në ekip dhe menaxhimi i talenteve mbetet dobiprurës, argëtues, dëshirë organike për këtë vend të trishtuar i cili mezi pret të djelën në mbrëmje të qeshë pakëz sepse të hënën fillojnë krimet,vjedhjet. Nga e hëna deri të shtunë shfaq kokën Berisha në çdo ekran. Është bërë qesharak por askush nuk qesh dot më me të. Të gjithë duan Portokallinë!

 

9-Bashkia Vlorë

Pa salltanete, pa përurime bombastike, pa fonde nga qeveria, pa pordhën dhe pa tortën e madhe si të Tiranës kryeqendra e indipendencës organizoi 100 vjetorin më simpatik dhe më të denjë për një vend si i yni. Bashkia e qytetit bregdetar suprizoi shqiptarinë anembanë duke pritur e përcjellë qindra mijëra festues dhe nuk lejoi që askush t’ia vidhte festën. Vlora u lezetos kuqezi atë nëntor si zonjë e rëndë, e bukur e freskët që nuk plaket kollaj duke xhelozuar kështu qytete të tjera të përgjumura.

 

10-Taulant Balla, Saimir Tahiri&Erjon Braçe

Le ta mbyllim rubrikën e shqiptarëve më inspirues të vitit 2012 me emrat e respektuar të opozitarizmit koherent dhe këmbëngulës të politikanëve të rinj Balla, Tahiri dhe Braçe.

Më pëlqeu ky pasazh i shkëputur nga një prej editorialeve të botuesit Mero Baze të cilin po ua risjell përsëri në respekt të tre musketierëve opozitarë.

“Në këtë opozitë duket sikur janë “emëruar” disa deputetë të jenë radikalë dhe kritikë dhe të tjerët sehirxhinj në betejën kundër pushtetit dhe Familjes. Taulant Balla, Saimir Tahiri, Erion Braçe merren sa herë munden dhe me aq sa mundin me problemet e korrupsionit dhe betejën kundër Familjes. Berisha, i cili e ka kapur këtë fenomen, duket se i ka lëshuar në shpinë Familjen dhe ushtarët e tij në drejtësi për t’i gjobitur dhe denigruar këta deputetë dhe për t’i bërë dele e zezë e tufës opozitare, çka nënkupton një lloj respekti për pjesën tjetër që nuk flet, biles ndonjëherë tallet nëpër kafene me këta që denoncojnë.”

 

facebook.com/bledi.mane

twitter.com/blediMANE

 

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...