Mediokriteti dhe zhurma politike ku na shtyn Saliu

arben-isarajNga Arben Isaraj

Çdo qeveri – qoftë dhe despotike,- që të mbijetojë, ka nevojë për një shkallë të caktuar konsensusi. Sidomos, konsensus me qytetarin dhe me opozitën në dobi të së ardhmes. Ky konsensus mund të sigurohet me gjithëfarë mënyrash demokratike.

Por çuditërisht për kohën që jetojmë, kjo qeveri ofron vetëm një mënyrë për konsensus, është ajo e dhunës dhe terrorit shtetëror.

Terrori i sotëm qeveritar, i retushuar mediatikisht, ia ka arritur që qytetari të ndjehet plotësisht i hipotekuar ndaj liderit Kryeministër, prej të cilit është krijuar bindja se varet jeta e tij tekefundit.

Të lodhur, të varfëruar, coroditur dhe cfilitur nga premtimet, qytetarët shpresojnë të komunikojnë me “SaliLiderin” (qoftë dhe me sms), për të “kuptuar” se :
-si mund të penalizohesh pa faj, duke harruar se delikti (vepra penale) ka nevojë për anën subjektive si element;
-ku iku dhe ku ngeli korrupsioni;
-ku dhe kur duhet të investojnë;
-si mund të fitojnë pronë dhe si mund të zhvishen nga prona brenda ditës, packa se ligji thotë ndryshe;
-cilën menu turistike duhet të përdorin sivjet dhe pse fasulja zëvendëson peshkun, ulliri, grurin e misërin; e shumë absurde pafund të këtij lloji.

Rrugët e kësaj varësie psikologjike nga “Lideri”, për një qytetar në gjendje pasigurie e nevoje sociale, mund të jenë tepër të spërdredhura, por gjithmonë mbeten dramatike.
Këtu fillon dhe diskretitohet idea e progresit në sytë e shqiptarëve. Këtu zhduket alibia mediatike e ndryshimit dhe integrimit europian vetëm për tre ligje.

Këtu shteti i së drejtës fillon dekompozimin dhe institucionet tkuren. Fillon përbaltja e kundërshtarit nga të katër anët, me fis e me farë.

Në demokracinë e vërtetë të gjitha këto e lënë politikën në fuqi, lakuriq.

Por tek ne porosia e vrazhdë e Makiavelit imponohet. Politika është lufta për ta fituar dhe për ta mbajtur pushtetin me cdo mjet dhe kusht.

Çfardolloj petkash të përdorë “SaliLideri” dhe legalizojë “media e pavarur” e tij, për të stolisur realitetin, të gjitha i shërbejnë këtij objektivi – mbajtjes me cdo kusht e cdo formë të pushtetit.

Lufta për pushtet bën që dinamika konfliktuale e mikut dhe armikut politik, të jetë e pranishme edhe në jetën e përditëshme të institucioneve.

Qeveria fillon të godasë gjithcka që vjen në opozitë me të. Gjëra që mund të jenë tragjike për qytetarin dhe standartet e jetës së tij, në praktikën burokratike të jetës parlamentare janë vecse komike.
Vështruar qetë, mund të duket si kërkesë e skenarit të shoqërisë së spektaklit, por që ka filluar të mos tërheq më vëmendjen e qytetarëve.

Mungesa e arritjeve dhe alternativave qeverisëse kthehet në zhurmë, shumë zhurmë, përfundimi asgjë.
Vendi i politikanit dhe politikani qeverisës që e zë atë, si të vinte një maskë, përfitojnë fenomenollogji të ndryshme transformimi, të cilat bigëzohen e kryqëzohen tek ngjajshmëria dhe imitimi i “Liderit”.
“I ndryshmi” izolohet nga publiku dhe ngelet i vetëm. Atij nuk do dhe duhet ti ngjajë asnjë. Të gjithë presin të bjerë.

Duket se askush nuk do ti ofroj asnjë vend në azilin politik të rradhës.

Kur mungojnë argumentet e rëndësishme të aksionit qeverisës, tensioni i përleshjes politike të ditës është një mënyrë për ti bindur qytetarët se luhet dicka e madhe. Aty ku mund të presësh të gjesh cinizmin, gjen vec mëllef, dhunë dhe paranojë.

Pretendimi i kundërshtarit për të marrë pushtetin, duket gjithherë si agresion. Dialogu objektiv bëhet i pamundur sepse cështja nuk qëndron tek e vërteta, por tek pozicioni i “Liderit”, jo tek ajo që thuhet, por tek ai që ai e thotë.
“Lideri” gjithëpushtet e ka të vështirë të pranojë se pushteti ushtrohet, nuk zotërohet.

Sot, asgjë nuk është e pafajshme. Gjithcka u përgjigjet raporteve pushtetore të dhëna. Këtu opozita e majtë dhe opozita kunder regjimit duhet të luajë rolin e vet.

Mirëpo, nëse lufta demokratike kundër kalimit të caqeve të pushtetit nga “Lideri”, përzihet me konstruktimin ideal dhe legalizimin e bashkimit anarko-partiak, krijohet një terren konfuzioni, gjë, që sidoqoftë, nuk duhet të na shërbejë ende si alibi morale për të penguar veprimet e duhura dhe të nevojshmë si opozitë.

Sic thotë një analist i së majtës europiane, “është keq nëse ka vetëm një zjarrfikës, porse është e tmerrshme të rrish qetë duke vështruar zjarrin që shkrumbon, sic rri shpeshherë një soj e majte”.

Dhe një farë e majte, i ka “larë” duart shumë e shumë herë për hir të një ndërgjegje të pastër tekniko-pacifiste dhe të prioritetit të dialogut e bashkëpunimit me të djathtën edhe aty ku ai është i pamundur.
Kjo lloj e majte duhet lënë mbrapa dhe nuk mund ti shtrihet më dora e bashkëpunimit.

Morali, ashtu sikurse të drejtat, është dhe mbetet individual, por tani kërkohet edhe për të tërën përballë qytetarit votues.

Angazhimi i të gjithëve, kundër kalimit të caqeve të pushtetit, deformimit e kapjes së institucioneve, korrupsionit pa kufij dhe krimit të organizuar është politikisht një detyrë për tu përmbushur në qershorin e 2013-tës.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...