Opozitë në mision

Edi Rama, leader of the Albania's opposition Socialist Party, walks during a peaceful commemoration protest in Tirana

Nga Prof.As.Dr.Artan Xh. Duka

Çfarë dinë që nuk dimë!

Përballë një mazhorance të qorrsokakut demokratik, shoqëria nuk e ka më luksin e retorikës të përsiatjes opozitare rreth rilindjes teksa vetë garancia ‘maja’ opozitare për rilindjen 2013 nuk davarit hamëndjet kur mendohet kë ka përballë. Një mazhorancë që të ‘mbin në derë’ teksa e ka në gen abuzimin me votën dhe që preferon më mirë të humbi namin se syrin kur vjen puna për të dhe që ka më shumë se kurrë mjete në dorë për arritur atë. Rrjedhimisht, ndonse kërkush nuk vë në dyshim superioritetin e elektoratit të opozitës, askush nuk do të uronte qoftë një 1996 të imponuar, ashtu dhe një serial të ri ‘Hapni kutitë’ apo skenare alternative radikale postzgjedhore përballë një mazhorance të imunizuar deri më tani edhe nga presioni perëndimor.

Nëse përjashtojmë kllapinë opozitare (ajo dhe shoqëria nuk e kanë luksin e naivitetit), mbetet që lidershipi opozitar di diçka që elektorati nuk di(!). Duke përjashtuar një ujdi mes palëve për rotacion ‘in vitro’ (preçedentët ekzistojnë), urojmë të jetë një garanci dhe ultimatum diskret perëndimor (SHBA kryesisht) me heqjen e vijës së kuqe ndaj cënimit të votës së lirë. Gjithsesi, për të gjeneruar entuziazmin për ndryshim, ka rëndësi jo vetëm çfarë lidershipi opozitar di por dhe çfarë elektorati beson ndaj lidershipi opozitar duhet të artikulojë qartazi përse vota nuk do të nëpërkëmbet si rëndom më parë, për më tepër pas sagës së hapjes së kutive, rëndimit të kostos së mbijetesës dhe gjakosjes së 21 janarit.

Kryeministër i tokës së djegur

Opozita shqiptare nuk mundi të impononte zgjedhje të parakohëshme ndaj një mazhorance që rëndon çdo ditë thesin e ‘mëkatit’ demokratik e kombëtar duke cënuar tabu të demokracisë, intimiduar sovranitetin, tjetërsuar dhe shpërfytyruar, deri pakthim, zhvillimin social-ekonomik, pronën, habitatin dhe urbanistikën në vënd, rezultantja e të cilës është asfiksimi i shpresës për ndryshim dhe besimit tek rilindja e trumbetuar. Një shans i humbur që rrit koston e qeverisjes nëse rotacioni ndodh, duke cënuar interesin e votuesit që nuk mund të reduktohet në ambicie individuale kryeministrore, paçka se tokë e djegur. Përtej përgjegjësive opozitare, kjo ndodhi edhe për faktin se ajo pati përballë një mazhorancë të papërgjegjshme (me dorëheqjen të fshirë nga fjalori politik) dhe të paparashikueshme (luan pa rregulla loje) me perëndimin ndërkohë jo efektiv në mbikqyrjen dhe artikulimin e solemnitetit të votës së lirë dhe qeverisjes korrekte.

PS gjestin e parë

Që refreni opozitar të mos mbetet retorikë dhe shpresa e rilindjes utopi, mbetet jetik ngjizja e një fryme dhe një fronti opozitar që eklipson, edhe tek më skeptiku, mendimin se gjërat kanë marrë fund. Një front në emër të vlerave bazë demokratike të mohuara për të gjithë dhe përtej komplekseve ideologjike, tundimit për protagonizëm partiak dhe kryeministër në hije, apo deklaratave alibi ‘të hapur ndaj kujtdo që pranon programin tonë!’ Me topin tek PS që si opozitë me gravitet superior, duhet të bëjë gjestin e parë, atë të të madhit, duke trokitur qysh nesër në dyert e partive që deklarohen për ndryshim duke mos lënë më vënd për interpretime pafund dhe bërë të prekshme shpresën për ndryshim. Kjo frymë e ndryshimit mund të bartet vetëm nga individë që nuk janë pjesë e inercisë së profilit të politikanit të tranzicionit që duam të lëmë pas. Proçes ky që kërkon kohë dhe opozita nuk e ka me bollëk. Vetë lideri socialist arriti zenitin e tij duke u shndërruar në simbol të shpresës, pikërisht sepse ishte vetvetja dhe jo produkt klishe i marrëdhënieve me publikun sikurse është e modës sot. Nëse flitet për rilindje, natyrshëm nevojiten rilindas dhe tik-taku i numërimit mbrapsht, nuk lë vënd për hezitim.

Çtabuzimi i nacionalizmit

E kulmuar me 100 vjetorin e pavarësisë, kauza patriotike, u shpërdorua nga ana e PD të etur për profil iluziv nacionalist pas një serie implikimesh me faturë në sovranitetin dhe dinjitetin kombëtar. Me implikimin, pas reagimit ndërkombëtar, të lançimit sërisht të tezës amorfe se integrimi shqiptar do të ndodhë në Bruksel duke dekurajuar kësisoj hovin që platforma kombëtare po përjeton dhe artikulimin prej AK të disa të vërtetave tabu që mërmëriten prej kohësh por që për shkak të ‘korrektësisë’ politike, u lidhën duart qeverisjeve të tranzicionit. Ndërsa syresh predikojnë se nuk mund të flitet për bashkim kombëtar sa kohë e kemi barkun bosh, të tjerë argumentojnë se është pikërisht bashkimi ai që ofron shanse për zhvillim real në analogji me vetë Rilindjen Kombëtare apo shpalljen e Pavarësisë që u inicuan jo në kushtet e mirëqënies dhe zhvillimit por aspiratës për to.

Kur e ulim pazarin vetë

Çështja kombëtare jo rrallë është ndikuar nga konteksti politik duke filluar nga rikthimi i monarkisë, rreshtimi me aleancën antifashiste, bashkim-vëllazërimi me jugosllavët, harmonia e kampit socialist, internacionalizmi proletar, lufta e ftohtë dhe tashmë prej dy dekadash, aspirimi për në BE dhe fryma e fqinjësisë së mirë(!). Një vetçensurim i çështjes kombëtare, që në tranzicion, përveçse nuk është vlerësuar nga Europa që na ndau më 1913, veçse konfirmoi, ‘stabilitetin’ e rajonit në favor të inercisë së shovinizmit arkaik.

Integrimi shqiptar, në rrugë paqësore dhe legale, nuk është antieuropian sepse përpara se ta bashkohemi me sërbin dhe grekun në Bruksel, duhet të kalojmë testin e integrimit mes nesh. Çështja shqiptare është borxh shekullor europian dhe mohimi i vetvetes nuk e ka sjellë Europën më pranë. Përkundrazi, BE, duke e vënë theksin tek vota e lirë e 2013 (me këtë mazhorancë është bast i humbur) me tepër se sa presion ndaj mazhorancës, duket sikur po përgatit alibinë e rradhës për të ngrirë perpetum kandidaturën e Shqipërisë, të atij vëndi që me Skënderbeun u sakrifikua në mbrojtje të Europës së krishterë dhe prej 1913, ndonse i gjymtuar, mbetet faktor paqeje në rajon (shkëputja prej Traktatit të Varshavës, lufta e Kosovës etj). Nëse ka vënd për ndëshkim prej BE, nuk ka pse të pritet 2013 dhe sigurisht nuk duhet të jetë qytetari shqiptar që duhet t’i refuzohet lëvizja dhe integrimi por lidershipi problematik partiak duke filluar nga refuzimi i lëvizjes, denoncimi i llogarive bankara jashtë shtetit etj.

Opozita duhet të çlirohet nga kompleksi i inferioritetit ndaj Europës për me tepër kur kjo mazhorancë, me qasjen e faktit të kryer – abuzim me votën apo qeverisjen, jo vetëm nuk është marzhinalizuar prej saj por përkundrazi është trajtuar në vijimësi si partner duke shpënë ujë në tezën se gjeopolitika ka epërsi ndaj demokracisë dhe sa kohë funksionon ‘kusia’ me presion (autokracia), pakënaqësitë dhe revoltat e qytetarëve nuk përbëjnë lajm.

Integrimi europian përmes atij shqiptar

Dinjiteti dhe integrimi shqiptar, ku dhe ndryshimi paqësor i kufijve nuk është më tabu, nuk bie ndesh me integrimin europian. Përkundrazi. Ai shfryn valvola tensioni të kahershme të nacionalizmit shovinist me zanafillë 1913, duke hedhur farën e harmonisë perpetum në Ballkan, në vetvete aset për BE dhe filozofinë pro paqe të saj. Kjo sepse fitilin e barutit në Ballkan nuk e ndezi asnjëherë aspirata për Shqipëri etnike por oreksi i fqinjëve i shtuar artificialisht prej 1913. Rrjedhimisht, duke i vënë kapak ‘luftës së ftohtë’ nacionaliste, fokusi politik dhe publik do të orientohet rreth zhvillimit dhe integrimit ndërrajonal duke krijuar një treg panballkanik me interes për vetë BE.

Në planin shqiptar, ai përmbush një amanet rilindasish dhe aspiratën e 1912 sikurse i jep dinjitet rrugëtimit europian, mundëson integrimin e përshpejtuar të Kosovës, rrit valencën e zërit shqiptar në BE dhe krijon një treg solid shqiptar të aftë të joshë dhe absorbojë megainvestime me efekt të ekonomisë së shkallës prej korporatave me zë perëndimore. Integrimi panshqiptar na shndërron në të njëjtën kohë në aleat dhe partner dinjitoz dhe efektiv të SHBA të cilëve iu detyrohemi aq shumë duke përmbushur si duhet interesat reciproke gjeopolitike.

Rilindja demokratike me rilindje kombëtare

Çështja kombëtare nuk është as flamur jashtë mode dhe as e parakohëshme. Si detyrim kushtetues, ajo duhet të përbëjë boshtin e platformës së opozitës së bashkuar teksa koha provoi se vonesa në integrim, më tepër sesa prej qasjeve nacionaliste (rasti i Kroacisë apo Serbisë), i referohen papërgjegjshmërisë së klasës politike të tranzicionit të tunduar nga zelli i abuzimit me pushtetin me rrjedhojë sabotimin e qëllimshëm të shtetit. Duke filluar me rezolutën çame që, pavarësisht se kush e ofron, rëndësi ka çfarë përmban. Ajo është rezolutë për çështjen shqiptare, afirmimin e reciprocitetit me fqinjin jugor, konsolidimin e identitetit dhe promovimin e krenarisë së përkatësisë shqiptare në rajon. Rezoluta çame nuk vlen më pak se qarku i Fierit sikurse votimi i tre ligjeve prointegrim nuk mund të krahasohet me gjymtimin e Kushtetutës dhe ligjit zgjedhor, ndaj është koha që opozita e bashkuar të dëshmojë autoritetin dhe lidershipin e pritshëm duke mundësuar që rilindja demokratike dhe ajo kombëtare të dalin nga qerfulli i llafeve dhe të shndërrohen në lajtmotiv të votës së 2013.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...