Pse dua t’ju tregoj Agronin

Mira_KazhaniNga Mira Kazhani

lunch.com

 

Kohët e fundit po ndjek nje telenovele britanike “Downton Abbey” është historia e një familje aristokrate londineze ne vitin 1912. Histori me lord e kontesha që pasurinë e kanë vlerë, virtyt. Të gjithëve na pëlqen paraja, dikujt më shumë e dikujt më pak, por le të themi që ajo është një tundim-mundim i madh në këtë jetë.

Desha ta bëj pjesë të lunch.com një djalë të ri, të panjohur për ju. Ai nuk ka asnjë lidhje me telenovelën të cilën ndjek unë mbrëmjeve të vona, në dvd player e televizorit. Është një sipërmarrës me një histori tipike, nga ato për filma. Madje, diku në një film edhe ka marrë pjesë. Kush ka parë “Anijen” e Roland Sejkos, një film dokumentar për largimin e shqiptarëve në 1991, mundet edhe ta bëj lidhjen.

Agron Shehaj, prej vitit 2005 drejton një kompani të llojit Call Center, quhet IDS. Për herë të parë e pashë në emisionin e Fabio Volos, sezonin e shkuar. Një mbrëmje krejt ordinere në shtëpinë time, madje pa telenovelë në sfond,  s’di si pulti atë natë, mbeti së bashku me shushatjen time tek një titull i madh pas një të ftuari pak të dobët në fizik, me gazetarin, shkrimtarin , le të themi, të preferuar Fabio Volo. Shkruhej: “Shqipëria parajsa përtej detit”, dhe Agroni me një italishte të mprehtë, rrëfente pak i emocionuar sesi kish krijuar kompaninë e tij në Tiranë. Si i kishte ardhur ideja, sa shumë kish rrezikuar, dhe ankthin e djersën e muajve të parë për borxhin e prindërve e ndjenjën që tmerron Dështimi.

Pas 8 vitesh ai ka mbi 3 mijë të punësuar. Xhirot mujore, duhet të jenë një shifër marramendëse dhe të mendosh se Agron Shehaj është vetëm biznesmen, dhe jo kredimen siç do ta lanconte këtë shprehje të fundit miku im Ylli Rakipi.

M’u duk e pabesueshme, kur e pyeta nëse kishte kredi apo jo?

-Nuk kam asnjë kredi. Nuk i dua bankat, i respektoj sigurisht më sqaron ai me një theks pakëz Italian që mbulon shqipen e drejtpërdrejtë.

E pyes nëse i njeh disa nga të pasurit e Tiranës.

Nuk njoh askënd, më thotë ai. Duhet që ti njoh? –më pyet, ndoshta me ironi dhe lë të kuptohet se ishte vetëm një shaka.

“Nuk dua të përmend emra, as të mbaj qëndrime rreth biznesmenëve të tjerë, sepse nuk do ishte e sjellshme dhe kush jam unë që u dashka të marr një qëndrim mbi të tjerët, kushdo qofshin ata, -tregon ai me një ton të sinqertë. Ajo ç’ka mendoj është se ndoshta një pjesë ka një filozofi ndryshe nga ajo imja, por njoh edhe biznesmenë të vërtetë që punojnë me ndershmëri, largpamësi dhe pa fashën e spekulimit, në interes të tyre por edhe të shoqërisë. Është çështje koncepti në biznes. Çdokush ka parimet dhe formulat e tij. Druaj se ka nga ata që më shumë sillen si të pasur sesa janë. Kanë krijuar një aureolë të tillë, falë edhe bankave. Jo të gjithë e “urrejnë” bankën e bankierët si unë, Ka nga ata që e kanë sportin e tyre të preferuar. Unë jo!

Po kreditë janë pjesë e kapitalizmit. Pa ato, kam dëgjuar se s’mund të krijosh sipërmarrje. Duhet gjithmonë një zinxhir mbështetje, -e pyes unë.

-Varet se mbi ç’koncept e ndërton punën tënde. Nëse ke ide të qarta dhe në intuitën e kohës, ndoshta paratë janë gjëja e fundit. Paratë nuk duhet t’i kërkosh, është puna që i sjell vetvetiu ato.

Ai se ç’ka një modesti të ndërthurur me vetësiguri, që duket deri diku, edhe e pavërtetë. Ose shumë histori e bukur për të qenë e vërtetë do thosha unë, e ndoshta, edhe ju?!

Ja shfaq skepticizmin tim hapur, dhe kujdesem t’i rrëfej se edhe në e besoj unë, askush në Shqipëri nuk ka prirje të zërë besë në realitete të kësisoji! Zotërohemi si komb nga miti i mikut, armikut, i të qëndruarit pa lopë për vete, dhe thellësisht të lumtur që s’do e ketë edhe fqinji një të tillë.

– Ne nuk besojmë se i pasur bëhesh kështu, me këtë model që flisni ju. Duket një nonsens i madh në qytetin tonë?!-i tregoj atij.

-“Ke të drejtë, absolutisht!  E di që tingëllon pak paradoksale.  Por unë jam rritur dhe formuar në një mentalitet perëndimor. Dhe të mos keqkuptohemi kudo ka vështirësi edhe kur je dukë bërë punën më të ndershme ka shkarpa gjatë rrugës. Askund morali nuk është “parajsa përtej detit”. Kudo ka paqartësi, por problemi më i madh në Shqipëri është Besimi”.

“Dua të ta sjell këtë me një ngjarje krejt vulgare. Unë kam një varke që gjatë verës e marr dhe dal së bashku me vëllain tim, -nis e më tregon ai. Nuk e di nëse të ka rastisur por zakonisht kur i afrohesh molit, çdokush që e njeh detin të afrohet për ndihmë që të zësh vend në liman. Në një nga mëngjeset e kësaj vere, po i afroheshim portit të Durrësit. Një burrë, afrohet dhe në momentin që po hidhnim litarët, ai, burri i alarmuar na kërkoi të mos qëndronim aty, sepse sipas tij pak më vonë do të vinte një anije më e madhe, ndoshta diku rreth orës 6 të mëngjesit. Në çast mendova, po ai po më gënjen apo po më thotë të vërtetën?  Nuk bëra rezistencë dhe zgjodha një tjetër vend. Kur u ktheva asnjë anije, as më e madhe dhe as më e vogël nuk kish ankoruar aty. I panjohuri na kish gënjyer, dhe një zot e di se pse?!

Kjo është gjëja më e keqe që duhet zhdukur në Shqipëri. Kriza e besimit, sjell të gjitha “mortet” e ekonomisë dhe jetës sociale, politike, familjare. Gjithçka Mira, vjen nga ky ngërç i madh.

Jemi ulur në një nga baret e shpejtë të Tiranës, tek Artisti. Dhe po shijojmë një drekë të lehtë me salmon dhe sallatë spinaqi.

Agroni nuk njeh shumë figura publike. Psh, disa ministrave mezi jua kujton emrin. Ai njeh Edi Ramën, Berishën, Metën dhe Lulzim Bashën. Nuk është një simpatizant i politikës, edhe pse më rrëfen se i pëlqen ta ndjekë atë nga larg.

“Për fat, puna ime nuk më lidh me politikën në përgjithësi, është një punë që të çon vetëm drejt të rinjve, dhe mundësisht edhe pa eksperiencë”.

Ndërkohe që ai flet, unë përpiqem të kujtoj nëse njoh ndonjë biznesmen që nuk është rreshtuar ose ka ëndrrën të rreshtohet afër politikanëve. Ai me siguri është një rast Sui Generis.  Atij do t’i pëlqente të takonte Ismail Kadarenë. Të gjej një njeri të panjohur por që mundet ta habisë. Këto kohë po punon në ngritjet e disa projekteve në fushën e internetit. On line duket se i ka marr zemrën këto kohë dhe për momentin dhe po gjurmon talente në teknologji. Një ditë më parë ka qenë në një takim jashtë vendit me përfaqësi të Google. Më kuriozon shumë Google por ai jo vetëm që tregohet i rezervuar por madje më thotë se kjo s’ka nevojë të mbahet shënim nga unë.

I tregoj se njoh djem e vajza të shkolluara jashtë dhe brenda vendit që mundet ta ëndërrojnë një shans të tillë. Por ai edhe këtu më lë pa-gojë!

“Shkolla, nuk është vetëm shkolla. Mund të jetë dikush që ka lindur i talentuar dhe të bëj mrekullira. Nuk them se shkolla nuk duhet, se ndryshe s’do e kisha bërë as vetë, por kam zbuluar që nuk është kusht në sukses” . E di çfarë mendoj se është çelësi i suksesit. Kur jep dhe merr besim. Të jesh modest dhe të punosh jashtë mase pa u dorëzuar dhe pa rënë pre e pretendimeve.

“Nëse gjej dikë që vërtet ja del të më mahnisë, jam gati t’i jap gjithë besimin tim. Janë të paktë në numër por ka njerëz të tillë në Shqipëri me të cilët sot punoj dhe ata e kanë arritur suksesin e dëshiruar. Fakti që janë të paktë, nuk vjen ngaqë jemi pak në numër, por sepse, (me keqardhje e them), nuk kanë dëshirë, thjesht nuk duan të punojnë. Nuk ka të papunë, ka vetëm dembelë. Nëse do të punosh, e gjen gjithmonë një mundësi,” -më thotë ai me bindje.

Është kaq i sigurt në tezat e tij, madje kam frikë se i tillë është edhe në pasiguritë e tij.

E pyes nëse është natyrë që stresohet, si menaxhon suksesin dhe ndonjë dështim gjatë rrugës.

-Stresi më pëlqen, më argëton. Kur kam stres koha fluturon dhe punoj më mirë sesa kur jam i qetë. Zakonisht nuk jam i qetë, sepse nuk kam aq shumë çaste të lira në ditën time.

Ndërsa ai tregon për axhendën e ngjeshur të takimeve më duket si një njeri “up in the air”. Dje me google, ndërsa pas drekës me salmon për mua, do fluturoj drejt Sardegnës.

E pyes nëse fluturon në bussines class dhe ai qesh.

– Nuk udhëtoj kurrë në bizness class! Dhe lëviz kokën me një miratim të fortë.

Ai nuk ka kohë të vuaj, të stresohet dhe nuk duket të jetë natyrë extraverse. Nuk është supersticioz, nuk beson tek energjitë (siç besoj unë). Nuk sheh telenovela, por vetëm filma. Nuk ka jaht por ka varkë. Nuk ka pasuri po ka biznes. Nuk fal por jep gjithmonë një mundësi dhe për ta mbyllur më thotë se nuk është i mirë, por pa dyshim është i drejtë.

Sot është i veshur me një këmishë të lehtë bojëqielli dhe këpucë elegante por praktike. Ka stil italian, dhe ora që mban në dorë nuk më duket të jetë nga ato të shtrenjtat që lëshojnë xixa fodullëku. Nuk ka asnjë aksesor apo sjellje ,që të duket si një i pasur, dhe nërsa unë pres të konfirmoj që ai është i pasur, siç kisha besuar nga emisioni i Volos, vjen përgjigjja bombë.

-Jo, jemi keqkuptuar, unë nuk jam i pasur. Ai më tregon edhe një bisedë më mbesën e tij të vogël e cila një ditë e ka pyetur se çfarë pune bënte xhaxhai i saj i dashur.

-Jam sipërmarrës, i është përgjigjur ai me një gjendje të sikletosur.

-Çfarë domethënë sipërmarrës?, -ka pyetur sërish e habitur mbesa.

Si kurrë ndonjëherë, ai është ndjerë pa një shpjegim dhe ka gjetur më të mundshmen frazë. -Sipërmarrës është një burrë që merr përsipër të bëjë gjëra , si p.sh krijon diçka nga hiçi ku punojnë njerëz të shumtë!

“Një komunikim nga ato jo fort të lehtë me fëmijët të cilët botën e marrin ashtu siç është në të vërtetë. Pasi ne të rriturit e manipulojmë shpesh, duke e bërë herë më të ligë nga ç’është, e herë më të mirë “.

-“Puna që bëj më mundëson të mos marr kredi, -sqaron ai. Të mos jem borxhli, ndoshta por nuk mendoj se jam bërë i pasur. Kam krijuar një kompani që më mban trurin zgjuar në çdo moment, dhe më jep mundësinë të vazhdoj përpara. Kam para mjaftueshëm për të qene i qetë dhe për të paguar ëndrrat e mia.

Cilën ëndërr? E pyes unë.

Kam vetëm një Mira, të mos bëhem dembel dhe te mos ndaloj.

P.S Nëse dikush që e ka lexuar këtë profil dhe mendon që është i papunë, me keqardhje i drejtohem një dembeli, ose një të pafajshmi që thjesht nuk e di se diku, është një mundësi për të. Nëse je i talentuar dhe nëse je i patalentuar por ke vullnetin për të punuar, mund të shkosh padyshim në një nga zyrat e IDS në Tiranë ose Vlorë. Nuk është e thënë që të punosh në një Call center, nëse ke një ide të re mos e lër të tretet në mendje. Dhe atë ditë mos merrni asgjë me vete veç energjive dhe talentit. Harrojini CV-të, diplomat, dhe shpresën për të gjetur një punë të mykur në administratë. Zgjoni trurin dhe nisni të jetoni. Unë po të mos besoja se talenti im i vetëm është gazetaria, do kisha ikur me vrap. Paçi fat!

REMOTE_ADDR:[]

14 komente në “Pse dua t’ju tregoj Agronin”

  1. Plaku says:

    O Mira, ti sheh endrra me sy hapur moj zonje e dashur! Idete, konceptet, teorite dhe praktikat e liberalizmit ekonomik i kane hedhe mendimtare me te medhenj se ju, por praktika ka treguar se pa nje shtet te se drejtes, i barabarte per te gjithe dhe vizionar per strategjite e zhvillim, nuk ka as pune, as para dhe as buk per te gjithe.
    Ke degjuar ndonjehere per korrupsion, monopole, mafje, matrapazlleqe, servilizem, e shume e shume cilesues te tjere qe e karakterizojne shtetin (duke filluar nga nari e poshte) dhe biznesin??

  2. Ju lutem ma perktheni says:

    “kush jam unw qw u dashka tw marr njw qwndrim mbi tw tjerwt, kushdo qofshin ata, -tregon ai me njw ton tw sinqertw. Ajo cckas mendoj wshtw se ndoshta njw pjesw ka një filozofi ndryshe nga ajo imja,  por njoh edhe biznesmenw tw vwrtetw qw punojnw me ndershmwri, largpamwsi dhe pa fashwn e spekulimit, nw interes tw tyre por edhe tw shoqwrisw”

    Qysh kur ka hyre germa “W” ne gjuhen tone???!!!!

  3. B. says:

    Faleminderit Mira.
    Do te me pelqente te ishte nje editorial i tille. Per shume njeres ne Sqiperi ndoshta eshte nje a opinion si gjithe te tjeret, per shume shqiptare qe punojne dhe jetojne ne vende te huaje eshte shume kuptimplote.

  4. niku says:

    Meqënse Mira ështe gazetare unë jam Shekspiri.
    Për mendimin tim në rolin e kamarieres do kishe më dinjitet.

  5. Kujtim KS says:

    Emri te pershtatet shume. 🙂

  6. analfabete funksionale says:

    Po ik o Mira futja vrapit se je nje tmerr i vertet. Thash se me intervisten e Arvizus kishe prekur fundin, por jo! me post scriptumin e kesaj e tejkalove pritshmerine. Vrapiiiiiit.

  7. vis Cerri says:

    Te lexosh intervisten e Mires te jep te njejten ndjesi qe ke gjate nje kapslleku te gjate e te lodhshem ndersa vuan nga hemorroidet.

  8. beso says:

    ky call center kam degjuar qe eshte biznes(business)i ndoca kompanive italiane qe per çeshtje kostoje e taksash e kane transferuar ne Shqiperi.Di qe Wind operon ne Shqiperi me Call Center,sepse kam lexuar ne nje shtyp italian qe i pakenaqur me te tilla manovra denonconte lojen e bisneseve te tilla,qe parate i vjel ne Itali dhe koston e kursen ne Shqiperi.Por nejse,ky eshte diskutim i gjate.Mire ka thene biznesmeni,eshte sipermarres.

  9. valter says:

    Mira ti je nje vajze e bukur dhe pse jo mund te behesh nje gazetare e mire por kjo qe ke shkruajtur eshte qesharake. Shpresoj qe te mos ta lexojne bankjeret se ne krye te nje viti iken prap emigrant ky agroni yte ne itali.

  10. Pijaneci says:

    Mira, shumë romantike dhe iluzore, për ta besuar e për të qënë realitet…sidomos në Shqipërinë tonë hallemadhe…

  11. Konica says:

    Ja me ne fund nje gazetare teper origjinale si ne stil edhe ne permbajtje. Mira….you are great!!!!

  12. Askushi says:

    Bravo Mira!…
    Keshtu lindin ‘Gjenite’,gazetaret e ‘talentuar’,rastesisht,’nga nje mbremje krejt ordinjere’…,inspiruar nga’shkrimtare te medhenj’ si Volo(ne ‘fluturim’ e siper),dhe’jo-kredimene’te pa pame(deri tani)si Shehaj!
    Mos u tut Mira,vazhdo te ‘germosh'(pa ja dhene vrapit),se ka gjithandeje’jo-kredimene’te pa pare!
    Ja pershembull,ne Genova(veri te Italise)ke nje tjeter rast edhe me te pa pare,nje …Doc Doci ja thone(prej Lure),…eshte i pa pame fare!
    Te lumte Mira, keshtu jello…e inspirou…, edhe nga miku(Ylli)tend(i ‘Madhi’)Rakipi…,edhe ai ka shkelqyer ne kohet e tije,biles aq shume sa qe…,i ndertoi disa pallate e bisnese,ca me letra e ca pa letra(kuptohet, gjithnje si jo-kredimen)!!

  13. Nje operatore ne call center says:

    Pershendetje Mira,
    a e di ti se ky call center-i qe ti e mburrke me superlativa mbahet si call center-i ME SKANDALOZ ne Tirane.
    Per operatoret eshte pagesa skandaloze, fushatat e shitjeve ne telefon te frikshme e shume te veshtira, stresi ne pune kap majat, te bertiturat ne sallat ku punojne operatoret (qe meqe ra fjala, jane shumica te rinj 18-25 vjec dhe studente ose te diplomuar, qe punojne aty NGA HALLI E JO NGA QEJFI SIC THUA TI)per pak cajne tavanin. Nuk e kuptoj pse e reklamoke punen ne call center-in IDS si puna e endrrave?! Do doje ti vete te te cirrej fyti e te shqyhej gurmazi perdite nga 6 ore duke iu lutur italianeve te pranonin oferten tende? Une jam e sigurt qe nuk do doje!

    Keshtu qe, ky zoteria nuk me duket se ka ndonje talent te madh qe ka ndertuar nje biznes shfrytezimi! Pastaj, as qe e ka ndertuar vete ai, por kushedi kush fshihet pas tij!

  14. Shoqata AlbAccess Open says:

    Nje veshtrim real dhe e sjellur thjesht dhe sakt.
    Nese dikush ka me shume mundesi apo mendje le ta perdore.
    Po dhe rasti i sjell eshte nje nga shume modelet qe mund te mesosh dicka

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *