Evropa që (nuk) duam

afrim

Nga Afrim Krasniqi

Në fundin e viteve 80 regjimi dhe Ramiz Alia mbronin tezën zyrtare se Shqipëria nuk ishte as lindje dhe as perëndim, ajo ishte rast i vecantë dhe si e tillë, duhet të ndihmohej financiarisht apo të pranohej në KSBE ashtu sic është, pa pluralizëm politik dhe kritere demokracie. Tendenca për tu dukur gjithnjë “rast i vecantë”, për të kërkuar një standard “shqiptar” ndryshe nga standardet e njohura dhe për të merituar një status të avancuar pavarësisht meritave, vijon të mbetet një nga tiparet kritike të tranzicionit. Më 1991 hymë në KSBE pa bërë ende zgjedhje të lira, më 1995 hymë në KE duke pasur në burg kryetarin e opozitës, më 2003 nisëm procesin e MSA duke mos pasur një parlament tërësisht funksional, më 2008 hymë në NATO vetëm pak ditë pasi kishim shkarkuar për korrupsion dhe akuzën e vrasjes kolektive të gjithë kupolën politike dhe ushtarake të ushtrisë. Tani kërkojmë ftesën e kandidatit për BE pa arritur ende të vëmë në jetë shumicën e prioriteteve dhe standardeve që kërkohen për një akt të tillë politik.

Gjithnjë ka pasur shtete perëndimore që kanë qenë skeptike, kritike dhe votuese të sforcuara të kërkesave maksimale të Shqipërisë. Sot është Holanda, mund të jetë Gjermania, Danimarka apo ndonjë shtet tjetër brenda BE. Rendja pas emrit të shtetit dhe përpjekja për të gjetur alibi apo argumente kundër tij nuk vlen, është mentalitet provincial dhe nuk përputhet me vlerat që mbart BE, pra familja politike ku duam të hyjmë. Vemendja duhej të ishte dhe të mbetet tej pretendimet e shteteve kritike. Ato mund të kenë nota më të avancuara kritike, mund tu japin rëndësi më të madhe sesa meritojnë disa dobësive të demokracisë shqiptare, mund të kenë qënë spektik për cdo zgjerim të BE drejt vendeve të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, mund të kenë qëndrime që lidhen me problematikat e tyre të brendshme politike. Secila arsye vlen dhe shumica nuk varen prej nesh. Por në kritikat zyrtare të parlamenteve apo qeverive respektive këto kritika subjective janë minorancë, ato flasin me gjuhë direkte për kritika më thelbësore. Ato janë skeptike nëse demokracia shqiptare është funksionale, nëse elita politike ka vullnet real për reforma dhe progres, nëse institucionet tona janë garante të kushtetutës dhe ligjit, nëse liritë qytetare respektohen, nëse Shqipëria i ka dhënë fund tranzicionit apo vijon ta jetojë atë në një formë tjetër më të moderuar.

Ne që jetojmë në Shqipëri, i njohim politikanët, njohim institucionet, përballemi cdo ditë me problemet e tranzicionit, e dimë se të gjitha këto pretendime janë të verteta. Madje e verteta është shumë më e dhimbshme sesa kaq. Ne e dimë se piramida vendimmarrëse politike në Shqipëri reflekton korrupsion dhe lidhje me grupet informale dhe kriminale në vend, ne e dimë se asetet ekonomike janë në duart e një oligarkie të vogël brenda ciklit të mbyllur midis politikës-biznesit-medias dhe grupeve sponsorizuese të tyre në drejtësi dhe institucionet e tjera. Ne e dimë se vendet e punës nuk fitohen me konkurs, se promovimi publik kërkon sponsorizim politik, se aktiviteti i lirë konkurrues rrezikohet cdo ditë nga informaliteti dhe monopolet, se liritë qytetare varen nga vullneti i ca zyrtarëve të rrethuar me bodigardë, se ekonomia jonë konsumon dhe nuk prodhon, se vilat më luksoze në këtë vend janë pronë e politikanëve më të pushtetshëm, se antikorrupsioni ka qenë, është e mbetet një fushatë sezionale dhe selektive, se  jemi vendi i vetëm në kontinent ku nuk është zgjidhur ende cështja e pronësisë mbi tokën, dhe kështu, kemi katalizator të përhershëm të krizave politike, abuzimit dhe konflikteve sociale.

Kur ne e njohim vetveten, kur njohim sesi funksionon demokracia e shteti në Britani, Gjermani, Holandë apo Danimarkë, atëherë përse indinjohemi kaq shumë kur disa prej këtyre shteteve na thonë, se ende nuk jemi gati për të përmbushur të gjitha standardet e hyrjes në familjen e tyre politike, ekonomike dhe të vlerave? Përgjigjia është e dyfishtë dhe dyfish e gabuar: sepse integrimin ne nuk e shohim si meritë, nevojë, aspiratë kombëtare dhe projekt idealistësh, por si një mit, dhuratë, gomone shpëtimi, retorikë dhe alibi për të tërhequr vemendjen nga gjërat e tjera. Sepse ne ende vijojmë të flasim si më 1988, na pranoni kështu sic jemi, ndryshe, fajtor është Evropa, dhe ne nisim një fushatë denigrimi ndaj cdo vendi kritik, sic ka ndodhur rëndom këto ditë në FB jo vetëm nga turma anonime e blogjeve, por edhe nga figura publike dhe politike të katundit tonë.

BE nuk është kundër Shqipërisë. Statistikat e Bankës Qëndrore dëshmojnë se BE ka qenë donator kryesor i ekonomisë shqiptare, dhe vlera e ndihmës për numër banorësh, është më e larta në të gjitha vendet komuniste. Nuk është BE fajtore që ne, ia nisim nga e para njëherë në 6-7 vjet, fillimisht më 1991, pastaj më 1997, pastaj më 2005 dhe tani më 2013. Nuk është fajtor BE që vijojmë mitin e Rozafës, cdo ditë nga e para, dhe riciklojmë këto që është fajtor, që ndjejmë piedestale harbutësh dhe injorojmë tërësisht sistemin e vlerave, moralit dhe integritetit në politikë. BE kërkon akte konkrete antikorrupsion, akte konkrete për shtet të së drejtës, akte konkrete për administratë profesionale, akte konkrete për respekt ndaj ligjit dhe individit, në një kohë kur ne shtetin vijojmë ta shohim si parcelë private, administratën si tortë pushteti për militantët, drejtësinë si delja e zezë kur është kundër dhe aleate strategjike kur është pro qëndrimeve të palës politike, dhe kur politikanët tanë sillen, mendojnë e veprojnë shpesh me praktika antiligjore, janë mbi ligjin, ose sic thuhet rëndom këto kohë, janë më të gjatë sesa ligji.

Si qytetar bëj pjesë në atë grup të vogël që më 1990 e humbi zërin duke thirrur “e duam Shqipërinë si Evropa”, si shqiptar ndjehem keq që vendi im vijon të jetë në listë prirjeje pafund, edhe pas vendeve që kaluan luftra etnike, si shtetas korrekt, votues dhe banor i këtij vendi e shoh dështimin e radhës si dështim të modelit të deformuar të demokracisë në Shqipëri, dhe si profesionist e shoh të keqen midis nesh, në konceptin dhe mentalitetin tonë ndaj shtetit, qytetarëve, lirive, përgjegjësive dhe vlerave perëndimore. Pa ndryshuar veten, mentalitetin, sjelljen dhe aktet konkrete të qeverisjes Evropa do jetë horizonti që largohet sa më shumë i afrohesh. Një zhgënjim i madh për qytetarët, por njëherësh edhe një produkt i politikës konsensuale, abuzuese, denigruese dhe mesjetare të një klase politikë.  Në mënyrë paradoksale kjo e fundit ndjehet mirë me humbjen e shansit të radhës, ka qenë vetë produkt izolimi dhe kështu, mendon se e ka më të lehtë për të sunduar pa bezdinë e Brukselit, në prona, në toka, në parti, në shoqata, në ekonomi, në pushtet dhe në shoqëri. Ata nuk e duan këtë model europe që u kërkon të ndryshojnë, ata janë të gatshëm të kërkojnë një Europë tjetër, një model që nuk cënon por legjitimon politikat abuzive në Tiranë, një model të papranueshëm në Bruksel dhe të kundërt me pritshmërinë tonë qytetare. Për këto arsye ky dhjetor nuk ka fitues dhe duhet parë si moment reflektimi kombëtar, jo për të vënë në dilemë projektin e integrimit europian, as për të bërë viktimën e pafajshme të radhës, por për tu ndërgjegjësuar se kështu nuk vazhdohet, duhen reforma, duhen mentalitete e sjellje të reja, duhet qytetari, respect, integritet, ndergjegjësi e përgjegjësi, – përndryshe rruga jonë për në Bruksel do jetë më e gjatë sesa rruga e deritanishme e tranzicionit.

Marre nga blogu http://www.afrim-krasniqi.info/2013/12/evropa-qe-nuk-duam.html

 

 

 

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...