NATO-ja të riangazhohet politikisht në Ballkan

13 Mars 2014, 20:52Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

 

Për dy javë do të mbushen 15 vjet nga fillimi i fushatës ajrore të NATO-s për t’i dhënë fund dhunës serbe në Kosovë, pastrimit etnik dhe krimeve që bënte regjimi i Slobodan Milosheviqit. Kjo ndërhyrje shënoje dhe fundin e ish-diktatorit të Serbisë dhe fundin e politikës së tij agresive në tërë territorin e ish- Jugosllavisë. Më herët NATO-ja kishte ndërhyrë në vitin 1995, ndonëse me një intensitet shumë të vogël, edhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe ajo ndërhyrje e kufizuar mjaftoi që serbët të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të pranojnë Marrëveshjen e Daytonit që i dha fund luftës.

Edhe pas luftës në Bosnjë-Hercegovinë NATO-ja u kujdes për vendosjen e paqes përmes një misioni të madh dhe të gjatë në këtë shtet. Edhe në Kosovë pas fundit të luftës u kujdes për vendosjen dhe ruajtjen e paqes apo, siç thuhet në zhargonin e NATO-s, “krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë“.

Kontributi i NATO-s ishte i pazëvendësueshëm dhe i pakrahasueshëm me ndonjë organizëm tjetër ndërkombëtar. Është e pamundur edhe të imagjinohej se si do të dukej sot rajoni i Ballkanit sikur NATO-ja të mos kishte ndërhyrë.

Krejt ky angazhim i NATO-s nuk ka qenë aq i lehtë për shtetet anëtare të kësaj Aleance. Është dashur të shpenzohet shumë nga to. Është dashur të përballen edhe me kundërshtimet e forcave të ndryshme politike dhe një pjesë të opinionit, i cili apriori ishte kundër çfarëdo ndërhyrje. Por Ballkani në anën tjetër ndihmoi edhe në transformimin e NATO-s. Pikërisht këto ndërhyrje dëshmuan se edhe pas përfundimit të luftës së ftohtë ka nevojë për NATO-n, dhe ambicie edhe më shumë se më parë.

Këto ndërhyrje dhe suksesi në Ballkan i dhanë kuptim ekzistimit të NATO-s në kohën kur tashmë kishin filluar debatet për shpërbërjen e kësaj organizate të krijuar si rezultat i vullnetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbrojtur aleatët në Evropën Perëndimore nga invadimi i Bashkimit Sovjetik.

Pas ndërhyrjeve në Ballkan NATO-ja u transformua dhe u zgjerua. Zgjeroi jo vetëm anëtarësinë e saj nga 16 në 28 shtete, por u bë aktor global edhe përmes ndërtimit të partneriteteve të reja, që nga Evropa Lindore e deri te Koreja e Jugut, Japonia dhe disa vende arabe.

Pati edhe angazhime të reja si ajo në Afganistan apo në ruajtjen e detit Mesdhe. Sot më askush nuk flet për shpërbërjen e NATO-s, edhe pse roli i saj ka ndryshuar e me këtë edhe doktrina e veprimit.

Në Ballkan sot prania e NATO-s është shumë e vogël. Madje do të mund të thuhej edhe simbolike. Diku rreth 5.000 ushtarë në Kosovë, numër që pritet të përgjysmohen në rastin e parë të mundshëm, nuk është ndonjë barrë për Aleancën më të fuqishme të botës. Megjithëkëtë, sado e vogël të jetë prania e NATO-s ajo është e pazëvendësueshme.

Edhe sot NATO-ja mbetet prania më e besueshme ndërkombëtare për shqiptarët e Kosovës ndërkohë që është bërë edhe për serbët misioni më i besueshëm pa të cilin ata nuk mund ta paramendojnë sigurinë e tyre në Kosovë. Ishte një befasi e vërtetë kur kryeministri dhe zëvendëskryeministri i Serbisë kërkuan garanci pikërisht nga NATO-ja para se të pranohej marrëveshje e prillit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Bruksel.

Vërtet BE-ja është ajo e cila jep më së shumti ndihma financiare për rajonin dhe ajo e cila, përmes politikës së zgjerimit dhe mekanizmave të kësaj politike ndihmon demokratizimin në këtë rajon për ta përgatitur të integrohet një ditë në Bashkimin Evropian. Por vetëm NATO-ja është ajo e cila mund të krijojë ndjenjën e sigurisë në Ballkan. Kjo është arritur në masë të madhe në këto 20 vitet e fundit përmes politikës, të cilët e kishte përmbledhur njëri prej ish-sekretarëve të përgjithshme të NATO-s, Gorge Roberton, duke u angazhuar për “më shumë Ballkan në NATO e më pak NATO në Ballkan“.

Përderisa në BE motoja duhet të jetë e kundërta “më shumë Evropë në Ballkan e më pak Ballkan në Evropë!“, duke menduar në zgjerimin e zonës së prosperitetit evropian, vlerave dhe sundimit të ligjit në Ballkan, NATO-ja e kishte lidhur zvogëlimin e pranisë së saj në rajon me avancimin e vendeve të rajonit në procesin e integrimeve euroatlantike. Pra gjithmonë është folur për “integrimet euroatlantike“ duke mos harruar se krahas integrimit në BE, pikërisht për t’i dhënë ndjenjën e sigurisë, vendet e rajonit më parë anëtarësohen në NATO.

Kroacia e goditur rëndë nga lufta, tashmë është bërë anëtare e NATO-s. Edhe Shqipëria po ashtu dhe këto dy shtete tashmë me aleatët e tyre në NATO angazhohen në pjesë të tjera të botës. Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi janë partnere në programin e Partneritetit për paqe, një lloj statusi kandidati për ato vende që aspirojnë anëtarësimin. Mali i Zi është shumë afër për t’u bërë edhe anëtar i NATO-s ndërsa Maqedonia i ka përmbushur të gjitha kushtet për t’u anëtarësuar po ashtu, por po mbahet e bllokuar për arsye politike.

Edhe Serbia, të cilën dikur e kishte bombarduar NATO-ja është bërë partnere e kësaj Aleance dhe ka bashkëpunim të jashtëzakonshëm ushtarak. Këtë herë kanë pasur parasysh liderët e NATO-s kur kanë thënë se duan „më pak NATO në Ballkan dhe më shumë Ballkan në NATO“.

Me gjithë suksesin e arritur deri më tash dhe faktit të padiskutueshëm se situata e sigurisë është shumë më e mirë, ende nuk mund të thuhet se është krijuar një stabilitet i plotë në Ballkan. Sfidat nuk janë më aq shumë ushtarake sa janë politike. E NATO-ja, nuk duhet harruar, para së gjithash, është një Aleancë politike.

Për të finalizuar gjithë punën që ka bërë gjatë afro 20 vjetëve të fundit në Ballkan, që nga ndërhyrjet e para në Bosnjë-Hercegovinë e deri te detyrat që po i bën ende sot në Kosovë, Aleanca e Atlantikut të Veriut duhet të angazhohet më shumë politikisht në Ballkan.

Urgjentisht, para fundit të këtij viti, do të duhej të ftonte Maqedoninë dhe Malin e Zi në anëtarësim në NATO, të hapë Planin e veprimit për anëtarësimin (MAP) e Bosnjë-Hercegovinës dhe të ftojë Kosovën në Partneritetin për paqe (PfP). Vetëm në këtë mënyrë do të sigurohej stabiliteti i qëndrueshëm në rajon.

Shtetet si Kosova, Bosnjë-Hercegovina, deri diku edhe Maqedonia, ende nuk e kanë krijuar një stabilitet të qëndrueshëm politik, as të brendshëm e as të jashtëm. Kosova nuk e ka nën kontroll një pjesë të territorit të saj, ndërsa, me gjithë disa marrëveshje të arritura në Bruksel, Serbia nuk e njeh dhe vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Bosnjë-Hercegovina de facto është e ndarë. Maqedonia po ashtu ka një stabilitet të brishtë politik me potencial permanent të ngritjes së tensioneve ndëretnike. Nuk është problem vetëm pse në procesin e integrimeve në BE dhe NATO, pra në ”integrimet euroatlantike“, këto tri shtete po vonohen shumë, por pse ato janë të bllokuara në këtë rrugë. Kosova nuk njihet nga një numër i vogël i shteteve anëtare të NATO-s dhe BE-së, por ky numër i vogël mjafton që Kosova të mbahet tërësisht jashtë proceseve formale të integrimeve në këto dy organizata. Maqedonia tash e 5 vite i përmbush kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE dhe për t’u ftuar të bëhet anëtare e NATO-s, por mbahet e bllokuar për shkak të kontestit të emrit të saj me Greqinë fqinje. Bosnjë-Hercegovina ka ende pengesa formale që të lëvizë pikërisht për shkak të konfiguracionit të çuditshëm të pushtetit të cilin e ka dizajnuar pikërisht bashkësia ndërkombëtare.

Në këto rrethana ka ende njerëz në Ballkan të cilët të tri këto shtete i konsiderojnë si një lloj “gjendje të përkohshme“. Të gjitha dilemat rreth qëndrueshmërisë së tyre si shtete, pa marrë parasysh se si do të funksionojnë ato brenda, do të hiqeshin vetëm kur ato të bëhen anëtare të NATO-s. Kjo do t’u jepte një siguri dhe do t’i fokusonte energjitë në zgjidhjen e problemeve të tjera të cilat kanë të bëjnë me jetën e përditshme të njerëzve.

E NATO-ja mund ta bëjë këtë nëse vërtet shtetet kryesore të saj angazhohen seriozisht. Nëse Greqia nuk e konteston ekzistimin e Maqedonisë si shtet dhe nuk ka aspirata ndaj territorit të saj, që është fakt, pse ta pengojë anëtarësimin e saj në NATO. Le të anëtarësohet Maqedonia në NATO, qoftë edhe si FYROM, e pastaj le ta vazhdojnë sa të duan debatin rreth emrit të saj. Bosnjë-Hercegovina mund të nisë Procesin e Planit të veprimit për anëtarësim, që do të kuptohej si porosi e qartë se ky shtet do të bëhet anëtar i NATO-s dhe për këtë duhet lënë anash vërejtjet formale që i bëjnë disa shtete anëtare.

E 4 shtetet e NATO-s të cilat nuk e njohin Kosovën do të duhej të mendojnë seriozisht për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Ta njohin Kosovën si shtet apo së paku të votojnë në favor të përfshirjes së saj në PfP. Ndërkohë shtetet anëtare të NATO-s të cilat duan në mënyrë bilaterale duhet të ndihmojnë krijimin e një ushtrie të Kosovës për të krijuar sadopak një balancë në rajon. NATO-ja do të duhej të mbetej e pranishme ushtarakisht në Kosovë deri në momentin kur Kosova do të bëhej anëtare e NATO-s.

Nëse NATO-ja shumë shpejt nuk gjen vullnet për të bërë këtë përmes një riangazhimi politik në rajonin e Ballkanit, atëherë rrezikon gjithë atë sukses ushtarak që është arritur deri më tash. Ky angazhim do të kushtonte shumë më pak dhe do të ishte shumë më i lehtë nëse vërtet do të ketë vullnet.

*KOHA DITORE

2 komente në “NATO-ja të riangazhohet politikisht në Ballkan”

  1. ERZEN DECANI says:

    NA SHQIPTART HISTORIKISHT E DOKUMENTUEME

    MA SE SHUMTI I BESOJM FORCAVE TE SHKJAUT SE NATOS

    http://goo.gl/KGtO3t

  2. Diplomati says:

    Pasojat,e ndryrjes te Nato-s ne Kosove eshte Krimea!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje