Çikla elegance nga e kaluara

ahmeti

Nga Andi Qinami

Shkruhej para disa ditësh se dikush ishte ngritur për të rrëzuar shtatoren e Ahmet Zogut (akoma për disa, i vetëshpalluri) mbretit të shqiptarëve, duke marre përsipër pa të keq autorësinë e veprimit. Dikush tjetër u kishte kujtuar ndergjegjjeve, ashtu si për disa vjet më parë, se themelimi i disa forcave të caktuara politike duhet të ndalohet me ligj.

Me erdhi ndërmend menjëherë se si nja dy muaj më parë po i njëjti monument, ishte stolisur me një tufëz preshi (perime që, në sajë të aromës të veçantë, gjen përdorim rëndom në kuzhinën e thjeshtë dhe popullore, por edhe në gastronominë më të rafinuar e të sofistikuar).

Gjesti nuk ishte pikërisht një homazh ndaj figurës së Ahmet Zogut, imazhi i të cilit më është ngulitur fort mirë, sidomos në një foto që ndesha teksa hulumtoja në rrjet, fotografi nga e kaluara. Komplet doppio petto pa kohë, kravatë fantazi dhe një pochette më të gëzueshme, e gjitha nën një kapele panama. Nuk po ndalemi këtë herë mbi zonjën fisnike në krah.

Kjo figurë komplekse, që aq mirë njihte Shqipërinë dhe shqiptarët, qoftë edhe vetëm për stilin me të cilin u preokupua të paraqiste regjencen shqiptare në më shumë se një rast, meriton të njihet më gjerë e më mirë, sidomos nga ata që degjojnë vetëm një daulle, dhe e njohin vetëm si arrivist, rregullues të interesave vetjake mbi ato kombtare (kush është pa mëkat le të gjuajë gurin e parë), e të tjera si këto. Më vonë do të mund të gjykohet më objektivisht. Sepse… si kujton Orwelli, “Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen…”, dhe ne historinë, akoma s’po mësojmë ta shkruajmë drejt.

Të kopiuarit “ata andej”, pa kriter e pa përshtatje nuk është më e mira për t’u bërë, nuk është sot e nuk ka qënë ndonjëherë më parë. Por ama, diçka për të na mësuar, ndoshta më shumë se ne të tjerëve, politikës, ky regjent i së kaluarës na ka lënë patjetër.

gianni2

Me duket se pamvarësisht mos përthuthjes së kohërave dhe modave respektive, pak nga aktorët e skenës politike të vendit janë paraqitur ndonjëherë të denjë për të konkurruar me këtë figurë elegante. Megjithë që të ardhurat në kohët tona, (ato të deklaruara) të shtetarëve, siç dimë, kufizojnë në të shprehurit e vetes apo thjesht qasjen e dëshiruar përmes të dukurit. Në fakt as vetëm elegancës as vetëm karizmës, nuk i duhet dhënë rëndësi e tepruar. Është cilësia e të qeverisurit dhe cilësia e të vënit në dukje të gabimeve në qeverisje nga ana tjetër, ajo çfarë përbën substancën.

Ka pastaj, ka pasur dhe do ketë, shpërthime ekstravagance si ajo e të zinjve që Konica (tjetër bon viveur e dandy, ambasador i vetë Zogut të Parë, veprimet e të cilit shpesh nuk i aprovonte), përshkruan në përrallat e tij nga Zululandi. Ndërsa sqimë prej një elegance të kthjellët ishte ajo që karakterizonte të sjellurit e Ahmet Zogut.

Po po, një qasje e tillë me perëndimin me të cilën përçonte mesazhin e saj dhe sillte rezultate konkretë, sado e pazakontë mund t’i dukej kujtdo meqë tejet i varfër e i mjeruar ishte vendi atëherë. Që herët, eksluzivisht në terma elegance, ky regjent dukej se s’kish më c’të mësonte nga shtetarë apo regjentë perëndimorë të kohës. Edhe kjo e vetme vlen për t’u admiruar.

Por eleganca në fund të fundit “…është ajo cilësi e sjelljes që transformon sasinë maksimale të qënies, në dukje”. Mjafton sillen ndërmend personazhe të pushtetshëm, si Lord Brummell, John Kennedy, Giovanni Agnelli apo ndonjë tjetër, dhe kuptohet mirë për ç’flasim.

Rezultonin, po ashtu shumë më tepër sqimatarë, dinjitarët shqiptarë, nga ata qëbënin hajër nën adminitratën e Sulltanit, e deri tek qeveria e fundit kuislinge. Pa i mohuar totalisht, janë për t’u konsideruar stiloze dhe modele të caktuara si psh. prerja ushtarake-kohë e lirë e xhaketës alla Mao apo alla Chavez e Fidel – vetë i biri i mbretit Zog, është shfaqur disa herë me të tillë veshje – që po ashtu i dhanë elemente të caktuar të dukurit, në Evropën e viteve gjashtëdhjetë e më pas.

Tek ne, fill pas luftës vazhdoi të ruhej një masë elegance alla russa, të paktën për sa i përket uniformave të ushtarakëve të lartë, deri para divorcit.

Gjithsesi mes gjindjes (për ta thënë me Kasoruho-n) është dalluar që herët tendenca e joshjes dhe përkushtimi ndaj të bukurës në të dukur. Një shumë i pushtetshëm si Disraeli, që herët observon mbi shijen estetike të shqiptarëve: “popull që dashuron kostumet”.

Të vetmit shembuj elegance, në regjimin totalitar të së kaluarës, mund të vinin vetëm nga ndonjë filo-frëng brenda byrose politike, që mund të kthehej disi në diktues tendencash, por gjithsesi për një rreth të ngushtë.

Beau_Brummell_Statue_Jermyn_Street

Duke iu rikthyer edhe njëhere bimës-perime në këmbët e shtatores dedikuar Zogut, në bulevardin me të njëjtin emër, ngjall gjithsesi kuriozitet ky simbol pranë një burri shteti.

Ka pasur edhe më parë simbole të ndryshëm adoptuar nga liderë, udhëheqës shpirtërorë, rebelë apo qeverisës… më i shpeshtë ndoshta, është karafili. Shumëkujt mund t’i kujtohet Revolucioni lusitan i karafilave. Duket se vendit tonë më mirë i përshtaten simbole si preshi.

Mos ndoshta mbrapa fshihet një lëvizje e sapolindur, që ka bërë për vete këtë simbol? Apo është ndërkohë duke ndodhur revolucioni i preshit, dhe ne thjesht nuk e kemi vënë re?

/bota.al/

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...