INTERVISTA/ Zef Mazi: Energjia bërthamore në botën e nesërme

12 Maj 2014, 19:37Politika TEMA
INTERVISTA/ Zef Mazi: Energjia bërthamore në botën e nesërme

Teknologjia bërthamore jep kontribut jashtëzakonisht të madh për progresin e njerëzimit në pothuajse të gjitha aspektet e jetës. Teknologjia bërthamore mund të përdoret për qëllime paqësore, por ajo edhe mund të devijohet ose të përhapet për qëllime jo-paqësore. Për shembull, uraniumi dhe plutoniumi përdoren në centralet bërthamore për të prodhuar elektricitet, por në të njëjtën kohë, këto materiale mund të përdoren edhe për qëllime ushtarake. Komuniteti ndërkombëtar bën çmos që të parandalojë që kjo gjë të ndodhë. Këtu futet në lojë njëri nga funksionet kyç të Agjensisë: të parandalojë përhapjen për qëllime ushtarake. ANEA aplikon “masat e sigurisë” për të verifikuar angazhimet e Shteteve për të mos devijuar materialet bërthamore për qëllime të tjera përvec qëllimeve paqësore. Kësisoj, Agjensia jep kontribut të madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Meqënëse ajo kryen këtë funksion të rëndësishëm verifikimi, asaj shpesh i referohen si “qen roje” ndërkombëtar ose “qeni rojes” i OKB-së. Zbulimi i veprimtarive klandestine në Irak, për shembull, pas luftës të parë të Gjirit në 1991, solli në fokus të vëmëndjes disa dobësi në sistemin e masave të sigurisë të Agjensisë. Kjo situatë demonstroi nevojën që Agjensia të zhvillojë instrumenta të tjera që t’i mundësojnë asaj që të japë siguri të besueshme për mungesën e çdo materiali dhe veprimtarie të padeklaruar. Si rezultat, në vitin 1997, Bordi i Governatorëve të Agjensisë miratoi Protokollin Model Shtesë të marrëveshjes egzistuese gjithëpërfshirëse të sigurisë, dhe i kërkoi Drejtorit të Përgjithshëm që të negociojë protokolle shtesë me shtete të tjerë që janë të përgatitur të pranojnë masat që përfshihen në Protokollin Model Shtesë. Pra, egziston një sistem i mirëvendosur për të verifikuar që vendet i përmbahen obligimeve të tyre në kuadër të Traktatit të Mos-Përhapjes.

Në fund të vitit 2013, 180 shtete kishin në fuqi marrëveshje të sigurisë dhe 122 prej tyre kishin në fuqi protokolle shtese. Zbatimi i protokollit shtesë e rrit së tepërmi aftësinë e Agjensisë për të verifikuar përdorimin paqësor të të gjithë materialit bërthamor në një shtet që ka në fuqi marrëveshje gjithëpërfshirëse të sigurisë. Protokolli shtesë jep akses shumë më të madh për informacion dhe vendet ku ndodhen/bëhen aktivitetet, ajo është një vegël e shkëlqyer që ndihmon për të bërë vlerësimin e të gjithë programit bërthamor të një vendi. Shqipëria ka në fuqi edhe marrëveshtje të sigurisë që aplikohet për të gjitha veprimtaritë bërthamore, edhe protokoll shtese. Unë kam patur privilegjin të kem qenë Ambasador i Shqipërisë në ANEA në 1997 kur u miratua nga Bordi i Governatorëve Protokolli Model Shtesë si dhe, 10 vjet më vonë, të firmos në emër të Shqipërisë, Protokollin Shtesë të marrëveshjës të sigurisë të Shqipërisë, kur isha Ambasador në ANEA për të dytën herë.

 

Çfarë bën konkretisht Agjensia në monitorizime dhe inspektime? Cilat vende inspektoni dhe a bëni shumë inspektime në vit?

Masat e sigurisë aplikohen, si thashë, në 180 shtete. Nuk është sekret të thuhet se 1,300 instalacione në gjithë botën janë nën masat e sigurisë të Agjensisë. Agjensia kryen, për shembull, rreth 2,000 inspektime, merr rreth 700 mijë raporte dhe vlerëson qindra imazhe satelitore cdo vit. Agjensia ka të vendosur në punë mbi 1,000 sisteme monitorimi dhe matëse. Këto numra flasin vetë për intensitetin e lartë dhe gamën e veprimtarive, që përfshijnë burime njerëzore dhe teknologji të kësaj fushe nga ana e Agjensisë.

 

Për shumë njerëz kjo lloj pune është përsëri mister. Si e kryeni atë më konkretisht?

Marrëveshjet gjithëpërfshirëse të sigurise dhe protokollet shtese përcaktojnë masat që do të zbatohen nga të dyja palët. Këto masa varen në shkallë të madhe nga natyra dhe madhësia e programit bërthamor në një shtet. Agjensia merr deklarata nga shtetet dhe verifikon atë informacion përmes inspektimeve dhe veprimtarive të tjera në vend. Agjensia konsideron edhe informacione që mund t’i sillen në vëmëndje nga burime të hapura. E gjithë kjo vlerësohet nga Agjensia, e cila nxjerr konkluzionet e saj bazuar në gjetjet e saj nëse shtetet i përmbahen detyrimeve që kanë rënë dakord në kuadër të marrëveshjeve të sigurisë. Në rast se Agjensia gjen mospërputhje, ajo i kërkon sqarime shtetit.

 

Ambasadori i Iranit në Shqipëri ka thënë publikisht në mënyrë të përsëritur dhe në media se Irani nuk ka shkelur asnjë traktat, nuk po bën asgjë ilegale, dhe ka të drejtë të bëjë atë që po bën sepse është vetëm për qëllime paqësore. Cfarë mund të thuash ndaj kësaj?

Unë do të preferoj të fokusohem te raportet e shumta të Drejtorit të Përgjithshëm të ANEA-s paraqitur në Bordin e Governatorëve, të cilat paraqesin pikëpamjen e Agjensisë në drejtim të Iranit. Në raportet e tij, Drejtori i Përgjithshëm ka thënë se Agjensia ka vazhduar të verifikojë mos-devijimin e materialeve bërthamore të deklaruara në instalacione bërthamore dhe pika jashtë instalacioneve të deklaruara nga Irani në kuadër të Marrëveshjes të tij për Sigurinë, por Agjensia nuk ka qenë në gjëndje të japë siguri të besueshmë për mungesën e materialeve dhe veprimtarive bërthamore të padeklaruara në Iran dhe, për rrjedhojë, nuk ka qenë në gjendje të nxjerrë përfundimin se i gjithë materiali bërthamor në Iran ndodhej në veprimtari paqësore.

 

Duket sikur Irani nuk është në qendër të vëmëndjes së mediave kohët e fundit. Mos është kjo një periudhë e qetë para stuhisë?

Muajt e fundit kanë ndodhur disa zhvillime të reja pozitive pas shumë vitesh bllokimi sa i përket bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet Iranit dhe Agjensisë. Në nëntor 2013, Drejtori i Përgjithshëm, në emër të Agjensisë, dhe Zëvëndës-Presidenti i Iranit dhe President i Organizatës të Energjisë Atomike të Iranit, firmosën një “Marrëveshje të Përbashkët mbi një Kuadër Bashkëpunimi” (Kuadri për Bashkëpunim). Agjensia dhe Irani ranë dakord që të bashkëpunojnë më tej në lidhje me aktivitetet e verifikimit që do të ndërmerren nga Agjensia për të zgjidhur të gjitha problemet e tashme dhe të së kaluarës, dhe të ecet me këto veprimtari hap-pas-hapi. Irani ra dakord që të ndërmarrë gjashtë masa të para praktike brenda tre muajve të parë, dhe ato masa Irani i ka zbatuar. Në shkurt 2014, Agjensia dhe Irani ranë dakord për shtatë masa praktike shtesë që duhet të zbatohen nga Irani deri në 15 maj 2014. Drejtori i Përgjithshëm do të raportojë në lidhje me zbatimin e këtyre shtatë hapave në Bordin e Governatorëve brenda pak javësh. Drejtori i Përgjithshëm ka thënë se keto janë hapa të rëndësishëm përpara, por shumë më tepër duhet bërë.

Në një zhvillim të shkëputur nga kjo, në kuadër të Planit të Përbashkët të Veprimit (PPV) të nënshkruar në nëntor 2013 ndërmjet Iranit dhe Kinës, Francës, Gjermanisë, Federatës Ruse, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve (E3+3, ose ndryshe e njohur si P5+1), Agjensia duhet të ishte “përgjegjesë për verifikim të ‘masave që kanë të bëjnë me (aspekte) bërthamore’” të përfshira në Plan. Drejtori i Përgjithshëm e Mirëpriti Planin dhe e përshkroi atë si një hap tjetër të rëndësishëm përpara. Me miratimin e Bordit të Governatorëve, Agjensia po monitoron dhe verifikon zbatimin e masave që kanë të bëjnë me (aspektet) bërthamore. Zbatimi i masave në kuadër të PPV po ecën sipas planit.

 

Çfarë përfitimi kanë shtetet anëtare të Agjensisë nga antarësimi? Çfarë u ofron Agjensia?

Sic e përshkrova më lart, verifikimi bërthamor është një nga funksionet themelore të mandatit të Agjensisë. Por Agjensia bën shumë më tepër se kaq, dhe kjo gjë shpesh kalon pa u vënë re. Shumë njerëz janë në dijeni se aplikimi më i njohur i teknologjisë bërthamore është prodhimi i elektricitetit nga energjia bërthamore. Ndërkohë, teknologjitë bërthamore cekin pothuajse çdo aspekt të jetës tonë të përditëshme. Agjensia, duke vënë teknologjinë bërthamore në dispozicion të shteteve anëtare ndihmon, përmes dhënies të një game të gjërë asistence teknike, në shumë fusha, si vendet e zhvilluara ashtu edhe vendet në zhvillim që ato të arrijnë objektivat e tyre kombëtare të zhvillimit. Kështu ajo jep kontribut të rëndësishëm edhe në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjecarit.

Me lejo të jap disa shembuj specifikë ku Agjensia ndihmon shtetet anëtare duke i vënë në dispozicion technologjitë bërthamore: në fushën e shëndetit të njeriut, ANEA luan rol të rëndësishëm në kontrollin e kancerit në vendet në zhvillim duke u përmirësuar atyre aksesin tek mjeksia me rrezatim dhe duke siguruar përdorimin e efektshëm, të sigurtë të teknologjive të radioterapisë; një numër mjaft i madh i pacientëve me kancer kanë nevojë dhe marrin terapi me rrezatim gjatë sëmundjes. Programi i Veprimit për Terapinë e Kancerit (PACT) i Agjensisë promovon partneritete të efektshme për të mbështetur shtetet anëtare me të ardhura të ulta dhe të mesme që ato të forcojnë kapacitetet e kontrollit të kancerit duke integruar mjeksine rrezatuese në një kuadër gjithëpërfshirës kombetar të kontrollit të kancerit, për të zhvilluar e çuar përpara terapinë e kancerit, dhe për të zgjeruara kapacitetet teknike në diagnostike përmes mjeksisë bërthamore. Në botë janë mbi 10,000 spitale që përdorin radioisotope në mjeksi; çdo vit kryhen mbi 40 milion proçedura, dhe rreth 90 % e proçedurave janë për diagnostikime. Teknikat bërthamore janë tepër të rëndësishme në fushën e kontrollit të sëmundjeve të transmetueshme, përfshire HIV/AIDS dhe në dedektimin e llojeve të malaries dhe tuberkulozit që janë rrezistente ndaj ilaçeve.

Ka shumë aplikime të tjera të teknikave bërthamore: për shembull, shumë vende përdorin rrezatimin për të përmiresuar higjenën, sigurinë dhe cilësinë e ushqimit; rrezatimi përdoret në shumë aplikime industriale, si në sterilizimin e shiringave dhe pajisjeve spitalore, në testimin e cilësisë të çeliqeve për autovetura dhe kamjonë, në kontrollin e difekteve të prodhimit tek motorrët e avjonave. ANEA është aktive në ndihmën që jep edhe në fusha të tjera, si menazhimi i burimeve hidrike, hartologjia e burimeve hidrike nëntokësore, studimi i dobësive ndaj ndotjeve, në kontrollin e digave të hidrocentraleve dhe rezervuarëve për çarje të mundshme dhe për sigurinë e tyre, në monitorimin e ambjentit, përmirësimin e konservimit të tokës dhe manazhimin efikas të tokës dhe ujit, etj. Kësisoj mund të shihet se gama e veprimtarive të Agjensisë është mjaft e gjërë. Mjeti përmes të cilit Agjensia e transmeton gjithë këtë gamë njohurish, ekspertize dhe pajisjesh në gjithë këto fusha është programi i saj i bashkëpunimit teknik, nga i cili përfitojnë mbi 125 vende të botës përmes projekteve kombetarë, rajonale dhe nën-rajonale. Vetëm në vitin 2014, Agjensia ka nisur dhe po kryen zbatimin e 500 projekteve të reja të bashkëpunimit teknik.

 

Shqipëria, për shembull, nuk ka central bërthamor dhe nuk është shtet me armë bërthamore, ku dhe si përfiton konkretisht teknikisht nga Agjensia?

Gjatë vizitës të tij të fundit në Shqipëri, Drejtori i Përgjithshëm tha se Shqipëria është një partner i rëndësishëm i Agjensisë dhe Agjensia është shumë e kenaqur nga bashkëpunimi me Shqipërinë. Ju e dini që Shqipëria ka qënë shtet anëtar i Agjensisë që nga themelimi i saj në 1957, dhe ka shërbyer edhe në Bordin e Governtatorëve në 2007-2009. Shqipëria është nja nga shtetet anëtare që ka përfituar ndjeshëm nga programi i bashkëpunimit teknik të Agjensisë. Në mënyrë të vecantë, ajo përfiton përmes projekteve të posacëm kombetare në mjeksi, në konktrollin dhe terapinë e kancerit dhe në mjeksinë bërthamore, në fushën e ambjentit, etj., por edhe nga projekte rajonale dhe nën-rajonale. Ju mund të dini, për shembull, se shumica e pajisjeve dhe aparaturave në Departamentin e Onkologjise të Spitalit Nënë Tereza në Tiranë janë siguruar dhe dërguar nga Agjensia përmes programit të bashkepunimit teknik, veçanërisht në këto 10-12 vitet e fundit. Shqipëria është përzgjedhur nga Agjensia si një nga 8 qendrat demonstrative të Programit PACT falë përkushtimit të lartë, performancës të mirë dhe rezultateve të saj. Edhe në fushën e mjeksisë bërthamore, për shenbull, aparati i ri gama kamera është siguruar nga Agjensia. Pothuajse të gjitha trajnimet, specializimet, vizitat shkelcore dhe felloushipet për stafet mjeksore në këtë fushë janë siguruar nga Agjensia. Por, duhet të shtoj se edhe Shqipëria, nga ana e saj, i ka përmbushur në kohë të gjitha detyrimet ndaj Agjensië dhe ka një shkallë përfitimi përdorimi të asistencës teknike pothuajse 100%. Këshu, Shqipëria është një shembull i mirë.

 

Aksidenti i Fukushimës shkundi botën, duke treguar se energjia bërthamore nuk është e sigurtë. A ishte e sigurtë atëhere dhe a është më e sigurtë sot? Cili është mendimi i ANEA-s?

Aksidenti i centralit bërthamor Daiichi në Fukushima ishte tepër i rëndë. Drejtori i Përgjithshëm i ANEA-s ka thënë se aksidenti ishte një thirrje për zgjim! Aksidenti u iniciua nga një tërmet shumë i fuqishëm dhe një cunami i tmerrshëm, që shkatërroi shumë komunitete dhe solli vdekjen e mbi 20 mijë njerëzve, çmim ky shumë i rëndë, që shumë pak reflektohet në media. Më duhet të them ndërkohë se, pavarësisht nga ky aksident kaq i madh, nuk ka pasur asnjë humbje jete apo dëmtim të rëndë që i atribuohet aksidentit të centralit bërthamor, falë kjo edhe e masave të menjëherëshme parandaluese dhe veprimit, përfshirë evakuimet, që u ndërmorën nga Japonia. Shumë nga cështjet që përfliten lidhen me perceptimin rreth rrezatimit dhe nuk kanë bazë shkencore.

Në këto tashmë tre vjet që nga aksidenti në centralin bërthamor Daiichi në Fukushima është bërë progres i madh në forcimin e sigurise bërthamore kudo në botë. Menjëherë pas aksidentit, Drejtori i Përgjithshëm thirri një konferencë ndërkombetare ministrore për sigurine bërthamore, e cila miratoi një deklaratë politikë për sigurine bërthamore.

 

 

 

Në shtator të po atij viti, Konferenca e Përgjithëshme e ANEAs miratoi Planin e Veprimit për Sigurine Bërthamore, qëllimi i të cilit ishtë që të forcohet siguria në gjithë botën. Plani rrok një gamë gjithëpërfshirëse me 12 fusha madhore të sigurisë. Zbatimi i Planit nga Sekretariati, nga shtetet anëtare dhe nga te tjere të interesuar aktivë në këtë fushë, ka vazhduar me intensitet që nga ajo kohe. Të gjithë shtetet anëtare që operojnë centrale bërthamore kanë kryer ndërkohë atë që njihet si “test i stresit”, kanë future masa të tjera shtesë të sigurisë në gjithë centralet, etj. Janë mbajtur edhe një numër mbledhjesh ndërkombëtare ekspertësh për të analizuar të gjitha aspektet relevante teknike të sigurisë bërthamore, për të identifikuar mësimet e nxjerra dhe praktikat më të mira dhe për të siguruar që këto mësime të përhapen sa më gjërë. Forcimi i sigurisë është procesh në vijimësi, dhe në çështjet e sigurisë bërthamore nuk ka vend për vetekënaqësi.

 

Një numër vendesh janë shumë kundër energjisë bërthamore. A do vazhdojë bota të ketë dhe të përdorë energjinë bërthamore? CIli është mendimi i Agjensisë?

Sot janë 435 reaktorë bërthamore në punë në 30 vende të botës. Ato gjenerojnë rreth 12 % të energjisë elektrikë të botës. Sot, gjithashtu, janë në ndërtim e sipër 72 reaktorë në 15 vende. Kjo përbën numrin më të lartë të projekteve bërthamore në ndërtim e sipër që nga viti 1989. Qendra kryesore e zgjerimit është Azia, ku po ndërtohen 47 reaktorë. Në 2013 filloi ndërtimi i 10 reaktorëve të ri. Bjellorusia ishte vendi i dytë në tre deklada që filloi ndërtimin e centralit të parë bërthamor, pas Emirateve të Bashkuara Arabe, që filluan ndërtimin në 2012. Katër reaktorë të ri bërthamorë u lidhën në rrjet në 2013 dhe një tjetër në 2014. Konferenca Ndërkombëtare Ministrore “Energjia Bërthamore në Shëkullin 21” që u mbajt ne Shën Petersburg në 2013 konkludoi se për shumë vende energjia bërthamore mbetet një opcion i rëndësishëm për të përmirësuar sigurinë e energjisë, për të siguruar energji për zhvillim të qëndrueshëm, dhe për të luftuar ndryshimet e klimës. Kjo flet vetë.

 

Ju jeni Asistent Special i Drejtorit të Përgjithshëm për Strategjinë, ANEA është organizatë shumë e rëndësishme dhe unikale që merret me cështje mjaft sensitive në gjithë botën. Sa dimë në, ky është posti më i lartë që i është besuar një shqiptari dhe një diplomati shqiptar në një organizatë ndërkombetare. Si qe e mundur dhe cfarë mbulon ky post?

Si përmenda më lart, unë kam shërbyer si Ambasador i Shqiperisë në ANEA në Vjenë dy herë dhe kam bashkëpunuar dhe ndërvepruar me Agjensinë. Përmes asaj eksperience, unë kam akumular njohuri të gjëra për Agjensinë dhe kam vendosur një rrjet të gjërë njerëzor. Unë u thirra për intervistë, pas të cilës Drejtori i Përgjithshëm vendosi të më ofrojë postin e Zyrtarit të Lartë për Strategjinë në Zyrën e tij. Pas dy vitesh e gjysmë në këtë post, Drejtori i Përgjithshëm vendosi ta ngrejë nivelin e postit dhe timin në Asistent Special të Drejtorit të Përgjithshëm për Strategjisë. Kjo demonstron vlerësimin për punën e bërë.

Strategjia në përgjithësi është koncept i gjërë dhe, praktikisht, në çdo veprimtari ka një komponent strategjik. Agjensia ka një dokument që njihet si Strategjia Afat-Mesme (SAM), që rrok një periudhë 6 vjecare. Kjo Strategji përbën kuadrin drejtues gjithëpërfshirës për veprimtaritë e Agjensië për periudhën që ajo mbulon, ajo identifikon priorietet brenda dhe ndërmjet programeve, bazuar në konsiderata si trendet më të fundit teknologjike, nevojat e reja dhe në evulim si dhe sfondin politik, ekonomnik dhe social. Kjo Strategji shërben edhe si kuadri i përgjithshëm udhezues për përgatitjen e tre cikleve të programit dhe të buxhetit të Agjensië.

Posti që mbaj kryesisht mbikqyr zbatimin e kësaj Strategjie nga të gjithe departamentet, sipas fushave të tyre specifike të veprimatrisë, si dhe mbi bazen e planeve më të detajuara të zbatimit të strategjisë per seicilin departament. Strategjia përcakton gjashtë objektiva madhore strategjike të cilat duhet të përmbushen nga Agjensia në fund të përiudhës që rrok kjo Strategji. Perveç kësaj, posti mbulon edhe disa detyra të tjera specifike të ngarkuara nga Drejtori i Përgjithshëm.

Për mua personalisht, si shqiptar dhe diplomat, dhe mendoj se edhe për vendin tim, ështe privilegj dhe nder i madh që Drejtori i Përrgjithshëm më ka besuar postin e Asistentit Special te tij, pjesë e rrethit të tij më të ngushtë, në këtë organizatë prestigjoze, të respektuar dhë të rëndësishme ndërkombetare.

3 komente në “INTERVISTA/ Zef Mazi: Energjia bërthamore në botën e nesërme”

  1. Kiu says:

    Hajde gallate hajde. Nje koqe mesuesi anglishteje na flet per energjine e berthomes. Kjo qonka organizate kotnasikoti. Une e njof qe nga koha kur na ishte me pune prane postes, kur na shiste pordhe si kelysh i djalit te Enver Hoxhes.

    1. Skandaloze says:

      haha Kiu, jo vetem kaq, por ky “diplomat” karriere, e perdori karrigen e diplomatit per orgjite e tij, per dashnorkat me te reja se gruaja e tij. Pyesni Entela Gjiken, punonjese ambasade ne Angli, dashnorka e Zef-it, qe Zefi e solli me porosi nga Austria ne Angli qe ta kishte prane vetes. Entelaaaa te ka marre malli moj? Po te pikon atje ku je? Te doli zemra ne gazete.
      Nuk e hapi deren kurre per shtetasit shqiptare, sepse ishte teper i zene me dicka tjeter…
      Perse jeni kujtuar te shkruani per kete njeri sikur do rregulloje shqiperine ky me Berthamoren e tij. Nga mesues anglishteje, ne ambasador, ne berthamor…hapu dhe hapu, dhe thithi keta brenda.

  2. Don says:

    O Zef apo na thua ndonje gjo per ate fjalorin e vogel te anglishtes sepse per ane berthamore ti merr vesh sa mer gamori im.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje