Ju sjell pak poezi nga Gjakova

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Ilir Yzeiri

yzeiri

Prej një kohe që nuk e kam shumë të qartë, sa herë që largohem nga Shqipëria, qoftë jashtë vendit tim, pra kur udhëtoj në vende të ndryshme nga imi, qoftë edhe kur udhëtoj në Kosovë që është në një farë mënyrë vendi im, por jo habitati im, kam ndjesinë se po largohem nga çmendina. Madje, në qoftë se dita e udhëtimi është e premte, siç më ndodhi mua këtë herën e fundit, kjo ndjesi jo vetëm që thellohet dhe të shtyp, por ti fillon ta besosh me të vërtetë që prej shumë kohësh jeton në një çmendinë. Pra, të premten, më 9 maj, së bashku me bashkëshorten time, ishim të ftuar në « Mitingun e 50-të të Poezisë » që mbahet në Gjakovë. Unë, së bashku me mikun tim dhe studiuesin e dalluar nga Prishtina, prof. Agim Vincën, do të flisnim për kritikën letrare shqiptare në seancën jubilare të këtij aktiviteti. Kam pasur edhe një rast tjetër që të përshkruaj emocionet e mia nga udhëtimi në Kosovë, por këtë radhë, një lloj mosdëshire, një lloj apatie, më kishte mbërthyer të tërin dhe kur dita e nisjes po afrohej, disa herë thashë me vete se ndoshta do të ishte më mirë që të mos shkoja, sepse unë jetoj në një vend që poezinë e ka varrosur prej kohësh, unë jetoj në një vend që zotërohet i tëri nga një mjegull e trashë dhe nga re të zeza që janë gati të lëshojnë nga ora në orë shiun e dendur të llumit të sharjeve e fyerjeve, unë jetoj në një vend që ka vetëm një formë të paraqitjes së botës, që është ajo që i tregohet publikut një herë në javë, ditën e enjte në Parlamentin shqiptar dhe pastaj përditë në ekrane televizive e në faqe gazetash. Unë jetoj në një vend që si formë të vetme komunikimi ka vetëm ligjërimin politik që ndërtohet me metafora të asgjësimit luftarak me shpata e jataganë, ku tregohet e përshkruhet vetëm një realitet ai i luftës me fjalët më të ndyra, me sharje e etiketime, me kërcënime e shantazhe që opozita e sotme e udhëhequr nga rapsodi fantazmagorik i përcjell orë e minutë armiqve të tij që i kanë marrë apo i kanë « xanun » kullën e qeverisë. Ne, prej më shumë se njëzetë e ca vjet, po e vertetojmë thuajse përditë atë thënien fatale që hedh një gur në lumë një budalla dhe ne të gjithë kemi njëzetë e ca vjet që nuk po e gjejmë dot. Me këtë ndjesi po udhëtoja në Gjakovë edhe për të takuar ish-studentin tim të viteve 1984-’87, poetin Muharrem Kurti, që ishte në krye të klubit poetik « Gjon Nikollë Kazazi » të Gjakovës.

Takim me një të harruar prej kohësh

Kisha një lloj kurioziteti edhe cinik paksa se çfarë do të gjeja në këtë veprimtari. Isha përgatitur prej disa kohësh për atë që do të flisja aty, por sa herë që japja kompjuterin dhe shënoja titullin e ligjëratës që do të mbaja, e kisha të pamundur të shkruaja qoftë edhe një radhë. Titullin e shkrova disa herë, por sapo nisja reshtin e parë, sapo doja të shkruaja togfjalëshin kritika letrare, fjalia më ngecte dhe nuk vijoja dot. Më pështilleshin në mendje shumë ide e imazhe të kundërta, por sidomos ndjesia e çmendinës më pushtonte të tërin dhe më krijonte një frenim të tillë që e kisha të pamundur të shkruaja qoftë edhe një fjalë të vetme. Mua po më ftonin në një veprimtari që i kushtohej tërësisht poezisë dhe kjo se si më dukej. Ndieja edhe njëlloj keqardhjeje për ata njerëz që besonin ende se poezia është një art i bukur, që të josh. Doja të sillja në përfytyrim imazhin e poetit të sotëm që ta përqasja me atë figurë që ruajmë në imazhin kolektiv për poetin, por e kisha të pamundur. Ndaj shfletoja disa libra dhe përpiqesha që të ndërtoja një tekst që më shumë do të justifikonte gjendjen time përballë poezisë sesa do të tregonte realisht se në cilën fazë është kritika letrare sot. Në Gjakovë gjeta një atmosferë tjetër. Ime shoqe ishte shumë e gëzuar nga pritja dhe klima njerëzore. Poetët që na prisnin aty unë disa i shihja për herë të parë disa i njihja. M’u duk vetja se isha në një komunitet me njerëz të urtë, si midis murgjish që besojnë në një dogmë të lashtë e të patjetërsueshme, ashtu ishin edhe ata. Ora iku shpejt dhe në sallën ku do të mbahej veprimtaria u mblodhën shumë njerëz. Nisa të flas për kritikën letrare sot dhe e fillova duke kujtuar një citim që bënte kritiku i shquar shqiptar, Vangjel Koça kur i përgjigjej Hekuran Lumit (pseud. i Vedat Kokonës), kur ky i fundit merrej dhe analizonte gjendjen e letërsisë në vitet ’30. Vangjel Koça i kujtonte atij se po i futej një rruge të vështirë, se kritika letrare është një punë e rëndë dhe me shumë paragjykime e krijon konflikte. Ai i kujtonte një anekdotë të lashtë sipas së cilës thuhet se Shën Pjetri, një ditë, e pa Jezusin që u ngrit nga varri dhe po bëhej gati për rrugë. Ku shkon? e pyet Shën Pjetri? Në Romë i përgjigjet ai që të kryqëzohem përsëri. Sot në Shqipëri nuk ekziston kritika letrare e mirëfilltë, në kuptimin që ka ky term, pra, nuk kemi më kritikën recinsionale që përcjell letërsinë që krijohet apo që vjen përmes përkthimit. Nuk kemi më një organ të specializuar siç ishte “Drita” dikur. Kritika letrare, siç vuri me të drejtë në dukje Agim Vinca në këtë takim, kur bëhet për miqtë shkrimtarë është një panegjerik i lodhshëm, kur bëhet për armiqtë letrarë është një pamflet kinez i mbushur me denigrime e përjashtime. Në gjithë këta vite ne kemi ndërtuar figurën e kritikut politik pamfletist dhe poeti nuk është më figura që i imponohet shoqërisë. Sot modeli i shoqërisë është bërë ai që Umberto Ekoja e pat vënë re që në vitet ’60 kur në Itali u shfaq Majk Bonxhiorno dhe televizioni komercial. Në atë kohë Ekoja shënoi i parë se tani modelin aristik apo mediatik të shoqërisë e zë mediokri i vetëkënaqur që nxit dhe shtyn përpara mediokritetin kolektiv dhe popullsinë e telenovelave. Në vendet e zhvilluara poezia nuk u mbyt tërësisht, nuk u asgjësua. Ajo iu ngjit këngës dhe kantautorët e famshëm, duke bërë bashkë poezinë dhe muzikën, u bënë modele më të fuqishme ndonjëherë sesa starët mediokër të televizioneve. Në një farë mënyre ata e ndryshuan shoqërinë e tyre qoftë duke iu modifikuar shijet, qoftë edhe duke iu treguar shtigjet nga të projektoheshin. Në Shqipëri poezia u ndrydh dhe u struk në grupe të vegjel poetësh dhe turbo-folku, ringjallja e kulturës së ahengut e shkalafiti muzën e drojtur poetike. Në Shqipëri nuk ka kantautorë që të jenë modele për të drejtuar shijet e një brezi. Pat bërë një përpjekje të mirë Pirro Çako me dy disqe që ndërtoheshin me poezitë e T. Kekos. Mbaj mend se ato u bënë hite shumë shpejt, por edhe Pirroja ra në avujt e ngrohtë të turbofolkut dhe humbi bashkë me dy disqet e famshme. Prof. Vinca bëri një paraqitje më analitike dhe më të detajuar të kritikës letrare sot. Ai me skrupulozitetin e studiuesit e paraqiti këtë panoramë me të gjitha ngjyrat dhe detajet . Konkluzioni i tij se kritikës sonë i mungon profesionalizmi dhe etika sidomos ishte përfundimi më i drejtë.

Një sallë me spektatorë që dëgjojnë poezi

Në sallën e madhe me rreth 700 vende, vazhdoi pjesa e dytë e veprimtarisë. Kur Muharremi më tha se mund të jenë rreth 500-600 vetë që do të dëgjojnë poezi, unë nuk e besova. Kur hymë në atë sallë dhe kur ajo nisi të mbushej ngadalë, po habitesha dhe po mendoja se si do të silleshin gjithë ata njerëz me poetët që do të recitonin nga një poezi në skenë. U ngjitën të gjithë bashkë me ta dhe miku im gazetari dhe poeti Aleksandër Çipa dhe duke u përzier herë më ndonjë këngë apo herë me ndonjë paraqitje tjetër, poetët nisën të recitonin poezitë e tyre. Kishin ardhur edhe dy poetë nga Katalonja e Spanjës, peozia e të cilëve ishte vërtet një art që jetonte shekullin XXI, një poezi që mungon në viset tona. Recituan të gjithë dhe salla e mbushur me rreth 600 vetë dëgjonte me vëmendjen më të madhe. Unë mbeta i mahnitur nga kjo sjellje. I ardhur nga një çmendinë e njohur botërisht siç është habitati im, po të ma kishin thënë se në Gjakovë, në një sallë kinemaje mblidhen aq shumë njerëz dhe dëgjojnë për më shumë se dy orë, poezi, në heshtje dhe i duartrokasin ato, nuk do ta kisha besuar. Natyrisht, për çmendinën e Tiranës kjo shfaqje mund të jetë një manifestim populist dhe një maratonë e shijeve jo të ngritura. Mund të jetë edhe ashtu. Por manifestimi, shfaqja, marrëdhënia që shqiptarët e Gjakovës ruajnë me poezinë dhe kërkojnë të identifikohen me të është një shenjë pozitive. Duke parë sallën plot të Gjakovës më shkonte mendja te sallat bosh në Shqipëri që mbushen vetëm kur afrojnë zgjedhjet e radhës dhe turmat e eksituara ulërasin si në ekstazë për vdekje të kundërshtarti politik. Pastaj në sallone të mbyllura mund të mblidhen sekte të caktuara që talentin dhe artin e tyre e kanë të stërvitur në pamflete kundër armiqve letrarë dhe në zdërhallje e panegjerike për shokët dhe shoqet e tyre shkrimtarë a poetë. Ditën tjetër nisemi nga Gjakova në Prishtinë. Aty kalojmë drekën pastaj pimë një kafe në Prizren dhe kthehemi. Sapo kemi kaluar një nga fshatrat e Mirditës, ime shoqe, që kontrollon përmes celularit të saj lajmet nga Shqipëria, më thotë se qënka kapur një avion në Divjakë. Mos, i them, vetëm avion, jo. Po, po, madje dyshohet se vinte për të marrë drogë, se më tej është kapur edhe një fouristradë me 460 kg kanabis. Jo, mos, hajde kthehemi i them. Shiko rrugën më thotë ajo se do na hedhësh. Po kush e jep lajmin? Është zyrtare më thotë. Mos, jo, avion, drogë, çmendinë. M’u kujtuan kronikat e “Kronikës” së Kadaresë. Prit kur të dëgjojmë tani se Berisha është me barrë…jo, mos, drogë, Divjakë, avion sportiv avionë britanikë dhe avionë grekë dhe një avion mbi Kalanë e Rozafës. Po futeshim në Tiranë, po hynim në çmendinë….

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

8 komente në “Ju sjell pak poezi nga Gjakova”

  1. Toni KS says:

    Kurse une isha te njejten dite ne Tirane dhe Durres. Sikurse juve me beri mire ikja per ca dite nga hibatati im. Shikoja Kalane e Durresit dhe lexoja historikun e saj ne prospektin turistik. Mendoja me vete, kroatet me Dubrovnikun e tyre bejne pasuri ndersa ne shqipot ndertojme pallate mbi rrenojat antike. Sa keq.

    1. Toni KS says:

      Habitati jo “hibatati”. gabim shtypi.

  2. Albann says:

    hahaha :((((((((((((((((((((((((((((((((((((((((…….Sa stress u shkakton shqiptareve nje njeri I vetem…Te mbetej me barre ku ma gjen ,se do kujdesej per femijen dhe do I linte shqiptaret perkohesisht ne paqe.

  3. Me joshi shkrimi “Ju sjell Poezi nga Gjakova,sa me beri te perjetoj nje vizite te vetme ne ate qytet te Kosoves moter,sa nisur ditet e clirimit te saj,pas asaj Lufte clirimtare, ndihmuar Bota me Sh.B.A ne krye. Me joshi dhe per faktin se ne Toronto(Kanada),shkuar si mysafir tek femijet emigrante, takoj pos shqiptareve te tjere, shume Shqiptare te Kosoves,qe me mbrekulluan me atdhetarizmin e tyre. S’me harroet ajo festa per manifestimin e pervejtorit te fitores nga shqiptaret emigruar ne Toronto te Kanadase sa rrethinat e saj. I pershendes te gjithe se toku permes ketij komunikimi me Ju.
    Me joshi dhe per faktin se; si Dangelliot nga Frasheri i “Vellezerve FRASHERI”, ne festat shkuar per “Ditet e Naimit”cdo 25 Maj, keto vitet e fundit,ne Frasher, vendlindiene “Vellezerve Frasheri”,takoj shume kosovare, kryesisht nxenes dhe mesues te shkollave te mesme nga Prishtina Gjakova, Prishtina,sa vendlindie e Herroit Kosoves ne PREKAZ tek ai monument i pashoq HEROIZMI i Adem Jasharit me farefin e tij,pejetesuar ne ate monument historik, sa transformimet e para, fituar mevetesine Kosova.Jetoj me literaturen marre nga miq e shoke krijues peruruar ne Tirane deri se fundi, Vepren e te madhit Rexhep Qosia,me autografin e tij,si medalion mes faqes se pare te librt: “Shqiperia dhe Kosova”,botim i Shtepise botuese “Toena”,shperndare pas nje aktiviteti festiv, marre mbresat direkt nga autori sa pjesmarresit e shumte ne keto dite fillim Maji.
    Po ashtu dhe ne perurimin e Librit te portit Ajet Shala “Ne krahet e mjelmes”,sa te shkrimtareve dhe poeteve shqiptare me banim ne Tirane si: Pjeter Nikolla me librin “Lidhjet gjinealogjike Kosove-Mirdite”,te Piro Lolit ;”KOSOVA Saga e Ballkanit”(refleksione.Me bejne te jetoj me kosoven veprat e shkruara te Sadik Sales:”Suhareka neper vite”.
    Lexoj shkrimin e mesiper te Ilir Yzeirit qe e pergezoj sa mikun e tij Agim Vishen, me te cilin ai kuvendon ne kete shkrim.
    Mbi te gjitha pershendes te gjithe ata Kosovare VELLEZER qe vijne nga Kosova ne Frasherit e Abdul Frasherit te Madh sa “Vellezerve Frasheri” ne vendlindie; FRASHERIN e DANGELLISE historike cdo vit. Jemi ne prag te “25 Majit- Dites se NAIMIT”, tashme kthyer ne feste te perviteshme atje ne VENDLINDIEN e tyre,dite qe do te kremtohet sivjet me madheshti ne kuadrin e “70 Vjetorit te Clirimit te Atdheut”,ndaj; JU PRESIM VELLEZER si gjithnje.
    Rofte KOSOVA! Rrofte SHQIPERIA MEME.
    Ju shkruan mesuesi pesionist 78 vjecar,i NIPI i Jano Xhoga Zavalanit,”Luftetar i shekullit” e emerton historiani Apostol Kotani, RENE si bien TRIMAT, krye cetes qw komandonte ne mbrojtie te PAVARESISE sapo shpallur,ne mbrojtie te saj, krah Papa Stath Melanit me shoke, nga synimet e shovinisteve GREK (1913-14).
    Mbrodhesi vellezer te kudondodhur! Mbrodhesi MEMEDHEUT TONE SHQIPERI!
    Dhimiter M.Xhoga

  4. Gjakovari says:

    Gjakova megjithate sot është qyteti më i varfër (materialisht). Para vitit 1999 Gjakova ishte qytet me qytetari, me zhvillimin më të madh ekonomik në Kosovë dhe një ndër qytetet me më së shumti të punësuar në ish Jugosllavi. Gjat luftës së vitit 1999 Gjakova ka pësua më së shumti dëme materiale poashtu edhe njerzore nga Serbët. Por Gjakova ka pësua dhe më keq pas vitit 1999 nga Shqiptarët e Kosovës. Këte Gjakova nuk e ka meritua.

  5. Bujari says:

    Ju sjell poezi nga gjakova ,prap e futni berishen dikun ,Debill i kuq…

    1. Tani says:

      Bujar do te thote bujari, por ju lutem na e kurseni mediokritetin tuaj duke e shitur per ar…Dikur ne Kosove thuhej se pa Gjakove e Gjakovare ska as politike dhe as muzike, sepse ai qytet rrezatonte dhe ende rrezaton qytetari…Ne Kosove sikunder edhe ne Shqiperi, malokerija=fshataresija nen mesimet e “Revolucionit te madh Kulturor Kinez” dhe te drejtuar nga dishepulli te tij komunisti 22 karatesh (sepse per aq kohe ka qene sekretar partije) Sali Berisha, rrethuan qytetet e i bene edhe ato fshatra ne nivelin e tyre kulturor….Qytetarija nje dite do te ritriumfoj si ne Gjakove edhe ne trojet e tjera shqiptare te Shqiperise natyrale te 28.12.1912, POR duhet kohe dhe durim…

  6. Scandal says:

    Po po Tani sigurisht qe do te triumfoj vetem durim se Gjakovaret jan shume te durushem ………………

Lini një Përgjigje te Dhimiter M. Xhoga Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *