Kunati shpjegon arsyet përse nuk erdhi në protestë tek “Laguna Blu”

1 Nëntor 2015, 19:50Antena TEMA

Kunati së bashku me Lulin kanë nga një shtëpi tek “Laguna Blu”. Edhe ata, njëlloj si banorët e tjerë të fshatit, janë të revoltuar për atë që po u bën Sandri.

Sot në orën njëmbëdhjetë, kur nisi protesta, Kunati mungoi. Bashkë me të munguan dhe ministrat e tjerë të PD-së, Pollo, Imami etj, ndërkohë që PD-ja kishte dënuar gjestin e Frangajt përmes një deklarate për shtyp.

Pas kësaj Kunati u detyrua t’i shkruajë një letër Shtabit të protestës dhe të shpjegojë arsyet përse nuk ishte në protestë.

“Të dashur bashkëfshatarë të “Lagunës Blu”.

E di që dikush mund të jetë zemëruar me mua përse  mungova sot në protestë, por do përpiqem t’u shpjegohem.

Në radhë të parë, u shpreh garancitë e mia dhe të Lulit se ne jemi me ju deri në fund të kësaj proteste, pa asnjë mëdyshje të vogël. Pavarësisht se fizikisht munguam aty për arsye taktike, ne jemi plotësisht me ju.

Prania jonë fizike u kushtëzua nga Doktori, pasi Sandri ka shkuar aty dhe ka sulmuar Lulin si njeri pa parime, që gjoja e ka sulmuar Sandrin se kemi pronat tona këtu. Kjo nuk është e vërtetë dhe ne nuk duam të ushqejmë këtë iluzion tek Doktori, sikur merremi vetëm me punët tona. Ne kemi prona gjithandej, por kjo nuk do të thotë që gjithandej të bëjmë sherr. Biles Luli, në një moment nervozizmi i tha Doktorit: “Nëse do, unë e shes dhe vij blej një shtëpi tek Gjiri i Lalzit ngjitur me ty”. Atëherë ai reflektoi dhe i tha “Nuk ka nevojë. Të besoj”.

Një tjetër arsye përse nuk erdhëm ishte se nuk deshëm ta politizojmë protestën. Ajo duhet të ngelet një protestë qytetare e bashkëfshatarëve tanë tek “Laguna Blu” dhe  jo një protestë politike e PD-së. Ndryshe do na ngrihen njerëzit në rrethe e do na thonë,  “Ju nuk po  na ngrini në protesta për ujë, bukë dhe drita dhe vet bëni protesta për vila”.

Por pavarësisht kësaj, ne morëm masa të shprehim solidaritetin tonë.

Për shembull, Pollos i lamë detyrë të postojë një foto në Facebook me parrullën, “Tokë e Nxanme. I zoti i tokës Aleksandër Frangaj…Ndërtues Qeveria”. Në mënyrë të tërthortë kjo tregon solidaritetin tonë me protestuesit dhe mbështetjen tonë pa kufi. Edhe Ben Imamit i dhashë porosi që po të takojë Fullanin në kafe, t’ia thotë nja dy fjalë për Sandrin, që mos të kujtojë se do ta kalojë me kaq, se do të na detyrojë të protestojmë dhe për 13 katshin tek Parku pastaj.

Kërkova dhe një prononcim nga Genc Ruli si banor i fshatit, por ai më çuditi kur më tha që unë e kam shitur, kam një vit.

-Po pse nuk na the dhe ne, e pyeta, kur e dije që do na e bënte Sandri kështu?

-Ç’të them djalo, tha. Ju doni të mbani pushtetin duke mësuar një herë hilet, pastaj zanatin. Unë kam mësuar një herë zanatin,  kështu që nuk ma hedh dot Sandri.

Pamvarësisht këtyre që kanë ndodhur, ne iu sigurojmë se do të jemi bashkë me ju deri në fund, edhe nëse dikush na detyron të bëjmë ndonjë deklaratë pro Sandrit. Mos e besoni atë! Është thjeshtë detyrim se jemi akoma peng. Por një ditë do ta fitojmë lirinë.

I juaji, Kunati”.

1 komente në “Kunati shpjegon arsyet përse nuk erdhi në protestë tek “Laguna Blu””

  1. Psw says:

    Ore s’po kuptoj më se kush është personazh i “Antenës” dhe kush është ai që frymëzohet nga ajo dhe shkruan letra duke abuzuar me të drejtën e autorit.
    Ky kunati p.sh, më duket më zotëri,më i sinqertë dhe më i barabartë se sivllezërit e tij të fermës Shqup-iste.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje